Shtojca për Kulturë

Familja në shërbim të kombit

Asnjë histori kombëtare nuk mund të jetë e plotë pa përfshirjen e rolit vendimtar që ka pasur mërgata jonë në të gjitha fazat e zhvillimeve historike. Të kontribuosh për atdheun është fat, por mbi të gjitha ishte përcaktimi i ndërgjegjshëm i familjes Osmani që e drejtoi rrugëtimin e saj nëpër kronologjinë historike kombëtare, pjesë e së cilës u bë me angazhimin e pashoq

Më 2020 Instituti Albanologjik pati mundësinë që ta përfshinte në planin botues monografinë “Lufta për lirinë e atdheut dhe familja (Veprimtaria e familjes Osmani në SHBA)” të autorit Emin Kabashi, si njërën ndër veprat e rralla me dedikim ndriçimin shkencor të kontributit historik të mërgatës sonë. Një përurim i munguar atëbotë ishte rezultat i shfaqjes së pandemisë, ndërsa sot jam shumë i nderuar që mund të them disa fjalë me rastin e botimit të kësaj vepre në anglisht që doli këto ditë në edicion të Shtëpisë Botuese “Koha”. Mërgata shqiptare, që nga Rilindja Kombëtare e këtej, ka luajtur rol të rëndësishëm në përcaktimin e fateve të atdheut. Kolonitë shqiptare u bënë formësuese të ideologjisë kombëtare e cila rezultoi me pavarësinë Shqipërisë, pa harruar se edhe në periudhat e pastajme aktiviteti i mërgatës shqiptare ishte përcaktues për secilin progres në rrugëtimin tonë drejt lirisë.

Mërgata shqiptare në Evropën Perëndimore dhe sidomos ajo në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dha ndihmesë vendimtare për ndërkombëtarizimin e çështjes së pazgjidhur shqiptare. E krijuar kryesisht si një komunitet ekonomik, me kalimin e kohës dhe me intensifikimin e veprimtarisë atdhetare, mërgata jonë do të faktorizohej deri në atë masë sa të bëhej subjekt i rëndësishëm në orientimin e zhvillimeve në atdhe dhe në mbështetjen e lëvizjes çlirimtare. Në raste më të rralla ndër kontribuuesit e kësaj mërgate dalzotëse e atdheut ishin përfshirë më shumë pjesëtarë të një familjeje, madje-madje edhe e gjithë familja. E këtillë ishte familja Osmani, përkatësisht vëllezërit Osmani, Hasani dhe Esati, të cilët ishin ndër idealistët që vunë në shërbim të çështjes shqiptare potencialet e tyre ekonomike, intelektuale dhe shoqërore. Të vendosur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, fillimisht më 1968, vëllezërit Osmani me kohë u bënë faktorë në organizimin e mërgatës së atjeshme shqiptare, kontribuuan për informimin dhe ndërgjegjësimin e opinionit amerikan lidhur me pozitën e rëndë të shqiptarëve në Jugosllavi, por edhe për fuqizimin e lobit shqiptaro-amerikan me qëllim që çështja shqiptare të fitonte mbështetje në institucionet më të larta shtetërore amerikane.

Autori i librit, Emin Kabashi, ka vlerësuar se angazhimi i vëllezërve Osmani për çështjen kombëtare ishte i përhershëm, si në rastin kur kërkohej mbështetje financiare për aktivitete të shumta lobuese, ashtu edhe atëherë kur bëhej fjalë për organizimin e demonstratave dhe të manifestimeve në mbrojtje të të drejtave njerëzore e kombëtare të bashkëkombësve të mbetur nën sundimin jugosllav. Jo rrallë vëllezërit Osmani do të siguronin edhe pjesëmarrje të zyrtarëve të lartë amerikanë, duke filluar nga senatorë, kongresistë, shtetarë në administratën amerikane, personalitete liridashëse me ndikim në sfera të ndryshme të jetës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Autori e ka vënë theksin edhe te mbështetja që kjo familje ua kishte dhënë veprimtarive dhe aktiviteteve të Ligës Shqip­taro-Amerikane, të formuar nga kongresisti Xhozef Diogardi dhe të mbështetur edhe nga personalitete të shquara të të dyja kombeve. Ndonëse kontaktet dhe bashkëpunimi me Diogardin shënonin nismën e mbarë të kontributit për krijimin dhe forcimin e lobit shqiptaro-amerikan, pjesëtarë të familjes Osmani, kishin vënë kontakte me senatorë e anëtarë të Kongresit ame­ri­kan, ndër të cilët shquheshin Bob Doll, Tom Lantosh, Eliot Engëll etj., por edhe me presidentët amerikanë, siç ishin Bushët, babë e bir, dhe veçmas me presidentin Klinton, i cili me vendimin e tij historik për të ndërhyrë në mbrojtje të një kombi të kërcënuar nga shfarosja e plotë, i dha fund fushatës gjenocidale të Serbisë në Ballkan. Nuk ishte vetëm afërsia fizike e të qenët fqinjë të respektuar me Klintonët, për disa dekada me radhë, ajo që prodhoi efektin e mbështetjes vendimtare të Kosovës, por ishin aktivitetet e shumta, të pandërprera e të llojllojshme në të mirë të çështjes shqiptare ato që hapën rrugët e lirisë e të përparimit tonë kombëtar. Një referencë e shkëlqyeshme dhe krejt e veçantë është edhe letra e presidentit Bill Klinton, dedikuar botimit të këtij libri, në të cilën simbolikisht thuhet një pjesë e vogël e së vërtetës së madhe për historinë e Kosovës, për lirinë e saj.

Megjithatë, kjo monografi është një hap i duhur dhe ndër të parët në drejtim të nxjerrjes në dritë të kontributit të familjeve tona mërgimtare për mbështetjen e atdheut në ditët vendimtare të ekzistencës së tij. Asnjë histori kombëtare nuk mund të jetë e plotë pa përfshirjen e rolit vendimtar që ka pasur mërgata jonë në të gjitha fazat e zhvillimeve historike. Të kontribuosh për atdheun është fat, por mbi të gjitha ishte përcaktimi i ndërgjegjshëm i familjes Osmani që e drejtoi rrugëtimin e saj nëpër kronologjinë historike kombëtare, pjesë e së cilës u bë me angazhimin e pashoq. Rrugëtimi i lexuesit nga gjenealogjia e kësaj familjeje deri te bashkëkohësia përbëhet nga disa pika kyçe, ndër të cilat, krahas dimensioneve familjare të ngritjes, përparimit, por edhe të momenteve e të përjetimeve tragjike, shquhen edhe kthesat historike në jetën e kombit tonë, në të cilat vëllezërit Osmani dhanë ndihmesën e tyre, duke u bërë mbështetës dhe jo rrallë edhe faktorë të zhvillimeve historike për një rrugëtim të ri të kombit shqiptar.

Kjo monografi, veçse një pjesë e së vërtetës për ndihmesën e madhe që dha mërgata jonë, nëpërmjet shembullit të familjes Osmani, njëkohësisht është edhe shprehje e mirënjohjes për gjithë angazhimin e saj, për ndihmën që ia dhanë Kosovës dhe shqiptarëve përgjithësisht në kohë të vështira e vendimtare të historisë. Duke e përmbyllur këtë fjalë, dua të shpreh edhe mirënjohjen time për gjithë këtë angazhim madhor të familjes Osmani, veçse këtë do ta bëj duke huazuar fjalët e Xhozef Diogardit, i cili pohonte: “Kishte shumë punë që duhej bërë, si në Kosovë, si në Shqipëri, si në Maqedoni. Por, për t’i bërë këto punë, duhej ekip, duheshin mjete, para e gjëra të tjera. Pa vëllezërit Osmani, shpesh nuk mund të bënim asgjë. Këta ishin përherë aty ku kishte nevojë”.

Prishtinë, 21 shtator 2022