Shtojca për Kulturë

Muzika si art i tingujve

Jeta është himn, këndoje!

Nëna Terezë

Me shekuj kultura perëndimore dhe ajo orientale, muzikën e kanë përjetuar si jehonë (refleks) i harmonisë së rruzullimit (kozmosit). Filozofi kinez, Yoki, shkruan se “...muzika është harmonia e qiellit dhe e tokës. Muzika nga qielli merr virtuozitetin e tij të mrekullueshëm”.

Një tekst indian i shekullit mesjetar... muzikën e konsideron si shenjë – tregues të pavdekshëm.

“Arti në masën më të madhe është pjellë e imagjinatës krijuese që i ka bazat në qëndrimin emocional të njeriut ndaj botës dhe jetës”. (S. Spahiu - Edukate muzikore, fq. 5).

Po e citojmë zonjën Marianne Williamson, mësuesen spirituale amerikane, e cila për fuqinë magjike dhe ndikimin e pakufizuar të muzikës thotë: “Po, jemi duke vërejtur se bota është me plot probleme. Mirëpo, besojmë në fuqitë universale të cilat, të nxitura nga zemra e njeriut, kanë fuqi që problemet jetësore plotësisht t’i korrigjojnë. Muzika dhe dashuria kanë fuqi hyjnore: të përtërijnë zemrën, të përtërijnë popujt dhe më në fund ta përtërijnë botën”.

Kur këtij konstatimi ia shtojmë edhe përgatitjen profesionale të lartë, njohurinë e gjerë, punën e palodhur në arritjen e qëllimit të caktuar me vetëdije të plotë, ngritjen e nivelit artistik e kombëtar, si dhe sintetizimin e të gjitha këtyre elementeve në një personalitet, atëherë si rezultat do të na japë artistin e nivelit të lakmueshëm te çdo popull.

Çka shpreh muzika në krijimtarinë time?

Veprat e mia janë pjesë e kontributit të krijimit dhe zhvillimit të kulturës nacionale muzikore. Për lëndën e brendisë muzikore të veprave të mia kërkoj dhe zbuloj elemente të reja, sidomos ato të bazuara në muzikën tonë popullore, me ndijim të sensibilitetit individual.

Pasi koha është këshilltari më i dobishëm i njeriut, si krijues i palodhshëm, gjithnjë shfrytëzoj çdo dite të sotme, e më pak shpresoj në ditën e nesërme. Opusi im është i madh, me dimensione të mëdha dhe i gjithanshëm. Krijoj duke u mbështetur në karakteristikat shprehëse nacionale, si dhe duke përdorur edhe tendenca të reja stilistike neoromantike dhe neoklasike dhe, duke u mbështetur në traditat e kulturës muzikore të Evropës Perëndimore. Nga muzika popullore nxjerri ide nga kultura dhe tradita e muzikës sonë nacionale, që sado e karakterizojnë stilin tim.

Krijimtaria muzikore është fryt i punës sonë dhe patjetër duhet të valorizohet. Dëshira, nevoja dhe shpresa e çdo krijuesi është t’i eksponojë krijimet e veta dhe ta ndiejë vlerësimin e dëgjuesit. Krijimtaria është pronë intelektuale dhe kjo e drejtë nevojitet të respektohet dhe të mbrohet transparent, si e drejtë e autorit nga “Agjencia për mbrojtjen e drejtës së autorit”, e cila, si korporatë mbrojtëse, tek ne nuk ekziston. Këto të drejta, në mënyre epidemike shkelen dhe bëhen qenësisht tipar karakteristike e kulturës sonë. Kjo dilemë duhet në tërësi sa më parë të zgjidhet!

Analizat e bëra, të disa kompozimeve, janë të bazuara në ndërtimin e brendshëm të tingujve të shkallëve cilësore, ato të vjetra kishtare ose nga folklori muzikor, si dhe në gjuhën e analitikes së veçuar muzikore (për trajtat e përbëra). Ato janë të zbërthyera e të shkoqitura në pjesët përbërëse, qëllimthi që të zbulohet ndërtimi i së terës, i strukturës themelore dhe i lidhjes ndërmjet pjesëve, me vetitë e elementeve të tyre. Këtu bëhet perceptimi analitik, i cili mund t’i shërbejë edhe muzikologjisë analitike.

Shkëputur nga libri autobiografik “Unë jam Vinçenc Gjini”, botuar nga Këshilli i Pakicës Kombëtare Shqiptare të Qytetit të Zagrebit më 2012