Shtojca për Kulturë

Sali Shijaku – maestroja i pikturës shqiptare

Mjeshtri i madh i pikturës shqiptare, Sali Shijaku, i cili vdiq të shtunën, qe njëra prej figurave unike të artit shqiptar, pionieri i pikturës aktive, figurative, kontrastuese ndaj dekorit historik shqiptar të gjysmës së dytë të shekullit XX. Krijoi vlera artistike që ndikuan në modernizimin e pikturës shqiptare

Ishin vitet ‘50 të shekullit të kaluar kur u shfaq si emër i ri në botën e arteve figurative shqiptare. Artisti i shkolluar në Shën Petersburg, asokohe i njohur me emrin ideologjik Leningrad, nuk do të vononte fort e të niste t’i thyente rregullat, duke iu kundërvënë kufizimeve të ideologjisë për ta hapur fantazinë e botën e tij. Dhe kështu do të bëhej ylli i artit shqiptar. Kështu u kujtua edhe në ditëvdekjen e tij.

Mjeshtri i madh i pikturës shqiptare Sali Shijaku, “Nderi i kombit”, ka vdekur në orët e para të së shtunës. Ai ishte 89 vjeç.

Ishte një nga artistët e rrallë që vdiq me penel në dorë. Para pak ditësh i biri po e nxirrte në foto duke pikturuar, kur u sëmurë papritur.

Ka qenë pikërisht i biri i tij, Orges Shijaku, ai që dha kumtin për vdekjen e tij.

“Me hidhërim të thellë ju njoftojmë për humbjen nga kjo jetë të babait tonë, Piktorit të Popullit, Nderit të Kombit Shqiptar, Sali Shijaku. I lehtë të qoftë dheu. I kushtove gjithë jetën artit dhe Shqipërisë”, ka shkruar i biri i tij.

Image
“Mic Sokoli”, Sali Shijaku, 1976, vaj mbi fiber, 123 me 139 centimetra

Një jetë për artin

Sali Shijaku u lind më 12 mars të vitit 1933, në një familje të njohur tiranase. Nënë Deja kujdesej për shtëpinë - konak të familjes Shijaku, puna e përditshme e së cilës ishte tregtia, që e drejtonte baba Abdyli. Sali Shijaku e nisi udhën e dijes në shkollën fillore “Lidhja e Prizrenit” dhe më pas mori mësime në Medresenë e kryeqytetit.

Në vitet 1948-1952 ndoqi Liceun Artistik “Jordan Misja”, ku studioi pikturë me pedagogët dhe artistët Abdurrahim Buza dhe Nexhmedin Zajmi. Pas disa vjetësh pune fitoi të drejtën e studimit për pikturë në Bashkimin Sovjetik, Rusia e ditëve të sotme. Kreu studimet në Institutin e Lartë të Arteve - Ilia Efimioviç Rjepin, në Leningrad. Gjatë periudhës 1956 - 1961 ishte student i ateliesë së piktorit dhe profesorit Boris Vladimiroviç Joganson. Me prishjen e marrëdhënieve ndërmjet PKSh-së dhe Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik (PKBS), u kthye në Shqipëri në vitin 1962. U diplomua si një nga studentët e parë në Institutit të Lartë të Arteve në Tiranë. Pas diplomimit punësohet pedagog në ILA dhe bëhet anëtar i Lidhjes Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.

Tabloja e titulluar “Heronjtë e Vigut” ishte diploma e studentit Shijaku, të cilën ai e mbrojti në vitin 1962 në Shqipëri, në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë. E filloi krijimtarinë artistike në fillimin e viteve ‘60.

Sipas kritikëve, ai bënte pjesë në grupin e artistëve shqiptarë, që trajtuan tablonë kompozicionale, kryesisht me temë nga lufta, nga historia, nga legjendat, por edhe nga aktualiteti i kohës. U fut në rrugën e artit figurativ me portretet e para të tij, si: “Portret vajze” (1953, Galeria Kombëtare e Arteve (GKA), “Kostum tiranseje” (1952, GKA), duke kaluar gradualisht nga tabloja në tablo drejt kërkimit në portrete të bukurisë, thellimit psikologjik dhe njollave dekorative e të tjera.

Siç shkruajnë kritikët, vepra e “Piktorit të Popullit”, karakterizohet nga një gamë e gjerë temash, që gjejnë zgjidhje në forma të ndryshme, shpesh të papritura. Kështu, tabloja “Partizanët e batalionit – Hakmarrja” (1966), kishte prirje të fuqishme për thellimin psikologjik të personazheve, të cilat, edhe pse me qëndrim statik, evidentonin forcën shpirtërore dhe heroizmin e kohës.

“Deri në fillimin e viteve ‘70, piktori Sali Shijaku akoma nuk ishte shkëputur nga imazhi real, pikturimi me hije dritë dhe me sfumaturë. Tabloja ‘Mic Sokoli’ 1969, e ‘shkëputi’ artistin përfundimisht nga kjo mënyrë pikturimi dhe i krijoi vizione të reja, ku monumentalizmi bëhet primar në personazhin e zgjedhur të një cikli tablosh njëfigurëshe. Figurat e pikturuara të përzgjedhura nga piktori, edhe pse kanë një fund tragjik, atë të flijimit dhe të vetësakrifikimit, kthehen në simbole të adhurimit për publikun, të vetësakrifikimit për kombin (‘Mic Sokoli’, 1976, ‘Nora e Kelmendit’, 1981), të virtytit njerëzor (‘Rozafa’, 1983). Një ndër figurat heroike është ajo e heroit të Popullit, Vojo Kushi, saqë pas vitit 1969, heroi filloi të identifikohej me piktorin Sali Shijaku për tablonë aq të goditur të heroit mbi tank me gjoksin zhveshur e një këmishë ngjyrë flake”, shkruhet në biografinë e tij.

Megjithëse tabloja e heroit mbi tank, ishte një ndër tablotë më të goditura të kohës, udhëheqja komuniste e kishte parë me dyshim pikturën, pasi heroi ishte me këmbë zbathur.

“Për këtë pikturë është bërë një mbledhje, sepse e kisha pikturuar heroin këmbëzbathur. Ishte një mbledhje, ku morën pjesë shumë veta. Shumë bënin pyetje nga salla. Kryetari i komisionit ishte një burrë i zgjuar. Kur më pyeti nëse i kisha shtuar këpucë, i thashë se: këmbëzbathurit e kanë bërë luftën, jo ata që vishnin këpucë të mira. Dhe ai e mbylli dosjen e kësaj çështjeje dhe piktura nuk u ndalua”, rrëfente shtatë vjet më parë në konferencën për shtyp për ekspozitën personale të tij në vitin 2015. Ndryshime pësoi edhe paleta koloristike e artistit, e cila pasurohet, priret drejt krijimit të efekteve grafike, por dhe dekorativo-ekspresive.

Image
“Nora e Kelmendit”, Sali Shijaku, 1980, vaj mbi fiber, 139.5 me 113.5 centimetra

Nismëtar i modernizmit

Figura e artistit Sali Shijaku është një nga figurat madhore të arteve pamore shqiptare. Shteti shqiptar e ka vlerësuar dhe nderuar kontributin e artistit me mjaft çmime dhe i ka akorduar disa Çmime Republike (1956, 1970, 1984, 1989). Në vitin 1969 ai mori titullin “Artist i Merituar” dhe në vitin 1979 “Piktor i Popullit”. Më 2004-ën ai u nderua me titullin “Nderi i Qarkut të Tiranës”.

Në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve ruhen 92 vepra të artistit në pikturë dhe skulpturë, nga të cilat 19 vizatime, 7 punime në qeramikë dhe 1 në allçi. Një pjesë e koleksionit të veprave të Shijakut janë të ekspozuara në sallat kryesore të Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Veprat e Sali Shijakut ndodhen në shumë vende të botës dhe sot janë pjesë e koleksioneve të koleksionistëve brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ai punoi si pedagog dhjetëra vite deri më 1991, si dhe ekspozoi në çdo ekspozitë kombëtare. Para viteve ’90, punimet e tij u ekspozuan në Egjipt, Francë, Algjeri, Rumani, Kosovë, Turqi, Itali dhe Kinë.

Shijaku është cilësuar nga studiuesit si një nga piktorët më të rëndësishëm shqiptarë të gjysmës së dytë të shekullit XX. Krijoi vlera artistike që ndikuan në modernizimin e pikturës shqiptare të viteve 1965 -1980. Shijaku ishte piktor kolorist, dekorativ dhe krijuesi i kompozimeve, një figurë shembull në artin piktorik shqiptar të çerekut të fundit të shekullit XX.

Piktura e Shijakut, pasuri kombëtare

Komisioni i Përhershëm i Artit dhe Trashëgimisë pranë Akademisë së Shkencave ka shprehur ngushëllimet më të thella për ndarjen nga jeta të Sali Shijakut “Piktor i Popullit”.

“Ngushëllimet tona shkojnë për familjen Shijaku, komunitetin e artistëve pamorë, si dhe miqtë dhe dashamirësit e shumtë të trashëgimisë së tij pamore. Artisti Sali Shijaku është pionieri i pikturës aktive, figurative, kontrastuese e plot nerv ndaj dekorit historik shqiptar të gjysmës së dytë të shekullit XX. Piktura e tij, në ditët e sotme është pasuri e fryteve koloristike e ngazëlluese të dekorit të jetës së përditshme shqiptare”, shkruhet në telegramin e Komisionit.

Në fushën e arteve pamore, personaliteti i tij artistik është i veçantë dhe i dallueshëm. Sipas Komisionit, Sali Shijaku, në artet figurative ka kërkuar vazhdimisht të trupëzojë zbulime ideo-artistike dhe, pikturës së tij të shekullit XX i dha formë monumentale, duke vlerësuar personazhet, fenomenet dhe ngjarjet më të rëndësishme të kohës.

Image
Shijaku krijoi një pafundësi veprash e monumentesh artistike madhështore

Pas viteve ’90, Sali Shijaku vazhdoi të jetë ngulmues duke trajtuar dhe zgjidhur fenomene estetike gjatë procesit të pikturimit.

“Ai krijoi një pikturë të kompozimit frontal dhe pasqyroi personazhin historik e luftarak, social dhe atë të punës, mitologjik dhe legjendar, si dhe heroin epik dhe lirik. Në artet figurative, dhjetëra vepra në pikturë të artistit Sali Shijaku janë pika kyçe të zhvillimit të strukturës së pikturës dhe historisë së artit në vendin tonë. Veprat e tij, të ekspozuara kohë pas kohe bëhen promotorë frymëzimi mbi procesin e edukimit me artin ndaj brezave të rinj. Cilësitë e mirëfillta të artit të piktorit Sali Shijaku u shfaqën gjatë kohës së studimeve jashtë vendit dhe talenti i tij tejkaloi të zakonshmen”, shkruhet në reagimin e Komisionit të Përhershëm të Artit dhe Trashëgimisë pranë Akademisë së Shkencave të Republikës Shqipërisë. Edhe kryeministri Edi Rama ka reaguar për ndarjen nga jeta të piktorit të njohur Sali Shijaku. “Lamtumirë i madhi Sali Shijaku”, ka shkruar Rama. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të piktorit. Në një postim në rrjete sociale, Veliaj ka shkruar se Shijaku ishte ikonë e Tiranës dhe një piktor i jashtëzakonshëm. “Fort i trishtuar për ikjen e një artisti unik, si Sali Shijaku. Ai ishte ikonë e Tiranës, një piktor i jashtëzakonshëm, që ia kushtoi jetën artit shqiptar. Prehu në paqe miku i përjetshëm i qytetit tonë! Ngushëllime familjes”, ka theksuar Veliaj.

Ish-kreu i PD-së, Lulzim Basha, ka shprehur trishtimin për lajmin e ndarjes nga jeta të piktorit teksa ka theksuar se Shijaku i la trashëgim kulturës shqiptare një “arkiv të pashoq ngjyrash dhe jete në telajo”.

Kryetari i Partisë së Lirisë, ish-presidenti Ilir Meta në një postim në rrjetet sociale, ka kujtuar takimet dhe bisedat me të, teksa ka thënë se galeria e pafund e veprave dhe e monumenteve të tij artistike, që lartësuan kulturën dhe artin kombëtar do të mbeten të paharruara.

“Tabloja e famshme ‘Vojo Kushi’, e piktorit tonë të madh, Piktorit të Popullit, Sali Shijaku, ka mbetur si trashëgim për brezat si një kryevepër e realizuar me mjeshtëri të rrallë që mishëron në art një ngjarje të paharruar të Luftës Antifashiste. Me talentin e jashtëzakonshëm ai shndërroi në art ngjarjet më epike të historisë, forcën shpirtërore dhe heroizmin e shqiptarit, vlerat e dashurisë për atdheun, kombin dhe lirinë, si dhe një larmi figurash njerëzore. Ai krijoi një pafundësi veprash e monumentesh artistike madhështore, siç është edhe një tjetër kryevepër e tij, Heroi i Lirisë Kombëtare, Mic Sokoli. Për të gjitha këto vlera dhe kontribute të jashtëzakonshme, kujtimi i Nderit të Kombit, Sali Shijaku, do të mbetet i paharruar dhe trashëgimia e tij artistike gjithmonë e vlerësuar maksimalisht”, ka shkruar Ilir Meta.

“Vokacioni i artistit është t’i ndriçojë thellësitë e shpirtit njerëzor me dritë dhe sot mjeshtri i madh i pikturës shqiptare, Sali Shijaku, ndriçohet nga drita e parajsës”, ka shkruar artisti Artan Shabani, ish-drejtor i Galerisë Kombëtare.

Homazhet në nder të artistit të njohur janë organizuar nga Bashkia e Tiranës dhe do të zhvillohen të dielën në hollin e Teatrit të Operës dhe Baletit.