Shtojca për Kulturë

Tri ditët që tronditën botën

Jelcini, dikur aleati dhe kundërshtari i tij i shpeshtë, dha vlerësimin e tij për Gorbaçovin në vitin 1991: “Ai mendoi të bashkonte të pamundurën: komunizmin me tregun, pronën publike me pronën private, pluralizmin politik me Partinë Komuniste. Këto janë çifte të papajtueshme, por ai insistoi në to dhe aty qëndron gabimi i tij themelor strategjik”
 

Të dielën, më 18 gusht 1991, Gorbaçovi ishte me pushime në Foros, një zonë turistike e Detit të Zi në Gadishullin e Krimesë. Ai po ia jepte dorën e fundit një fjalimi të rëndësishëm rreth një traktati të ri bashkimi që do të transferonte pushtet të konsiderueshëm nga Kremlini te 15 republikat e vendit, të cilat do të fillonin nënshkrimin e dokumentit të martën. Pastaj, pa paralajmërim, një delegacion i linjës së ashpër të Kremlinit nga ushtria dhe KGB-ja mbërriti në derën e shtëpisë së tij, pasi i kishte këputur linjat telefonike. Ata kërkuan që ai të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme dhe të jepte dorëheqjen

Perestrojka e Mihail Gorbaçovit u demonstrua grafikisht kur, në një kapitull mahnitës të historisë, regjimet komuniste të Evropës Lindore ranë njëri pas tjetrit.

Gjatë disa muajve me zhvillime të vrullshme në vitin 1989, arkitektura politike e Evropës u transformua nga kërkesa popullore për demokraci. Shtatë vende që ishin mbyllur pas Perdes së Hekurt për më shumë se katër dekada shijuan edhe një herë pavarësinë. Disa historianë e kanë renditur për nga rëndësia vitin 1989 krahas 1789-s, viti i fillimit të Revolucionit Francez, dhe 1848-n, një vit trazirash politike në të gjithë Evropën, shkruan Merilyn Berger në “New York Times”.