Shtojca për Kulturë

Mbretëresha, ikonë për artistët

Kur artistit kanadez Chris Levine iu kërkua që të bënte një portret holografik të Mbretëreshës Elizabeth II, e cila vdiq të enjten në Skoci, ai bëri një punë të pazakontë, që ta bënte atë të pushonte.

Levine dogji temjan në Dhomën e Verdhë të Vizatimit në Pallatin Buckingham, ku po bëhej xhirimi, dhe instaloi një dritë të lehtë për të pulsuar butësisht ngjyra qetësuese rreth hapësirës. Më vonë, ai e inkurajoi Mbretëreshën që t’i mbyllte sytë midis shkrepjeve dhe të fokusohej në frymëmarrjen e saj sikur të ishte në një klasë meditimi.

“Kur e mendoj tani, ishte mjaft surreale”, tha Levine në një intervistë në shkurt. “Po përpiqesha të kaloja përtej personalitetit të Mbretëreshës, deri te thelbi i qenies së saj”, kujtoi ai për takimet e tij me monarken. “Këtu është bukuria e vërtetë”.

Metodat e Levine mund të jenë të pazakonshme, por ato prodhuan disa imazhe të famshme të Mbretëreshës, veçanërisht “Lightness of Being”, e cila e paraqet atë me sytë e mbyllur, të kapur në një moment reflektimi shpirtëror.

Sipas Levine, kur Mario Testino, fotografi i modës, pa “Lightness of Being”, ai tha: “Njerëzit duhet ta shohin këtë. Është imazhi më i bukur”. Levine tha se ai priste që imazhi të shpërndahej gjerësisht në mediat sociale pas vdekjes së Mbretëreshës.

Gjatë shtatë dekadave të saj në fronin britanik, Mbretëresha Elizabeth ka pozuar për qindra portrete zyrtare si ky i Levinit. Por si ishte për artistët ta takonin atë dhe të përpiqeshin të krijonin një imazh të veçantë? NYT ka biseduar me tre artistë të cilët qëndrojnë prapa disa prej portreteve kryesore të Mbretëreshës, për ta zbuluar këtë.

“Princi Philip, Duka i Edinburgut dhe Mbretëresha Elizabeth II”, 2011, fotografi, Thomas Struth: Jam përgatitur shumë më shumë sesa përgatitesha zakonisht për një portret familjar. Shikova një ton fotografish të saj – qindra sosh dhe mendova: ‘Njerëzit nuk e shikojnë atë si një person, si një grua”. Doja t’i shfaqja Mbretëreshën dhe Princin Philip si një çift i moshuar që janë shumë të afërt me njëri-tjetrin dhe të mësuar me njëri-tjetrin.

Një nga kërkesat e mia ishte që të zgjidhja fustanin e Mbretëreshës, sepse nuk doja të rrezikoja që ajo të shfaqej me një të verdhë të ndezur që do të ma bënte të pamundur të bëja një foto të mirë. Kur shikoja portrete të tjera, në shumë prej tyre ajo ishte e veshur me rroba të shndritshme dhe kjo thjesht e bënte që gjoksi të binte më së shumti në sy dhe fytyra e saj të dukej e vogël. Atë ditë, ndjeva se ata ishin të befasuar që gjithçka ishte përgatitur aq mirë. Stilistja e Mbretëreshës tha: “Mund ta prekësh Mbretëreshën nëse është e nevojshme” dhe pas dy ose tri pozave, kuptova se një jastëk pas shpinës së saj ishte rreshtuar keq, kështu që eca drejt saj, e çova përpara dhe ndryshova pozicionin e tij. Kjo asaj iu duk e çuditshme.

Image
“Princi Philip, Duka i Edinburgut dhe Mbretëresha Elizabeth II”, 2011, fotografi, Thomas Struth

Unë ekspozova 17 pjata dhe më pas e kuptova se kisha mbaruar. Sapo e ndjeva se e kisha fotografinë që doja. Më kishin mbetur edhe 15 minuta, por ua dhashë ato si dhuratë - një kohë të paprogramuar.

Më vonë kam dëgjuar se kur e kanë parë foton në një muze, kanë qëndruar përballë për një kohë të gjatë. Ju mund të shihni të gjitha venat e saj. Princi Philip tha: “Si e bëri ai këtë?”

“Mbretëresha”, 1998 pikturë, Justin Mortimer: Unë u porosita të bëja një foto të Mbretëreshës jo shumë kohë pasi Diana vdiq.

Unë isha 27 vjeç dhe mendoj se ata më zgjodhën mua sepse ishin të prirë për ta modernizuar pikëpamjen e publikut për monarkinë, meqenëse në atë kohë ata po kritikoheshin si njerëz të mbyllur dhe të parëndësishme.

Ishte pak dërrmuese në seancën e parë. Kur ajo hyri, unë menjëherë iu drejtova në mënyrën e gabuar!

Image
“Mbretëresha”, 1998 pikturë, Justin Mortimer

Fillova duke bërë disa foto. Ajo kishte një vështrim shumë, shumë të drejtë dhe nuk i shkrepte sytë, edhe pse unë po afrohesha gjithnjë e më afër me fotoaparatin “Polaroid”. Kur u tërhoqa prej saj, kuptova se të gjithë këta polaroidë kishin kapur vetëm prehrin e saj, gjë që ishte e turpshme, por ajo tha: “Mos u shqetëso, i dashur. Lordi Snowden më fotografonte gjatë gjithë kohës kësisoj”.

Thjesht mbaj mend që mendova: “Jam në prani të kësaj qenieje njerëzore që ka takuar të gjithë njerëzit më të rëndësishëm të shekullit 20. Pikërisht poshtë korridorit, ajo do të kishte takuar Jackie dhe J.F.K. dhe Churchill dhe Idi Amin. Të gjithë, nga heronjtë te kriminelët.”

Në studion time, e vetmja mënyrë që mund t’i afrohesha ishte ta portretizoja në kontekstin e veprave të mia të tjera në atë kohë dhe i kisha këto figura me gjymtyrë të shkëputura dhe koka paksa të copëtuara, kështu që në thelb përfundova duke i nxjerrë qafën. Ishte pak e pafytyrë. E dija që njerëzit do të sillnin ide të tilla, si: “Preja kokën!”, për këtë fotografi.

Image
“Equanimity”, 2004, fotografi, Chris Levine

Nuk hyra si një republikan i tërbuar. Thjesht doja të sugjeroja këtë ndjenjë shqetësimi për familjen mbretërore në atë kohë.

Pasi u publikua, gazeta anembanë botës më telefononin dhe më intervistonin dhe njerëzit dukeshin vërtet të mërzitur nga ajo që kisha bërë. Por fakti që mbahet mend ende tregon se vepra ka një status pothuajse ikonik.

Nuk e di se çfarë mendoi Mbretëresha për të. Por shumë qesharak ishte fakti që mua m’u kërkua të bëja një portret tjetër për Koleksionin Mbretëror të Lordit Chamberlain, i cili ishte ai zotëria i vjetër i madh në shtëpinë mbretërore. Pyes veten nëse kjo të lë ta kuptosh sensin e humorit të Mbretëreshës, duke më lënë që ta “bëj punën” në terezinë time.

“Equanimity”, 2004, fotografi, Chris Levine: Unë do të bëja një portret holografik të saj dhe fillimisht po mendoja të bëja një hologram me laser, i cili do të përfshinte ekspozimin e Madhërisë së Saj nën dritën laser. Por dyshoja që për arsye shëndetësore dhe sigurie, dikush do të thoshte: “Po tallesh, apo jo? Dëshiron të lëshosh laser mbi Mbretëreshën?” Kështu, erdhëm me një tjetër ide, ku bëmë një lëvizje të kamerës përgjatë një piste duke marrë një seri prej 200 fotografish nga e majta në të djathtë dhe më pas bëmë një hologram nga këto foto. Kisha një ide në mendjen time që në fillim – të kaloja përtej të gjithë zhurmës dhe ta reduktoja atë në një lloj esence. Doja ta bëja vërtet ikonë, diçka që do të bënte jehonë. Në atë kohë, po hyja në meditim me të vërtetë. Kështu, kur kamera përfundoi një rrotullim dhe po rivendosej, i kërkova Madhërisë së Saj të merrte frymë. Kisha një aparat tjetër në mes të pistës dhe bëra imazhin që u bë “Lightness of Being”, ndërsa ajo ishte duke pushuar.

Portretin e parë që bëra e quajta “Equanimity” dhe mendoj se ajo e zhvilloi këtë mekanizëm të të qenët të gjakftohtë dhe të mos jepte asgjë, në mënyrë që ta mbronte veten. Në Kështjellën Windsor unë ia tregova këtë fotografi teksa ishte ne proces – vetëm unë, ajo dhe qeni i saj – dhe e pyeta se çfarë mendonte për titullin. Dhe ajo tha: “Epo, gjërat nuk janë gjithmonë ashtu siç duken”. Po, ne folëm për meditimin. Ajo tha se meditimi i saj ishte parku në Balmoral. Çfarëdo indiferencë që mund të kisha pasur për Mbretëreshën deri në atëherë, në fund e ndjeva një dashuri të vërtetë për të.

Marrë nga “The New York Times”. Përktheu: Mirjetë Sadiku