Shtojca për Kulturë

Ish-Biblioteka, nikoqire e bashkëbisedimit midis fëmijëve dhe autores Demiri-Frangu

Pas restaurimit të realizuar në kuadër të “Manifesta 14”, ish-biblioteka “Hivzi Sulejmani” ka marrë pamje të re. Në një ditë të nxehtë verore, në tavolinat e vendosura në oborr tashmë kishin zënë vend ca njerëz, të cilët teksa pinin dikush ujë e dikush kafe, shkëmbenin llafe me njëri- tjetrën. Në njërën prej tyre ishte ulur autorja e disa librave për fëmijë, Dije Demiri- Frangu. Po në kuadër të “Manifesta 14”, kjo autore, njëherësh edhe ligjëruese e Letërsisë për Fëmijë në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, ka mbajtur një sesion me fëmijët e moshës nën 14 vjeç.

Porsa ora shënoi 13:15, në anën ku gjendej biblioteka për fëmijë hyri autorja Dije Demiri- Frangu. Aria, Anea, Agoni, Vesa, Deliza e të tjerë ishin vetëm disa nga fëmijët të cilët kishin ardhur ta dëgjonin këtë shkrimtare dhe njohëse të letërsisë për fëmijë.

Demiri-Frangu nisi ligjërimin e saj me pyetje më të zakonshme, se cili ishte emri i secili prej tyre. Kështu ajo nisi ndërlidhjen edhe me artin e letërsisë.

Aria, e cila ishte vetëm 6 vjeçe, e pyetur nga “mësuesja” – kështu e quante veten para fëmijëve profesoresha Demiri- Frangu – tregoi për pushimet të cilat i kishte kaluar në detin e Greqisë. Ndonëse Aria gjatë tërë kohës vizatonte dhe ngjyroste me lapsat shumëngjyrësh që gjendeshin në tavolinën e bibliotekës “Hivzi Sulejmani”, ajo ishte gjithnjë shumë e vëmendshme ndaj pyetjeve që i drejtoheshin dhe ajo çka vërehej në përgjigjet e saj ishin mençuria dhe sinqeriteti.

Detin Aria e përshkoi si të bukur, por edhe të frikshëm, me ç’rast Demiri- Frangu u shpjegoi fëmijëve se “kur një gjë është edhe e bukur, edhe e frikshme e quajmë madhështore”, të cilën e shkroi edhe në tabelën e bardhë përskaj saj.

Por brenda këtyre fëmijëve kishte edhe të tillë të cilët kishin disa vepra. Një libër për shtrigat e kishte përfunduar së fundmi vajza e klasës së gjashtë, Anea. Këtë libër ajo e kishte lexuar në gjuhën angleze. Ndërkaq, para të pranishmëve ajo shpjegoi fabulën e tij dhe tregoi për atë se çfarë i kishte pëlqyer e çfarë jo.

Nga shpjegimi i kësaj vepre, Demiri- Frangu nxori një sërë pyetjesh të cilat ishin argëtuese për fëmijët e pranishëm. Ajo foli për përshkrimin e shtrigave në mitologjinë tonë dhe të huaj, personifikimin e tyre, shndërrimet të cilat njiheshin si metamorfoza, e shumë elemente të tjera. Po ashtu, duke iu kërkuar të bëjnë përshkrime dhe krahasime, ajo i mësoi edhe se si të shkruajnë, dhe faktin se shkrimi në radhë të parë nis nga përshkrimi dhe mënyra se si përshkruhet një ngjarje.

Lidhur me këtë takim, Dije Demiri- Frangu, autore e librave “Gjithësia si qershia”, “Ta shoh botën si gotën”, “Këmbët e erës”, “Buzëqeshja s’është larg” etj., u shfaq shumë e kënaqur dhe falënderuese.

“’Manifesta’ si bienale ndërkombëtare më ka pëlqyer shumë, që përpos pikave të tjera dhe aktiviteteve të larmishme realizoi edhe këtë takim. Kjo ishte një ide shumë e mirë edhe për faktin që fëmijët u bënë pjesëmarrës të këtij evenimenti ndërkombëtarë”, ka thënë ajo.

Duke folur për KOHËN, Demiri- Frangu theksoi disa herë faktin se këta fëmijë ishin secili më i mençur se tjetri dhe vetitë e tyre të mira e kishin befasuar atë.

“Realisht ky takim ishte edhe një nder për mua, por esenca ishte pjesëmarrja e fëmijëve dhe niveli, përgatitja e tyre. Gjatë bisedës me fëmijët, me punën me ta, thjesht u ndava shumë e gëzuar, e lumtur për nivelin e tyre, për imagjinatën e tyre, për përgatitjet e tyre dhe për interesimin”, tha ajo plot gëzim, duke shtuar se “ata e dinë çka është puna në grupe, e dinë çka është puna individuale, ata dinë të shprehen, dinë të hartojnë, në anën tjetër ata kanë një mendim kritik, dinë të mos pajtohen, dhe kjo për mua ishte gati edhe një befasi”.

Për diskutimin që u zhvillua ndërmjet fëmijëve dhe “mësueses” foli edhe njëra nga nxënëset e pranishme në sesion. Deliza Xërxa, e cila sapo kishte përfunduar klasën e shtatë, u shpreh shumë e kënaqur me mundësinë e këtij takimi, të cilën ua kishte ofruar “Manifesta”

“Më ka pëlqyer shumë ideja, por edhe se çfarë ka folur autorja. Mënyra se si ajo i ka angazhuar të gjithë fëmijët dhe i ka bërë të mendojnë për verën, si kanë kaluar në det apo në muze etj. Po ashtu, edhe ky ambient me libra dhe ku ke qenë e lirë të vizatosh e të ngjyrosësh, ka qenë një gjë po ashtu shumë e mirë”, ka thënë Xërxa.