Shtojca për Kulturë

“Manifesta 14” midis vizitorëve dhe raportimeve të mediave ndërkombëtare

Gjatë periudhës së pranverës dhe verës në Kosovë e veçmas në Prishtinë janë shënuar aktivitete të njëpasnjëshme, duke nisur nga festivalet e shumta të muzikës klasike deri te “Sunny Hill Festival” e “Manifesta 14”. Kanë bërë që në Kosovë të vijnë artistë të njohur të botës ndërkombëtare. Megjithatë, përveç artistëve të cilët shumicën e herëve janë të ftuar, festivalet është e rëndësishme që të sjellin edhe vizitorë të huaj, të cilët përveçse e ndihmojnë ekonomikisht një vend, ndikojnë edhe në përhapjen e kulturës së atij vendi.

Që nga 22 korriku, kur “Manifesta 14” bëri hapjen e saj zyrtare në Prishtinë, janë parë shumë të huaj, veçmas përgjatë rrugëve të cilat të çojnë në ndonjërin nga 25 lokacionet e bienales nomade. “Grand Hotel”, i cili njëherësh përfshin edhe numrin më të madh të ekspozitave dhe punimeve artistike të hapura në kuadër të “Manifestas”, për shumë vizitorë është vendi i parë prej ku nis kjo bienale. Qysh në hyrje të tij, në hollin e hotelit ku shumica e vizitorëve presin ashensorin, vërehet një numër i madh i vizitorëve të huaj, të cilët shpesh janë në numër më të madh sesa ata vendorë.

“Kam qenë në ‘Manifesta’ edhe më parë në Palermo, kështu që unë po e përcillja ‘Manifestan’ dhe e kuptova se këtë vit ajo do të vinte në Kosovë, prandaj edhe pata shumë dëshirë të vija edhe këtu ta shihja”, ka thënë Viktoria Mravcakova, e cila kishte ardhur në Prishtinë nga Sllovakia.

Lidhur me vizitën që ia kishte bërë “Grand Hotelit”, Mravcakova kishte parë te ai një ngjashmëri arkitekturore e cila e ofronte me hotelet dhe ndërtesat e vendit prej nga ajo vjen, Sllovakia.

“Unë vij nga një vend i cili ka ngjashmëri me vendin tuaj e edhe ndërtesat janë të ngjashme me ‘Grand Hotelin’. Mendoj se është shumë bukur të punosh me konceptin e hotelit dhe se një gjë e tillë e ndryshon mendimin tonë për hotelet”, ka thënë ajo për KOHËN.

Por, Mravcakova nuk kishte ardhur e vetme. Së bashku me të ajo kishte marrë edhe të dashurin e saj, i cili nuk kishte qenë asnjëherë më parë në “Manifesta”.

“Unë kam dëgjuar për ‘Manifestan’ edhe më parë, por ishte ajo që më tha të vinim këtu. Me të vërtetë më pëlqen si duket. Gjëja që më pëlqeu më së shumti ishte mënyra se si ata e kanë përdorur hotelin për t’i vendosur këto ekspozita”, ka thënë Martin Dubeci, i cili po ashtu është Sllovakia.

Si një bienale me traditë dhe përvojë, “Manifesta” ka ditur edhe t’i orientojë turistët e saj dhe përveç kësaj të nxisë edhe vizitorë të cilën nuk e kanë pasur ndërmend ta vizitojnë atë. Ajo ka shfrytëzuar shumë nga mundësitë e reklamimit duke bërë që çdo qytetar i cili kalon nëpër pjesët kryesore të qytetit të Prishtinës të mos mund të kalojë pa parë ngjyrën e gjelbër, e cila është edhe simbol i “Manifesta 14”.

Kjo ngjyrë e cila përmes rrumbullakëve të pikturuar nëpër trotuaret e këmbësorëve e udhëheq edhe qytetarin që ecën përmes afisheve të vendosura nëpër objektet e larta, ka arritur ta shtojë edhe kuriozitetin e shumë njerëzve të cilët futen nëpër pikat e saj, për të kuptuar edhe më shumë për ata se çka ajo ofron.

Një përvojë të tillë kishin pasur dy gjermanët Dario Ritter dhe Eicke Entzian, të cilin në Kosovë po kalonin kalimthi si pasojë e një ekspedite që ata kishin vendosur ta bënin duke udhëtuar me biçikletë nga Turqia për në Gjermani. Pasi kishin ardhur këtu, dy të rinjtë gjermanë kishin vendosur të qëndronin edhe një natë më shumë, në mënyrë që ta vizitonin Kosovën dhe me këtë rast edhe ta njihnin atë sadopak.

“Të them të drejtën unë jam duke udhëtuar me biçikletë nga Turqia në Gjermani dhe kur erdha këtu dëgjova për ‘Manifestan’ dhe mendova ta vizitoj. Kosova është një vend i panjohur për mua dhe ishte shumë interesante të mësoj për kulturën e saj e të shoh vepra arti, ekspozita e gjëra të tjera”, ka thënë Dario Ritter. Ka veçuar organizimin e kateve ku secili ka nga ta ka një temë më vete.

Nga ana tjetër, miku i tij, Eicke Entzian, me të cilin Ritter po udhëtonte së bashku, ka thënë se “Manifesta” është një mënyrë shumë e mirë për ta njohur vendin.

“Është dita e parë që jemi këtu. Çka më pëlqeu ishte se kishte një qartësi të ndarjes së temave nëpër kate dhe më pëlqeu se ato nuk ishin ekspozita të mëdha. Për mua kjo është një mënyrë shumë e mirë për ta njohur qytetin”, përfundoi Eicke Entzian, i cili vinte nga Berlini.

Por kishte edhe të atillë të cilët “Manifesta” i kishte bërë që vizitën në Kosovë ta shtynin për një vit, në mënyrë që të kishin mundësi ta përcillnin edhe Bienalen.

“Ne dëshironim të vinim në Kosovë vitin e kaluar, por pastaj pamë se ‘Manifesta’ do të mbahej këtu dhe pastaj vendosëm ta shtynim për një vit. Ne dëshironim t’i vizitonim lokacionet e ‘Manifestas’, t’i shihnim ekspozitat dhe gjërat e tjera, të komunikonim me njerëzit këtu dhe mendoj se kjo është një gjë shumë e mirë”, ka thënë Linnea Meiners e cila deri më tani i kishte vizituar pothuajse të gjitha pikat e bienales nomade.

Ajo çka Meiners e konsideronte si shumë të rëndësishme dhe njëkohësisht edhe interesante ishin prania e një numri kaq të madh artistësh kosovarë për të cilët ajo tha se i kishin pëlqyer shumë në bazë të asaj që kanë ekspozuar. Tutje, Meiners, e cila jetonte në Berlin, ka thënë se gjatë vizitës së kësaj bienaleje, përveç të tjerash, kishte kuptuar edhe shumëçka nga historia e Kosovës.

“Ne mësuam shumë për historinë e Kosovës dhe mendoj se i gjithë arti këtu, në tërësi synon ta përfshijë historinë e Kosovës dhe secila prej tyre ka anët e veta specifike,” ka thënë ajo.

Ndryshe nga të tjerët, Tom Rodig i cili ka udhëtuar në Kosovë nga Leipzigu, ka theksuar faktin se kjo ngjarje iu ofron mundësi turistëve që të vizitojnë edhe vende të cilat në kushte normale nuk do të mund të vizitoheshin, e me këtë rast siç duket ai e ka fjalën për “Grand Hotelin”.

“Është shumë mirë që mundesh të vizitosh vende dhe ndërtesa të cilat po të vije vetëm për një vizite ndoshta edhe s’do ta kish rastin t’i shihje”, ka thënë ai duke vazhduar tutje se “në përgjithësi ishte shumë mirë sa i përket ‘Manifestas’, kishte shumë shpjegime edhe për nocione e terme të cilat në fillim ne nuk i kuptonim.

Por, përveç qytetarëve të thjeshtë të huaj, siç kuptohet nga shkrimet e shumta të mediave ndërkombëtare, “Manifesta” është vizituar edhe nga gazetarë të shumtë. Që nga fillimet, në faqen e saj në Facebook, “Manifesta”, por edhe artistët pjesëmarrës, kanë shpërndarë shkrime të ndryshme të mediave botërore kushtuar bienales nomade “Manifesta”. Së fundmi një gjë të tillë e ka bërë edhe vet’ kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i cili, ndër të tjera, ka theksuar rëndësinë e investimit në fushat e ndryshme të artit dhe kulturës.

“Këto nuk janë vetëm shkëputje nga shkrimet e ditëve të fundit për Kosovën të mediave prestigjioze, por edhe arsye të prekshme pse investimi në art është përherë ide e mirë. Ide e mirë, sepse kthimi është i madh dhe i qëndrueshëm, si në reputacion e diplomaci, ashtu edhe në ekonomi, arsimim e mirëqenie”, kishte shkruar ai në Facebook.

Në mesin e një numri mjaft të gjatë emrash mediash të njohura ndërkombëtare gjenden “Le Monde” (Francë), NRC (Holandë), “A desk” (Spanjë), “The Economist” (Britani), “The Art Newspaper” (Britani dhe ShBA) “Wallpaper” (Londër) e shumë të tjera.

“Kryeqyteti i ri ballkanik po pret edicionin më të fundit të Bienales Evropiane Nomade. Ngjarja po vepron gjithashtu si një bord tingëllues për kërkesën e popullsisë së saj për liberalizimin e vizave në zonën Shengen”, shkruan gazeta e njohur franceze “Le Monde”, duke potencuar qysh në titull shpresën e kosovarëve për liberalizim të vizave.

Ndryshe prej saj, gazeta e njërit prej shteteve më të mëdha evropiane, dhe i cili po ashtu vazhdon të mos e pranojë pavarësinë e Kosovës, “A*desk” spanjoll, “Manifestës 14” ia ka kushtuar një shkrima mjaft të gjatë ku, ndër të tjera, flet për një shtet të ri duke kujtuar edhe historinë deri te pavarësimi i tij.

“Tema qendrore e këtij viti eksploron praktikat dhe mënyrat e reja të rrëfimit kolektiv, duke krijuar histori dhe si i ndajmë ato nëpër kultura dhe komunitete; shumë i përshtatshëm për situatën aktuale gjeopolitike. Prishtina është qyteti ideal për të pritur bienalen nomade, kryeqyteti më i ri në Evropë — në një kuptim të dyfishtë: sepse është një vend i sapolindur dhe për shkak se 50 për qind e popullsisë së saj është nën 25 vjeç— ajo rishpik veten pas një lufte të bazuar në rrëfimet konfliktuoze historiko-kulturore”, shkruan “A*desk”.

Për “Manifestan” nuk munguan as shkrimet nga shteti skandinav Holanda, prej nga vjen edhe themeluesja e bienales, Hedwig Fijen . Gazeta e njohur e këtij vendi, “NRC”, bienales nomade ia kushton një shkrim mjaft të gjatë, përmes të cilit përshkruan pothuajse gjithçka çka ofron “Manifesta 14”. Ndër të tjera, kjo gazetë përshkruan edhe problemet e shumta me të cilat përballet qyteti i Prishtinës, përfshirë ndotjen e madhe të ajrit, si dhe rritjen e shpejtë të popullsisë dhe ndërtimeve të shumta të cilat, sipas saj, kanë shkaktuar një tollovi të madhe në qytet.

Një paragraf gazeta holandeze “NRC” ia kushton edhe historisë së Kosovës dhe faktit se gjurmët e luftës së fundit mund të vërehen ende nëpër rrugët dhe vendet e saj.

Megjithatë, deri më tani kanë kaluar vetëm dy javë nga hapja e “Manifestas”, e cila do të qëndrojë e hapur deri në fund të tetorit. Deri atëherë numri i vizitorëve dhe i shkrimeve kushtuar asaj pritet të shkojnë duke u rritur.