Shtojca për Kulturë

“Ndonjëherë ishte bukur” në “Kino Rininë” që pret ringjalljen

Në “Kino Rininë” ku për herë të parë u ndez projektori më 1953 e ku sot ka pak gjurmë prej kinemasë së dikurshme, “Sometimes it Was Beautiful” rikthen ndjesinë e ekranit të madh, qoftë edhe përkohësisht në 100 ditët e “Manifesta 14”

Përveç nostalgjisë për rikthim në të njëjtin vend pas shumë vjetësh, emocion të veçantë reflekton tematika e filmit “Sometimes it Was Beautiful” që pikërisht flet për kinemanë. Vizitorët vijnë për ta parë filmin në atë vend ku u takuan me filmat e kohës. Artisti senegalez, Christian Nyampeta, ka rihapur “Kino Rininë” për 100 ditët e “Manifesta 14” me instalacionin me shfaqje filmi audio e karrige

 

Përveç nostalgjisë për rikthim në të njëjtin vend pas shumë vjetësh, emocion të veçantë reflekton tematika e filmit “Sometimes it Was Beautiful” që pikërisht flet për kinemanë. Vizitorët vijnë për ta parë filmin në atë vend ku u takuan me filmat e kohës. Artisti senegalez, Christian Nyampeta, ka rihapur “Kino Rininë” për 100 ditët e “Manifesta 14” me instalacionin me shfaqje filmi audio e karrige

Grup i miqve të pazakontë që diskutojnë për filmat që shfaqen para tyre, janë protagonistë në ”Kino Rinia”. Instalacioni i artistit nga Ruanda, Christian Nyampeta, ka qenë arsyeja e realizimit të asaj që qytetarët e kishin pritur për shumë vjet. Vendi që dikur ka sjellë filmat e Hollywoodit në Prishtinë, tash është protagonist i instalacionit me ekranin ku shfaqet filmi “Sometimes it Was Beautiful”, introja e gjatë për “Film rreth të Dashuruarve në Hapësirë të Rrezikshme” dhe karriget e njerëzve nga komunitetet në të cilat bëjnë pjesë. Pas secilës karrige fshihet një histori.

Në hyrje të sallës – që tash s’ka më gjurmë të kinemasë së dikurshme që projektorin e ndezi për të parën herë më 1953 – është vendosur pëlhura e bardhë ku projektohet filmi gjatë tërë kohës. Karrige të ndryshme janë vendosur aty-këtu në dyshemenë prej dërrasave ku dikur kanë qenë rendet e ulëseve të kinemasë. Aroma e mureve të prishura mbërthen gjithë hapësirën, e cila ndriçohet me dritë natyrore nga dy portat pa dyer. Filmi “Sometimes it Was Beautiful” i shkon goxha për shtat “Kino Rinisë”, të cilën Komuna e Prishtinës, të premten, ka bërë me dije se e ka marrë nën menaxhim pas një “beteje” me Agjencinë Kosovare të Privatizimit. “Kino Rinia” gjatë viteve ’60 ishte djegur e rregulluar sërish. Komuna e Prishtinës e kishte shpronësuar atë hapësirë me qëllim që ta bëjë kinemanë me 850 ulëse, e cila do të funksiononte edhe gjatë viteve ’90, nën menaxhim të serbëve. Pas luftës, kanë qenë të kota tentativat për ta rikthyer në kinema. Për një kohë është shfrytëzuar si gjykatë, diskotekë e hapësirë e lojërave të fatit. Më 2020 është tentuar të rinovohet hapësira dhe të kthehet në qendër tregtare.