Shtojca për Kulturë

Ndëshkimi i krimit si kusht për pajtim

Urrejtja dhe zemërimi u flakëruan përsëri kundrejt kundërmimit të varrezave masive, dhe miqësia ndërmjet popujve nuk u rezistoi valëve të gjakut që datojnë prej kohësh. Kjo është arsyeja pse është imperativ të ndëshkohet krimi i katërt, ai i Milosheviqit – për të gjykuar vrasësit nga secila palë; ky është kusht i pashmangshëm i çdo pajtimi ndërmjet popujve dhe heqje dorë prej retorikës hakmarrëse që akuzon kolektivisht këdo, meqë është e vështirë të identifikohen ata që përnjëmend janë përgjegjës

Modeli i fryrjes flakëve të zjarrit të madh është zhvilluar aty ku ne shmangim përfshirjen, së paku kur interesat tona preken drejtpërdrejt. Krejt së fundi, ngrysja më e vogël nga Saddam Husseini do të mjaftonte që të mobilizohej krejt flota detare luftarake, e kurrkush nuk do të lodhej për natyrën demokratike të Kuvajtit; ngjashëm u pritën me masa gjysmake krimet serbe dhe gjenocidi i tutsive në Ruandë.

Në këtë terr të madh të paqartësisë, kur të gjithë luftëtarët janë grirë, ne shmangim pranimin me qëllim që të mund t’i bishtnojmë përfshirjes. Ky triumf i parimit të ekuivalencës – ata krejt janë njësoj – nuk është kurrgjë tjetër pos negacionizëm. Vetëm merreni me mend nëse ne do të duhej ta riinterpretonim Luftën e Dytë Botërore sipas të njëjtave parime: në atë rast, më nuk do të ishte e mundshme të shquhej e mira prej djallit, dhe Shoah do të ishte vetëm palë plotësuese për kërcënimin sovjetik (si në tezën e preferuar prej shkollës revizioniste gjermane).

“Refuzimi i manikeizmit”, me të cilin krenohen disa njerëz si të ishte eksploatim intelektual, refuzimi për t’u futur ndërmjet, fshihet si keqardhje aktive për agresorin. Mosmbajtja anë në një konfrontim ndërmjet të fortit dhe të ligshtit, është e barabartë me animin nga pala më e fortë dhe inkurajim për sipërmarrjet e tij.

Ligësia e ashpër në Ballkan

Neutraliteti është edhe një emër tjetër për bashkëfajësinë. Dhe mos pyet për viktimat, të cilëve u është plaçkitur edhe respekti për vuajtjen e tyre – duke i ngatërruar me torturuesit e tyre; dhe mos pyet për viktimat e Prijedorit, Omarkës, Sarajevës, Vukovarit dhe Gorazhdes, të vrarë dhe të gjymtuar për herë të dytë prej indiferencës sonë. Në siklet që ua kemi kthyer shpinën, ne ua konfiskojmë edhe vuajtjen, i privojmë prej së drejtës për të mbetur në kujtesën e të gjallëve!

Tri krime të mëdha kanë ndodhur që nga viti 1941 në sferën mendore të sllavëve të jugut: ai i ustashëve – më i tmerrshmi prej të gjithëve, derisa nuk provohet ndryshe; ai i çetnikëve – për të cilin dihet shumë pak; dhe në fund, ai i Titos dhe komunistëve – prej çlirimit deri në vdekjen e diktatorit të kuq.

Asnjëra prej këtyre tri krimeve, për shkak të së vërtetës zyrtare të imponuar prej bolshevizmit, nuk ishte gjykuar ose vënë në vendin e duhur, e as nuk është analizuar dhe shpjeguar me korrektësi (hiq pretendimet propagandistike) deri në shpërthimin e luftës në qershorin e vitit 1991. Akumulimi i këtyre tri ngjarjeve të dhimbshme shpjegon ligësinë e ashpër në Ballkan dhe faktin se çdo bashkësi tundet ndërmjet amnezisë dhe vullnetit për hakmarrje.

Urrejtja dhe zemërimi u flakëruan përsëri kundrejt kundërmimit të të varrezave masive, dhe miqësia ndërmjet popujve nuk u rezistoi valëve të gjakut që datojnë prej kohësh. Kjo është arsyeja pse është imperativ të ndëshkohet krimi i katërt, ai i Milosheviqit – për të gjykuar vrasësit nga secila palë; ky është kusht i pashmangshëm i çdo pajtimi ndërmjet popujve dhe heqje dorë prej retorikës hakmarrëse që akuzon kolektivisht këdo, meqë është e vështirë të identifikohen ata që përnjëmend janë përgjegjës.

A mund të ndodhë që shembulli jugosllav, së paku, po na i hap sytë: vërjani mendjen një populli që aspiron shenjtërimin për shkak të vuajtjeve të veta, që fillon të shpalosë plagët e veta dhe llogarit të vdekurit e vet. Po planifikon një punë të ndyrë, në vend se të parandalojë rikthim të vrasjeve masive, po i kujton vetëm sa për t’i kryer edhe një herë. Duke u veshur me gunën e shenjtërimit, vrasësit, para se t’i mprihnin thikat e tyre, po kërkojnë leje prej botës së civilizuar – derisa presin, mbase, që një ditë, t’i kthejnë thikat edhe kundër asaj.

Shtrembërime të kujtesës

Princesha Bibesco e kishte shprehi të thoshte se “rënia e Kostandinopojës është fatkeqësi që më ndodhi javën e kaluar” dhe kultivonte “mundësinë e vajtjes dhe ardhjes, të rrotullimit të orës së rërës, të ndërrimit të fatit të kohës sonë, të jetës në trupat e të tjerëve ...”

Ka në të vërtetë popuj të caktuar dhe krijesa të caktuara që ruajnë njëfarë intimiteti joshpirtëror me të kaluarën e tyre që mbetet përherë e pranishme; krijesat dhe popujt që shprehin zotësi të paharrueshme që të jenë bashkëkohës me shekujt e kaluar, aventurat e të cilëve ata pa u lodhur i ringjallin si shumë episode të jetës së tyre të përditshme. Dhe nuk ka kapërcim ose nostalgji kur shtetet e Evropës Lindore dhe Qendrore mundohen të ripërvetësojnë historinë e tyre, për t’i lidhur ngushtë bijtë e lidhjes së këputur prej dekadave të propagandës dhe rrenave komuniste. Rikthimi i kujtesës së dikujt është faza e parë e lirisë; pranimi është mbi të gjitha pranim i traditave të tjetrit, edhe në qoftë se vetëm sa për të qenë në gjendje t’i ndash ata prej vetes ose t’i shtrosh në kontekst të ri.

Kujtesa mund të përdoret gjithashtu jo vetëm për promovimin e përbashkimit, por edhe për traumatizëm, për të festuar të zezat që i kanë rënë në qafë një populli dhe për të cilat populli nuk mund të vajtojë meqë ato nuk po i ndahen, nuk po përkojnë këndshëm me hambarin e historisë; ato vazhdojnë të lëndojnë edhe pas shumë vjetësh.

Pastaj kujtesa shndërrohet në paralajmërim, vigjilencë ndihmëse. “Kujto”, thuhet në muzetë e mëdha të gjenocidit (Yad Vashem në Jerusalem, Tuol Slang në Phnom Penh). Kurrë mos e harro atë çfarë është bërë në emër të racës ose të revolucionit prej regjimit nazist, diktaturës së Pol Potit.

Këta miliona burra, gra dhe fëmijë, të cilët u vranë për të shlyer krimin e vetëm pse ishin lindur, duhet të na kujtojnë neve se ndodhi një terror ndaj të cilit kurrkush nuk mund të rrijë duarkryq. Kjo është arsyeja pse Holokausti, për nga natyra e vet unike, u bë gjenocid reference, krim absolut krahasuar me ato që i gjykojmë si krime të ngjashme.

Jo se vrazhdësia ishte rezervuar për një popull specifik, por djalli i vërtetë ndërron njëqind fytyra dhe përbuz krejt njerëzimin, duke përdorur si shembull një hebraik ose rom. Një krim kundër “njerëzores së njeriut në përgjithësi” (V. Jankélévitch); krim kundër faktit se njerëzit ekzistojnë. Por kujtesa në këmbim të sajin mund të shtrembërohet në dy mënyra: me fyerje dhe papajtueshmëri.

Kur është larg prej ringjalljes së martirizimit, ua nënshtron veten diktateve të nacionalizmit agresiv dhe shndërrohet në katalog ngjarjesh shpaguese, kur e kufizon veten me obsesion ndaj ringjalljes së vuajtjeve, për të rihapur plagët me qëllim që të fitojë më shumë legjitimitet për vullnet ndëshkimi.

Pastaj shndërrohet në dorë të zgjatur të zemërimit, të përçmimit: merr karakter të krisur, rikonstrukton të kaluarën si ai që i ndërron fytyrat degjeneron në mit, në fabule, kujtesë mercenare që më pak shqetësohet për kujtimin e të vdekurve sa për lansimin e reprezaljeve kundër të gjallëve. Do të gërmojë thellë në konflikte të pazbardhura që datojnë prej kohës antike, do të përflakë tensionet dhe ekzagjerojë hasmëritë sikur e gjithë historia të ishte vetëm një fitil që digjet ngadalë që e ka të shkruar të eksplodojë sot.

Kjo është arsyeja pse ka diçka jashtëzakonisht të rëndësishme në shprehjen e Ernest Renanit: “Kushdo që dëshiron të bëjë histori, duhet ta harrojë historinë”. Nëse të gjithë njerëzit që ishin lënduar do të vazhdonin t’u ktheheshin ankesave të tyre respektive, nuk do të kishte as paqe e as harmoni mbi faqe të dheut.

Guximi për të harruar

Çdo shtet, rajon, madje edhe fshat do të mundë të përmendte njëfarë të keqeje që i ishte bërë brenda 500 a 1000 vjetësh të kaluar dhe për çdo sëpatë të varrosur, çdo familje do të bëhej pikë e pesë për të njëjtat arsye, pa qenë të zotë të kapërceheshin të gjitha mosmarrëveshjet e përbashkëta. Kur keqbërësi të gjykohej dhe ndëshkohej, dhe do të kompensoheshin dëmet, dhe do të bëhej falja me pajim të viktimave nëse do ta gjykonin të domosdoshmen, atëherë vjen momenti kur, me kohën që e ka bërë të veten, ne duhet të tërheqim një vijë, t’i lëmë të vdekurit t’i qajnë të vdekurit, dhe të lëmë urrejtjen dhe belatë e tyre të varrosen me ta.

Nëse dëshirojmë të jetojmë në paqe me bashkëkohësit, nuk mund të gërmojmë krejt pikat e hidhura të historisë sonë. Harrimi është një prej gjërave që krijon hapësirë për të gjallët, për të porsaardhurit të cilët nuk dëshirojnë të bartin mbi shpatulla peshën e hasmërive të vjetra. Sikurse e thotë edhe Hannah Arendt, harrimi ua mundëson brezave të ardhshëm aftësinë për të nisur përsëri gjithçka nga e para.

Ka edhe një tjetër anë të kujtesës sfiduese që paradoksalisht i mëshon fort vrazhdësisë së re. Në kohën tonë, në të vërtetë, komemoracionet e përsëritura të masakrave të së djeshmes janë të ngërthyera me konfuzionin dhe mospërfilljen kundrejt masakrave të së sotmes. Sa më shumë që merremi me viktimat e torturës të së djeshmes, aq më pak kujdesemi për ato të së sotmes.

Ka një mënyrë të “shenjtërimit të Holokaustit” (Arno J. Mayer), të shndërrimit të tij në një ngjarje që është e lidhur aq ngushtësisht me veten saqë ne nuk kemi fare konsideratë për viktimat e fatkeqësive të tjera. Ne mbërthehemi aq fort pas të vdekurve të Auschwitzit me sekretet e tyre tmerruese dhe nuk bëjmë hesap askënd tjetër.

Gardianë të së padurueshmes, asnjë ngjarje e sotme nuk na kënaq, asgjë nuk mund t’u afrohet përmasave të tmerrit që e kultivojmë për bukuri: luftërat e sotme, masakrat bashkëkohore, i shtyjmë anash me shuplakën e dorës. Kotësi na duken krahasuar me dramën e madhe, agjentë të së cilës jemi.

Një qasje e tillë, në vend se të ngrejë aversionin tonë ndaj padrejtësisë, na kurthon në krahasim: cili duhet të jetë drejtimi që qartësia të shndërrohet në shkëputje. Andaj ekziston rreziku se komemoracioni ekskluziv i Auschwitzit do të përbënte ndërhyrje të padenjë në hatatë e tashme.

Çfarë të mire kanë fjalët tona magjike antitotalitare, nëse do të përpiqeshim ta zhvendosnim Hitlerin ose Stalinin retrospektivisht, në vend se të përballeshim me despotët e sotëm dhe sharlatanët gjakpirës, që sjellin shkatërrime në nivelet e tyre? A duhet të presim derisa kasaphana të mbërrijë dimensionet e Shoah para se ne të veprojmë?

Guximi i vërtetë nuk do të thotë të bëhesh hero që mbron faktin dhe denoncon nazizmin më 1995, por ta luftosh çnderimin pikërisht në kohën tonë. Më shumë është punë e hapjes së komemoracionit të Auschwitzit për të gjithë ata që u masakruan dhe u torturuan, me dobinë e mosshkrirjes së një krimi me një tjetër, por që ta pranojmë se ekzistojnë manifestime të ndryshme të gjenocidit, që të gjitha janë krime, por që nuk sfidojnë karakterin e rrallë të Shoah, “asaj kryevepre të urrejtjes” (Vladimir Jankelevitch).

Me fjalë të tjera, dy gabime duhet të shmangen: 1) ideja se gjithçka është e barabartë, tendenca për ta lartësuar krimin më të vogël në majën e një shfarosjeje masive, pa e kuptuar se ka shkallë poshtërimi, se jo të gjithë vrasësit janë të njëjtë; dhe 2) diskreditimi i çfarëdo krimi tjetër për arsye se nuk është Holokaust dhe se nuk mund të krahasohet me standardin e artë të terrorit.

Nuk është zgjidhje ndërmjet kujtesës që mban gjallë antagonizmat shekullarë dhe të shkarjes së kujtesës, që shlyen tragjedi dhe fal torturuesit. Kujtesa e vetme e domosdoshme është ajo që mban gjallë thelbin e ligjit: është pedagogji e demokracisë, inteligjencë e indinjatës. Urdhri që u jepet atyre që janë lindur pas Shoah dhe Gulagut nuk është edhe aq i lidhur me peshën e kujtesës, por më fort që të sigurohet se këto krime, edhe në formën më të butë të mundshme, të mos përsëriten kurrë. Ky është borxhi ynë i madh që u kemi martirëve të shekullit; që të parandalojmë përsëritjen e urrejtjes, pavarësisht se në çfarë dimensioni, forme ose fytyre që mund të ketë.

Por për ta arritur këtë, nuk mjafton vetëm kujtesa; kujtesa nuk është siguri. Që burrat në një moment të caktuar në historinë e tyre t’i rezistojnë vrazhdësisë duhet edhe njëfarë elementi i pamatshëm, një kthesë e madhe, një mrekulli që do t’i shpëtonte prej çnderimit dhe do t’i shtynte ata të thonë “jo”, që t’ia mbajnë anën të pambështeturit. Është kjo kthesë e madhe, vendim ky që absolutisht inauguron lirinë, me të cilën do të gjykohet një brez.

Fund

Ky shkrim – i botuar për herë të parë në Shtojcën për kulturës të “Kohës Ditore” në shkurt-mars të vitit 2018 – është shkëputur nga kapitulli i gjashtë “Pafajësia e torturuesit: Viktima, në propagandën serbe” i librit “The Temptation of Innocence: Living in the Age of Entitlement”, botuar më 2000 në New York nga “Algora Publishing”.

Përktheu: Rexhep Maloku