Shtojca për Kulturë

“Dashuria për...” natyrën e çakorduar nga njeriu

HAPU - Kulture - Festival

“A je n’tokë t’bukës”, si moto e edicionit të tetë të festivalit të artit në hapësirë publike, “HAPU”, ka ardhur drejtpërdrejt me performancën e ditës së dytë, “Dashuria për...”. Tri pikat në fakt janë hapësira që duhet ta plotësojë vetë shoqëria. Por treshja Agnes Nokshiqi, Donika Ahmeti dhe Don Shala nuk zgjedh të japë përgjigje. Në vend të kësaj, në natyrë e inskenon panatyrshmërinë e individit që e cenon atë

Parku i Qytetit tashmë është plot gjelbërim. Nga të gjitha aromat, mbretëresha është lulja e blirit. Në këtë hapësirë, plot freski, ku shumë njerëz kishin dalë ta kalonin mbrëmjen verore, Agnes Nokshiqi, Donika Ahmeti dhe Don Shala kanë nisur performancën e tyre “Dashuria për...” nëpërmjet së cilës synojnë ndërgjegjësimin e shoqërisë për rrezikun nga ngrohja globale dhe shkatërrimit të ekosistemit.

Me një muzikë të qetë e relaksuese, e cila gjithsecilit ia kujton mrekullitë e natyrës, tre artistët po jepnin performancën e tyre, në barin e Parkut, i cili ndahet nga dy shtigjet ku kalonin jo pak qytetarë.

Qe performancë që me shumë se me gjithçka tjetër lidhet me shpirtëroren. Symbyllur dhe me lëvizje të ngadalta të trupit, dy aktorët, Donika Ahmeti e Don Shala, ecnin përkrah Agnes Nokshiqit e cila, si një nënë e dashur që në këtë rast simbolizonte vetë planetin tokë, i mori në përqafim duke i ngrohur me dashurinë e mirësinë e saj.

E gjithë performanca e trupit, të enjten pasdite, në ditën e dytë të festivalit të artit në hapësirë publike, “HAPU”, u dha vetëm nën tingujt dominues të natyrës, pa ndonjë dialog a fjalë. Por tre artistët, që kanë marrë detyrën e ndërgjegjësimit të publikut për rrezikun që i kanoset njerëzimit nga shkatërrimi i planetit, nuk u mjaftuan vetëm me performancë. Punën e tyre e vazhduan edhe me dialog, i cili i ngjante aq shumë realitetit.

Ishte prapë Agnes Nokshiqi, e cila e mori rolin kryesor, atë të ndërgjegjësimit të individit, në këtë rast Donika Ahmetit e Don Shalës, të cilët pasqyronin pjesën e pavetëdijesuar të shoqërisë.

Me emrat e vërtetë biseda e tyre zhvillohet në një shkallë të drejtpërdrejtë me publikun, i cili shpesh mund të ishte pjesë e lojës së tyre nëpërmjet pyetjeve që Nikshiqi ua bënte për të kuptuar se është i vetëdijshëm publiku.

Në anën tjetër ishte Donika Ahmeti ajo që simbolizonte qytetarin e thjeshtë, i cili nuk dëgjonte dhe nuk kuptonte rëndësinë e heqjes dorë nga veset e këqija si përdorimi i qeseve të plastikës, hedhjes së mbeturinave e çka jo tjetër.

Pas përfundimit të dy performancave aktorja, producentja dhe aktivistja Donika Ahmeti ka folur për kapërcimet e performancës.

“Ideja ka qenë që ta bëjmë sa më interaktive, sepse nisëm ta bënim një performancë, ku po përdornim gjuhën e trupit por, duke e bërë menduam se sa mundet kjo të ndikojë te njerëzit?! Sa e kuptojnë se çka po dëshirojmë ne të tregojmë me të? Madje në bisedime e sipër menduam se, në rregull, do ta bëjmë prapë por, më mirë ta bëjmë një bisedë interaktive me publikun, ku faktikisht ne i flasim të gjitha gjërat që na brengosin dhe ndoshta, në mënyrë interaktive depërton më shumë”, ka thënë Ahmeti për KOHËN.

Në anën tjetër, aktorja Agnes Nokshiqi ka thënë se idetë e performancës në fillim ishin mjaft toksike dhe për këtë kanë zgjedhur një lojë më të afërt me publikun.

“Të gjitha idetë që i kishim për performancën, e cila i dedikohej mbrojtjes së tokës, ishin njëra më toksike se tjetra. Ne çfarë bëjmë në përditshmëri është toksike, prandaj do ta paraqesim këtë përditshmëri që ta shohin njerëzit”, ka thënë ajo.

Por nga performanca të tilla Ahmeti ka thënë se përveç publikut mësojnë edhe vetë.

“Definitivisht mendoj se duhet të kemi aktivitete të tilla dhe konsideroj që edhe unë vetë e kam kaluar një klasë të vetëdijesimit gjatë kësaj performance në atë se sa është i rëndësishëm veprimi im individual”, ka thënë ajo.

Por kjo punë e artistëve u konsiderua shumë e rëndësishme edhe nga publiku.

Malisa Lajçi, e cila e kishte ndjekur gjithë performancën me shumë interes, ka thënë se është shumë e rëndësishme që të gjenden forma të ndryshme për ndërgjegjësim.

“Performanca ishte shumë interesante. Ndoshta fakti qe nuk kishte shumë njerëz është sepse ata nuk janë shumë të vetëdijshëm për këtë punë. Duhet të gjejmë mënyra se si t’i vetëdijesojmë njerëzit për këto tema që në fakt janë shumë të rëndësishme për të ardhmen e planetit tonë”, është shprehur Lajçi.