Valon Shkodra, “Zejet tradicionale të qytetit të Prishtinës”, (Katalog), botoi: Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2021, foto. 113, 144 f.
Ditë më parë, në kuadër të botimeve të Institutit Albanologjik të Prishtinës, pa dritën e botimit katalogu “Zejet tradicionale të qytetit të Prishtinës” i autorit Valon Shkodra, njëherësh hulumtues i pavarur shkencor në Degën e Folklorit dhe Etnologjisë.
Në Kosovë, sikurse dihet, gjatë shekujve veprimtarinë e tyre ekonomike e kanë ushtruar një numër i madh i zejtarëve të ndryshëm, të cilët, dikur, ishin edhe bartësit kryesorë të zhvillimit ekonomik të vendit.
Së këndejmi, edhe Prishtina, si një ndër kasabatë dhe qytetet më të mëdha të Kosovës, e cila, për një kohë ishte edhe qendër e Vilajetit të Kosovës (1879 - 1893) dhe më vonë edhe kryeqendër e Kosovës (nga viti 1946), ka njohur një numër të madh të zejtarëve që kanë zhvilluar veprimtarinë e tyre për dekada e shekuj të tërë dhe, këto veprimtari, gjegjësisht zeje, dikur kanë qenë përcaktuese të jetës sociale, kulturore dhe ekonomike e i kanë dhënë hijeshi e gjallëri (krye)qytetit tonë, kurse sot ngjallin mall dhe dëshmojnë për kohët e shkuara.
Disa nga këto zeje të dikurshme, për të mos thënë shumica e tyre, tashmë janë zhdukur ose rrezikojnë të zhduken. Për disa prej tyre, fatkeqësisht, dimë vetëm përmes të dhënave që hasen nëpër dokumente të shkruara dhe, më vonë, tek-tuk, edhe nëpër ndonjë fotografi, që dëshmon se dikur në Prishtinë ka ekzistuar një zeje e tillë që u ka shërbyer prishtinasve, dhe jo vetëm atyre.
Kësisoj, zhdukja e këtyre zejeve dhe tendenca gjithnjë në rritje për harresën e tyre është një shtysë e domosdoshme dhe një imperativ kohor jo vetëm për ruajtjen e atyre zejeve që sot paraqesin ekzemplarët e fundit në Prishtinë, por edhe për vjeljen e dokumenteve, fotografive dhe materialeve arkivore e muzeore që ruajnë të dhëna për këto zeje dhe veprimtarinë e tyre.
Për këtë arsye, ideja dhe projekti i studiuesit Valon Shkodra për hartimin dhe pastaj edhe botimin e një katalogu për zejet tradicionale të qytetit të Prishtinës, ku janë përfshirë të dhëna dokumentare e faktografike për zejet e këtij qyteti, na duket shumë me vend, i nevojshëm dhe më se i qëlluar, gjithnjë duke pasur parasysh vlerën e madhe informative që e kanë katalogët dhe fotografitë në vetvete që, vetëm një i tillë, flet më shumë se një mijë fjalë.
Në të vërtetë, në këtë botim, autori, i vetëdijshëm për natyrën dhe formatin që ka një katalog, ka përzgjedhur për t’i prezantuar vetëm 113 fotografi nga shumë sosh që ai i ka mbledhur dhe hulumtuar pas një pune të gjatë nëpër arkiva të institucioneve tona dhe të individëve, kryesisht pasardhës të zejtarëve të hershëm të qytetit të Prishtinës, si dhe foto të realizuara nga vetë ai në terren.
Katalogu... nis me fjalën hyrëse të autorit në gjuhën shqipe dhe angleze (f. 7-13), më pastaj me prezantimin e fotografive, të cilat janë konceptuar dhe janë ndarë sipas llojit të zejeve, si: Pamje të Prishtinës (22 foto), Plisaxhinjtë (4 foto), Argjendarët (8 foto), Orëtarët (4 foto), Poçarët (5 foto), Fotografët (5 foto), Rrobaqepësit (9 foto), Endja-qepja - tekstili (4 foto), Jorganxhinjtë (6 foto), Drugdhendësit (7 foto), Xhamaprerësit (4 foto), Furrtarët (3 foto), Kundraxhinjtë (4 foto), Saraçët – hallexhinjtë - çadraxhinjtë (4 foto), Teneqepunuesit (5 foto), Çibukçinjtë - mullixhinjtë (3 foto), Gjellëbërësit (3 foto), Ëmbëltorexhinjtë (4 foto), Qebaptorexhinjtë (3 foto), Bojaxhinjtë Farkëtarët-hastraxhinjtë (4 foto) dhe Biçakxhinjtë-lustraxhinjtë (2 foto). Më tutje, pason Fjala e recensentit (f. 123-124), Indeksi i fotografive (f. 125-128), Fjalorthi i fjalëve të rralla (f. 129-134), Burimet dhe literatura (f. 138), si dhe në fund fare, Katalogu... përmbyllet me një poezi të autores Vilhelme Vranari – Haxhirja “Rrugica e vjetër” (f. 139).
Në bazë të hulumtimeve të autorit Valon Shkodra, të prezantuara në fjalën hyrëse të këtij katalogu, mësojmë se zhvillimi i zejeve dhe numri i tyre në qytetin e Prishtinës ka qenë i shumtë dhe i llojllojshëm, aq sa, për shembull, në vitin 1844 në këtë qytet kanë qenë afro gjashtëdhjetë zeje të ndryshme, si: vreshtar, përpunues i shajakut (zhgunit), hambaraxhi, qerrepunues, kuzhinier, parfumer, berber, bojaxhi, muzikant, këpucar, çezmaxhi, çelësapunues, poçar, shkoptar, gëzofpunues, mullixhi, zdrukthëtar, karpentier, bukëpjekës, përpunues pambuku, hamamxhi, hanxhi – punonjës i hanit, hasraxhi – ai që punon gjëra me kashtë, kultivues i hashashit, shitës kafeje, kallajxhi, kasap, shkrues-qatip, përpunues i mëndafshit, rripaxhi – punues i rripave, shitës i gështenjave, tjegullar, mjek popullor i eshtrave, farkëtar, qymyrxhi, prodhues ose shitës i gëzofit, punues i llullave, pronar cirku, pemëshitës, përpunues i leshit të dhisë, nallban, drushitës, orëtar, tapicier, samarpunues, simitebërës, rrobaqepës, rrobaqepës i rrobave të vjetra, shitës kripe, armëtar, duhangrirës, libërlidhës etj.
Nga ky numër i madh i zejeve, mësojmë se gjysma e tyre nuk i kanë mbijetuar kohës, ndaj dhe në dekadat e fundit të shekullit të kaluar në Prishtinë autori ka arritur të vërejë se rreth tridhjetë lloje të zejeve janë ende duke u ushtruar, porse vetëm një numër i vogël i tyre vazhdojnë të jenë aktive edhe sot e kësaj dite. Dhe edhe ato që kanë mbetur, sipas autorit Valon Shkodra, me gjithë përkushtimin dhe dashurinë e brezave të rinj për to, ndryshimet e mëdha të teknologjisë dhe zhvillimet e hovshme kulturore që kanë ndodhur sidomos në dy dekadat e fundit, kanë ndikuar dukshëm në veprimtarinë e tyre, aq sa disa prej tyre kanë mbyllur ciklin e tyre dhe kanë filluar që të mos ushtrohen, e disa të tjera tashmë i përkasin historisë.
Pikërisht për këtë arsye, katalogu “Zejet tradicionale të qytetit të Prishtinës”, përveç të tjerash, jo vetëm se dëshmon për zejet që janë ushtruar dikur në Prishtinë, por ai shërben edhe si një urë lidhëse mes gjeneratash dhe brezash në kohë të ndryshme; midis atyre që dikur i kanë ushtruar këto zeje ose kanë përfituar nga ushtrimi i tyre dhe brezit të sotshëm që këto zeje nuk i ka mbërritur dhe as nuk ka se si t’i njohë ndryshe, përveçse përmes të dhënave të përmbledhura, si, fjala vjen, në një katalog të fotografive si ky që është hartuar e përgatitur nga autori Valon Shkodra.
Fundja, zejet e Prishtinës dhe ushtrimi i tyre kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë pjesë e pandashme e historisë së Prishtinës dhe banorëve së saj, andaj mosnjohja e tyre nënkupton boshllëk në njohjen e plotë të historisë së qytetit të Prishtinës. Kjo për sa i takon së kaluarës, kurse për të tashmen, (ri)aktualizimi i këtyre zejeve, përveç të tjerash, do të ishte një ndihmesë e mirë për turizmin dhe do të paraqiste atraksion me rëndësi për kryeqendrën tonë.
Këtë qëllim dhe këtë mision ka edhe ky katalog reprezentativ për zejet e Prishtinës, i hartuar dhe i realizuar në mënyrë shkencore dhe me shumë përgjegjësi nga studiuesi Valon Shkodra, i cili me këtë i ka bërë një shërbim të mirë jo vetëm të kaluarës së Prishtinës, por edhe të tashmes dhe të ardhmes së këtij qyteti.
Prof. Dr. Sadik Mehmeti, bashkëpunëtor i lartë shkencor në IAP