Shtojca për Kulturë

“Rrëfime për Kosovën 2” – dëshmi e jashtëzakonshme autentike

Vëllimi i dytë i librit “Rrëfime për Kosovën” nga Botimet KOHA vjen pas të parit, të botuar në dhjetorin e vitit 2017
Vëllimi i dytë i librit “Rrëfime për Kosovën” nga Botimet KOHA vjen pas të parit, të botuar në dhjetorin e vitit 2017
 

Seria e dokumentarëve “Rrëfime për Kosovën” – nëntë episodet e së cilës tash vijnë të transkriptuara në vëllimin e dytë – nuk do të ishte e mundshme të realizohej po të mos ishin rrëfyesit, që nga perspektiva e tyre dhe përvoja personale ndërtuan këtë fazë të historisë bashkëkohore të Kosovës

U bënë mbi dymbëdhjetë vjet që kur kishim vendosur të prodhonim një seri dokumentarësh pak më ndryshe dhe në kushte të tjera jete. Tashmë të çliruar dhe të pavarur, kishim mundësinë që të bënim eksplorimin e historisë sipas rrëfimeve dhe kujtimeve të njerëzve që kishin qenë pjesë e historisë derisa ajo po zhvillohej, pavarësisht profesionit dhe pavarësisht pozitave politike që i mbanin.

Seria e parë prej 12 episodesh përfundoi me njërën nga ngjarjet më të vlefshme që regjistron historia bashkëkohore e Kosovës – themelimin e Universitetit të Prishtinës, që i pasoi demonstratat e vitit 1968 dhe amendamentet kushtuese nga vitet 1968, 1969 dhe 1971, që më në fund ia sollën Kosovës aktin më të lartë juridik, Kushtetutën e 1974-tës.