Shtojca për Kulturë

Kosova tradicionale rikthehet në Shqipëri nëpërmjet fotografive bardhezi

Muzeu Kombëtar i Kosovës nëpërmjet 91 fotografive, shpalos në Muzeun Historik Kombëtar mjedisin kulturor, veglat e punës, arkitekturën e lojërat tradicionale
 

Vizitorët në Muzeun Kombëtar të Shqipërisë kanë mundësi të jenë më afër së kaluarës së Kosovës, arkitekturës tradicionale, veglave e mjeteve të punës, zejeve të shuara e ato në prag të shuarjes, veshjeve e lojërave tradicionale. Ekspozita “Trashëgimia kulturore dhe jeta ndër breza” nëpërmjet 91 fotografive rikthen imazhet e një kohe të kaluar në këto anë

Hapësirat e katit të dytë të Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, i shërbyen prezantimit të trashëgimisë kulturore të Kosovës, nëpërmjet ekspozitës “Trashëgimia kulturore dhe jeta ndër breza”. Muzeu Kombëtar i Kosovës me 91 fotografi shpalos mjedisin kulturor, veglat e punës, arkitekturën e lojërat tradicionale. Në hapje të ekspozitës, u vlerësua se barrierat kulturore mes dy shteteve, nuk ekzistojnë.

Fotografitë informuese mbi kulturën e Kosovës ofrojnë imazhe me përmbajtje dhe vlera të mirëfillta të trashëgimisë së vendit, të cilat u prezantuan me këtë ngjarje, organizuar në kuadër të Kalendarit të Përbashkët Kulturor Kosovë-Shqipëri.