Shtojca për Kulturë

Roman i dramës së individit që nënkupton dramën e shoqërisë

Rrëfimi i jetës së Azem Behlulit në romanin “I mbeturi në Beograd” shtrihet në dy rrafshe kryesore: në atë individual, pra rrëfehet drama e individit dhe e familjes së tij, dhe në atë kolektiv, pra rrëfehet drama e shoqërisë në të cilën ai jeton

Përcaktimi i Ibrahim Kadriut që jetën e shqiptarit, Azem Behluli, ta shprehë në formë letrare e të mos mbesë në rrafshin e fejtonit ose të kronikës, i jep romanit të tij “I mbeturi në Beograd” një peshë dhe vlerë më vete. Autori e shpreh dhe e rrëfen dramën e individit nga rrafshe e aspekte të ndryshme, që të shprehë në mënyrë sa më të thellë e bindëse dramën shoqërore në Jugosllavi, ku, sidomos në Serbi, ndaj shqiptarëve përdorej një politikë e përndjekjes dhe e dhunës

Romani më i ri i Ibrahim Kadriut “I mbeturi në Beograd”, edhe si qasje e objektit artistik, edhe si mënyrë e rrëfimit, është vijimësi e romaneve të tij të botuara më parë si “Misioni rus”, “Ata dy të burgjeve”, “Varri i humbur në Damask” e të tjerë. Në veprën më të re autori i vëzhgon një varg dukurish konkrete të jetës së shqiptarëve të Kosovës të shekullit të kaluar, duke filluar nga koha e Luftës së Dytë Botërore e deri në vitet ’80, sidomos pësimet dhe dhunën që përjetuan ata në mënyra të ndryshme në Jugosllavinë e atëhershme.

Vëmendjen kryesore Ibrahim Kadriu e përqendron sidomos në jetën e Azem Jetish Behlulit, të lindur më 1912 në Budakovë të Kosovës, të cilin, në fund të vitit 1916, bullgarët, bashkë me dhjetëra fëmijë të kaçakëve shqiptarë, i dërgojnë në kampin e qytetit të Zajeçarit, në Serbi. Shtegtimi jetësor i tij herë rrëfehet nga gazetari Bekim Përroi, herë nga vetë Azem Behluli. Në të vërtetë, duke e shprehur dramën e këtij personazhi konkret, shprehet drama e shoqërisë së atëhershme në shtetin e Jugosllavisë, ku shqiptarët si popull pësonin në forma të ndryshme.

Rrëfimi i jetës së Azem Behlulit shtrihet në dy rrafshe kryesore: në atë individual, pra rrëfehet drama e individit dhe e familjes së tij, dhe në atë kolektiv, pra rrëfehet drama e shoqërisë në të cilën ai jeton. Në të vërtetë, përmes rrëfimit poetik, këto dy drama gërshetohen dhe njësohen njëra me tjetrën për arsye se e dyta e kushtëzon të parën. Në të vërtetë, autori e shpreh dhe e rrëfen dramën e individit nga rrafshe e aspekte të ndryshme, që të shprehë në mënyrë sa më të thellë e bindëse dramën shoqërore në Jugosllavi, ku, sidomos në Serbi, ndaj shqiptarëve, përdorej një politikë e përndjekjes dhe e dhunës.

Për t’i dhënë romanit një peshë dhe vërtetësi më të madhe, brenda dramës së Azem Behlulit, Kadriu ka njësuar dhe dramat e personazheve të tjerë, qoftë përmes pranisë dhe veprimeve konkrete të tyre, qoftë përmes rrëfimeve për atë që kanë përjetuar dhe përjetojnë, kanë pësuar ose pësojnë. Me fjalë të tjera, drama e personazhit kryesor konkretizohet edhe përmes dramave të të tjerëve, përkatësisht përmes dukurive që rrëfen në roman, që shpreh jetën e përditshme, përkatësisht politikën e shtetit të Jugosllavisë ndaj shqiptarëve, sidomos asaj serbe për arsye se ligësia e politikës serbe ndaj shqiptarëve në periudha të ndryshme ishte e vijueshme dhe e pazakonshme. Këtë e dëshmon, fjala vjen, dhe gjykimi që u bëhet edhe të vdekurve dhe leximi i aktgjykimit te varri i tyre (pasi mësojnë se ata ishin të vdekur).

Edhe vetë gazetari, Bekim Përroi, i cili vihet në kërkim të ndriçimit të jetës së Azem Behlulit, gjatë udhëtimit për Beograd, ku jetonte Azemi, përjeton, si shqiptar, të papritura, me çka dëshmohet se shqiptarët, pa marrë parasysh profesionin dhe moshën, ishin ndjekur dhe ndiqeshin dhe ndaj tyre bëhej dhunë nga njerëzit e pushtetit, sidomos nga policia. Edhe rrëfimi për boksierin e shquar, Lirik Dashin, që gjyqtari e dëmton në ring, në takimin në Zagreb, vetëm pse ishte shqiptar, e ndriçon edhe më shumë dukurinë.

Drama jetësore e shqiptarit, Azem Behlulit, si fëmijë i një kaçaku, nis me rrëmbimin dhe dërgimin e tij dhe të motrës në kampin e Zajeçarit dhe nuk mbaron as në banesën në Beogradin e Ri, ku jeton me gruan serbe, për arsye se pësimet nga jeta e rëndë dhe vuajtjet e shumta kanë lënë pasoja dhe shprehen edhe në pleqëri. Kjo përligjet edhe gjatë bisedimit me gazetarin, Bekim Përroin, nga se herë-herë atë e pushton ankthi, humbet dhe nuk është në gjendje të vazhdojë të flasë.

Shkrimtari Kadriu e ka shprehur jetën e Azem Behlulit në dy aspekte kryesore. I pari lidhet me vuajtjet dhe pësimet e vijueshme, arrestimi dhe dërgimi në burgun famëkeq, Goli Otok, pastaj pamundësia e takimit me babanë dhe me njerëzit e farefisit, vdekja e motrës, harrimi i gjuhës amtare (duke jetuar në mjedise sllave), mbetja në Beograd e të tjera. Në të vërtetë, jeta e Azem Behlulit është më tepër një udhëtim nëpër errësirë, nëpër vuajtje dhe pësime të vijueshme. Për këtë ai do të thotë se “Rruga e shqiptarëve ishte me therra” (f. 23) dhe “Vështirë është të jesh shqiptar” (f. 79).

Aspekti i dytë lidhet me ëndërrimin e tij të pashuar se një ditë ai do të kthehen në vendlindje, do t’i takojë njerëzit e familjes e të farefisit dhe do të jetojë një jetë që njeriu e meriton. Mendimi i personazhit kryesor: “E kaloja jetën me ëndrra” (f. 99) e shpreh më se miri jetën e rëndë dhe me pasoja të mëdha. Pra, jetën e vërtetë, atë që e gjakon secili njeri dhe secila shoqëri synon t’u ofrojë pjesëtarëve të saj, Azem Behluli detyrohet ta këmbejë me ëndrrën, që dëshmon një tragjikë të thellë e të shumëfishtë.

Në fillim gazetari Bekim Përroi donte të bënte një fejton gazete për jetën e Azem Behlulit, po kur njihet mirëfilli me gjithë atë që i ka ndodhur dhe pësimet që ka përjetuar, atëherë bindet se, siç thuhet në faqen 55 të romanit, “Forma letrare do t’i jepte mundësi të thoshte më shumë”.

Përcaktimi i Ibrahim Kadriut që jetën e shqiptarit, Azem Behluli, ta shprehë në formë letrare e të mos mbesë në rrafshin e fejtonit ose të kronikës, i jep këtij romani një peshë dhe vlerë më vete.

Për ndjekjen e shqiptarëve dhe për dhunën që bëhet ndaj tyre ai nuk i fajëson të gjithë serbët, nuk i fut, siç thuhet, të gjithë në një thes, po njerëzit konkretë dhe institucionet përkatëse. E përmenda këtë dukuri për arsye se në hotelin “Prag” të Beogradit, ku vendoset Bekim Përroi për ta përmbushur detyrën e tij si gazetar – të bisedojë dhe të njihet me jetën e Azem Behlulit, takon dhe individë të denjë për nderim, të sjellshëm e të kulturuar, të gatshëm që t’i ndihmojnë, siç janë kamerierja Zdenka Protiq, pastaj gruaja e Azemit, recepsionisti, taksisti e të tjerë.

Në përmbyllje them se autori Ibrahim Kadriu përmes rrëfimit në romanin “I mbeturi në Beograd” ia ka dalë të shprehë një histori sa të trishtë, aq dhe të dhimbshme, që e mban lexuesin nga fillimi në fund.