Shtojca për Kulturë

“Simpatitë” e shqiptarëve për Rusinë

Shqiptaret ne Rusi

Për fatkeqësi, “profetizimeve“ të Valisy Ivanoviç Namiroviç - Dançenko, ashtu siç u dëshmua më vonë, megjithatë vulën përfundimtare “Çështjes shqiptare“ në Ballkan ia dhanë pikërisht vetë diplomatët rusë, që arritën në Beograd dhe Sofje në prag të Luftës së Parë Ballkanike, duke e krijuar Aleancën Ballkanike të shteteve sllave që në themel ishte antishqiptare dhe Rusia i angazhoi të gjitha resurset e saja me qëllim të shlyerjes nga faqja e dheut të kombin shqiptar dhe të Shqipërisë si shtet! Kjo është pjesa e tretë e shkrimit të tij, “Shqipëria dhe shqiptarët”, përgatitur nga Skënder Latifi. Shkrimtari e gazetari rus Drançenko (1844 – 1936), i mahnitur me guximin e shqiptarëve që e treguan përgjatë Betejës së Plevenit (20 korrik – 10 dhjetor 1877), të cilën e kishte përcjellë për së afërmi, vetëm pak muaj më vonë do ta shkruante këtë artikull, i cili përkundër që dominohet nga një frymë antishqiptare, megjithatë në fund e ka tërhequr vërejtjen se “se Shqipëria si shtet është e domosdoshme. Ajo do jetë, si të them, një pengesë e natyrshme për grekët dhe sllavët për antipatitë e tyre të mëhershme (antiruse)”. Duke e paraparë instrumentalizmin e shqiptarëve në favor të Rusisë cariste, Dançenko i var shpresat ruse te gegët shqiptarë, sepse ai është thellë i bindur se këta janë me origjinë sllave

Vasily Ivanoviç Namiroviç - Dançenko

Adrianopol, 5 shkurt 1878

Bindja se Rusia dikur do ta mposhtë Turqinë është e përhapur gjithandej në Shqipëri. Kur në vitin 1854 trupat tona luftarake pushtuan principatat danubiane, malësorët dhe të gjithë myslimanët shqiptarë, me zë të lartë shpallën se të gjithë ata, pa përjashtim, do të arrinin në lumin e Drinës (Bosnjën lindore) posa trupat ruse të arrinin në afërsi të tyre. Ata ishin dekurajuar me ardhjen e francezëve dhe anglezëve si bashkëpunëtorë të Turqisë. Por, edhe këtu shqiptarët refuzuan të jepnin luftëtarë dhe bashibozukë. Vetëm me përpjekjet e palodhura të agjentëve anglezë, si: Longfort, Blount, About e të tjerë (konsujt anglezë në Perandorinë Osmane përgjatë gjysmës së shekullit XIX dhe më vonë, shën. Skënder Latifi) shqiptarët u bindën anembanë për të dhënë rekrutë edhe pse në të njëjtën kohë këta agjentë i drejtoheshin Konstandinopolit dhe shteteve perëndimore me kërkesë zyrtare për njohjen e të drejtave fuqiplote të krishterëve!

Kohët e fundit në mes të maleve shqiptare është në përgatitje e sipër një kryengritje antiosmane. Prandaj, shqiptarëve të qendrave u shtohet pyetja: A nuk ka ardhur ora e luftës përfundimtare kundër turqve, por kjo kryengritje shqiptare njëherësh do të jetë sinjal për rilindjen e të gjitha fiseve shqiptare. Qendra e Shqipërisë, deri tani, nuk ka dhënë asnjë shqiptar në mbrojtje të Turqisë dhe ajo qëndron në pritje të zhvillimit të ngjarjeve në vijim dhe në qoftë se gjatë komplikimit të tanishëm të situatës rreth luftës, të destinuar për t´u vazhduar, më duket se në Shqipëri ne do gjejmë mbi të gjitha bashkëpunëtorë të pjekur të çështjes shqiptare.

Duke pritur vendosjen e një rendi të ri të gjërave dhe sigurisht duke e dëshiruar këtë rend të ri – shqiptarët në të njëjtën kohë janë të vetëdijshëm për rreziqet që mund të shfaqen në të ardhmen. Në këtë dualitet, përgjigjja do ishte se deri tani ata nuk kanë marrë pjesë në këtë çështje. Gjatë copëtimit të tokave të tyre, shqiptarët arritën që ta ruanin përkatësinë kombëtare të tyre. Me rendin e ri të gjërave, të rrethuar forcërisht me shtete të reja, të grumbulluara rreth e përqark, Shqipëria e ka frikë Serbinë, Greqinë dhe Malin e Zi. Dhe Shqipëria nuk i beson asnjërit prej fqinjëve, sepse secili prej tyre mund ta ketë në duart çelësin e vogël për të hyrë në tokat shqiptare.

Vetëm Rusia nuk ka interes për asgjë dhe në qoftë se shqiptarët duan të krijojnë një Shqipëri të tërë të bashkuar, atëherë vetëm Rusia me sinqeritet mund t’i ndihmojë ata, edhe atë duke u mbështetur në raportin e forcave dhe marrëdhënieve ekzistuese. Për ne që po bëhemi pa dashje kujdestarë të shteteve të reja e të forcuara, duke u shfaqur në rrënojat e Turqisë, duhet thënë se krijimi i Shqipërisë është i domosdoshëm. Shqipëria do jetë, si të them, një pengesë e natyrshme për grekët dhe sllavët për antipatitë ruse që ata i kanë manifestuar më herët.

Përgatiti: Skënder Latifi