Shtojca për Kulturë

“Çimka” në dy botë paralele: pasqyrim i së kaluarës, thirrje për reflektim

Përjetimet e një populli të ndarë pikëtakohen në një vend – muzeun kombëtar “Shtëpia me Gjethe” me shfaqjen “Çimka”
 

E rimarrë nga “Çimka”, Shtëpia me Gjethe është hapësirë e dy botëve paralele: regjimit jugosllav në Kosovë dhe atij në Shqipëri, të cilin publiku e përjeton paralelisht. Historitë e përgjimeve, të vuajtjeve dhe persekutimeve të mijëra shqiptarëve, viktima të këtyre regjimeve totalitare, ringjallen e rinjihen përmes shfaqjes “Çimka”, me autor Shpëtim Selmani, në regji të Zana Hoxhës

Aty kur dikur të internuarit, disidentët e të rebeluarit detyrueshëm ecnin për t’iu nënshtruar torturave të regjimit totalitar, mbrëmjen e ditës së parë të majit, publiku në Tiranë ecte me kureshtje në dhomat e hapësirat e inskenuara për shfaqjen “Çimka”. Përjetimet e një populli të ndarë pikëtakohen në një vend – muzeun kombëtar “Shtëpia me Gjethe”.

Shijen e një shfaqjeje të pazakontë publiku e përjeton qysh me hapjen e dyerve të muzeut. Të ndarë në dy grupe: si “gjeth” apo “çimkë” publiku fillon ecjen në drejtime të kundërta, një ecje e ngadaltë e me ndrojtje, në pritje të skenave që do të pasonin.