Shtojca për Kulturë

Vendi i shqipes në “pemën” indoevropiane

Specifikat e analogjive mes shqipes dhe gjuhëve të tjera japin indicie për ta dhënë pikëpamjen në lidhje me vendin që ajo zë në familjen e gjuhëve indoevropiane. Shqipja paraqitet si homogjene e rinovuese njëkohësisht, sepse krahas formave të vjetra, ka pasur mjaft përhapje të risive ose zhvillimeve të brendshme

Çështja e vendit të shqipes në familjen e gjuhëve indoevropiane është një preukopim i vazhdueshëm, që do të shfaqë gjithmonë problematika, meqë është pothuajse e pamundur të ndriçohet plotësisht, për shkak të mungesës së burimeve të shkruara dhe dokumentimit të vonë të gjuhës shqipe.

Pikëpamjet, idetë, rindërtimet e formave të fjalëve, të cilat nuk janë arbitrare, por të strukturuara duke krahasuar faktet gjuhësore të gjuhëve simotra (sidomos me ato që ka afri) nga disa breza studiuesish, normalisht, japin ndihmë dhe me këtë, është mundësuar që përafërsisht të përcaktohet vendi i saj, por zhvillimet gjuhësore të dokumentuara nuk shkojnë gjer te gjuha indoevropiane. Specifikat e analogjive mes shqipes dhe gjuhëve të tjera japin indicie për ta dhënë pikëpamjen në lidhje me vendin që ajo zë në familjen e gjuhëve indoevropiane.

Shqipja paraqitet si homogjene e rinovuese njëkohësisht, sepse krahas formave të vjetra, ka pasur mjaft përhapje të risive ose zhvillimeve të brendshme.

Shqipja në familjen indoevropiane

Sa i përket pozicionimit të shqipes në “pemën indoevropiane”, janë shfrytëzuar të dhënat dhe afritë gramatikore me disa gjuhë, por jo aq sa gjuhëtarët të arrijnë në një pikë përfundimtare. Varësisht nga afritë e hetueshme në sistemin gramatikor e leksikor, mund të caktohet përafërsisht vendi i saj në këtë mes, edhe pse shqipja qysh nga Franc Boppi, shihet si gjuhë e veçantë, pa lidhje specifike me gjuhët e tjera. Këto konkordanca mundësojnë nxjerrjen e fakteve për ta vendosur në një pozitë, duke u mbështetur në materialin shkencor që e kemi në dispozicion dhe në disa ligjësi fonetike. Shqipja në disa tipare lidhet me të gjitha gjuhët, mirëpo shkalla e afrisë është më e madhe me disa nga to.

Fillimisht, Boppi sa i përket kësaj çështjeje, për shqipen është shprehur në këtë mënyrë: “në elementet e saj themelore nuk ka ndonjë lidhje të ngushtë, ose aq më pak, ndonjë lidhje derivacioni me asnjërën nga gjuhët motra sanskrite të kontinentit tonë”.

Ndërkaq, August Schleicheri në drurin gjenealogjik që e kishte ndërtuar për herë të parë ndër gjuhëtarët, e përfshiu shqipen në degën e gjuhëve indoevropiane të Evropës Jugore, ku sipas tij, bëjnë pjesë: italo-keltishtja dhe greqishtja, duke e vendosur atë në afërsi të greqishtes dhe i përmblodhi me emrin çifti i familjes pellazgjike.

Por, ky pohim më vonë është vërtetuar shkencërisht si jo i drejtë, meqë konkordancat me këto gjuhë ishin më shumë leksikore, por nuk ka afri të veçanta me to, aq më pak bashkëpërkim gjenetik. Schleiheri i shihte shqiptarët si pasardhës së ilirëve. Përemrat, numërorët dhe mbaresat, sipas tij, e bëjnë shqipen gjuhë indoevropiane, por atë e vendos afër greqishtes, si çift të famijles pellazgjike.

Si hap të përparuar bëri Johanes Schmitti më 1871 me teorinë e valëve. Ai shqipen e vendos në një rreth të përbashkët me gjuhët baltosllave në njërën anë, dhe me armenishten e trako-frigjishten në anën tjetër. Si e metë te kjo teori, siç e potencon edhe Çabej, është parë injorimi i realitetit historik, i shtegtimit të popujve, d.m.th. marrja parasysh vetëm e gjuhëve gjatë zhvillimit të tyre të brendshëm.

Ndarja në satem dhe kentum

Sa i përket ndarjes e cila është bazuar në reflektimin e guturaleve, ajo ka sjellë një konceptim të ri të dallimeve, që sipas disa gjuhëtarëve, janë parë si diferenca dialektore të gjuhës indoevropiane.

Në bazë të kësaj ndarjeje, në gjuhët satem përfshihen: indishtja, persishtja, armenishtja, gjuhët balto-sllave, shqipja, trakishtja. Kurse, në gjuhët kentum përfshihen: latinishtja, keltishtja, greqishtja, gjuhët gjermanike, tokarishtja, hetitishtja. Në grupin kentum, këto bashkëtingëllore e ruajnë karakterin gutural të tyre, kurse në të dytin ato ndërrohen në s,z, th,dh, d.m.th. spirantizohen. Tokarishtja dhe hetitishtja kanë krijuar konfuzion te gjuhëtarët, për shkak se në bazë të pozitës gjeografike të tyre, është pritur të grupohen te gjuhët satem, por tiparet gjuhësore të tyre lidhen me gjuhët kentum.

Sipas disa gjuhëtarëve, në gjuhët indoevropiane qysh herët, janë zhvilluar tri seri guturalesh: prapaqiellzore të mirëfillta (k,g,gh), grykore-qiellzore ose më thjesht qiellzore (k’,g’,h’), dhe buzoprapaqiellzore (qu, gu, ku). Sipas mendimit mbizotërues, në gjuhët kentum dalloheshin bashkëtingëlloret prapaqiellzore nga labiovelaret, kurse prapaqiellzoret me qiellzoret bashkëpërkojnë. Nga ana tjetër, në gjuhët satem janë bashkëpërputhur bashkëtingëlloret prapaqiellzore me labiovelaret, kurse bashkëtingëlloret qiellzore k’ g’ gh’ janë shndërruar qysh herët në tinguj të tipit s, z. Për këtë arsye, gjuhët satem janë konsideruar si gjuhë rinovuese.
Por, dallimet ndërmjet gjuhëve kentum dhe satem ndryshojnë. Shkalla e satemizimit ndryshon duke kaluar prej një gjuhe në tjetrën.

Reflekset e bashkëtingëlloreve tektale në shqipe

Sipas Pedersenit, në gjuhën shqipe ndeshen reflekse të të tria serive të grykoreve. Sipas tij, prapaqiellzoret e mirëfillta kanë dhënë në shqipe k,g, buzoprapaqiellzoret kanë dhënë s,z, (pesë, sy, zjarr) kur janë ndeshur para zanoresh të përparme e, i dhe k, g në rastet e tjera, kurse qiellzoret kanë dhënë th,dh,d : athëtë, thanë, puth, dardhë, derr, dimër, dhëmb etj.

Por, siç thotë Robert Beeks, “materiali i shqipes është i limituar dhe kjo gjuhë në përgjithësi paraqet probleme kur bie fjala tek interpretimi historik. Pohimi se në shqipe ka pasur tri seri të velarëve mbetet të dëshmohet”. Kështu që mbeten hipotetike këto teza.

Çabej e pranon shpjegimin për reflektimin e buzoprapaqiellzoreve, por shpreh rezerva për reflektimin e qiellzoreve. Ai pohon se shqipja ka nevojë për një rishikim në themel. Guturalet e ardhura nga buzoprapaqiellzoret indoevropiane, janë qiellzorizuar. P.sh. ujk – ujq, djeg-dogja. Është fakt i pranuar që buzoprapaqiellzoret, kur janë ndodhur para një zanoreje të përparme i,e kanë dhënë s,z. Prapaqiellzoret e thjeshta k,g,gh, në një faze më të hershme kanë dhënë përkatësisht k,g në çdo pozicion fonetik, me përjashtim të rastit kur k-ja paraprihej nga s-ja. Por, në një fazë më të vonë, ato janë qiellzorizuar përkatësisht në q,gj, kur janë ndodhur para zanoreve të përparme i,e: Ka- *kav (sh.qe), ndjek - *nteko (ndiqni) , pjek –*pleko (piqni), dergjem –*djerge, gjej *ganj, bashkëtingëlloret k,g janë qiellzorizuar.

Tektalet qiellzore k’,g’,gh’ në shumicën e rasteve kanë dhënë përkatësisht th, dh, në fillim të fjalës d. Natyrisht, ky evolucion ka kaluar në disa faza.

Buzoprapaqiellzoret ku,gu,ghu, kanë dhënë përkatësisht s,z kur janë ndodhur para zanoreve i, e. Në rastet e tjera, kanë përfunduar përkatësisht në k,g, pastaj në një fazë të mëvonshme edhe këto në disa raste janë qiellzorizuar në q,gj. Pra, buzoprapaqiellzoret kur nuk ndiqeshin nga një zanore e përparme, janë bashkëpërputhur me prapaqiellzoret e thjeshta p.sh. camba- këmba-caelum-qiell, largus-larg, quietus-i qetë.

Në gjuhën shqipe, në të gjitha fjalët që kanë pasur dikur tektale qiellzore të ndjekur nga r,l , ajo nuk është shndërruar në th, dh, por paraqitet si prapaqiellzore, pra është velarizuar. P.sh. grurë- grnom, grua-gre , e egër-agro.

Siç e shohim, edhe satemizimi duhet parë historikisht, por edhe kronologjikisht, sepse nuk i ka përfshirë fjalët në të njëjtën formë.

Tektalet qiellzore k` g` gj`, në shumicën e rasteve kanë dhënë përkatësisht th,dh.

Natyrisht ky evolucion ka kaluar nëpër faza të ndërmjetme njëherë c,dz, pastaj, s,z në fazën e tretë th,dh. P.sh. thanë, Çabej e nxjerr nga një bazë *konge, i thartë - *k’or, i athët- *ak’(lat.acidus), puth - *puko, dimër -*kheimon, dorë-*kh’era, dua - g’eus, dhëndër - *g’ent(lat.gener), dheu –*zeme lidh- (lat.)ligo, mbledh-(lat.)lego, i madh-magh, (khs.me ind.mah) , vjedh-*vegho.

Grupi konsonant sk, në shumë raste ka përfunduar në h ose sh,ç. Pas huazimeve nga greqishtja e vjetër: p.sh. sk-h skel- halë, skordon- hudhër, helm- skalm, i hollë – skel
sk-ç skiliu- çaj, skolios-i çalë; sk-sh , Scodra- Shkodra, Scupi –Shkupi, scala- shkallë, scamnum- shkëmb; ks-sh pashë-*paksom, gjashtë – seksti, tresh- *treksno, *ekst – jashtë, ks- th : *deksto – i djathtë.

Në gjuhët indoevropiane të veriut, o-ja e shkurtër indoevropiane është hapur në a:

lat.noctis, ind. nakti – natë, lit.naktis, ah- .oskos, asht- ind.asthi, lat.ost, gr. osten, gjak – soko.

Një tjetër kriter rendimi përbën rrethana që shqipja f-së latine e ph-së greke i përgjigjet me një b, duke u afruar me gjuhët e vdekura të Gadishullit Ballkanik: ilirishten, makedonishten, e trako-frigishten, e sot me shumicën e gjuhëve indoevropiane: gjuhët keltike, gjermanike, baltike,sllave, armenishten, iranishten, p.sh. Bharami(sjell) lat. fero, gr. phero, shqip ‘bie, bart’, bëj- gr. phanio, elb-gr. alphi, derë- gr.t-hyra, lat. foros, di - ind. d-hi, k-ja e aspiruar në k – mokër-makhara, lakër – lakhanon. (Shembujt dhe të dhënat shpjeguese janë shqyrtuar sipas: Shaban Demirajt dhe Eqrem Çabejt).

Siç argumentohet, gjuha shqipe pjesërisht afrohet me gjuhët satem, pjesërisht dallohet nga to. Ajo afrohet me gjuhët satem vetëm me evolucionin e tektaleve qiellzore. Por, dallohet, me reflektimin në njëfarë mase të ndryshëm të prapaqiellzoreve të thjeshta dhe të buzoprapaqiellzoreve.