Shtojca për Kulturë

Dy fjalë për Nehat Islamin

nehat

Gazetari i mirënjohur, Nehat Islami, njihet te ne me vjet si “doajeni i gazetarisë shqiptare për Lindjen e Mesme”, por tani tingëllon më ndryshe në shtypin arab me rastin e vështrimit të botimit të dytë të librit të tij “Hotel Bejruti”, i cili doli për herë të parë në Prishtinë (Botimet KOHA 2014), kurse më 2022 doli botimi i dytë i zgjeruar në Tiranë me iniciativë të Lidhjes së Gazetarëve Shqiptarë.

Ky botim u përcoll me interesim në gazetën gjitharabe “al-Arabi al-Jadid” me seli në Londër dhe me disa botime në botën arabe. Arsyeja e interesimit është e thjeshtë: Më 2014, Lindja e Mesme ishte në qendër të zhvillimeve të mëdha me “Pranverën arabe” dhe shtrirjen e “Shtetit Islamik” (ISIS), kurse pasojat e tyre u trajtuan në botimin e dytë të librit, me një porosi të autorit për të ardhmen.

Kështu, gazeta në fjalë, në numrin e 19 prillit 2022, përmbledh mendimet e Nehat Islamit, i cili thekson se arabët kishin që nga çlirimi i tyre nga sundimi osman disa “pranvera” me shpresa për pavarësi e liri, por ato u mbytën me gjak. Edhe kësaj here në shikim të parë duket se “Pranvera arabe”, që u paraqit në fund të vitit 2010, u mbyt me gjak në disa vende arabe, por ajo përsëri u shfaq më 2018 duke rrëzuar një nga diktaturat më të korruptuara ushtarake (Algjeria).

Marrë në përgjithësi, siç konceptohet në gazetën arabe, Nehat Islami duke krahasuar “Pranverën arabe” me “Pranverën e Evropës Lindore” thekson se në rastin arab ka pasur në ndarje vertikale në opozitë: rryma që kërkonte shtet demokratik dhe rryma që kërkonte shtet fetar. Si pasojë e dështimit, N. Islami mendon se vetëm me një kompromis, si në rastin e Tunizisë, midis dy rrymave, mund të arrihet një sukses. Gazeta në fjalë e thekson në fund “porosinë” e Nehat Islamit popujve arabë: Arabët kanë prodhuar aq shumë histori sa që ka ardhur koha të fillojnë e të mësojnë prej saj!