Muzetë e Kosovës duken si vitrinat e odave të minatorëve kosovarë që mbusheshin me gurë të kristaltë të minierës së “Trepçës”. Mbaj mend një të afërm timin minator, që mbushte vitrinën e tij me këta gurë dhe kur presidenti i Kosovë, Ibrahim Rugova, i bëri “gurë diplomatikë”, ai mburrej se “këto punë i ka menue para Rugovës”. Të paktë ata gurë kristalorë qenë bërë “gur-dhuratë” në dialogun për miqtë e Kosovës. Ndërsa, gurët e muzeve të Kosovës janë “gurë statikë”, jo “gurë dialogjikë”
Mund të hysh në cilindo muze të Kosovës, por edhe në restorante e kthina hotelesh, dhe do të gjesh pothuajse të njëjtin model të ekspozimit të kulturës: artefaktin si asht, gur, dru e zhgun të renditur në vitrinë. Ka disa përjashtime, por janë pak – mbahen vetëm për arsye se aty punojnë ata pak njerëz të pasionit të kulturës. Do të gjesh artefaktin e ekspozuar, por kryesisht pa njerëz, pa gjallëri dhe pa konverzacion rreth tij, për të, kundër tij, në lojë me të, në krahasim me të e anash tij. Në përgjithësi, muzetë janë strukur në furrikun e tyre muzeor, prej të cilit nuk po çel dialogu kulturor.
Muzetë e Kosovës duken si vitrinat e odave të minatorëve kosovarë që mbusheshin me gurë të kristaltë të minierës së “Trepçës”. Mbaj mend një të afërm timin minator, që mbushte vitrinën e tij me këta gurë dhe kur presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, i bëri “gurë diplomatikë”, ai mburrej se “këto punë i ka menue para Rugovës”. Të paktë ata gurë kristalorë qenë bërë “gur-dhuratë” në dialogun për miqtë e Kosovës. Ndërsa, gurët e muzeve të Kosovës janë “gurë statikë”, jo “gurë dialogjikë”. Nuk duket se muzetë kanë synime për ta gjallëruar hapësirën e tyre me njerëz. Muzetë nuk bëjnë vend sa duhet për ta ftuar në dialog atë që bartka e ndryshuaka traditën; muzetë nuk hapin logun sa duhet për të diskutuar për gjithçka përreth traditës e kulturës; muzetë bëjnë pak për t’u dhënë shpirt atyre gurëve.
Në muze, ka pak interesim të shtetit, e fare pak interesim të njerëzve përreth, komunës e komunitetit. Ka fare pak komunikim mes muzeut dhe artistëve, artizanëve, ekologëve, studiuesve të kulturës; ka fare pak bashkëpunim me drugdhendësit, mbrojtësit e ambientit, pleqtë rrëfimtarë, mysafirë nga vendet e tjera. Nuk mendohet sa duhet që muzeu të jetë partner edukues për nxënës e studentë. Nuk them të bëhet “shkollë-muze” si në vende të tjera, por të paktën t’i dërgojmë nxënësit dhe studentët në muzeu 2-3 herë në vit. Pra, në përgjithësi, ka pasur pak interesim të Qeverisë qendrore e lokale për muzeun. Por, edhe kur intervenon shteti, muzeu tenderohet, vitrinat mbushen, shiritat prehen e institucioni përurohet – por menjëherë harrohet. Nuk shihet, as nga institucionet shtetërore, as nga “ekspertët” e as nga komuniteti, si një shtëpi apo shesh i kulturës, ku rivitalizohet, kritikohet e ironizohet tradita, ku diskutohet, kontestohet, afirmohet e krahasohet e kaluara, ku shqyrtohet e shoshitet lokalja, ku sakatohet duke u shqyrtuar e duke u “cituar” e “negociuar” globalja, kombëtarja, regjionalja. Nuk diskutohet diversiteti në kontekst të homogjenitetit, as etniciteti në kontekst të heterogjenitetit, as subkultura në kontekst të kulturës. As anasjelltas.
Ndonëse muzeu është esencialisht vend i kujtesës, në Kosovë, muzeu është lënë krejtësisht në harresë. Harrohet fakti se muzeu bëhet çdo ditë, ditë për ditë, e jo vetëm një ditë. Harrohet se muzeu nuk bëhet në një mandat, por mandati është i përditshëm e pa afat. Harrohet se mandatin e kanë ata që punojnë në muze dhe vetë prindërit e profesorët e mësuesit e artizanët e bartësit e trashëgimisë kulturore. Harrohet se muzeu duhet të hapet, të paktën oborri i tij. Harrohet fakti se muzeu nuk është koleksion i përfunduar, por është gjithmonë në bërje e sipër, arkë e diskutuar, e shpalosur, e interpretuar. Jo arkë që kalbet, por arkë që merr frymë. Një arkë e hapur me të cilën duhet të flasim. Pse? Sepse, nëse caku i parë synues i muzeut është mbledhja dhe caku i dytë është njohja e ekspozimi, atëherë caku i tretë është interpretimi e inspirimi. Pa këtë të fundit s’ka muze, por depo që kalbet.
Muzeu në Kosovë është në krizë, por diskutimet akademike e profesionale mbi “krizën e muzeut” nuk kanë ndodhur ende; studimet muzeologjike vendëse nuk kanë hapur kritikën e refleksionin për pozitën e muzeut në kontekst të ndryshimeve. Nuk kanë filluar diskutimet për qasjen, për standardet, për nevojat, për risitë, për “artefaktin e errët”, “për kujtesën e zezë”, “për tregimet e shumta që ka Kosova” etj. Muzeu nuk është shndërruar në një shtëpi kulture që lidhet me sferën shoqërore përreth, për t’u bërë log i konverzacionit kryesor kulturor.
Muzeu po myket e një copë e kësaj mykjeje po myk, alas, edhe potencialin e nevojën, pasionin e vullnetin e shoqërisë kosovare, sidomos të të rinjve, për të dialoguar sinqerisht me të kaluarën, të tashmen e të ardhmen, me veten e me tjetrin. Ata s’janë të interesuar, pikërisht për faktin se s’ka konverzacion kritik, por vetëm afirmacion përhatërues. Ka pak ndërlidhje mes të kaluarës, të tashmes e të ardhmes. E ne të gjithë e dimë se ku mund të kalbet e kaluara, ku mund të gatuhet e tashmja e se si mund të piqet e ardhmja.