Shtojca për Kulturë

“Art Without Limit” në pritje të filmave që i bashkon një mision

“Art Without Limit International Film Festival” ka hapur thirrjen për aplikimin e filmave të rinj kombëtarë dhe ndërkombëtarë, që do të bëhen pjesë e edicionit të tretë. Edhe sivjet tematika e njëjtë: rrëfime filmike që fuqizojnë zërin e personave me aftësi të kufizuara. Pos misionit, festivali – që ka për qëllim ngritjen e vetëdijes së shoqërisë, si dhe të tregojë për sfidat me të cilat përballet ky komunitet në përditshmëri – ka ruajtur edhe datat.

Do të mbahet prej 1 deri më 3 dhjetor. Të drejtë aplikimi kanë filmbërës nga të katër anët e botës me filma të shkurtër, si dokumentar, fiksion apo animacion. Ashtu sikurse për edicionet e kaluara, aplikimi do të kalojë nëpër tri faza përzgjedhëse. Faza e parë është hapur më 15 janar e që do të vazhdojë deri në muajin maj, ku do të fillojë faza e dytë, e cila së bashku me fazën e tretë do të përfundojë në fund të muajit gusht. Prej shtatorit fillojnë përzgjedhjet e filmave.

Regjisori Burim Haliti, drejtor artistik i “Art Without Limit International Film Festival”, ka thënë se shpreson që edicioni i radhës të mbahet në një tjetër frymë prej asaj të dy edicioneve paraprake.

“Këtë vit po shpresojmë që të mos përballemi me problemin e njëjtë si në edicionin e parë që na është ndërprerë për shkak të situatës së krijuar me COVID-19”. I dyti, i mbajtur në “Kino Armata” në Prishtinë, u mbajt nën masat për parandalimin e koronavirusit.

Numri i aplikimeve në edicionet paraprake ka qenë i madh. “Art Without Limit International Film Festival” u bë adresë e veprave filmike nga 80 vende të ndryshme të botës, si nga Evropa, Amerika e Australia.

“Vitin e kaluar kanë ardhur mbi 400 aplikime nga vende të ndryshme, dhe i kemi selektuar vetëm 50 prej tyre, për shkak se programi u dedikohet personave me aftësi të kufizuara. Edhe këtë vit po synojmë që përafërsisht numri i filmave të përzgjedhur të jetë i njëjtë nga 40 deri në 50 filma”, ka thënë Haliti.

Festivali “Art Without Limit“ ka një bashkëpunim të ngushtë edhe me Festivalin e Filmit në Tiranë, kur vitin e kaluar u shfaqën disa filma të përthekuar në një program të veçantë.

Organizatorët kanë qenë të kënaqur edhe me reagimin e publikut, por ajo që Haliti ka thënë se e shqetëson, është mungesa e filmave në shqip.

“Këtë vit kemi arritur t’i sigurojmë tre filma në gjuhën shqipe, dy nga Shqipëria e një nga Lugina. Gjithashtu kemi shumë dëshirë që filma të tillë të shikohen më tepër“, ka thënë ajo teksa ka nënvizuar se shumica e filmave në program janë në gjuhë të huaja. Ani pse filmi është shtyllë bazike, “Art Without Limit International Film Festival” sjell edhe programe përcjellëse, si ekspozita të artit figurativ, performancë muzikore e diskutime.

Festivali organizohet nga organizata joqeveritare “Art Without Limit”, e cila, siç përshkruhet në prezantimin e saj, ka për qëllim t’i inkurajojë e t’i fuqizojë minoritetet lokale të komuniteteve me aftësi të kufizuara e të margjinalizuara në Kosovë – posaçërisht femrat – e t‘u mundësojë që zërat e tyre të dëgjohen dhe të marrin pjesë dhe të kontribuojnë me krijimet e tyre.