Shtojca për Kulturë

Monedha romake me simbole ushtarake e gjetur në Pejë

Kohë më parë, në Pejë si zbulim rasti është gjetur një monedhë e kohës së perandorit romak Gordiani III. Edhe pse nuk ka vlerë të madhe materiale, kjo monedhë paraqet dokument historik me rëndësi

Gjatë vitit 2021 në Pejë, si zbulim rasti ishte gjetur një monedhë e periudhës romake e punuar prej bronzit. Kjo monedhë është gjetur në gjendje relativisht të mirë, me dëmtime të vogla në anën e majtë edhe në avers edhe në revers, por legjendat (mbishkrimet) janë lehtë të lexueshme.

Në avers (faqja e monedhës) është paraqitja e portretit të djathtë të perandorit Gordiani III rreth së cilës është mbishkrimi vijues: IMP GORDIANVS PIVS FEL AVG (Imperator Gordianus Pius Felix Augustus).

Në bazë të paraqitjes së portretit dhe titullit perandorak në avers të monedhës është e qartë se monedha është prerë në kohën e perandorit Gordiani III (225-244). Ky perandor kishte sunduar prej vitit 238 kur ishte aklamuar nga garda pretoriane në moshën 13-vjeçare deri më 244 dhe emri i tij i plotë perandorak ishte: IMPERATOR CAESAR MARCVS ANTONIVS GORDIANVS AUGVSTVS). Perandori Gordiani IIIo ishte vrarë nga Filipi Arab në vitin 244 në Dura Europos.

Në revers (shpina e monedhës) të kësaj monedhe është paraqitja e figurës femërore në këmbë, e kthyer nga ana e majtë (e mban në dorën e djathtë një de­gë, ndërsa në të majtën një skeptër me atribute të hyjneshës romake Victoria (hyjneshës së fitores), e cila është paraqitur e rrethuar me 2 figura anash: të demit nga ana e djathtë dhe të luanit nga ana e djathtë e saj. Figurat janë të kurorëzuara me mbishkrim si vijon: PMS COL VIM (Provinciae Moesiae Superioris Colonia Viminacium - Kolonia Viminacium e Provincës Moesia Superior), ndërsa nën këmbët e figurave është shkrimi në shkurtesa: AN IIII (anno quarto - që do të thotë viti i katërt nga fillimi i prerjes së monedhave në këtë punëtori monedhaprerëse) në bazë të të cilave edhe datohet monedha.

Në bazë të të dhënave që i ofron kjo monedhë kemi të bëjmë me një monedhë të llojit sesterc romak, që ka peshën 21,25 gramë, diametrin 3 centimetra. dhe trashësinë 3 milimetra, ndërsa në bazë të shënimeve në revers të monedhës kuptohet se ajo ishte prerë në punëtorinë monedhaprerëse në Viminacium në vitin e katërt të veprimtarisë së kësaj punëtorie (respektivisht në vitin 242/243) e cila kishte filluar veprimtarinë e saj në vitin 239 të erës sonë.

Duhet cekur faktin se paraqitjet figurale (portreti, emri dhe titulli i perandorit në avers dhe figura e gruas në revers e shoqëruar me figura të demit e të luanit, e cila këtu paraqet personifikimin e provincës Mezia e Epërme), shënimi i punëtorisë ku është prerë (PMS COL VIM) dhe datimi në revers (AN IIII) si dhe veçoritë e tjera të kësaj monedhe (materiali, dimensionet, pesha) janë pothuaj të njëjta (dallojnë vetëm portretet e emrat e perandorëve të cilët i kanë prerë monedhat) me dy monedha të tjera të gjetura më herët në rajonin e Pejës.

Image
Aversi i monedhës së gjetur në Dobrushë

Monedhat simotra të gjetura më herët

Monedha e parë e gjetur më herët është ajo e gjetur në fshatin Dobrushë të Istogut si zbulim rasti në vitit 2007, me rastin e punimeve ndërtimore kur së bashku me disa copa tjegullash dhe material tjetër ndërtimor, ishte zbuluar edhe një monedhë prej bronzi nga periudha e okupimit romak të Dardanisë.

Përkundër faktit se veçoritë e saja nuk e fusin në grupin e rariteteve numizmatike, kjo monedhë sjell shumë më tepër të dhëna intere­sa­nte se ç’duket në shikim të parë lidhur me të kaluarën e regjionit ku është gjetur në mo­mentin e caktuar historik.

Monedha në fjalë është e punuar prej bronzi, është mjaft e shlyer nga përdorimi dhe koha e kaluar në dhe, por megjithatë, i ka të ruajtura elementet kryesore dhe mbishkrimet në të dyja anët në gjuhën latine. Pesha e monedhës është 18,29 gramë, diametri 28 milimetra, ndërsa trashësia e saj është 3 milimetra.

Në avers të monedhës është paraqitja e profilit të djathtë të një pe­randori, i cili është paraqitur me mjekër të kultivuar, flokë të shkurtra dhe kurorë dafine në kokë. Rreth portretit është mbishkrimi i shkruar në shkur­tesa: IMP M IVL PHILIPPVS AVG (Imperator Marcus Iulius Philipus Augustus), dhe në bazë të këtij mbishkrimi, kup­tohet se është fjala për një monedhë e cila ishte prerë në kohën e sundimit të perandorit romak Marcus Iulius Philippus, apo Filipi Arab, siç njihet në histori, i lindur rreth vitit 204 të e.s.

Perandori Filipi Arab apo Mark Jul Filipi (MARCVS IVLIVS PHILIPVS, 198-249) kishte sunduar mes viteve 244 dhe 249 të e.s. Me prejardhje ish­te nga Arabia dhe kishte qenë i biri i një sheiku (për çka edhe e fitoi nofkën Arab), ndërsa si prefekt i gardës pretoriane ai kishte urdhëruar vrasjen e perandorit Gor­diani III dhe ishte emëruar Caesar (princ). Më vonë e kishte marrë edhe titullin Au­gus­tus (perandor). Në aspektin ikonografik nëpër monedha dhe stoli ai paraqitej me mjekër dhe flokë të shkurtra, bashkë me gruan e tij, Otacilia, dhe të birin e tij më të vogël, Fili­pi II, si simbol i së ashtuquajturës “Concordia Augustorum” (harmoni pe­ran­dorake).

Image
Reversi i monedhës së gjetur në Dobrushë

Titulli i tij i plotë zyrtar perandorak me të cilin paraqitet nëpër mbi­shkrime të monumenteve epigrafike, dokumente zyrtare dhe nëpër monedha ishte: IMPERATOR CAESAR MARCUS IVLIVS PHILIPVS AVGVSTVS.

Në revers të monedhës në fjalë mbi figurat e gruas që personifikon provincën Moesia Superior dhe të demit e luanit janë shënuar shkurtesat e punëtorisë monedhaprerëse: PMS COL VIM dhe AN VI, që do të thotë anno sexto (viti i gjashtë) dhe është datim sipas erës lokale të Viminaciumit. Koha e saktë e fillimit të erës lokale sipas së cilës datoheshin monedhat në Vi­minacium është diskutuar mjaft dhe supozimi më i ri është që kjo erë lokale ka filluar në qershor të vitit 239, ndërsa si duket datë më e pranueshme është korriku i vitit 239 dhe në bazë të këtij fakti edhe vetë monedha datohet mes viteve 244/5 të erës sonë.

Perandori Filipi Arab i takon kohës së krizave të mëdha të Perandorisë Romake, respektivisht periudhës së sundimit të të ashtuquajturve “perandorë ushtarakë”, e cila kishte filluar me perandorin Maksimin Trakasin (CAIVS IVLIVS VERVS MAXIMINVS TRAX, 235-238), i cili në vitin 235 të erës sonë e kishte organizuar komplotin kundër perandorit Aleksandër Severit dhe pasi e kishte vrarë atë, ishte shpallur perandor në mënyrë arbitrare, me aklamacion, nga njësitet ushtarake. Gjatë periudhës së përmendur legjionet, e më vonë garda pretoriane (njësitet elite të truprojave të përzgjedhur të perandorit), e aklamonin perandorin, por e njëjta ushtri më vonë e vriste perandorin dhe aklamonte një tjetër, i cili paguante më shumë për një gjë të tillë. Perandorin Mak­simin e kishin shfronësuar Gordiani dhe i biri i tij Gordiani II, ndërsa pas vra­sjes së tyre, ushtria e kishte shpallur perandor Gordianin III.

Image
Aversi i monedhës së gjetur në Dresnik

Pas marrjes së fronit perandorak Gordiani III kishte filluar fushatën luftarake kundër persianëve, por është vrarë ndoshta me urdhrin e Mark Jul Filipit (i cili për shkak të origjinës së vet, fitoi nofkën Arab), të cilin garda pretoriane, komandant i së cilës ishte aso­kohe, e kishte shpallur perandor. Meqë në ndërkohë njësitet e ndryshme ush­tarake kishin shpallur njëkohësisht edhe disa pretendentë të tjerë për fron perandorak, Filipi Arab kishte bërë marrëveshje për paqe me persianët dhe ishte përqendruar në luftë kundër konkurrentëve, prej të cilëve disa i kishte mposhtur, por edhe vetë e kishte humbur jetën në betejë kundër Trajan Decit, të cilin legjionet që shërbenin në Mezi e kishin shpallur perandor.

Portreti më i famshëm i Filipit Arab, i cili është shkrirë në bronz, gje­ndet në Muzet e Vatikanit. Sipas dëshmive të bashkëkohësve të tij, Filipi kishte një shikim përgjues dhe ishte një tiran i cili nuk i kishte zënë besë askujt. Gjatë sundimit të tij, më 21 prill të vitit 248 të e.s., Roma kishte kremtuar 1000- vjetorin nga themelimi i qytetit. I mundur në betejë nga Tajan Deci, ai kishte vdekur mes 29 gushtit dhe 10 tetorit 249 të erës sonë.

Monedha e dytë është ajo e gjetur gjatë gërmimeve arkeologjike në vitin 2014 së bashku me mbetje të objekteve arkitektonike, të disa monumente epigrafike të përdorura si spolia (lat. spolis – përdorim sekondar i monumenteve si material ndërtimor) dhe të një sasie të materialit arkeologjik lëvizës.

Fjala është për një monedhë prej bronzi të gjetur në Dresnik të Klinës gjatë gërmimeve të udhëhequra nga kolegu Masar Valla, arkeolog nga Instituti Arkeologjik i Kosovës në Prishtinë, respektivisht për një sesterc (sestertius), mjaft të dëmtuar të kohës së pera­ndorit Trajan Deci (CAIVS MESSIVS QVINTVS TRAIANVS DECIVS, 201-251), i cili ishte bërë perandor pas vrasjes së perandorit Filip Arabit në shtator të vitit 249, dhe në sundimin e të cilit kishte filluar epoka e perandorëve nga radhët e ushtarakëve me origjinë ilire (Trajan Deci, Klaudi II, Kvintili, Aureliani, Probi, Diokleciani, Maksimiani, të cilët deri në kohën e perandorit Konstantini i Madh kishin reformuar Perandorinë Romake të zhytur në kriza të thella dhe e kishin shpëtuar nga shkatërrimi i shpejtë.

Perandori Trajan Deci (IMP CAESAR CAIVS MESSIVS QVINTVS TRAIANVS DECIVS ose TRAIANVS DECIVS AVG) ishte i lindur në vitin 195 të erës sonë në Panoni të Poshtme. Prej vitit 234 kishte qenë legat perandorak në Mezi të Epërme ndërsa prej vitit 249 deri në vitin 251 kishte sunduar Perandorinë Romake pasi e kishte mposhtur perandorin Filipi Arab, por ishte vrarë në luftë kundër gotëve në vitin 251. Përkundër faktit që sundimi i tij ishte i shkurtër, Trajan Deci është i rëndësishëm meqë me të kishte filluar periudha e perandorëve romakë me origjinë ilire. Ka mbetur i njohur si rinovues i traditave të lashta romake dhe si armik e persekutues i të krishterëve, ndërsa ishte vrarë së bashku me birin e tij në nëntor të vitit 251 të erës sonë.

Reversi i monedhës në fjalë bart paraqitjen e figurave të dy kafshëve dhe të një gruaje në mes tyre, duke qëndruar në këmbë, e kthyer në të majtë, e rreth figurave është mbishkrimi PMS COL VIM. Si edhe në reversët e dy monedhave paraprake figura e femrës mban në dorën e djathtë një de­gë, ndërsa në të majtën një skeptër me simbole të perëndeshës Victoria, (hyjneshës së fitores) dhe simbolikisht paraqet personifikimin e provincës së re Moesia Superior (Mezia e Epër­me), e cila ishte krijuar në fillim të erës sonë pas pushtimit romak të Mbretërisë Dardane, në fillim si Provincia Moesia, që shtrihej deri në brigjet e Detit të Zi, dhe të cilën për arsye të administrimit më të lehtë, e kishte ndarë perandori Domician (TITVS FLAVIVS DOMITIANVS, 81-96) në vitin 86 të erës sonë në Mezinë e Poshtme në lindje, dhe Mezinë e Epërme në perëndim (bërthamën e të cilës e bënte territori i ish-Mbretërisë Dardane, i cili gjatë kohës së themeluesit të Perandorisë dhe perandorit të parë të Romës-Augustit apo Gaius Julius Caesar Octavianus, zyrtarisht i njohur si CAESAR AVGVSTVS, 27 para erës sonë - 14 të erës sonë, kishte qenë rajon i veçantë në kuadër të provincës Moesia).

Figura e femrës e ka kokën e zbuluar (edhe pse nuk shihet qartë për shkak të dëm­timit dhe ruajtjes së dobët të monedhës), është e veshur në tunikë të gjatë dhe i ka duart e ulura dhe të hapura mbi figurat e dy kafshëve. Në anën e majtë të reversit të kësaj mo­nedhe (ana e djathtë e gruas) është paraqitja e demit, ndërsa në anën e dja­thtë është figura e një luani. Këto dy figura të kafshëve nuk janë rastësisht të paraqitura, sepse kanë qenë embleme ushtarake dhe simbolizojnë vendosjen e njësiteve të ushtrisë romake në provincën Moesia Su­perior.

Rreth paraqitjes figurale në revers të monedhës është mbishkrimi mjaft i palexueshëm i shkruar me shkurtesa: PMS C...(që në bazë të analogjive lexohet: Provinciae Moesiae Superioris Colonia Viminacium). Monedha është prerë në Vimi­na­ci­um (kryeqendër e atëhershme e Mezisë së Epërme, sot Kostollac buzë Danu­bit, afër Beogradit në Serbi). Në pjesën e poshtme, të ndarë të monedhës, është datimi AN XI (anno undecimo) të vitit të njëmbëdhjetë nga fillimi i punimit të punëtorisë mone­dha­pre­rëse të Viminaciumit, që kishte prerë monedha për 16 vjet me radhë, respektivisht prej vitit 239 deri në vitin 255 të erës sonë, që do të thotë se monedha në fjalë duhet të jetë prerë mes viteve 249 dhe 250 të erës sonë.

Image
Reversi i monedhës së gjetur në Dresnik

Simbolet ushtarake dhe domethënia simbolike e paraqitjeve figurale

Bie në sy fakti që si në monedhën e gjetur në Pejë, ashtu edhe në monedhat e gjetura në Dobrushë e Dresnik në revers është paraqitja e njëjtë figurale: gruaja kokëzbuluar, e veshur me tunikë (me duar të hapura në të cilat bartë një degë dhe një skeptër me atribute të perëndeshës romake të fitores Victoria), e cila në këtë rast e personifikon provincën Moesia Superior dhe anash saj janë figurat e demit e të luanit.

Figura e demit ishte emblemë e legjionit (brigadë ushtarake me 6000 ushtarë) Legio VII Claudia, i cili ishte krijuar në vitin 59 para erës sonë nga veteranët e ushtrisë së Jul Cezarit dhe i cili në fillim ishte i vendosur në pro­vincën romake të Maqedonisë, ndërsa më vonë, gjatë kryengritjes së dy Batonëve (Batonit, prijës i fisit të Desidiatëve dhe Batonit të Breukëve, mes vitit 6 dhe 9 të erës sonë) ishte transferuar në Dalmaci. Ky legjion në fillim quhej Le­gio VIIo Macedonica, por me rastin e rebelimit të guvernatorit Scribonianus kundër perandorit Klaud (TIBERIVS CLAVDIVS CAESAR AVGVSTVS GERMANICVS, 41-54), në vitin 42 të erës sonë, ushtarët e këtij legjioni i kishin mbetur luajalë perandorit. Pas shtypjes së rebelimit, perandori i kishte shpërblyer ushtarët për lojalitetin e treguar dhe e kishte dekoruar këtë legjion me titull: Claudia Pia Fidelis. Legio VII Claudia ishte transferuar në Mezi në vitin 62 të erës sonë dhe ishte vendosur në kampin ushtarak në Viminacium në Danub (Kostollaci i sotëm), i cili më vonë ishte bërë kryeqendër administrative, politike e ushtarake e provincës Mezia e Epërme.

Prej shekullit II të erës sonë në këtë legjion kishin filluar të shërbenin edhe ushtarët nga popullata e Panonisë, Mezisë së Epërme, Dakisë e Trakisë.

Në Mezi të Epërme janë dëshmuar gjurmët epigrafike me emra e shënime të tjera të mbi 100 ush­tarëve aktivë dhe të rreth 320 veteranëve të këtij legjioni nëpër tërë provincën, duke përfshirë edhe territorin e banuar popullsi dardane, duke filluar nga Scupi e deri në Timacum minus.

Pjesë e këtij legjioni kishte qenë edhe reparti i flotës lumore të marinës luftarake perandorake i cili ishte i shpërndarë nëpër lumenjtë e më­dhenj dhe kryente detyrat e patrullimit, vëzhgimit, furnizimit si dhe detyra të tjera në kuadër të legjionit.

Luani ndërkaq ishte emblema e Legio IV Flavia Felix. Këtë njësit të ushtrisë romake e kishte krijuar perandori Vespasian (TITVS VESPASIANVS AVGVSTVS apo TITVS FLAVIVS VESPASIANVS, 69-79) në vitin 70 të e.s. dhe e kishte pagëzuar sipas gentilicit të vet Flavius ndërsa fill pas formimit e kishte transferuar në provincën Dalmacia. Në vitin 86 të erës sonë, pas ndarjes së provincës Moesia ky legjion ishte transferuar në provincën e re Moesia Superior dhe ishte ven­dosur në kampin e Singidunumit (Beogradi), po ashtu në bregun e djathtë të Danubit.

Meqë ky legjion kishte qëndruar në Dalmaci dhe Panoni, në përbërje të tij kishin shërbyer ushtarë nga këto provinca, ndërsa më vonë në të shërbenin edhe banorët e Mezisë së Epërme.

Edhe pse Legio IV Flavia për një kohë të gjatë kishte qëndruar i stacionuar në Mezi të Epërme, megjithatë ka lënë më pak gjurmë epigrafike sesa Legio VII Claudia, kështu që në territorin e provincës Mezia e Epërme, prej Scupit e deri në Singidunum, janë gjetur monumentet epigrafike të mbi 40 ushta­ra­këve aktivë si dhe të rreth 20 veteranëve, që kishin shërbyer në këtë legjion kryesisht gjatë shekujve II dhe III të erës sonë.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë