Shtojca për Kulturë

Zejtarët e fundit të “lules së Pejës”

“Është simboli i Pejës”, thotë përherë fytyrëqeshuri Bujar Nila, kryetari i zejtarëve, duke e shoqëruar për orë të tëra ekipin e Grupit KOHA. “Është lulja e Pejës”, e fuqizon menjëherë mendimin fillestar. “Nëse ke ardhë në Pejë dhe nuk e ke vizitu Çarshinë e Gatë, mos thuj se je kanë në Pejë”, thotë krenueshëm Arben Belegu, saraçi i fundit

Nata vetëm sa ia shton shkëlqimin Çarshisë së Gjatë të Pejës. Ari ua merr sytë myshterinjve e kalimtarëve me të hyrë në rrugën që zgjatet teposhtë deri te xhamia. Emrat e argjendarive dhe historitë janë pjesë e rrëfimeve, për të cilat me qejf flet Bujar Nila, kryetar i Shoqatës së Zejtarëve.

“Është simboli i Pejës”, thotë përherë fytyrëqeshuri Nila, teksa e shoqëron për orë të tëra ekipin e Grupit KOHA. “Është lulja e Pejës”, e fuqizon mendimin fillestar.

“Nëse ke ardhë në Pejë dhe nuk e ke vizitu Çarshinë e Gatë, mos thuj se je kanë në Pejë”, thotë krenueshëm Arben Belegu, pronar i dyqanit të fundit të lëkurëtarisë.

“Vukovari i dytë”

Në të vërtetë, me gjuhë të ngjashme flasin edhe zejtarët e tjerë, briskatari Blerim Gorani e jorganxhiu Bujar Lleshi. Edhe këta, të fundit në zejen e tyre shekullore në qytetin perëndimor të Kosovës. Teksa rrëfejnë për historitë e familjeve të tyre, që kanë dhënë zejtarë me nam së paku në njëqind vitet e fundit, reflektojnë përzishëm krenari e dëshpërim. Mburrje për vazhdimin e traditës së paraardhësve. Zhgënjim pse janë të fundit e Çarshia e Gjatë është mbushur me dyqane, që arkitekturën e kanë tradicionale, ama në to nuk pikon djersa e ballit për produktet që ekspozohen brenda e jashtë. Në njërën prej rrugicave që zgjatet prej kryesores, nuk i janë ngritur muret njërit prej dyqaneve të vjetra, të djegura gjatë luftës. Muri i tymosur i dyqanit ngjitur, shenjë që ua kujton pejanëve kërdinë që bëri Serbia edhe kundër zejtarisë.

“Peja është Vukovari i dytë”, thotë Belegu, teksa nxjerr një fotografi që dëshmon këndin e dyqaneve ku ndodhet edhe i tiji, shkrepur më 1999. Shihen vetëm muret e djegura. Në fakt, ai e krahason djegien e Pejës nga forcat serbe me qytetin kroat gjatë luftës për ndarjen e Kroacisë nga Jugosllavia serbe.

“Lufta ka ba tmerre në Çarshi, edhe në Pejë. Peja ka qenë ndër qytetet më të djegura në Kosovë”, thekson Nila, para tezgave të tregtarëve ambulantë pranë themeleve të dyqanit të rrafshuar me tokë. “Qysh tha edhe ai kolegu, Peja ka qenë Vukovari i dytë”. Nila thotë se gjithçka kishte nisur me vetëfinancim në ditët e para të lirisë, mirëpo “qysh thonë, edhe Zoti na ka ndihmu”.

“Lufta na ka qitë në zero, por vullneti i madh dhe ia kemi dalë me iu kthy punës sonë dhe ja ku jemi”, thotë Belegu, saraçi i fundit i Çarshisë së Gjatë.

Image
Arben Belegu, saraçi i fundit i Çarshisë së Gjatë

“Tucilla” e briskatarit

Zjarri nuk ia doli ta shembte murin ballor me qerpiç, për të cilin briskatari Gorani thotë se i është ndërtuar në shekullin nëntëmbëdhjetë. Ende po mbahet. Gorani, teksa mpreh një thikë e një palë gërshërë për të demonstruar zanatin e tij tradicional, tregon se Ministria e Kulturës tashmë ka aprovuar kërkesën për ta konservuar dyqanin e tij për t’ua kujtuar myshterinjve e turistëve vlerën trashëgimore të briskatarit të fundit. Thotë se pronarët e restoranteve dhe floktarive po i dërgojnë thikat e gërshërët për t’i mprehur në Maqedoninë e Veriut.

“E di qysh është populli jonë? I duket se ma mirë ia mprehin ata jashtë. Ua marrin kah pesë euro për një thikë, a unë i mprehi për dy euro. Nuk munden kurrkund me i mpreh ma mirë se te unë”, thotë Gorani. “Domethënë i ki katër procedura, tucillë, limë, rrasë dhe guri”, shpjegon Gorani, që shpjegon rrënjët e prejardhjes së mekanizmit të gurtë me rrotullime. “Tucillë i ka mbet prej ‘tu cillë’”, atëherë e kanë sillë me kamë, tash është me rrymë”.

Ai vazhdon të ngulmojë se vetëm “katër procedurat” e tij nuk i dëmtojnë mjetet e punës të kuzhinierëve, kasapëve dhe floktarëve.

“Mundemi me i mpreh edhe me metodat moderne, por unë vazhdoj me këto metodat primitive, sepse nuk iu prishet tehi”, thotë Gorani, duke treguar se qethja e deleve në pranverë dhe verë ia jep një shtytje financiare punës së tij. Gërshërë të llojeve të ndryshme i ka varur përballë tavolinës së ulët të punës.

“Aty po mendoj me vendos një vitrinë, edhe me kriju një muze të familjes me gjëra të vjetra të familjes”, shton burri me syze, teksa shikimin hedh kah mullinjtë e vjetër të kafesë.

Image
“Peja është Vukovari i dytë”, thotë Arben Belegu që ruan edhe këtë fotografi që dëshmon djegien e Çarshinë e Gjatë më 1999...

“Tash po mlohen ma holl”

Në fund të Çarshisë së Gjatë, jorganë të mëdhenj e të vegjël, të hollë e të trashë janë varur para jorganxhiut Bujar Lleshi. Me prejardhje nga Gjakova, tregon se gjyshi Shaban i ndjerë e babai Xhafer, nga Gjakova, do të nisnin veprimtarinë e tyre zejtare në Pejë.

“Është traditë familjare”, thotë Bujar Lleshi, teksa i kthehet makinës së qepjes, duke demonstruar procesin e punës. “Tash po ja qepim ballatoret, qysh iu themi na”, thekson ai. “Skajoret”, ndërhyn Nila, teksa Lleshi me dizgat që lidhin dy cohërat e jorganit, që pastaj mbushet me pambuk e zbukurohet me tegela, që në të vërtetë edhe e lidhin materialin për cohë.

Lleshët kishin punuar më shumë me Bosnjë në vitet shtatëdhjetë. Atje kishin edhe një dyqan.

“Atje ka pasur më shumë punë se edhe tregu më i madh”, thekson Lleshi, duke treguar se lufta e gjysmës së parë të viteve nëntëdhjetë do të ndërpriste veprimtarinë e tyre biznesore në ish-Republikën jugosllave.

“Tash kemi më pak punë edhe këtu se është industrializuar gjithçka. Tash edhe shpitë me nxemje e s’po mlohen me jorgana të trashë. Po mlohen ma holl”, thotë me qeshje Lleshi, i fundit prej rreth tridhjetë jorganxhinjve, sa dikur punonin në dyqanet e Çarshisë së Gjatë.

Image
Blerim Gorani, teksa mpreh një thikë e një palë gërshërë për të demonstruar zanatin e tij tradicional, tregon se Ministria e Kulturës tashmë ka aprovuar kërkesën për ta konservuar dyqanin e tij për t’ua kujtuar myshterinjve e turistëve vlerën trashëgimore të briskatarit të fundit

Përdhosja e “shqiponjës së artë”

Jo fort larg e në të djathtë të dyqanit të jorganxhiut të fundit ndodhet objekti dykatësh i Shoqatës së Zejtarëve, ku e ka zyrën edhe Nila. Shpëtimi, pronari i butikut të katit përdhese, refuzon të flasë para kamerës së kolegut Shemsi Igrishta, por merr shkas nga dera e kaltër metalike e lokalit prapa të tijit, duke treguar se aty LDK-ja mblidhte paratë që mblidheshin për të mbështetur simbolikisht mësimdhënësit e aktivistët e jetës institucionale paralele në vitet nëntëdhjetë.

“Ka pasur aty edhe një administrator, ka qenë Rexhep Mulhaxha. Ai e ka mbledhur edhe anëtarësinë, domethënë 3-përqindëshin, ku te ai e kemi pagu. Aty është mbledhur edhe LDK-ja kur ka pasur ndonjë mbledhje, informim për anëtarët e LDK-së”, thekson Nila, duke treguar për presionin e torturat e policëve serbë kundër aktivistëve dhe dyqanxhinjve të Çarshisë së Gjatë.

“Jo vetëm aty, por edhe nëpër lokale na janë futur, unë kam qenë argjendar në vitet nëntëdhjetë dhe kanë hy na e kanë marrë mallin”, shton Nila, duke treguar ndërkohë se si policë të uniformuar e civilë do të merrnin shqiponjat e arta nëpër vitrina dhe do t’i hidhnin përtokë.

Saraçët e mbramë

Arben Belegu thotë se Peja dikur i ka pasur 52 saraçë, që u kishte dalë nami në mbarë ish-Jugosllavinë. “E sot është vetëm baba jem dhe unë”, thekson ai, duke treguar se familja e tij merret qe 110 vjet me punimin e qafëzave të kuajve. Belegu thotë se për shkak të rënies së madhe të kërkesës për qafëza e takëm kali, është detyruar të transformonte veprimtarinë e tij zejtare, duke u marrë edhe me prodhimin e këllëfëve të armëve dhe rrethatore fishekësh. Njëherësh edhe tregton rekuizita të ndryshme prej lëkure.

“Ku është me pas një zanatli si ai kojshia Blerimi (briskatari, v.j.), edhe me e mbështet Qeveria, edhe kur të vijnë turistët me pasë edhe çka me këqyrë”, thekson ai. “Shteti nuk na ka ndihmuar kurrë. Kurrë s’na ka ndihmu. Edhe qysh me thanë prej nevojës jemi dashtë me ndrru, me kërcy në tjera lami”.

“Peja ka mbetur pak si një zorrë qorre, si të them”, thekson Nila, kryetari i zejtarëve të Pejës, duke iu referuar përqendrimit të bizneseve në rrafshin e Kosovës.

“Pejën mund me ngrit turizmi, turizmi mundet me e ngrit. Kryetari e ka nisur Borejën, qendrën turistike dimërore, mirëpo është stopuar prej qendrës, që kish me mujtë me ato ndihmesat me kry Borenë, edhe me u ba një vend turistik, edhe ata kur vijnë, e shikojnë. Mandej, Çarshia e Gjatë është një simbol i qytetit, Gryka e Rugovës, edhe kur vijnë njerëzit, ata blejnë dhe kishte me ndiku shumë pozitivisht në rritjen e ekonomisë së qytetit”, shton ai.

Image
“Është traditë familjare”, thotë Bujar Lleshi, dhe i kthehet makinës së qepjes, duke demonstruar procesin e punës