Shtojca për Kulturë

Nga murtaja te COVID-i: Kur pandemitë ndryshojnë historinë

Descriptive Text

Koronavirusi ka lëkundur ndjenjën tonë të sigurisë dhe ka treguar që askush nuk ka imunitet. “Epidemitë”, sipas Oliver Gauert, “paraqesin kërcënimin më serioz për njerëzimin, bashkë me ngrohjen globale. Mirëpo, ato ende nuk po merren aq afër zemrës nga publiku. COVID-i është një vërejtje për njerëzimin”

Sëmundjet ngjitëse kanë lënë të vdekur miliona njerëz, mirëpo ato kanë sjellë edhe ndryshim e progres. Një ekspozitë unike eksploron të kaluarën dhe të ardhmen e pandemive.

Një prej kujtimeve të hershme të fëmijërisë sime është kur po qëndroja në shkallë lëvizëse në një dyqan të madh, duke u mbështetur në parmakë. Gjysha ma mori dorën e më tha “mos e prek, është e papastër”. Ajo ma mbajti dorën derisa zbritëm poshtë.

Kjo ngjarje duhet të ketë ndodhur në fund të viteve ‘60; unë isha 4 ose 5 vjeç atëherë. Në atë kohë, gripi i Hong-Kongut po kaplonte globin. Ky virus kishte vrarë rreth 1 deri 4 milionë njerëz në mbarë botën, mirëpo tash të gjithë thuajse e kanë harruar. Masat e higjienës, të cilat i mësuam prapë nga COVID-19, ishin të njëjta edhe atëherë: Mbani distancën, vendosni maskën, lani duart.

Image
Gjatë pandemisë së gripit të vitit 1960, shumë njerëz kanë vendosur maskat edhe në punë, sikur shihet këtu në një zyrë në Londër

Lija, polio, ethet tifoide kanë mbizotëruar në Evropë, njëherë e një kohë

Gjyshja ime, nëna e së cilës gati kishte vdekur nga epidemia e gripit spanjoll të vitit 1918, ishte në dijeni për masat mbrojtëse.

Para antibiotikëve dhe vaksinave, sëmundjet ngjitëse si polio, ethet tifoide, difteria dhe lija terrorizonin popujt e Evropës me shekuj.

Sot, zakonisht janë fëmijët në vendet më pak të zhvilluara, të cilët vdesin nga këto sëmundje; shumë shtete nuk mund të përballojnë koston financiare të vaksinave të shtrenjta apo të një sistemi efikas shëndetësor.

Image
Trupi i njeriut, i ndjeshëm ndaj epidemive: Një kënd i ekspozitës në Hildesheim

Një vërejtje njerëzimit

Virusi korona ka lëkundur ndjenjën tonë të sigurisë dhe ka treguar që askush nuk ka imunitet.

“Epidemitë”, sipas Oliver Gauert, “paraqesin kërcënimin më serioz për njerëzimin, bashkë me ngrohjen globale. Mirëpo, ato ende nuk po merren aq afër zemrës nga publiku. COVID-i është një vërejtje për njerëzimin”.

Gauert ka kuruar atë që ai cilëson si ekspozita më e madhe e historisë së shëndetit botëror.

“Epidemitë. Mallkim i së kaluarës – Kërcënim i së ardhmes” hap dyert më 2 tetor në muzeun “Roemer und Pelizaeus” në Hildesheim të Gjermanisë. Ekspozita është rezultat i bashkëpunimit mes disa institucioneve shkencore, përfshirë Universitetin e Shkencave të Aplikuara dhe Arteve në Hanover dhe Qendrën Helmholtz për Studim të Infeksioneve.

Një histori e epidemive në 30 kapituj

Hyrja e ekspozitës është dizajnuar si një libër i stërmadhuar, përmes së cilit vizitorët hyjnë brenda.

Në 30 kënde të ndryshme ekspozimi, vizitorët përjetojnë momentet kyç të historisë së mjekësisë – që nga amfiteatri i anatomisë në Padova të Italisë, ku kryheshin eksperimente në kufoma, deri te laboratori i shkencëtarit Paul Ehrlich, ku ai zbuloi kurën kundër sifilisit.

Ekspozita përmban edhe një sistem të kujdesit intensiv për pacientët e prekur nga COVID-19. Në të shfaqet një manekin “i lidhur” për ventilator. Kjo pjesë e ekspozitës është një rikujtim i kobshëm për të gjithë ata që po luftojnë me këtë sëmundje nëpër spitale në mbarë botën.

Image
Kuratori Oliver Gauert ka mbledhur objekte për të rikrijuar laboratorin e mjekut Paul Ehrlich

Engjëlli i vdekjes dhe murtaja

Në ekspozitë përfshihen edhe vepra madhore të artit që trajtojnë temën e pandemive.

Te vepra “The Triumph of Death” (“Triumfi i vdekjes”) e piktorit flaman Pieter Bruegel, qielli është i errët; re të zymta dominojnë peizazhin e karakterizuar me lisa të tharë. Në qendër të pikturës, para një grumbulli kufomash, shihet një skelet teksa i pret fytin një burri me këmishë të bardhë. Prapa një porte, një ushtri skeletësh pret për të sjellë murtajën, apo “vdekjen e zezë”.

Imazhi i këtij skeleti të frikshëm – engjëlli i vdekjes – është i rrënjosur thellë në kujtesën e Evropës si simboli kryesor i epidemive. Engjëjt e vdekjes në pikturën e Bruegelit nuk diskriminojnë mes të pasurve e të varfëve, burrave, grave apo fëmijëve.

Image
“The Triumph of Death” (“Triumfi i vdekjes”) – një vepër historike e artit në ekspozitë

Promovimi i ndryshimit dhe inovacionit

Edhe historianët e zhvillimit të mjekësisë nuk mund të thonë me saktësi se sa njerëz kanë vdekur nga pandemitë.

Mirëpo, ajo që dihet saktë është se “murtaja nuk prek vetëm të varfrit, siç ndodh me ethet tifoide, por edhe të pasurit”, thotë Gauert. “Kështu që mund të imagjinoni se pas murtajës kishte një rishpërndarje të plotë të pronave dhe pushtetit”. Agrikultura, tregtia dhe zejtaria kishin për detyrë të gjenin metoda të reja të punës.

Në këtë mënyrë, pandemitë e “mundura” kanë promovuar ndryshim shoqëror, politik e kulturor. Njashtu bëri edhe murtaja. Deri te përhapja e murtajës në shekullin 14, sëmundjet konsideroheshin si “ndëshkim hyjnor”.

“Murtaja e shekullit 14 shkaktoi aq shumë viktima, edhe nga radhët e Kishës, sa që njerëzit nuk mund ta duronin më”, sqaron Gauert. “Për herë të parë, një institucion shkencor, Universiteti i Parisit, ishte ngarkuar me punë për të dhënë një mendim ekspertësh në lidhje me shkaqet e pandemisë. Kjo është hera e parë që një sëmundje u trajtua sistematikisht dhe shkencërisht”.

Image
Në gusht, meksikanët përkujtojnë rënien e kryeqytetit aztek para 500 vjetësh

Murtajet vendosën për fitore a humbje

Për shkak të murtajave, ndaleshin luftërat e madje edhe vendosej se kush fitonte apo humbte, siç ndodhi në shekullin 16, kur pushtuesi spanjoll Hernan Cortes dhe një ushtri e vogël mercenarësh rrëzuan të fuqishmen ushtri të aztekëve.

Gjatë betejës së Tenochtitlan, mes aztekëve u përhap një epidemi e cila vrau gati gjysmën e popullsisë vendase. Pushtuesit kishin sjellë me vete epidemi nga Evropa. Ata vetë ishin imunë, ndërsa aztekët jo.

Image
Jezusi i mbuluar nga plagë të murtajës: “Plague Cross” (“Kryqi i murtajës”) nga viti 1700

Njerëzit shkaktuan një epokë të shkurtër të akullnajave?

Transmetimi i epidemive nga bota e vjetër tek ajo e re ka mundësi të ketë ndikuar në gjendjen klimatike, sipas një studimi të kryer në vitin 2019.

Rreth 90% e amerikanëve vendas mendohet të kenë vdekur nga sëmundjet ngjitëse. Prandaj, shumë kilometra katrorë të tokës se kultivuar tani janë të papërdorura. Pasi që nuk kishin pengesa, shumë lisa dhe shkurre mbinë dhe absorbuan dyoksidin e karbonit nga atmosfera.

Temperaturat mesatare të globit ranë, duke rezultuar në të ashtuquajturën epokën e shkurtër të akullnajave, rreth mesit të shekullit 16, sipas studiuesve në “University College” në Londër.

Pse po shtohen sëmundjet ngjitëse?

Kjo tregon sa ngushtë të lidhura janë klima, sëmundjet dhe globalizimi. “Sëmundjet ngjitëse po përhapen më shumë”, thotë Gaubert, duke u bazuar në katër faktorë kryesorë.

Së pari, lëvizja e mallrave dhe njerëzve nëpër botë mundëson përhapjen e sëmundjeve në mbarë botën për vetëm pak javë.

Së dyti, ndryshimet klimatike po zgjerojnë zonat tropikale dhe nën-tropikale. Për shembull, ethet e dengit, një sëmundje që përhapet nga mushkonjat, pritet të përhapet edhe në Gjermani brenda një dekade.

Faktori i tretë është fakti se njerëzit po depërtojnë gjithnjë e më thellë në zona të largëta në një xhungël, ku viruse të rrezikshme qëndrojnë “të fshehur”, siç dëshmojnë sëmundjet si ebola dhe AIDS.

Faktori i fundit është rënia e efikasitetit të antibiotikëve në luftën kundër infeksioneve bakteriale, si pasojë e rezistencës së baktereve.

Mirëpo, Gaubert thekson se këto janë rreziqe të kontrollueshme. Për dallim nga gjeneratat e kaluara, ne tani nuk jemi aq të pashpresë në raport me viruset dhe bakteret.

Kur para një kohe, duheshin dekada për zhvillimin e vaksinave, vaksinat e para kundër COVID-19 u bënë të qasshme brenda vetëm një viti. “Secila pandemi shtyn përpara shkencën, mjekësinë dhe sistemin shëndetësor”, thotë Gaubert.

Mirëpo, këto zhvillime nuk ndodhin gjithkund në ritmin e njëjtë. Edhe gjatë pandemisë COVID, ka ekzistuar një hendek i madh mes vendeve të pasura dhe atyre të varfra për zhvillimin e vaksinimit. Dhe mos harroni t’i lani duart. Gjithkush ka mundësi të kontribuojë në luftën kundër viruseve dhe baktereve. Si fëmijë, më pengonte shumë kur gjyshja nuk më lejonte të haja ushqim pa larë duart. “Mos harro t’i lash duart!”. Gjatë pandemisë së kohës sonë, iu bindem parimeve të saj të higjienës më shumë se kurrë.

Marrë nga “Deutsche Welle”. Përktheu: Lundrim Sadiku