Hiperrealizimi është arma e tij dhe skulpturat e tejkalojnë edhe veten. Por në fakt kjo është filozofia që zbërthen mjeshtërisht Zharko Basheski në ekspozitën personale me të cilën debuton para publikut në Kosovë. Me “Reflektim” ai gjen njeriun që përballet me veten, e tejkalon atë. Si koncept në tërësi vjen në një lloj ekzistencializmi mbi njeriun e zakonshëm, që dialogon i zhveshur prej krejt të tjerave pos vetvetes
Njohja e vetes paraqitet si akt i domosdoshëm në veprat që e kanë zënë pjesën më të madhe të katit të dytë të Galerisë Kombëtare të Kosovës. S’janë të tilla që shihen shpesh në Kosovë. Të rrallë konsiderohen artistet që mund t’i përafrohen mjeshtërisë, që e gdhend në vepra artisti nga Maqedonia e Veriut, Zharko Basheski.
Materiali i përdorur dhe forma me të cilën komunikojnë me hapësirën dhe publikun – i bën ato krejt të pazakonta. Kjo veç e nxjerrë në pah përkushtimin e artistit në detaje. Ashtu si titulli, ekspozita “Reflektim” e skulptorit të shquar e inicion një përballje të veçantë të vizitorëve me hapësirën: befasues ndaj publikut që rreket pas skulpturës tradicionale.

Rezistenca dhe lakuriqësia
Por ekspozita në thelb e synon njeriun e zakonshëm. Ofron përballje me veten. Shembull: “Self Eating” e kthen atë në kontekst real të përjetimit. Edhe në synimin e skulpturës për ta ngrenë veten – vetja bën rezistencë. Dualizmi shpërfaqet akoma dhe më. Për vizitorët duket sikur përplasja edhe fizike e personazhit mund të ndodhë në çdo moment. Duket qartë se në skulpturat e tij hedh shumë mund, andaj ato e kërkojnë jo vetëm një vëzhgues, por një lexues shumështresor. Si të tilla, punimet duket që korrespondojnë me njeriun e në çdo kohë. Skulpturat në formën e njeriut ngërthejnë një kapitull historie personale.
Duke i shfaqur lakuriq, Basheski i kthen personazhet në qenie të “zhveshura” nga komplekset. Këtë e bën edhe më të dukshme në skulpturën që e ka vendosur në ballë.
“Grace” shpërfaq gruan tullace, por që i ka kushtuar goxha vëmendje grimit. Duke që kjo i jep vetëkënaqësi. Pesha nuk i bën përshtypje, andaj ka marrë pozicionin që ia nxjerrë më në pah atë. Skulpturat e tij vlerësohen si koment historik mbi keqtrajtimin grotesk të qenieve njerëzore. Njerëzit në skulpturat e tij janë një seri përjetimesh: nuk ka rëndësi çfarë përfaqëson ai. Për Basheskin mjafton të jetë njeri. Përjetimet e njohura dhe të panjohura i ka gdhendur në format e krijuara me precizitet që nga koka e deri te gishtërinjtë e këmbëve. Prej njeriut e nxjerrë interesimin për hiperrealizmin si koncept. Se është eksplorues e eksperimentues e dëshmon edhe teknika me të cilën ka punuar. Në skulpturat e tij ka përdorur poliestër, rrëshirë, polimermer, silikon e flokë natyral.

Qenia midis kërkesave e tragjedive
Basheski ka treguar për KOHËN se ka dhjetë vjet që punon me këtë teknikë, por që ende është duke eksploruar për gjetje të reja në të.
“Me këtë material mundem më së miri t’i shpreh ndjenjat dhe mendimet e mia. Mënyra e punimit është klasikja. Bëhet fjalë për një teknikë shumë precize dhe shumë të saktë”, ka thënë ai.
Kjo mënyrë e të punuarit ka thënë që kërkon shumë nga autori e për këtë arsye rrallë punon më shumë se dy vepra në vit. Me ekspozitën personale “Reflektim” Basheski shënon prezantimin e parë të punës së tij para publikut në Kosovë. Për të kjo datë shënon hapjen e dyerve të tij për të vazhduar ekspozimin këtu.
“Jam i kënaqur që jam këtu në Kosovë. Shpresoj që paraqitja ime të jetë e pranuar në mënyrën që të jetë e përshtatshme. Prej sot e tutje, ne do ta vazhdojmë bashkëpunimin”, ka thënë ai.
E ka bërë një përmbledhje të disa punimeve të katër vjetëve të fundit. Ai ka theksuar se secila skulpturë e ka një porosi të tijën. Sipas tij, disa porosi në skulpturat e tij përputhen pasi që ato rrjedhin nga ndjenjat e Basheskit. “Idenë e forcoj sipas kotinuitetit. Kryesisht e trajtoj njeriun: kërkesat dhe tragjeditë që ka përbrenda. Nuk janë brenga që i kemi në rrethin tonë, por janë brenga që na prekin në nivel global”, ka thënë mes të tjerash skulptori nga Maqedonia e Veriut, përfaqësues i Maqedonisë në Bienalen e 54-të Ndërkombëtare në Venecia, në vitin 2011.
Zharko Basheski lindur më 1957 në Prilep. Ai është profesor në Fakultetin e Arteve të bukura në Shkup. Sipas kritikës, është autor që është i hapur ndaj eksperimenteve në drejtim të kërkimit të shprehjes së re plastike dhe autenticitetit. Skulpturat e tij vlerësohet se aspirojnë të kthehen drejt hapësirës për çlirim, drejt shkrirjes së të gjithave me tërësinë. Trupi paraqitet vetëm në kufizimin e masës, por mendja është në zonat e parafillimit, përjetësisë dhe pafundësisë. Në veprat e tij këndvështrimi është i kthyer kah njeriu, prandaj edhe shpërfaqet interesimi në qasjen hiperrealiste në formësimin e konceptit të veprës, e cila në projeksionin teorik e tejkalon hiperrealizmin dhe flet për jetën dhe botën në të cilën jetojmë.

Në luftë për mbijetesë
Diskutimet janë ato që i paraprijnë çdo bashkëpunimi të kuratorit Goranche Gjorgjievski me skulptorin Basheksi. Edhe për “Reflection” në Prishtinë njeriu i rëndomtë ka qenë kryefjala.
“Porosia është për njeriun e rëndomtë, i cili do ta tejkalojë veten. Të bëjë një dialog për të gjitha vështirësitë që i ka dhe se si mund t’i tejkalojë ato dhe të gjitha ato vështirësi globale. Është prezente edhe ndjenja që mund ta tejkalojë barrën. Njeriu i cili mbytet mund edhe të dalë në sipërfaqe dhe të vazhdojë të marrë ajër, siç është titulli, artisti reflekton mbi shoqërinë dhe njeriun, i cili mbijeton në shoqëri”, i ka thënë KOHËS kuratori i ekspozitës, Gjorgjiveski. Shpjegimi i këtij koncepti mund të gjendet te vepra “Sustaining”, që artisti e ka ekspozuar në një hapësirë ndaras në GKK. Njeriu duket sikur gurgullon ndër ujë dhe ky paraqitet si një akt që vazhdon.

Kjo e bën skulptorin nga Maqedonia e Veriut që të vlerësohet si një artist i cili me veprat e tij provokon dhe këmbëngul për të treguar një histori njerëzore dhe personale në aspektin njerëzor. Kështu e ka vlerësuar kuratori i shumë ekspozitave, Zeni Ballazhi.
Sipas tij, trajtimi i vëllimit skulpturor nga ky autor njofton një hap më tej, duke shtuar dimensionet e shprehjes së skulpturës hiperrealiste dhe konceptuale në kuadrin bashkëkohor.
“Këtu janë disa cikle të artistit, të cilat janë përzgjedhur duke iu përshtatur ambientit dhe vendit këtu. Është i veçantë pikërisht për shkak të skulpturave hiperrealiste, që janë më shumë se sa realiste, ashtu se siç është dëshira në aspektin ideor dhe kreativ e artistit. Ai prezanton realitetin e tij të brendshëm dhe përveç realitetit të tij personal, ai prek edhe realitete të tjera, që lidhen me politikën dhe situatat globale në botë”, ka thënë Ballazhi, teksa ka ftuar sa më shumë vizitorë, pasi që veprat ngjallin një provokim dhe kuriozitet te publiku.
Provokimi i vazhdueshëm
Në fillim të viteve ’90 të shekullit të kaluar, Zharko Basheksi me ekspozitat e veta pushtoi hapësirën artistike maqedonase e më vonë edhe atë evropiane dhe botërore. Vëmendjen më të madhe e ka marrë me hulumtimet e tij të fundit në fushën e shprehjes së skulpturës plastike. Përdorimi i materialeve skalitëse dhe joskalitëse është në unitet dhe është evidente nevoja për praninë e njeriut në këto instalime hapësinore, e cila bën pjesë integrale në ringjalljen dhe përjetimin e veprës.
“Reflektimi”, e hapur zyrtarisht të premten mbrëma, vjen në kuadër të kalendarit të përbashkët ndërministror ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës dhe Ministrisë së Kulturës së Maqedonisë së Veriut.

Sipas drejtoreshës së Galerisë Kombëtare të Maqedonisë së Veriut, Dita Starova-Qerimi, këto shkëmbime kulturore në institucionet më të larta të artit pamor po e shpërfaqin një përafrim mes dy vendesh.
“Për ne është një kënaqësi e madhe që të mund të bashkëpunojmë dhe të synojmë reciprocitetin e ekspozimit të dy galerive të nivelin më të lartë kulturor në dy shtetet tona aq të përafërta. Skena artistike e Kosovës për ne është shumë promovuese, ku emrat e famshëm janë pozicionuar në skenën artistike”, ka treguar ajo.
Skulptori Zharko Bashkeski prej vitit 1999 deri më 2009 ka qenë drejtues i Departamentit të Skulpturës në Fakultetin e Arteve të Bukura në Shkup. Veprat e tij janë prezantuar në shumë ekspozita ndërkombëtare. Ai është fitues i shumë çmimeve. Pjesa më e madhe e veprave të tij gjenden në koleksione private, brenda dhe jashtë vendit. Ekspozita e tij “Reflection” do të qëndrojë e hapur për një muaj në Galerinë Kombëtare të Kosovës. Dhe me provokimin që sjell, nuk mjafton vetëm një vizitë.