Shtojca për Kulturë

Çudira e tmerre, vizatime nga djalëria në një zonë lufte

Petrit Halilaj është një nga artistët më të shpërblyer nga Kosova për punën e tij që reflekton të kaluarën e vendit. Tani, krijimtaria e tij po merr një karakter personal

Kur Petrit Halilaj ishte 13-vjeçar dhe refugjat i luftës brutale në Kosovë, një grup psikologësh italianë vizituan kampin e refugjatëve në Shqipëri dhe i dhanë Petritit disa stilolapsa me ngjyra.

Shumë shpejt, Halilaj do të vizatonte disa piktura të ndritshme e fëmijërore. Mirëpo, temat e punimeve të këtij djali të ri nuk ishin edhe aq gazmore. Në njërën prej tyre, ai kishte vizatuar tanke duke shkatërruar shtëpinë e familjes së tij; në një punim tjetër, kishte paraqitur një varrezë masive. Vizatimet e tjera shfaqnin ushtarë duke qëndruar mbi trupa të vdekur, duke mbajtur armë e thika lart si shenjë feste.

Image
Halilaj më 1999 bashkë me Dr. Giacomo Poli, psikolog italian i cili inkurajoi Petritin të vizatonte në një kamp refugjatësh në Shqipëri (Foto: Giacomo Poli)

Psikologët kaluan dy javë në kamp, në vitin 1999, duke u përpjekur të ndihmojnë fëmijët e kampit të përballen me traumat e përjetuara gjatë luftës, ku popullsia etnike shqiptare u rebelua kundër forcave serbe. Për Halilajn, traumat ishin të shumta. Forcat serbe kishin djegur shtëpinë e familjes së tij, si dhe kishin kapur babanë e tij. Familja e tij kishte ikur nga vendi në vend për t’u strehuar përfundimisht në Shqipëri si refugjatë.

Vizatimet me ngjyra të ndezura u kishin lënë përshtypje psikologëve – por jo vetëm atyre. Gazetarë që po vizitonin kampin kishin intervistuar Petritin për media ndërkombëtare. Për një transmetues suedez, Halilaj kishte thënë se ankthet ia prishnin gjumin.

“Ndihem më i lumtur kur kaloj kohë kështu”, kishte thënë ai duke iu referuar vizatimit.

Tani, më shumë se njëzet vjet nga përfundimi i luftës, Halilaj është figurë në ngritje në skenën e artit në Evropë, punimet e të cilit janë ekspozuar në Biennalen e Venecias dhe nëpër muze në mbarë kontinentin. Në ekspozitën e tij më të re në Tate St. Ives, anëtar i grupit të Muzeut Britanik në Cornwall, Angli, Halilaj u është kthyer punimeve shokuese të cilat i kishte pikturuar si fëmijë që kishte parë më tepër se që duhej. Shfaqja “Very volcanic over this green feather” (“Shumë vullkanik mbi këtë pupël të blertë”) qëndron e hapur deri më 16 janar.

Image
Veprat e varura në “Very Volcanic Over This Green Feather” janë të bazuara në vizatimet e Halilajt kur ishte fëmijë. Kur vizitorët hynë në galeri, ata shohin një peizazh me zogj e lisa ekzotikë (Foto: Guy Martin për “The New York Times”)

Gjatë një vizite të ekspozitës, Halilaj (35), tha se u është rikthyer pikturave vitin e kaluar dhe ishte befasuar nga ajo që kishte parë. Mes dhunës, thotë ai, “pashë gjithë ata zogj – fazanë e pëllumba – dhe ata ishin po aq të mëdhenj sa ushtarët, po aq të lumtur e krenarë”.

“Kisha shfrytëzuar pjesën më të madhe të hapësirës për të pikturuar peizazhe që më bënin të ndihesha mirë”, tha ai. “Ishte sikur po thosha: ‘Po, situata është e tmerrshme, mirëpo unë mund edhe të ëndërroj e të dashuroj’”.

Image
Vizatim origjinal i Halilajt nga viti 1999 (Foto: Pertit Halilaj)

Në ekspozitën e re, segmente të punimeve të para të Halilajt janë riprodhuar në shkallë të zmadhuar dhe janë varur nga tavani i galerisë, në mënyrë që kur vizitorët hyjnë brenda, ata i pret një peizazh fantazish me zogj ekzotikë e drurë palme. Mirëpo, kur vizitorët arrijnë në anën tjetër të galerisë dhe kthehen pas, ata shohin se disa nga pikturat e varura kanë të paraqitur anën e kundërt të tyre, disa nga vizatimet makabre të Halilajt: ushtarë, tanke, njerëz në agoni, shtëpi duke u djegur. Skenat e qeta në hyrje të ekspozitës kthehen në skena tmerri.

Halilaj thotë se shpreson se ekspozita do t’i bëjë njerëzit të mendojnë për atë se si politikanët dhe mediat kanë paraqitur konfliktin. Edhe sot, sipas tij, ligjbërësit në Ballkan kanë ndryshuar realitetin e luftës në Kosovë për t’u dhënë fuqi agjendave të tyre nacionaliste. Përgatitja e ekspozitës gjithashtu e ka ndihmuar atë të përballet me kujtimet e veta, thotë ai.

Christine Macel, kuratorja kryesore në Qendrën Pompidou në Paris, e cila shfaqi punën e Halilajt në Bienalen e Venecias të vitit 2017, thotë se “Halilaj është origjinal edhe si person, edhe si artist – është shumë i hapur, kreativ, i qëndrueshëm dhe plot imagjinatë”.

Image
Vizatim origjinal i Halilajt nga viti 1999 (Foto: Pertit Halilaj)

Punimet e tij prekin tema serioze, siç janë nacionalizmi dhe ekzili, thotë ajo, mirëpo prapëseprapë “një nuancë fantazie dhe kënaqësie karakterizon ato punime”. Ekspozita ne Tate St. Ives tregon se pritshmëritë e tij si artist janë realizuar, shtoi Macel.

Erzen Shkololli, ish-drejtor i Galerisë Kombëtare të Kosovës, i cili ka ekspozuar punimet e Halilajt gjatë mandatit të tij, tha se Halilaj gjithmonë ka përdorur të kaluarën e vendit si zanafillë për punën e tij, “mirëpo arti i tij është shumë më shumë se aq”, dhe gjithkush mund të gjejë vetën në të.

Në disa nga veprat e tij, mesazhet që ai përçon janë të qarta. Më 2011, ai gërmoi 66 tonë dhe nga trualli i familjes së tij në Kosovë, dhe vendosi dheun në panairin e artit “Art Basel”, duke e vënë në shitje. Jennifer Chert, në galerinë e së cilës janë shfaqur veprat e Halilajt, për këtë vepër tha se “kishte një lidhje të qartë me dheun, me idenë e atdheut dhe ekzilit, mirëpo kishte edhe një lloj cinizmi sa i përket pyetjes ‘çfarë vlere ka toka?’”

Image
Nga ana tjetër e galerisë, vizitorët kanë mundësi t’i shohin vizatimet makabre të Halilajt: ushtarë, tanke, njerëz në agoni, shtëpi duke u djegur (Foto: Guy Martin për “The New York Times”)

Veprat tjera të Halilajt nuk janë aq lehtë të zbërthyeshme. Në “Poisoned by Men in Need of Some Love” (apo “Helmuar nga burrat që kanë nevojë për pak dashuri”), Halilaj rikrijoi figura të molave dhe fluturave të cilat kishin qenë pjesë e veprave të Muzeut të Historisë së Natyrës në Kosovë, mirëpo që ishin lënë pa përkujdesje gjatë luftës.

Holland Cotter, kritik arti i “New York Times”, në një shkrim të vitit 2014 tha se “ajo vepër e Halilajt bën që arti bashkëkohor në New York të duket si tufë leshi”.

Halilaj tha se për ekspozitën në Tate është nxitur nga një seri ngjarjesh që e kishin bërë të ndihet sikur politika në Kosovë dhe Serbi ka ngecur ende në vitet ‘90. Tetorin e kaluar, ai do të merrte pjesë në një bienale arti në Beograd. Halilaj tha se ishte i gëzuar për këtë mundësi, mirëpo ishte dëshpëruar shumë kur organizatorët e eventit kishin fshirë kombësinë e tij nga lista zyrtare e pjesëmarrësve.

Image
Halilaj, në mes, veshur me një xhaketë të gjelbër, ishte 11-vjeçar kur është shkrepur kjo fotografi në Shqipëri. Kjo foto është pjesë e ekspozitës në “Tate St. Ives” (Foto: Andrew Testa)

Pasi ishte ankuar, administratorët e bienales shtuan prejardhjen e Halilajt në listë, mirëpo me fusnotë afër emrit të Kosovës, siç përdoret nga organizata ndërkombëtare për t’iu referuar statusit të kontestuar. Halilaj u tërhoq nga eventi në shenjë proteste.

Rreth po asaj kohe, Halilaj tregon se kishte parë në media teksa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, kishte përshkruar një masakër të luftës si “teatrore”. Nëse politikanët nacionalistë po shpiknin rrëfime për konfliktin, ai do t’u përgjigjej me të vërtetën e tij. “Si qytetar e artist, u ndjeva se duhet të rrëfej realitetin, të kundërt me narracionet fiktive”, tha ai.

Image
Halilaj në Tate St. Ives. Artisti kosovar është një figurë në rritje në skenën e artit evropian (Foto: Guy Martin për “The New York Times”)

Mirëpo, ai nuk do që vizitorët në St. Ives të fokusohen vetëm në anën e errët të ekspozitës. Ata duhet të dalin nga ekspozita përmes së njëjtës hyrje dhe nëse kthejnë kokën mbas, ata do të shohin prapë peizazhet fantastike me zogj e lisa ekzotikë. A reflekton kjo mënyrë e përfundimit të ekspozitës mendimet e tij për Kosovën e tanishme?

“Absolutisht!”, tha Halilaj duke buzëqeshur. Ai ndihej “shumë, shumë pozitiv” për të ardhmen e vendit të tij. Së fundmi, Halilaj ka shfaqur një ekspozitë të përbashkët me bashkëshortin dhe bashkëpunëtorin artistik, Alvaro Urbano, në të cilën çifti vari lule nën kupolën e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës gjatë Javës së Krenarisë. Këto lule janë kopje të zambakëve në buqetën e fejesës së çiftit.

Shoqëria kosovare është ende “macho”, thotë Halilaj, “mirëpo askush nuk na ka gjuajtur me domate” apo nuk ka protestuar kundër veprave artistike për dashurinë gay.

“Kur ekspozita u hap në Kosovë, nën lule, u ndjeva si në shtëpi për herë të parë në jetën time”, tha Halilaj. Nuk kishte nevojë të imagjinosh fazanë apo papagaj më.

Marrë nga “The New York Times”. Përktheu: Lundrim Sadiku