Analiza e debateve në këto nivele e mjedise të hapësirës publike franceze ka parasysh mënyrën e shpjegimit dhe interpretimit të ngjarjeve që e kanë cilësuar “krizën” e Kosovës, nga fillimi i viteve ‘80 të shekullit të kaluar: demonstratat e manifestimet politike të vitit 1981, format e ndryshme të represionit dhe diskriminimeve që regjimi jugosllav i praktikonte në Kosovë. Në anën tjetër, shtjellohet edhe evoluimi i interpretimeve të këtyre ngjarjeve sa nga qarqet zyrtare politike, aq edhe nga mediat dhe shoqatat e intelektualëve në qendra të ndryshme të ish-Jugosllavisë
Hyrje
Libri “Çështja e Kosovës në hapësirën publike të Francës”, nga merr në shqyrtim analizat, studimet dhe debatet mbi çështjen e Kosovës në hapësirën publike të Francës, në nivele të ndryshme të opinionit publik: në revista shkencore, në konferenca shkencore, në media, në qarqet shtetërore e politike, në Parlament dhe në Senat e njëherazi në mjedise të ndryshme të shoqërisë civile franceze. Periudha e studimit kap ngjarjet midis viteve 1991 - 2001.
Koncepti i hapësirës publike merret këtu si koncept i filozofisë politike, në radhë të parë ai i Jürgen Habermasit dhe Hannah Arendit, i frymëzuar nga disa analiza të Kantit. Hapësira publike kuptohet si hapësirë e formimit të opinionit dhe vullnetit politik e jo si skenë e paraqitjes së një publiku të spektatorëve pasivë. Theksin në shqyrtimet tona do ta kemi, në veçanti, te ndërveprimet midis niveleve të ndryshme të shoqërisë ku trajtohet çështja e Kosovës dhe konfrontimit publik të argumenteve që shpijnë te vendimet e rëndësishme politike të Qeverisë dhe Presidencës franceze. Një aspekt i rëndësishëm i këtyre kërkimeve ka të bëjë me ndërmjetësimin midis sferës ku merren vendime të rëndësishme politike dhe debateve politike në nivele të ndryshme me ndikimet reciproke midis tyre: fjala vjen në debatet lidhur me legjitimitetin e pjesëmarrjes së Francës në intervenimin e NATO-s kundër Serbisë.
Kësisoj, hapësirën publike do ta kundrojmë si hapësirë ku zhvillohet legjitimimi i politikës, ku manifestohen aktorët politikë dhe në të cilën ballafaqohen pikëpamje e ide të ndryshme, fjala vjen ato që kanë të bëjnë me çështjet ku gërshetohet politika e brendshme me atë të jashtmen.
Analiza e debateve në këto nivele e mjedise të hapësirës publike franceze ka parasysh mënyrën e shpjegimit dhe interpretimit të ngjarjeve që e kanë cilësuar “krizën” e Kosovës, nga fillimi i viteve ‘80 të shekullit të kaluar: demonstratat e manifestimet politike të vitit 1981, format e ndryshme të represionit dhe diskriminimeve që regjimi jugosllav i praktikonte në Kosovë. Në anën tjetër, shtjellohet edhe evoluimi i interpretimeve të këtyre ngjarjeve sa nga qarqet zyrtare politike, aq edhe nga mediat dhe shoqatat e intelektualëve në qendra të ndryshme të ish-Jugosllavisë: sidomos në Beograd, Zagreb, Lubjanë e Sarajevë.
MST: Konferenca shkencore në Sorbonë mbi kampet dhe gjenocidet
Kjo konferencë shkencore u organizua nga profesoresha Catherine Coquio, që ligjëron letërsinë krahasimtare në Universitetin Sorbona IV në Paris dhe profesori Irving Wolfarth, profesor i letërsisë gjermane në Universitetin e Reimsit. Një rrjet i profesorëve të shquar evropianë e amerikanë zhvilluan kërkime shkencore të thelluara gjatë viteve ‘90 në Francë, rreth tri temave kryesore: “Letërsia dhe dituritë në sprovë të kampeve”, pastaj “Demokracitë, gjenocidet dhe krimet kundër njerëzimit” dhe së treti “Shfarosja dhe politika”. Në vitin 1997, C. Coquio, me bashkëpunëtorët e vet themeloi “Shoqatën ndërkombëtare të kërkimeve mbi krimet kundër njerëzimit dhe gjenocideve” – AIRCRIGE.
Në këtë konferencë treditore folën 35 profesorë dhe hulumtues të shquar nga vende të ndryshme të Evropës Perëndimore dhe SHBA-së (Yves Ternon, Omer Bartov nga Universitetei Rutgers në SHBA, Jean Bollack, profesor në Universitetin e Lille-it, Claudine Kahan, profesorëshë e letërsisë krahasuese në Universitetin Yal (SHBA), (nobelisti 1997) shkrimtari i madh, Imre Kertesz, (në moshën 15-vjeçare e mbyllën në kampin Auschwitzit, e pastaj në Buchenwald), Georges Molinié, profesor i gjuhësisë franceze (PIV, Sorbona), Claude Mouchard, profesor i letërsisë në Parisi 8, Tzvetan Todorov, hulumtues në CNRS, veç të tjerave, autor i librit “Përballë ekstremes”.
Në vitin 1999 kumtesat e kësaj konference u botuan në librin voluminoz me titull “Parler des camps, penser les génocides” (“Të flasësh për kampet, të mendosh gjenocidet”) (f.1-669) nga Shtëpia Botuese prestigjioze “Albin Michel” në Paris. Libri ndahet në dy kaptina. E para trajton temën e kampeve dhe gjenocideve dje dhe sot, koncepcionet mbi Perëndimin dhe dyfishet e tij, çështjet e universalizmit, kolonizimit dhe dekolonizimit e shfarosjes.
Interpretimet e gjenocideve
Në kaptinën e parë Georges Benssoussan shkruan për një lexim politik të Shoah-së”, Alain Brossat për “Masakrat dhe gjenocidet: kushtet e rrëfimit”, Enzo Traverso për mëvetësinë e Auschwitz-it; Denise Mendez lidhur me traditën perëndimore të universalizmit dhe diskriminimet raciale; Sadek Sellam, për kolonializmin te kolonelët dhe kampet dhe shfarosjet në Algjeri; Monique Gendreau për kolonializmin dhe të drejtën ndërkombëtare; Daniel Binswanger, për çështjen e historisë në poezinë e Paul Celan, ndërkaq François Turner për kodin poetik të shfarosjes; Claudine Kahan për turpin e dëshmitarit; Myriam Revaut d’Allones për sprovën e kampeve dhe imagjinatën e të ngjashmes; Claude Mouchard, për lidhjen si jolidhje në romanin “Kadiddish” të Kerteszit; Catherinie Coquio, për të folurit në kamp dhe të folurit për kampet, e të tjera.
Artikulli im, i botuar në kaptinën e parë, ka për titull: “Spastrimi etnik dhe gjenocidi në ish-Jugosllavi”, (f.264-288).
Në nëntitull i kam dhënë dy citate. Njëri është nxjerrë nga “Memorandumi” i Vasa Çubrilloviqit mbi “Dëbimin e shqiptarëve”, 1937: “Kur Gjermania mund të dëbojë dhjetëra mijëra e hebrenj dhe kur Rusia zhvendos miliona njerëz nga një pjesë e kontinentit në tjetrin, dëbimi i disa qindra e mijëra shqiptarëve nuk do shkaktojë shpërthimin e një lufte botërore”. Citati i dytë është marrë nga një dokument i Kishës ortodokse serbe me titull “Letër e hapur armiqve të Serbisë së përgjakur e të martirizuar”, 1989: “Do të bëjmë gjithë atë që është e mundur për të çrrënjosur fiset e tyre dhe trashëgimtarët e tyre, në mënyrë që historia të mos i përmendë kurrë më”.
Në pjesën e parë, me titull “Kriza e Jugosllavisë dhe çështja e Kosovës” kam zhvilluar pikëpamjen se fillimi i mbarimit të Jugosllavisë do të niset dhe do të përfundojë në Kosovë. Nisja, në vitin 1981 në Kosovë, me demonstratat dhe pakënaqësitë e shqiptarëve, me të cilat hapet kriza e cila do të shpjerë te shpartallimi i Jugosllavisë.
Riaktivizimi i mitit të Betejës së Kosovës (1389), si nxitje për hakmarrje dhe “ripushtimin e Kosovës”, në “pastërtinë” e saj që implikonte, në mënyrë gjithnjë e më eksplicite, në ligjërime politike jo vetëm të qeveritarëve, por edhe të elitave intelektuale e kishtare të Serbisë zuri vend edhe miti mbi “infiltrimin e shqiptarëve nga Shqipëria në Kosovë”, në saje të një “marrëveshjeje sekrete” midis Titos dhe Enver Hoxhës.
“Besëlidhja” (“zavet”) tradicionale e Kosovës, e kultivuar nga elitat nacionaliste e kishtare, përmbante kërkesën për një luftë të re për shtetin serb, siç e përsëritnin elitat intelektuale dhe artistët e Serbisë, krahas politikanëve. Dobrica Qosiqi shpesh e përsëriste në shkrimet dhe fjalimet e veta tezën se “serbët kanë humbur në paqe atë që e kanë fituar me luftë”. Ky riinterpretim i mitit mbi një betejë të humbur e paraqet Kosovën me një figurë që ka dy anë: një “varrezë mbi tokë” dhe një “perandori qiellore” si “varrezë e të gjitha viktimave serbe gjatë historisë”. Ndërkaq, Matija Beçkoviq, poet dhe akademik i njohur i Beogradit shkruante: “Varreza është shenjtëria më e madhe dhe kisha më e moçme e popullit serb. Varreza është besimi ynë më i gjatë dhe më i vendosur”.
Mitologjia politike mbi Kosovën
Theksova se në këtë mitologji politike Kosova del njëherësh si “djep dhe varrezë”, kurse nataliteti i shqiptarëve shikohej si një “shumëzim tmerrues”, si një “metastazë në trupin e shëndoshë të popullit tonë”, si një “ndotje e pastërtisë së saj”. Kam cekur se në mediat e Beogradit shfaqeshin si përfytyrime obsesive “kolonat e gjata të nxënësve” shqiptarë që shkojnë në shkolla, si imazhe që përmbajnë rrezikun për popullin serb. Që nga viti 1981 Universiteti i Prishtinës paraqitej si një “kështjellë armiqësore” (“neprijateljska tvrdjava”) edhe për shkak të protestave politike e sociale të studentëve shqiptarë..
Kam analizuar, në këtë kontekst, manifestimin e madh të vitit 1989 të lëvizjes nacionaliste serbe për shënimin e 600-vjetorit të Betejës së Kosovës. Mizanskena, karakteristikë e kësaj ceremonie, endja e eshtrave të princit Lazar “nëpër tokat serbe”, në Kroaci dhe Bosnjë e së fundit në Kosovë. Zhvillohej një instrumentalizim i mbetjeve mortore nga një e kaluar e largët për të nxitur urrejtje kundrejt atyre që nuk janë serbë (kroatëve, boshnjakëve, shqiptarëve). Nxjerrja nga varrezat e mbetjeve mortore të serbëve nga Lufta e Parë dhe Lufta e Dytë Botërore, si dhe shpalosja e tyre në livadhe, sajonin skenat politiko-religjioze, të shoqëruara me diskurset mbi vuajtjet e serbëve, stigmatizonin shprehimisht kroatët, boshnjakët e shqiptarët si armiq të përbetuar. Kortezhi me eshtrat e të vdekurve nga luftërat e shkuara, ishte i shoqëruar edhe me letrën që u drejtohej « armiqve të Serbisë së përgjakur dhe të martirizuar » me kërcënime të hapura.
Disa shoqata ndërkombëtare të të drejtave të njeriut e kanë cilësuar si “aparteid” dëbimin masiv të shqiptarëve nga institucionet e Kosovës, e disa të tjera (si Konfederata ndërkombëtare e sindikatave të lira në raportin e saj me titull “Largimet nga puna dhe spastrimi etnik” (Bruksel, 1993) kanë vënë në pah se aty është fjala për spastrim etnik të institucioneve nga shqiptarët.
Përballë këtij represioni të shumëfishtë shqiptarët kanë organizuar disa forma të rezistencës me parti politike, sindikata, shoqata humanitare. Ata ndërtuan një sistem paralel në fushën e arsimit, në fushën e shëndetësisë, informimit dhe kulturës. Në maj të vitit 1992 u organizuan zgjedhjet legjislative dhe presidenciale. Ibrahim Rugova u zgjodh president. Aktiviteti i këtyre institucioneve kishte rëndësi para bashkësisë ndërkombëtare për të dëshmuar organizimin politik, por edhe për organizmin e sistemit paralel në arsim e shëndetësi. Në disa nga konferencat kushtuar Kosovës, në të cilat kam marrë pjesë, është folur me respekt për organizimin e këtij sistemi paralel si dëshmi e aftësive shtetëformuese të shqiptarëve; këto fakte janë përmendur në vitet 2000-2008 si argumente të favorshme kur u shtrua çështja e statusit të Kosovës.
Kundër atyre që pohonin se shqiptarët e Kosovës nuk kanë përvojë e aftësi për shtetformim dhe për funksionim brenda institucioneve shtetërore kam zhvilluar dy tipa të argumenteve: njëri ka të bëjë me përvojën politike që arritën strukturat politike të Kosovës në institucionet e Kosovës, që nga themelimi i Jugosllavisë së Dytë, kur Kosova do të ketë statusin së pari të një krahine autonome brenda kësaj Federate dhe me vonë të një njësie federale me Parlament, Ligj Kushtetues dhe përfaqësim me deputetë në dhomat e Kuvendit federativ, me një delegacion që kishte të drejtën e vetos lidhur me ligjet themelore. Zaten, Hobbesi thekson se sovraniteti ka të bëjë me atributin e nxjerrjes së ligjeve: kjo do të thotë se institucionet e Kosovës merrnin pjesë në sovranitetin e Jugosllavisë. Ky status juridiko-kushtetues i Kosovës ka pasur peshë në nivelin e jetës politiko-kushtetuese të Federatës dhe peshën e votës dhe këmbimin e votave në realizimin e interesave politike e ekonomike. Kësisoj Kosova, bashkë me Slloveninë dhe Kroacinë, e ndonjëherë edhe me vota të Bosnjës arrinin t’i bllokonin disa iniciativa të Serbisë kur u përgjigjeshin interesave të tyre.
Në raportin e vet të 10 shkurtit 1993 (§156), Tadeusz Mazowiecki thotë se në Kosovë “një numër i caktuar i ligjeve diskriminuese inkurajojnë një politikë që u përket aparteidit, etnocidit, madje edhe gjenocidit (§158): fjala vjen disa masa që synojnë të pengojnë lindjet te shqiptarët”.
Krimet masive dhe dëbimet e shqiptarëve
Në saje të raporteve të organizatave ndërkombëtare (Komisariati i lartë i refugjatëve i OKB-së, FIDH në Francë) kam vënë në dukje se trupat serbe kanë rrënuar e kallur 400 fshatra dhe se kanë dëbuar 300.000 shqiptarë në drejtim të Shqipërisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi. Duke saktësuar se më shumë se një e treta e territorit të Kosovës u ishte ekspozuar bombardimeve sistematike. Në të njëjtën kohë Milosheviqi pengonte përfaqësuesit e Gjykatës Penale Ndërkombëtare të bëjnë hetime në terren, në kundërshtim me rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Në raportin e FIDH-së të marsit 1998, Benedicte Chesnelong shkruante: “Shifrat, emrat e viktimave, gjendja në të cilën këto u gjetën, tmerrësisht të gjymtuara, shtëpitë e shkatërruara apo të kallura, flasin vetvetiu për barbarinë e shpalosur nga forcat serbe dhe tmerrin që ato kanë përhapur në këtë regjion të Kosovës, i mbyllur qëllimisht për shikimin e dëshmitarëve”.
Përshkallëzimin e mëtutjeshëm të krimeve të regjimit serb e kam vënë në pah këtu edhe me masakrën e Reçakut. Raporti i OSBE-së, që iu dha gazetarëve në Vjenë, më 21 janar, konfirmoi masakrën e 45 civilëve shqiptarë. Pati jehonë në Francë kualifikimi i Walkerit se është fjala për “një krim kundër njerëzimit”.
Një pjesë e mediave, nën ndikimin e qarqeve proserbe në Francë dhe ato qarqe majtiste “ antiimperialiste” u angazhua ta minimizojnë këtë krim ose ta paraqesë si një krim “të montuar nga UÇK-ja”. Megjithatë, burime të ndryshme ndërkombëtare që konfirmuan realitetin e krimit, e njëherësh qëndrimin kritik dhe objektiv të një pjese të konsiderueshme të mediave në Francë, ndikonin pozitivisht mbi opinionin dhe klasën politike.
Kam cituar në këtë artikull një dokument të rëndësishëm të Komisariatit të Lartë për Refugjatët të OKB-së në Gjenevë, i publikuar më 2 shkurt 1999, i cili dëshmon se vetëm gjatë muajit janar 1999 mbi 45.000 shqiptarë u detyruan të braktisnin shtëpitë e tyre nën presionin e bombardimeve dhe formave të tjera të dhunës.
Këtu kam cekur se gjatë përgatitjeve për Konferencën në Rambouillet, e më vonë atë në Kleber, regjimi serb kishte dërguar trupa të tjera të blinduara në Kosovë dhe rreth saj. Para fillimit të goditjeve ajrore të NATO-s (pasi pala serbe refuzoi ta nënshkruante marrëveshjen), prijësit ushtarakë të NATO-s kishin paralajmëruar qeveritarët e vendeve perëndimore se Milosheviqi përgatiste një operacion të madh të “spastrimit etnik”, i përgatitur që nga muaji tetor dhe se në anën tjetër një fushatë e bombardimeve ajrore e perëndimorëve nuk ka mundësi ta ndalë atë operacion, sipas “New York Times” të 1 prillit, 1999.
Milosheviqi kishte pritur goditjet ajrore të NATO-s mbi caqet ushtarake serbe për ta aktivizuar fazën më radikale të spastrimit etnik në Kosovë. Përgatitjet e hollësishme të operacioneve të regjimit serb janë të lexueshme brenda realizimit të tyre në terren: shpejtësia dhe thellësia e realizimit e këtij operacioni janë një element që nxjerr në shesh realitetin dhe synimin e tij. Sipas Komisariatit të Lartë të Refugjatëve, për dy javë, që nga 24 marsi, më se 500.000 shqiptarë të Kosovës u dëbuan me dhunë nga shtëpitë e tyre kah vendet fqinje. Deportimi vazhdoi edhe gjatë muajve prill dhe maj, për të arritur pastaj te shifra e 900.000 personave të dëbuar në fillim të muajit qershor. Në saje të të dhënave të disa burimeve ndërkombëtare u vu në pah se operacioni i spastrimit etnik të Kosovës, i shoqëruar, me masakra dhe dhunime, u aktivizua në të njëjtën kohë në të gjitha fshatrat dhe qytetet e Kosovës. Deportimi realizohej me kamionë, autobusë dhe trena.
Së këndejmi, polemikat që u shpaluan në mediat franceze lidhur me atë se ishte faktik apo jo plani “Patkoi i kalit” nuk ishin aq të rëndësishme. Kontestimi i këtij plani nga qarqet majtiste “antiimperialiste” në fakt bëhej për ta mohuar vetë realitetin e krimeve masive në Kosovë, masakrat masive dhe spastrimin etnik të territorit të Kosovës. [...]
Fjala e presidentit Chirac
[...]Më 24 mars 1999 presidenti i Francës, Jacques Chirac, në një paraqitje televizive e njoftoi opinionin francez për pjesëmarrjen e aviacionit francez, me më se 100 aeroplanë në bombardimet e Serbisë, përkatësisht të caqeve ushtarake e strategjike të saj. Asokohe Franca nuk bënte pjesë në NATO. Pas Luftës së Dytë Botërore presidenti De Gaulle kishte marrë vendimin të dilte nga NATO-ja dhe ta ndërtonte një sistem të pavarur të mbrojtjes, përfshirë edhe armatimin nuklear; ky vendim ishte shprehje e vullnetit politik për ta afirmuar “krenarinë kombëtare” të Francës.
Në këtë fjalim Chiracu shpjegon arsyet dhe qëllimet e këtij intervenimi: “Kemi marrë vendim t’u japim fund praktikave barbare të regjimit serb, spastrimeve etnike, masakrave dhe dëbimeve masive të shqiptarëve nga Kosova”. Ai thekson se kanë marrë vendim t’i kundërvihen “vullnetit metodik” të regjimit serb “për ta zhdukur tërë një popull”. Këto praktika, saktëson Chiracu, rikujtojnë orët më të errëta të barbarisë. Sikur t’i pranonim këto praktika dëshmitarë të të cilave jemi, kjo do të thoshte të humbasim shpirtin tonë, të lejojmë që gangrena e të pathënshmes (l’innomable) të vendoset sërish në kontinentin tonë […]. Brezave të cilët nuk e kanë njohur luftën, lufta e sotme është shembullore, ajo nuk bazohet mbi konsiderata ekonomike apo strategjike, por në një ide të caktuar të “moralit” dhe “të së drejtës së kombeve”.
Dimensioni etiko-politik i qëndrimit të presidentit Chirac ndaj çështjes së Kosovës shpërfaqet qartazi edhe në këto formulime.