Shtojca për Kulturë

Thyerje barrierash në botën e romanit grafik

Se romani grafik është produkt i imagjinatës së pakufishme të artistit, tek i jep krah edhe asaj të lexuesit, tashmë është e konfirmuar. Se thyen barriera po se po. Por pyetja që shtrohet tash është nëse në industrinë e romaneve grafike gratë po bëjnë revolucion me temat që trajtojnë. “Fuqizimi i gruas përmes romaneve grafike” ka qenë tema që ka hapur të shtunën “GRANFesti” tek ka bërë bashkë autore e autorë

Shpeshherë kur flitet për romane grafike rëndom supozohet se autorët gjithmonë janë burra. Gjithsesi, gjatë viteve kjo narrativë ka filluar të ndryshojë. Më fuqishëm se kurrë, artistet gra kanë filluar të dominojnë skenën e romanit grafik e shpeshherë e bëjnë këtë gjë duke shkruar dhe ilustruar tema të ndjeshme, të rënda dhe të konsideruara tabu nga shumë të tjerë.

“GRANFesti” paraqet thyerje barrierash në botën e romanit grafik, duke u fokusuar në rëndësinë e autoreve dhe sfidat që ato duhen të tejkalojnë për t’ia dalë në një industri kryesisht të dominuar nga meshkujt.

Një bisedë interesante midis artisteve pjesëmarrëse rreth rëndësisë së romanit grafik dhe atë që mund të shprehë nëpërmjet tij, është mbajtur të shtunën në ditën e dytë të edicionit të dytë të festivalit ndërkombëtar të romanit grafik “GRANFest”.

Një kapitull i ri nga gratë

S’është risi diskriminimi i grave qoftë në aspektin profesional apo atë personal. Këtë gjë e bën të qartë trajtimi i tyre edhe në skenën e romanit grafik. Nuk është punë e kollajtë gjetja e modeleve femërore në fushën e romaneve grafike; interneti nuk është shumë i dobishëm ku kërkimet e para të paraqitura në internet janë artikuj si “10 grafike romane PËR gratë” dhe jo ato si autore.

Në gjysmën e parë të shekullit të 20-të, shumë gra shkruan romanet e tyre duke përdorur emra të paqartë ose mashkullorë, vetëm për të rritur gjasat e tyre për botim. “McGurk” ka shumë shembuj: June Mills, e cila shkoi me një version të emrit të saj dytë, “Tarpé”, kur krijoi “The Great Miss Fury” në 1941. Miss Fury, në fakt, ishte heroina e parë femër e krijuar nga një grua para Wonder Woman, shkruan “The Guardian”.

Se si kjo ka filluar të ndryshojë, të paktën në Francë, Aude Memilliod, autore nga Lyoni i Francës, ka treguar se publiku ka filluar të adaptohet me faktin se gratë shkrimtare të romaneve grafike ekzistojnë.

“Punonjësit e një librarie më treguan se ka burra që vijnë dhe e blejnë librin tim për vete. Jo për të dashurat apo gratë e tyre, por për veten. Kjo gjë ndoshta nuk ka ndodhur gjithmonë, sepse ka prej tyre që akoma shokohen dhe çuditen të shohin një libër komik të realizuar nga një grua, por dalëngadalë ky fenomen po fillon të zhduket”, ka thënë Memilliod në konferencën me temën “Fuqizimi i gruas përmes romanit grafik”, të shtunën në bibliotekën kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani” në kuadër të “GRANFestit”.

Image

Konferenca “Fuqizimi i gruas përmes romaneve grafike” është mbajtur të shtunën më 9 tetor në bibliotekën kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” në kuadër të “GRANFestit”

Gjithsesi Memilliod – në biografinë e së cilës shkruan se çdo vepër e saj shkakton befasi dhe reagime, sepse u qaset temave të vështira me guxim –ka treguar se do një kohë të gjatë që qasja ndaj librave komikë të ndërrohet, pa përfshirë aspektin gjinor. Kjo, sepse në Francë romanet grafike nuk konsiderohen si pjesë të letërsisë së respektuar, po më shumë si libra fëmijërorë të cilët nuk janë në të njëjtën kategori me romanet e tjera të botuara.

Serioziteti i librave komikë

Sikur të pyetej një person mesatar se çfarë është një libër komik, ata mund të përshkruajnë një libër me figura të vizatuara. Një për fëmijë, me fjalë të tjera. “I lirë. Jokrijues. Jo i denjë për kohën e një të rrituri. Këto supozime bazohen në një numër gabimesh faktike, më seriozi prej të cilëve është se librat komikë janë ekskluzivisht për fëmijët. Kjo nuk është dhe nuk ka qenë kurrë kështu. Sidoqoftë, është e vërtetë se perceptimi i librave komikë që janë ekskluzivisht për fëmijët e ka futur industrinë në shumë telashe dhe vazhdon të përcaktojë se si njerëzit e shohin mediumin”, shkruan “Book Riot”

Çdo ditë e më shumë rëndësia e kualitetit dhe temave të prekura nga ky medium po rritet dhe me sukses të madh. Në ditët e sotme ka të bëjë me krijimin e komikeve që tërheqin vëmendjen e njerëzve të të gjitha moshave dhe të të gjitha gjinive. Një medium i zgjeruar dhe i pasur me tema dhe histori të ndryshme të rëndësishme.

Lili Soth është autore e romaneve grafike, njihet për librat e saj e sidomos për librin “Anmiku n’gji”, i cili u botua edhe në gjuhën shqipe në kuadër të festivalit “GRANFest”. Është libër i cili prek një temë mjaft të rëndë dhe prekëse tek transformohet në një tregim qesharak nga autorja. Romani grafik shtjellon storien personale të vetë autores, e cila në moshën 29-vjecare u diagnostikua me kancer në gji. Ajo vendosi në një bllok të gjitha dyshimet, dilemat dhe pasiguritë e saj. Romani e zbërthen humorin, i cili e mposht ndjenjën e frikës. “Anmiku...” është një shembull i seriozitetit të romanit grafik.

Artistet pjesëmarrëse të edicionit të dytë të “GRANFest” biseduan rreth rëndësisë së librave komikë, librave të shkruar dhe të ilustruar nga ato, temat e prekura që janë të ndjeshme dhe të konsideruara tabu. Paneli përbëhej edhe nga Judith Vanistendael, Aude Mermilliod, Lili Sohn, Stefano Casini, Edith, Salome Joly, David Prudhomme, Sonia Dechamps dhe Dardan Luta.

Ata kanë shfletuar historitë e jetës së tyre profesionale, dhe duke prekur temat e shumta të romaneve të tyre.

Lufta, aborti, sëmundjet e rënda, trupi i gruas dhe materniteti ishin disa nga temat kryesore të shpalosura në konferencën “Fuqizimi i gruas përmes romaneve grafike”. Artistet dhe artistët e pranishëm treguan për përvojat e tyre në këtë fushë, për problemet shoqërore që janë të pranishme dhe ndryshimin pozitiv që po shohin ndër vite.

Organizatori dhe themeluesi i festivalit ndërkombëtar të romanit grafik, “GRANFest”, Gani Jakupi, ka treguar se për shkak të mungesës së fondeve të mjaftueshme janë botuar vetëm 3 libra nga ky edicion, por se të gjithë librat nga artistët pjesëmarrës duhej botuar. I ka bërë thirrje publikut t’i lexojë këta 3 libra të botuar sepse libra të mrekullueshëm. Ka thënë se “Anmik n’gji” është “një libër fenomenal që prek një temë shumë të rëndë” të cilën autorja “me një buzëqeshje kaq të bukur” ka arritur ta kthejë historinë e saj të trishtuar ndaj betejës me kancerin në gji, në një histori qesharake.

Vetë autorja e kësaj vepre ka folur edhe për mënyrën e promovimit. Ka përmendur Instagramin si një platformë që botuesit ta shohin se kjo bën për publikun, ta bindë botuesin se kjo temë mund të jetë interesante.

Lili Sohn, gjatë konferencës, pos rëndësisë së rrjeteve sociale për promovimin e artit të saj, ka folur edhe për mundësinë që nëpërmjet tyre të hiqen “tabutë” e temave të tilla tek botuesit “Komercialisht botuesi e sheh ‘famën’ e një artisti përmes numrit të ndjekëseve në platforma si Instagrami. Në të njëjtën kohë duke promovuar tema të rënda dhe ‘provokative’ dhe duke parë reagimet pozitive të publikut, botuesi e sheh të pranueshme të botojë libra që prekin tema të tilla. Por gjithsesi jemi duke jetuar në kohën e internetit ku artistët mund të kryejnë shitjet përmes platformave të ndryshme online dhe shpeshherë edhe vendosin vetë t’i botojnë librat e tyre pa ndihmën e shtëpive botuese”, ka thënë ajo.

Njashtu sikurse Sohn, edhe Judith Vanistendael nga Belgjika, përpos veprave të ekspozuara në Prishtinë do ta promovojë edhe romanin grafik “Dy jetët e Penelopës”, i cili flet për sakrificën e një nëne në Siri, e cila ka lënë prapa familjen. Aude Mermilloid, autorja nga Franca që u qaset temave të guximshme, në “GRANFest” do ta promovojë romanin e saj “M’u desh me ta thanë”, i cili flet për përvojën e saj me abortin.

Image

Ekspozita e autorëve pjesëmarrës në edicionin e dytë të “GRANFestit” e hapur në Fakultetin e Arteve në Prishtinë

Ky triptik veprash që sjell në shqip Festivali Ndërkombëtar i Romanit Grafik është një dëshmi që autoret kanë hapur kapitull të ri në artin e nëntë. Po ashtu, një tjetër dëshmi se përse “GRANFesti” u përcaktua që në këtë edicion – që rikthehet pas anulimit të vitit të kaluar për shkak të pandemisë – të ketë në fokus gratë. Sepse siç ka thënë organizatori e bashkëthemeluesi i festivalit, Gani Jakupi, qysh në ceremoninë e hapjes, gratë po bëjnë histori, jo vetëm në këtë fushë, por në mbarë skenën kulturore. “Dekadën e fundit gratë në Evropë kanë bërë revolucion në fushën e romanit grafik. Ato kanë arritur të krijojnë stilin e tyre krejtësisht të pavarur....Femrat duhet t’ia hapin rrugën vetes dhe këto po ia hapin, po janë të guximshme dhe është mirë që ky guxim të transmetohet këtu. Femrat nuk i kanë imituar meshkujt në punën e tyre as në vizatim, as në shkrim, por kanë krijuar stil vetjak dhe tani, ne më shumë po i imtojmë ato sesa ato neve”, kishte thënë Jakupi.

Historia e romaneve grafike

Romanet grafike – domethënë tregime të gjata të bëra në stilin e librave komikë – kanë tronditur botën letrare në dekadat e fundit. Vepra si “Maus”, “Persepolis” dhe “Fun Home” kanë fituar çmime “Pulitzer”, janë shndërruar në filma dhe shfaqje teatrale. Kanë kryesuar listat më të shitura dhe kanë ngritur artin komik nga një medium i përbuzur në një të mirënjohur. Por kush, saktësisht, e “shpiku” romanin grafik?

“Debatet mbi origjinën e tij janë ndezur që kur termi roman grafik hyri në modë për herë të parë në fund të viteve 1970. Por kërkimet e reja po na afrojnë me një përgjigje. Origjina e romanit grafik është paksa një histori detektive, dhe një i dyshuar kryesor është njeriu i profilizuar në librin e ardhshëm Will Eisner: “Champion of the Graphic Novel”, i shkruar nga shkrimtari, redaktori, historiani dhe ish-president i DC Comics Paul Levitz”, shkruan Vulture

Eisner, i cili vdiq në vitin 2005 në moshën 87-vjeçare, nuk ishte asgjë më pak se një titan në botën e komikeve. Ai ishte një shkrimtar dhe artist, ndikimi i të cilit është ndier që nga sukseset e tij më të hershme në fillim të viteve 1940. Karriera unike e Eisnerit përfshinte një gazetë pioniere komike (“The Spirit”).

“Gjatë karrierës së tij të gjatë, Eisner (1917–2005) pati një ndikim të qëndrueshëm në romane grafike, jo vetëm përmes veprave të tij, por edhe duke iniciuar mënyra të reja të të menduarit dhe duke folur për libra komikë. Duke mbrojtur dhe mësuar atë që u quajt “sequential art” ai gjithashtu kontribuoi në popullarizimin e termit ‘roman grafik’”, shkruan “Scroll.in”.