Një autoportret i Frida Kahlo pritet të shënojë rekord sa i përket veprës me të shtrenjtë nga një artist latino-amerikan, kur të dalë në ankand në New York në fund të këtij viti.
Autoportreti “Diego y yo” (“Diego dhe unë”) është vlerësuar 30 milionë dollarë, çmim shumë më i lartë krahasuar me veprat e Kahlos, që u vlerësuan me 8 milionë dollarë në vitin 2016, është shkruar në deklaratën e shtëpisë së ankandeve “Sotheby’s”.
Ironikisht, do të mund të lërë pas rekordin e ankandit prej 9.8 milionë dollarësh për një vepër arti të realizuar nga një artist nga Amerika Latine, që u vendos në vitin 2019 për një vepër të burrit të artistes Kahlo që është edhe frymëzimi për këtë pikturë, Diego Rivera.
“Portreti emocionalisht i zhveshur dhe kompleks i Frida Kahlos ‘Diego y yo’ është një punë përcaktuese. Të ofrosh këtë portret në katalogun e shitjeve tona paralajmëron zgjerimin e fundit të kategorisë moderne për të përfshirë artistë të nënpërfaqësuar, veçanërisht gra, dhe të bën të rimendosh sesi ato janë vlerësuar historikisht në ankande”, ka thënë në deklaratë Brooke Lampley, kryetar i “Sotheby's” dhe shef i shitjeve të veprave të artit pamor në mbarë botën
Kahlo realizoi autoportrete, një format i popullarizuar për herë të parë në rilindjen evropiane, gjatë gjithë karrierës së saj, dhe ato janë ndër veprat e saj më të famshme.
E përfunduar në vitin 1949, pesë vjet para vdekjes së saj, “Diego y yo” është autoportreti i fundit i artistes në serinë e veprave në vitet ‘40.
Pas martesës së saj të dytë me muralistin meksikan Diego Rivera – çifti u rimartua në vitin 1940 pasi u divorcuan një vit më parë – Kahlo u ndikua nga subjekte që anonin nga mitologjia lindore e deri tek mjekësia dhe botanika. Ajo gjithashtu shpërfaqi nëpërmjet pikturës edhe problemet e saj shëndetësore dhe marrëdhënien e trazuar me artistin Rivera, duke krijuar një ikonografi personale nëpërmjet krijimtarisë së saj.
Kahlo u takua me Riveran kur ajo i kërkoi të shkruante një kritikë për punën e saj dhe uljet dhe ngritjet e marrëdhënies së tyre u bënë një temë kryesore e artit të saj.
“Diego y yo” e paraqet Kahlon të veshur me një ‘huipil’, një lloj bluze tradicionale për gra në jug të Meksikës. Ajo e vesh këtë ‘huipil’ të kuq në shumë prej autoportreteve të saj më të njohura dhe në një seri fotografish të famshme nga portretisti hungarezo-amerikan, Nickolas Muray.
Flokët e lëshuar të Kahlos, zakonisht me gërsheta të forta, duket se pothuajse e mbysin atë. Ajo ka faqe të kuqe dhe një shikim të përlotur.
Në mes të ballit të saj janë koka dhe shpatullat e Riveras – një simbol i pozicionit të tij qendror në mendjen e saj. Rivera, nga ana tjetër, është pikturuar me një sy të tretë në ballë.
Sipas “Sotheby's”, piktura përkon me lidhjen e dukshme të Riveras me shoqen e Kahlos, María Félix.
“Frida Kahlo është një ikonë globale e artit modern, vepra e së cilës është e njohur nga e gjithë bota. ‘Diego y yo’ mishëron interpretimin e detajuar e të përpiktë, ikonografinë komplekse dhe rrëfimet thellësisht personale që janë shenja dalluese të pikturave të saj të periudhës së pjekurisë”, ka thënë në deklaratë Anna di Stasi, drejtoreshë e programit për art të Amerikës Latine në “Sotheby's”.
“Diego y yo” do të shfaqet për publikun në Hong-Kong prej 7 deri më 11 tetor dhe në Londër prej 22 deri më 25 tetor. Pastaj do të kthehet në New York për t’u ekspozuar para se të dalë në shitje në nëntor.
Marrë nga CNN. Përktheu: Alberina Haxhijaj
-
26 shtator 2021 17:00
-
Shpërndaje në: