Gjuha si sistem shenjash konvencionale, është e lidhur aq ngushtësisht me jetën njerëzore, sa që është pothuajse e pamundur të imagjinohet dhënia e një shpjegimi pa asnjë pikëtakim me manifestimin e saj në shoqëri dhe është pikërisht aftësia e njeriut për të gjeneruar me gjuhën ajo që e dallon nga qeniet e tjera, duke ia dhënë epitetin e një zotësie specifike njerëzore. Veçanti e gjuhës është mundësia eksploruese në futjen e koncepteve të reja apo të modifikuara, prirjet për ndryshime, lidhja komplekse me nevojat e folësve për krijimin e strategjive të reja komunikuese
Kur një gjuhëtar/e, si pikorientim studimor e ka që ta përshkruajë sistemin gramatikor, për shembull paradigmën strukturore, duke e pasur kriter dhe synim primar argumentimin sa më të kuptueshëm për dëgjuesit, pashmangshëm duhet ta mbishtojë ndonjë karakteristikë që ndërlidhet me shembuj situacionalë. Për shembull tiparet e përgjithshme, klasifikimet e foljes mund të qartësohen duke i lidhur me veprimet e përditshme: mësoj, lexoj, luaj etj., në mënyrë që të kapen më lehtë nga nxënësit/studentët. Kjo, sepse gjuha si sistem shenjash konvencionale, është e lidhur aq ngushtësisht me jetën njerëzore, sa që është pothuajse e pamundur të imagjinohet dhënia e një shpjegimi pa asnjë pikëtakim me manifestimin e saj në shoqëri dhe është pikërisht aftësia e njeriut për të gjeneruar me gjuhën ajo që e dallon nga qeniet e tjera, duke ia dhënë epitetin e një zotësie specifike njerëzore.
Veçanti e gjuhës është mundësia eksploruese në futjen e koncepteve të reja apo të modifikuara, prirjet për ndryshime, lidhja komplekse me nevojat e folësve për krijimin e strategjive të reja komunikuese etj. Gama e transmetimit të informacionit shoqëror përmes gjuhës spikatet specifikisht kur modifikohet ose ndërrohet domeni, i cili si term i përgjithëson kontekstet ku kërkohet reagim i ngjashëm apo respektim i kufijve të vendosur, p.sh. kur flet shefi/ja në vend pune, zakonshëm e merr vëmendjen, kërkohet gjuhë e kujdesshme me të dhe preferohet të zbatohen me efikasitet urdhrat e saj/tij.
Lidhja situatë-stil gjuhësor përdorimor
Disa individë shfaqen më të gjallë, më me vetëbesim, e disa të tjerë më të tërhequr, më të druajtur gjuhësisht. Arsyeja e këtij fakti te personat me zhvillim normal psiko-fizik nuk qëndron në kapacitetet linguistike apo mungesën e tyre, por në influencën e situatës në të cilën përdoret gjuha, e cila përmes kognicionit e mënyrës perceptuese, bëhet rregullatore që i kontrollon dhe i përcakton zgjedhjet gjuhësore, në mënyrë që folësit të jenë sa më koherentë dhe të saktë gjuhësisht në shoqëri.
Përdorimi i një stili që nuk është tipik për folësit, mund të jetë pasojë e dëshirës këmbëngulëse për t’u integruar në një situatë, për shembull kur folësi/ja qëllimisht fut në përdorim fjalë angleze, për t’u dukur “më cool” apo “më i ditur”, ose në shtëpi, ku qartësisht nuk shfaq ndonjë kujdes të shprehur, e aq më pak respektim të gjuhës standarde, meqë është i rrethuar me anëtarët e familjes me të cilët raportet janë më intime. Por, në një ambient më formal mund të ketë edhe pasiguri gjuhësore, e ku ndikim ushtrojnë faktorë si: pjesëmarrësit, tema, gjendja emocionale etj., të cilët e dëshmojnë influencën e tyre në shkallën e rrjedhshmërisë gjatë të shprehurit gjuhësor dhe në modelimin e ndërtimeve sintaksore.
Në përgjithësi, me personat që kemi afirmitet, përdorim vernakularin, një gjuhë më të shkujdesur, kemi liri më të madhe gjatë komunikimit. Po ashtu, me familjarët nuk mendojmë shumë se çka do të flasim, meqë nuk u druhemi keqkuptimeve që mund të lindin. E përgjigjja e folëses ndaj një situate mund të përkojë me qëndrimet e saj, por jo gjithmonë, meqë përgjigjet mund të jenë të formësuara si rrjedhojë e kërkesës së situatës. Ndryshimet situacionale motivojnë njësi të reja semantike si dhe zgjerojnë rrjetet kuptimore, në mënyrë që integrimi në kontekst specifik të përkthehet me një kod sa më të përkufizuar brenda atij domeni.
Gjuha në rreth shoqëror
Sipas gjuhëtarit Gjovalin Shkurtaj, “gjatë bashkëveprimit gjuhësor, bashkëbiseduesit veprojnë si individë dhe si anëtarë të grupit”. Në veçanti, të rinjtë pasqyrojnë larmi më të ndërlikuar në normat e përdorimit të gjuhës. Studiuesit Chambers dhe Trugdill thonë se adoleshentët përbëjnë grupmoshën që ka gamën më të gjerë dhe më të pasur me variacione, sidomos me ato që janë të stigmatizuara. E kjo vërehet në nofkat që ua vënë personave të caktuar, për shembull nxënësit, një profesor mund ta emërtojnë “kryemadhi” dhe pjesëtarët e grupit e dinë se për kë është fjala, sepse lidhja mes kuptimit të fjalës “kryemadh” dhe referencës për një person nuk është ngjizur e njehsuar arbitrarisht, por në bazë të atributit fizik të individit, për të cilin ata dakordohen se është më i spikatur. Një pikëpamje interesante e ka studiuesi Dumas lidhur me mënyrën se si vendosim t’i përçojmë kuptimet: “nëse një fjalë përdoret në kuptimin denotativ, atëherë ajo nuk mund t’i përkasë ligjërimit të lirë, i cili karakterizohet nga përdorimi i konotacioneve të forta, të cilat janë të qëllimshme, shpeshherë agresive dhe joformale”.
I njëjti variabël sociolinguistik mund ta sinjalizojë shtrirjen sociale dhe ta pasqyrojë nivelin e njohurive të folësit sa i përket përzgjedhjes së duhur të stilit. Pra, në gjuhë s’ekzistojnë kurrfarë barrierash a pengesash për të ndërhyrë në ndryshime kuptimesh të cilat njihen vetëm nga një grup, por janë të paqëndrueshme për të tjerët, për shembull prindi s’e kupton gjuhën me kode të fëmijës së tij, apo anasjelltas. E sipas Janet Holmesit, çdo dialekt shoqëror mund të përkufizohet si një kombinim i caktuar stilesh ose nivelesh, ku çdonjëri syresh ka modelet e veta të dallueshme të leksikut, të gramatikës dhe të shqiptimit, ndonëse nivelet e ndryshme stilistike kanë edhe shumë forma të përbashkëta.
Është me rëndësi të theksohet prania e përgjigjeve kreative, të paparashikueshme gjatë interaksionit e ndërveprimit shoqëror, e cila nuk është e dëmshme, por përkundrazi, e zgjon edhe më tepër kureshtjen e bashkëbiseduesve kur personi jep përgjigje interesante e të papritura, natyrisht, brenda normales.
Parametrat e mirësjelljes
Qysh në lashtësi, është parë e nevojshme të tradicionalizoheshin një varg shprehjesh e mikrotekstesh si kode nderi që do t’u jepnin frymë raporteve ndërnjerëzore dhe dimensionit komunikativ. Vlera praktike e tyre vërehet në organizim më homogjen të shprehjeve mes njerëzve, pra me mundësi më të lehtë interpretimi nëse dikush tregohet i edukuar apo jo. Kështu, ata u përmbahen rregullave shoqërore të pëlqyeshme që duhet të kihen parasysh në situata të caktuara apo disa parimeve universale të mirësjelljes, sepse është e preferueshme që gjuha të jetë e zhveshur nga çdo tendencë jo e këndshme. Është sugjeruar nga Robin Lakoffi se janë katër parametra që duhet të kihen parasysh gjatë bisedës, e që kanë rol në kompetencën komunikuese për situatën: distanca, respekti, shoqëria, qartësia. Sipas saj, mirësjellja ekziston për t’i reduktuar grindjet gjatë interaksionit. Pra, në mënyra “misterioze” ndonjëherë, shoqëritë i zbulojnë mënyrat për t’i minimizuar sa më shumë mosmarrëveshjet, dhe për këtë arsye, Lechi e definon atë si “shmangie strategjike e konfliktit”.
Është e rëndësishme ta shohim me qëndrim kritik edhe nocionin e mirësjelljes, si tërësi sjelljesh që duhen adoptuar e absorbuar nga bota sociale, si dhe udhëheqin, në veçanti, situatat formale. P.sh. në disa kultura është e pranueshme pyetja për moshën për gra dhe nuk mund të merret pyetje e gabuar, ndërkohë në vende të tjera, pyetja sa vjeçe je? drejtuar një gruaje merret si e gabuar, ose në Gjermani s’preferohet t’u puthet dora vajzave. Si shprehje të konvencionalizuara e të fabrikuara me funksion të socializuar janë edhe shprehjet: të bëftë mirë, kur dikush ushqehet, rrugë/punë të mbarë, kur dikush udhëton, përkatësisht kur është duke punuar.
Judith Irvine ka bërë një studim për formalitetin më 1979, për statusin dhe stilin më 1985, ku stilin e sheh si një sistem mundësish për zgjedhje dhe është munduar t’i caktojë kontrastet dhe kufijtë mes alternativave për ta thënë të njëjtën gjë në mënyrë të sjellshme ose më vulgare. Sipas saj, marrëdhëniet mes stileve janë ideologjikisht të ndërmjetësuara dhe janë treguese të informacioneve shoqërore.
Gjuha në situata të ndjeshme
Në rastet kur folësi/ja është në një situatë në të cilën i është kërkuar të shprehet për një rast të ndjeshëm, për t’i komunikuar ndjenjat, ose që të rrëfehet për një përjetim të pakëndshëm, mund që të mos i kushtojë rëndësi organizimit të gjuhës, madje bën “kërcime” nga tema në temë, fjali fragmentare, mbushës joverbalë (ëëë...,mm..), ka shprehje jo shumë të qartë, gabime shqiptimore, si pasojë e ndikimit të faktorëve psiko-emocionalë. Edhe bashkëbiseduesja, pavarësisht cilësive të karakterit, duhet të tregohet e kujdesshme në zgjedhjet gjuhësore, për të mos nxitur përkeqësim të gjendjes, duke i bërë pyetje të menduara dhe duke përdorur fjalë këshillëdhënëse. Do të thotë se dinamika sentimentale arrin ta shpërqendrojë individin nga funksioni referencial.
E po ashtu, mund të ketë raste konfliktesh, ku folësi duhet të jetë i përgatitur, të mbështetet në fakte dhe të shfaqë argumente bindëse, e duhen përvetësuar edhe teknikat e caktuara për ta ushtruar komunikimin në mënyrë korrekte. Potencojmë, gjithashtu, se është me rëndësi edhe përfshirja e folëses në larmi situatash, meqë vetëm në këtë mënyrë, mund të kuptohen më cilësisht dhe rrjedhimisht, menaxhohen mirë ato.
Megjithatë, siç e theksuam, nuk mund t’i lëmë anash edhe përgjigjet e papritura, kreative, që nxitin apo krijojnë situata interesante dhe e rrisin aftësinë komunikatave, si një instrument qendror për t’u adaptuar më lehtë në kontekste të reja. Sipas Meyerhoffit, “njerëzit përgjithësisht janë të vetëdijshëm për potencialin e tyre për ta përdorur gjuhën ose stilin e zgjedhur ndryshe në kontekste sociale të ndryshme, duke shprehur qëndrimet personale, por nuk janë të aftë ta shpjegojnë këtë dije sociolinguistike”.
E varësisht nga historia paraprake me bashkëbiseduesin, fjalëve u vishet ngjyrimi përmbajtjesor sipas mendimit që ka folësi/ja për të. Siç thotë Holmes, “kur ka një ndryshim të dukshëm të situatës, si për shembull kur vjen një person i ri, ndërkëmbimi është i nënkuptueshëm, që pasqyron ndryshim të situatës shoqërore dhe merr parasysh praninë e një pjesëmarrësi të ri”. Pra, faktorët sociolinguistikë shpesh kërkojnë ndryshim stili (style shifting) ose kodi (code shifting) kur ka bilingë. Madje, nganjëherë folësit e ndërkëmbejnë kodin edhe brenda një domeni apo situate shoqërore, kur ndërron tema ose shtohen pjesëmarrësit.
Ndërlidhja me kulturën
Përvetësimi i “detyrimeve e përgjegjësive sociale” arrihet me njohjen e vlerave kulturore që përforcohen dhe modelohen nga pjesëmarrësit e një bashkësie ligjërimore. Goodenung thotë se kultura e një shoqërie përfshin gjithçka që është e nevojshme ta njohësh e të besosh për të vepruar në mënyrë të pranueshme nga ana e pjesëtarëve të saj. Ajo pra, nuk është programuar si predispozitë biologjike, por duhet fituar si njohuri më e specializuar e komunitetit në të cilin individi është pjesëtar aktiv. Ajo ka ndikim në zhvillimin e gjuhës, pasurimin e fjalorit dhe zgjedhjeve gjatë realizimit gjuhësor.
Studiuesi Simpson gjen se edhe faktorët kulturorë u japin shtysë ndryshimeve morfologjike dhe sintaksore përmes proceseve indirekte, ku normat ose praktikat sociale rrisin frekuencën e disa fjalëve ose strukturave gjuhësore. Kjo ilustrohet më së miri në komunikimet joformale, të shkujdesura, ku nuk i kushtojmë vëmendje stilit të përdorur, në dallim p.sh. me mjediset administrative, në të cilat gjuha është më e përzgjedhur, i afrohet standardit. Gjithashtu, format e përdorura shërbejnë edhe për ta përhapur kulturën gjuhësore, nivelin e arsimimit, edukimit etj.
Madje, faktorët kontekstualë e kulturorë e determinojnë edhe realizimin fonetik të strukturave të gjuhës. Studimet në lidhje me perceptimin japin të dhëna se variacionet fonetike janë të ruajtura në mendje dhe përdoren varësisht nga faktorët jogjuhësorë. Këto studime kanë treguar se si karakteristikat sociale të folësit kanë ndikim në mënyrën se si perceptohen fonet.
Në këtë mënyrë, gjuha është e hapur për pasurim, por në disa raste edhe për përgjithësim – qoftë nga forcat kulturore apo dëshira për eufemizma e tëhollime të tjera kuptimore. Nëse ajo begatohet nga folësit, nuk do të thotë se i humb vlerat e saj ose bazën e shëndoshë, përkundrazi, risitë duhen integruar natyrshëm dhe të vihen në qarkullim që t’i vetëdijesojnë njerëzit kompetentë t’i përqafojnë tiparet që kanë fituar denduri përdorimi, madje edhe në domenet formale.