Shtojca për Kulturë

Libra, filma dhe art për 11 Shtatorin

Descriptive Text

Prej dramës së NETFLIX-it të titulluar “Worth”(“Vlerë”), deri te libri i ri i Judith Butler: Bota e kulturës ende po mundohet të pasqyrojë sulmet terroriste të njëmbëdhjetë shtatorit të vitit 2001

Më njëmbëdhjetë shtator 2001, Kullat Binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë ishin cak i sulmeve terroriste. Terroristë të Al-Kaidës rrëmbyen katër aeropanë me udhëtarë dhe përplasën dy prej aeroplanëve në Kullat Binjake. Dy aeroplanë të tjerë të rrëmbyer u rrëzuan: një në Pentagon, ndërtesa e Departamentit të Mbrojtjes, e një tjetër në një fushë në Pensilvani. Gati 3000 njerëz vdiqën, përfshirë këtu edhe shumë pjesëtarë të ekipeve emergjente të cilët dolën në vend të ngjarjes për të ndihmuar viktimat.

Këto sulme terroriste shënuan një pikë kthese në histori, duke shtyrë deri te pushtimi dhe luftërat në Afganistan dhe Irak.

Njëzet vjet më pas, bota e kulturës ende po përballet me ngjarjet e njëmbëdhjetë shtatorit. Shumë punime arkitektonike, vepra të arteve pamore, filmit e televizionit, trajtojnë çështje me rëndësi, sikurse “Si duhet të vajtohet? Si duhet të rindërtohet një qytet? Çka ka mundur të bëhet ndryshe?”

Mediumi gjerman, “Deutsche Welle”, sjell një përmbledhje të disa prej zhvillimeve më të rëndësishme në fushën e kulturës.

Arkitektura: “One World Trade Center” nga Daniel Libeskind

Sot, vendi ku ishin Kullat Binjake njihet si “Ground Zero”. Në këtë vend tani ndodhen një shesh i famshëm, një muze përkujtimor si dhe një rrokaqiell me 94 kate, i quajtur “One World Trade Center” (“Një Qendër e Tregtisë Botërore”).

Dizajni fillestar i këtij rrokaqielli u punua nga arkitekti amerikano-polak, Daniel Libeskind. Përgjatë kohës së projektit, dizajni pësoi ndryshime të herëpashershme.

“Është një projekt shumë i rëndësishëm, sepse ende nuk ka përfunduar. Qytetet kanë jetëgjatësi”, u shpreh Libeskind per DW në një intervistë. “Tani është një lagje e tërë e cila po lulëzon.”

Në të kaluarën, sipas Libeskind, trotuaret zbrazeshin pas orës 6 në mbrëmje e ndërtesat qëndronin në errësirë si “varreza të errëta me para”. Kjo zonë e qytetit ishte pjese e distriktit financiar dhe banohej nga punëtorët e Wall Street.

Mirëpo, tash aty ka restorante, shkolla e apartamente. “Është një lagje. Më nuk është e kapluar nga errësira”, tha ai.

Në zemër të Ground Zero, ndodhet muzeu përkujtimor me dy pishina të ndritshme, ku paraprakisht ndodheshin themelet e Kullave Binjake. Secila pishinë është e rrethuar nga panele bronzi, ku janë të gdhendur emrat e viktimave të sulmeve të njëmbëdhjëtë shtatorit dhe të viktimave të bombardimit të Qendrës Ndërkombëtare të Tregtisë më 1993.

Mbajtja mend e këtyre ngjarjeve është pjesë e rëndësishme e punës së arkitektit Libenskind; ai dizajnoi edhe Muzeun Hebraik në Berlin.

Image
Skenë nga filmi “Worth”

Artet pamore: “New York 9/11” nga Yadegar Asisi

Artisti Yadegar Asisi, i lindur në Vjenë e rritur në Halle dhe Leipzig të Gjermanisë, ndihmoi Libeskindin të konkretizojë vizionin e tij për memorialin në Ground Zero.

Specialitet i Asisit janë panoramat me 360 shkallë. Ekspertiza e tij në krijimin e këtyre panoramave ndihmoi Libeskindin të fitojë garën për dizajnin e Ground Zero.

Tani, Asisi po punon në dy panorama të reja, “New York 9/11” e cila synon t’u mundësojë vizitorëve të “zhyten” në përvojën e New Yorkut në vitin 2001 dhe të përjetojnë pesë minutat para se aerpolani i parë të përplasej në njërën prej Kullave.

“Unë i sjell njerëzit në pozitën ku ata e dinë se jeta do të ndryshojë brenda pesë minutave, njëjtë si edhe gjithë bota, pa marrë parasysh a u pëlqen atyre apo jo”, tha Asisi për Deutsche Welle.

Artisti tregon se si është e rrallë të ketë një moment të tillë të kujtesës në mbarë botën. Shumica e njerëzve mbajnë mend saktësisht çka ishin duke bërë kur Kullat Binjake u rrëzuan. “Mbamendja ka kuptim vetëm atëherë kur është e mbushur me emocione; vetëm atëhere mund të përdoret për apo kundër diçkaje”, tha Asisi.

Ai planifikon të përfshijë panoramën e tij në një ekspozitë që fokusohet në pasojat e sulmeve terroriste. Kjo ekspozitë do të përmbajë vendime personale si dhe vendime politike globale, siç janë ato të lidhura me luftërat në Afganistan dhe Irak. Ai sjell një pikëpamjë kritike të kësaj të fundit. Në “New York 9/11” ai paraqet panoramën e tij të tretë kundër luftës.

Film: “Worth”, nga Sara Colangelo

Publikuar në platformën Netflix sivjet, në filmin “Worth” nga regjisorja Sara Colangelo, protagonistë janë aktorët: Stanley Tucci dhe Michael Keaton.

“Worth” trajton temën e sulmeve të njëmbëdhjetë shtatorit në një mënyrë të veçantë. Ky film tregon jetën e një avokati, Ken Feinberg, i cili punësohet të adresojë kërkesat për dëmshpërblim të familjarëve të viktimave. Filmi është mjaft kritik ndaj vendimeve politike të marra nga qeveria amerikane pas sulmeve terroriste. Në qendër të filmit është pyetja: “Si mund të matet vlera e një jete?”

Colangelo vë në pah të mbijetuarit e këtyre sulmeve, duke krijuar kështu një portret të viktimave të bazuar në kujtimet e partnerëve të tyre, familjarëve e shoqërisë.

Filmi nuk është shumë sentimental siç është “Remember Me” i vitit 2010, ku luan aktori Robert Pattinson. Gjithashtu, sipas kritikëve, filmi nuk glorifikon torturën sikur bën filmi “Zero Dark Thirty” i regjisores Kathryn Bigelow.

Filmi gjithashtu u shmanget teorive konspirative, për dallim nga dokumentari “NYC Epicenters: 9/11-2012 ½” nga Spike Lee. Pas protestave, Lee largoi rreth 30 minuta nga dokumentari për shkak të përfshirjes së teorive konspirative në lidhje me sulmet.

“Worth” me sukses portretizon një popull të traumatizuar të cilët nuk ëndërrojnë për hakmarrje, por thjesht dëshirojnë që kujtimi për viktimat të përjetësohet.

Letërsi: “The Force of Nonviolence” nga Judith Butler

Në mbarë botën, letërsia mbetet një prej “veglave” më të përdorura që shërben për t’u përballur me trauma e për të vajtuar.

Për shembull, shkrimtari amerikan, Jonathan Safran, shkroi “Extremely Loud & Incredibly Close” (“Tmerrësisht i zhurmshëm & jashtëzakonisht afër”) më 2005, një roman modern për një djalë të ri i cili humb babanë e tij në sulmet terroriste dhe endet rrugëve të New Yorkut.

Duke qenë një prej figurave më të shquara intelektuale ne ShBA, Judith Butler, profesoreshë e filozofisë në Universitetin e Berkley-t, ka tentuar të adresojë temën e njëmbëdhjetë shtatorit për gati njëzet vjet. Pas sulmeve terroriste, ajo filloi të mendojë për atë se për kë duhet të mbahet zi e për kë jo.

Më 2020, ajo publikoi librin e saj më të ri me këtë tematikë, “The Force of Nonviolence” (“Forca e paqes”). Në këtë libër, ajo thërret për një ndryshim kolektiv në të menduarit në një mënyrë që parandalon luftërat dhe sjell barazi mes jetëve të njerëzve, pa marrë parasysh ku ndodhen këta persona, çfarë kombësie apo çfarë ngjyre të lëkurës kanë.

Njëzet vjet pas sulmeve terroriste të njëmbëdhetë shtatorit, ShBA-ja ka ndyshuar në shumë mënyra të cilat janë reflektuar në art e kulturë. Mirëpo, një gjë dihet: artet ende po mundohen të gjejnë mënyra për të paraqitur tmerret e njëmbëdhjetë shtatorit.

Marrë nga “Deusche Welle”

Përktheu: Lundrim Sadiku