Shtojca për Kulturë

Parashikimet amerikane mbi ardhmërinë e Jugosllavisë së pas Titos

Institucionet amerikane përfshirë edhe Shërbimin Sekret Amerikan përcillnin me vëmendje zhvillimin e ngjarjeve në RSFJ dhe përpilonin raporte dhe analiza mbi Jugosllavinë e pas Titos. Kështu në raportin mbi Jugosllavinë e pas Titos të përpiluar nga CIA më 13 tetor të vitit 1972, theksohej se problemet e këtij shteti në politikën e tij të balancimit ndërmjet lindjes dhe perëndimit, si dhe kundërthënieve dhe urrejtjeve etnike, do të vijnë më shumë në shprehje në periudhën e pas Titos

Gazeta amerikane “The Daily Herald” e 6 korrikut të vitit 1970, shkruante për përshtypjet e gazetarit amerikan nga vizita bërë Kosovës, e cila sipas tij, quhej “Shqipëria tjetër” dhe e cila po përjetonte një rilindje të vërtetë kulturore dhe politike. Ndonëse ky zhvillim i ngjarjeve, nuk u shkonte për shtat qarqeve serbe, Beogradi, njëherë për njëherë, nuk mund të bënte asgjë për të ndaluar ose së paku për të penguar këtë proces. Për më tepër, shqiptarët në Jugosllavi edhe pse të ndarë nga një kufi i hekurt me shtetin shqiptar, kishin filluar hapur të flisnin për kombin shqiptar dhe dëshirën e tyre për bashkim me Shqipërinë.

Shtresa intelektuale e “Shqipërisë tjetër”

Shtresa e re intelektuale e kësaj “Shqipërie tjetër” nuk fshihte admirimin për udhëheqësin e fuqishëm të Shqipërisë, Enver Hoxhën. Në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë, vërehej një interesim i madh i rinisë shqiptare për librat e shumtë të përkthyer në gjuhën shqipe. Gjithashtu rinia shqiptare dëgjonte muzikën perëndimore si, “The Beatles” ose Bob Dylanin, por gjithashtu edhe muzikën popullore shqiptare. Kosova në këtë kohë kishte marrë nga Shqipëria rreth 17.000 libra, disa nga të cilat, ishin të një cilësie të lartë artistike sikur që ishin veprat e shkrimtarit të njohur shqiptar, Ismail Kadare. Po kështu, kishin filluar të lejoheshin edhe vizitat e grupeve të ndryshme në Shqipëri, gjatë të cilave, personat e vjetër ishin të impresionuar nga ndryshimet e mëdha që kishte pësuar Shqipëria. Kurse gjenerata e re shqiptare nga Kosova, që kishte vizituar Shqipërinë, nuk ishte ndarë me shumë përshtypje të mira për kushtet e jetesës në shtetin amë. Ndërsa, në një artikull tjetër do të bëhej fjalë edhe për përpjekjet e Jugosllavisë për të investuar më shumë në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Udhëheqësia jugosllave theksonte se Kosova paraqet hapësirën bujqësore me densitetin më të madh të popullsisë në botë, si dhe një nga zonat më të prapambetura ekonomike në Federatën Jugosllave, ku dy e treta e popullsisë merret me bujqësi. Prandaj Lidhja e Komunistëve të Jugosllavisë kishte vendosur që zhvillimit ekonomik të Kosovës t’i jepet prioritet në planin ekonomik të Jugosllavisë për periudhën 1971-75. Jo zyrtarisht, flitej për një shumë të investimit prej 600 milionë dollarësh deri në vitin 1975, çka kishte sjellë jo pak kundërshtime nga njësitë e tjera të federatës jugosllave. Gjithashtu në këtë artikull theksohej se tensionet politike në Kosovë kishin rënë në shkurt të vitit 1969, atëherë kur udhëheqja partiake jugosllave vendosi kundër bërjes së Kosovës si Republikë e shtatë e federatës. Arsye e mospërkrahjes së kësaj kërkese të shqiptarëve ishte se kjo kinse do të shpinte në shpërbërjen e Jugosllavisë. Në të vërtetë, nëse Kosova do të bëhej republikë, ajo do të mund të shkëputej nga Jugosllavia duke u bashkuar me Shqipërinë, çka do të pasohej me shkëputjen e Sllovenisë dhe të Kroacisë. Ky do të ishte fundi i RSFJ.

Paralajmërimet e CIA-s

Gjithashtu, institucionet amerikane përfshirë edhe Shërbimin Sekret Amerikan (Central Intelligence Agency-CIA) përcillnin me vëmendje zhvillimin e ngjarjeve në RSFJ dhe përpilonin raporte dhe analiza mbi Jugosllavinë e pas Titos. Kështu në raportin mbi Jugosllavinë e pas Titos të përpiluar nga CIA më 13 tetor të vitit 1972, theksohej se problemet e këtij shteti në politikën e tij të balancimit ndërmjet lindjes dhe perëndimit, si dhe kundërthënieve dhe urrejtjeve etnike, do të vijnë më shumë në shprehje në periudhën e pas Titos. Sipas këtij raporti, kryetari Tito, në përpjekje për të siguruar funksionimin dhe mbijetesën e federatës jugosllave edhe pas tij, krijoi sistemin e udhëheqjes kolektive në parti, pra në LKJ, si dhe në institucionet shtetërore. Ky sistem politik i njohur si Vetëqeverisje, ishte një përzierje e liberalizmit perëndimor dhe komunizmit i kundërshtuar nga sovjetikët dhe konfuz për perëndimorët, por dhe i pakuptuar nga qytetarët e Jugosllavisë. I vetmi element unifikues i RSF të Jugosllavisë ishte ushtria, e cila edhe sipas këtij raporti ishte kërcënuar se do të ndërhynte në rast të shpërbërjes së federatës. Në përshkrimin e aftësive politike të Titos, shërbimi sekret amerikan theksonte aftësinë e tij që rreth vetes të përfshinte njerëz të aftë, profesionalisht të përgatitur. Në të vërtetë, Tito kishte vendosur sistemin kolektiv të udhëheqjes (sipas modelit të Zvicrës), si një formë kjo e parandalimit që një njësi federale të koncentrojë në duart të veta pushtetin qendror. Pra, ishte një përpjekje e drejtuar kundër tendencave hegjemoniste të RS të Serbisë. Një fushë tjetër problematike pas periudhës së Titos, sipas këtij raporti, ishin edhe dallimet ekonomike dhe sociale ndërmjet republikave veriore dhe perëndimore të zhvilluara me njësitë më pak të zhvilluar të jugut dhe të lindjes. Ndërsa, një fuqi botërore, e cila do të mundohet të përfitojë në periudhën pas Titos ishte BRSS, e cila shpresonte se do të rikthejë Federatën Jugosllave në përqafimin e socializmit ortodoks të BRSS. Moska mbështetej në faktin se problemet e brendshme ekonomike dhe rivaliteti etnik, do t’i mundësojë asaj që të gjejë mbështetës brenda strukturës shtetërore dhe partiake të Jugosllavisë së pas Titos. BRSS, ashtu si vendet perëndimore, shfrytëzonte rastin që si shkëmbim për kreditet e mëdha të anashkalonte organet federale, duke bërë marrëveshje të drejtpërdrejta me institucionet republikane dhe ato lokale. Sigurisht, vazhdonte raporti, disa vjet pas Titos, si rezultat edhe përzierjes nga jashtë, do të sjellë deri te koalicioni ndërmjet liderëve konservativë dhe ushtarakëve në përpjekjen për të rivendosur pushtetin qendror, me ç’rast mund të dalë në skenë edhe ndonjë lider, i cili do të mundohet t’u imponohet njësive të tjera federale.

Image
Prishtinë, 1972

SHBA-ja për një Jugosllavi të bashkuar dhe të decentralizuar

Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke pasur parasysh të gjitha këto zhvillime të mundshme pas Titos, do të përkrahnin një Jugosllavi të bashkuar dhe të decentralizuar, ngase çdo përkrahje për njësi të veçanta të federatës vetëm do të përforconte ndikimin e BRSS në Jugosllavinë e pas Titos.

Ndërsa në vitin 1977 Kosova kishte marrë 56 milionë dollarë kredi nga Banka Botërore, të cilat do t’i investonte në sistemin e ujitjes dhe të drenazhimit, me çka do të ndihmoheshin rreth 35.000 bujq të Kosovës. Se sa Jugosllavia ishte e rëndësishme për perëndimin tregonte fakti se Banka Botërore me seli në Washington, deri në vitin 1979, RSFJ-së i kishte huazuar rreth 12 miliardë dollarë. Bile në vitin 1979 Jugosllavia ishte huazuesi i pestë më i madh i Bankës Botërore. Pas vdekjes së J.B.Titos, më 1980, ekspertët perëndimorë dhe ata të Jugosllavisë, parashikonin se vështirësitë ekonomike mund të nxisnin procese politike të cilat do të destabilizonin federatën Jugosllave. Prandaj, sipas tyre, në rast të ndonjë krize të brendshme politike në Jugosllavi, nuk do të kishte rrezik të drejtpërdrejtë nga ndonjë invazion të BRSS-së, por më shumë të rritjes së ndikimit rus duke ndihmuar disa grupe të caktuara në Jugosllavi. Raporte me përmbajtje të njëjta i vinin udhëheqjes së Jugosllavisë edhe nga kryeqyteti sovjetik, në të cilat shprehej brengosja e BRSS-së lidhur me kërcënimet për kryengritje që kinse vinin kundër RSFJ-së nga ana e emigracionit jugosllav (flitej për rreth 50.000 persona të armatosur). Njëkohësisht, Todor Zhivkovi (udhëheqësi bullgar) gjatë takimit me Santiago Karillon (liderin e Partisë Komuniste të Spanjës), kishte deklaruar se ishte i drejtë çdo intervenim ushtarak që shërbente për të ruajtur sistemin socialist dhe se në rast të nevojës, duhet të ndihmohet Jugosllavia që edhe pas vdekjes së Titos, të mbetej vend socialist. Me fjalë të tjera, BRSS-ja shfrytëzonte edhe emigracionin djathtist kroat si presion për të mbajtur ose edhe për ta kthyer Jugosllavinë e pas Titos në kuadër të sistemit socialist të lindjes. Prandaj nuk habit fakti se në Londër, gjatë kongresit të Këshillit Kombëtar Kroat (Hrvatskog narodnog vijeća), pikëpamja dhe parulla që dominonte ishte: “Më mirë një Jugosllavi jo e unifikuar dhe e pushtuar nga Rusia, sesa një Jugosllavi e bashkuar dhe e mbështetur nga Amerika.” Kjo tezë e Këshillit Kombëtar Kroat mbështetej edhe me spekulimet se pas vdekjes së Titos, BRSS dhe SHBA, do të ndanin sferat e ndikimit në RSFJ. Sipas këtyre parashikimeve, Bashkimi Sovjetik do të vendoste zonën e vet të ndikimit në RS të Serbisë, RS të Malit të Zi dhe në RS të Maqedonisë, përderisa SHBA-ja ndikimin e saj do ta shtrinte në pjesën tjetër të Jugosllavisë. Sipas pikëpamjeve perëndimore, pas vdekjes së Titos, ata do të duhej të përkrahnin udhëheqësinë kolektive për të parandaluar shpërbërjen e Jugosllavisë dhe luftën qytetare. Shtetet e Bashkuara të Amerikës parashikonin se në periudhën pas Titos, institucionet e federatës jugosllave dhe sidomos Armata Popullore e Jugosllavisë do të intervenonin në rast të ndonjë përpjekjeje për shkëputje të Kroacisë ose të Kosovës. Në kushte të luftës qytetare, Armata Popullore e Jugosllavisë, do të kërkonte ndërhyrjen e BRSS.

Image
Prishtinë, 1974

“...nëse sulmohet Jugosllavia, Shqipëria do të hynte në luftë”

Në një skenar të tillë të ngjarjeve, SHBA-ja parashikonte se në rast se RPS e Shqipërisë do të rezistonte kundër intervenimit të mundshëm ushtarak të BRSS-së në Jugosllavi, atëherë amerikanët mund të merrnin parasysh të përkrahnin politikisht dhe me ndihma të kufizuara ushtarake bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Gjithashtu, edhe në skenarin kur BRSS do të sulmonte Jugosllavinë, pa e pasur si shkas luftën qytetare, pra kur Kosova do të vazhdonte të ishte pjesë e SFRJ-së, RPS e Shqipërisë nëse do të kërkonte mbështetjen dhe ndihmën ushtarake perëndimore kundër BRSS, përsëri SHBA-ja do t’ia ofronte. Njohuri mbi plane të tilla të BRSS-së kishte edhe shteti shqiptar, për të cilin u bë e qartë, se pushtimi i Jugosllavisë nga Pakti i Varshavës do të thoshte se këto forca ushtarake (disa nga njësitë speciale të këtyre vendeve mësonin edhe gjuhën shqipe) nuk do të ndaleshin pa sulmuar edhe RPS të Shqipërisë. Prandaj, Tirana zyrtare duke kuptuar se SHBA-ja dhe NATO-ja, në rast të agresionit të BRSS kundër RSF të Jugosllavisë ose RPS të Shqipërisë, nuk do të intervenonte hapur, por do të ofronte ndihmë ushtarake dhe ekonomike, deklaronte se nëse sulmohet Jugosllavia, Shqipëria do të hynte gjithashtu në luftë.

Qëndrimin e tillë dhe interesimin e NATO-s për Shqipërinë, në rast të hyrjes së BRSS në Jugosllavi, ia kishte konfirmuar ambasadorit jugosllav në Tiranë, Branko Komatinës edhe ambasadori italian. Prandaj pas prishjes së raporteve me Kinën, Shqipëria, ndonëse mbronte dhe propagandonte rrymën ideologjike të pastër komuniste, përsëri për nevoja të sigurisë ishte orientuar për mbështetje dhe lidhje më të forta me Francën kapitaliste, e cila vazhdonte të ishte një nga fuqitë nukleare dhe me ndikim në arenën ndërkombëtare.

Zgjidhja e problemit të Kosovës – mbijetesa e Federatës Jugosllave

Në raportin amerikan të vitit 1979 lidhur me problemin e Kosovës, do të theksohej se për mbijetesën e Jugosllavisë pos raporteve kroato-serbe, rëndësi do të kenë edhe raportet shqiptaro-serbe. Potencohej se udhëheqësi i Shqipërisë, Enver Hoxha, Kosovën e konsideronte vetëm përkohësisht pjesë të Jugosllavisë. Prandaj, pas Titos, shpërthimi konfliktit shqiptaro-serb, do të nxiste shpërthimin e konflikteve etnike në pjesë të tjera të federatës Jugosllave dhe në një mënyrë zgjidhja e problemit të Kosovës mund të ishte element kryesor për mbijetesën e Federatës Jugosllave. Po kështu, theksohej se nacionalizmi shqiptar, do të ballafaqohej me dy rryma: atë me ngjyrime islamiste, i orientuar nga vendet arabe, në të cilat shkollohet elita fetare myslimane shqiptare dhe rinia studentore që do të drejtohej për inspirim nga Tirana. Kurse BRSS kishte filluar të përzihet në Kosovë, pikësëpari me ndihmën e elementit serb në Kosovë, disa nga të cilët kishin krijuar Partine e re Komuniste të Jugosllavisë. Njëkohësisht me rastin e prishjes së Shqipërisë me Kinën më 1979, BRSS kishte filluar të shikonte mënyra për afrim me Shqipërinë, duke shfrytëzuar edhe Kosovën si mundësi.

Në anën tjetër, Enver Hoxha, duke u nisur nga qasjet pragmatike, ashtu si udhëheqësi i RSF të Jugosllavisë, J. B. Tito, në politikën e jashtme si objektiv kryesor kishte ruajtjen e pavarësisë së RPS të Shqipërisë, në rend të parë nga BRSS-ja dhe Pakti i Varshavës. Kurse në planin afatgjatë, shteti shqiptar dhe Enver Hoxha, llogarisnin se në periudhën e pas Titos, RSF e Jugosllavisë do të shpërbëhej dhe në atë rast, Kosova dhe vendbanimet e tjera shqiptare do t’i bashkoheshin shtetit amë. Ndërkohë, organizatat ilegale shqiptare, por edhe pjesë të elitës institucionale të Kosovës, ishin për krijimin e një republike shqiptare në kuadër të federatës jugosllave, ku të përfshiheshin në kuadër të Kosovës të gjitha vendbanimet shqiptare në RS të Serbisë, në RS të Malit të Zi dhe në RS të Maqedonisë. Ky ishte, së paku, edhe synimi dhe dëshira që prof. dr. Ymer Jaka, sekretar i arsimit, shkencës dhe kulturës së KSA të Kosovës i deklaroi Tefta Camit, ministres së Arsimit të RPS të Shqipërisë, me rastin e vizitës zyrtare në Tiranë të organizuar gjatë fundit të vitit 1979. Gjithashtu, Enver Hoxha, sidomos shprehte brengën, se në periudhën e pas Titos në Kosovë mund të vinte deri te trazirat qoftë si rezultat i vlerësimeve të gabuara të vetë shqiptarëve të Kosovës ose edhe të provokimeve serbe me qëllim që të nxisin urrejtjen e kombeve të tjera të Jugosllavisë kundër shqiptarëve. Kjo do të thotë se shteti shqiptar nuk ishte i interesuar për shpërbërjen e Jugosllavisë në rrethanat e një rreziku permanent sovjetik dhe në anën tjetër, që procesi i fillimit të dezintegrimit të brendshëm të Jugosllavisë si një domosdoshmëri e kohës, të mos fillojë në kurriz të shqiptarëve dhe të Kosovës.