Shtojca për Kulturë

Driton Selmani me “Screenshots of Now” vë në dyshim nocionin e së tashmes

Kuratorja e kësaj ekspozite, Ana Ivanović, ka theksuar se qasja e Driton Selmanit në art është e bazuar në një reagim instinktiv të tij ndaj mjedisit që si shkas ka një eksperiencë personale dhe veprat e tij në një mënyrë janë një proces i përpunimit të asaj përvoje. E tillë është edhe ekspozita “Screenshots of Now”, që merret me nocionin e së tashmes, diçka që artistin gjithmonë e ka preokupuar. “Një pyetje me të cilën unë luftoj, sepse aspiroj drejt kuptimit të saj, madje edhe gjetjes së një metode për ta paraqitur atë”, ka thënë Selmani

E shkuara dhe e ardhmja nuk janë vetëm dy entitete jashtë qenies njerëzore: e para e pandryshueshme dhe e dyta e papërcaktueshme. Por, edhe siguria që e kemi për të tashmen nuk mund të merret si e mirëqenë. Çfarë është e tashmja? Diçka që është e vërtetë apo një çështje që po vazhdon edhe tani? Janë këto pyetje që bëhen në mënyrë artistike nga artisti Driton Selmani nëpërmjet ekspozitës “Screenshots of Now”, që është hapur më 20 korrik.

Një zbërthim i nocionit të së tashmes merr shprehje edhe në veprën “Dial L for Luck” që paraqet një burrë të vizatuar në një qese plastike, mbi të cilin janë shkruar në mënyrë reverse, si në pasqyrë, fjalët “Lucky you” (I lumi ti). Kjo vepër është e ndërthurur në mënyrë organike edhe me veprën “Now, Now”, ku fjalët ndizen dhe fiken në cikël të pandalshëm Mesazhi që vjen është bukur domethënës: nga e ndriçuara vjen shikimi i së tashmes si lidhëz mes potencialit dhe veprimit.

Por, të realizosh a të mos realizosh një veprim është po ashtu një çështje për një shqyrtim serioz, sepse në fund secila sjell pasoja që në mënyrë indirekte reflektohen edhe te vepra “Howal” – një gur mermeri, mbi të cilin janë gdhendur me ngjyrë fjalitë: Sa më shumë poetë, aq më pak poezi. Sa më pak poezi, aq më shumë dramë. Sa më shumë dramë, aq më pak poetë. Por, ndonjëherë situatat e tilla bëjnë që të mendosh se për të kryer diçka a për të arritur në shumë, ke nevojë për më shumë duar, një reflektim që ngjall vepra “Hopes and Fears”- një xhaketë e zezë me katër duar. Por ndonjëherë përpjekjet nuk sjellin një efekt të dukshëm. Kjo lloj pasigurie, shprese, e ndjeshmërie vërehet edhe të veprat e tjera të artisti: “They say you can’t hold two watermelons in one hand”, “Teardrop”, “Homesick”, Lorem Ipsum” që mbesin të ekspozuara deri në fund të këtij muaji.

Artisti Driton Selmani ka thënë se “Screenshots of Now” vë në dyshim ato aspekte të së tashmes që e bëjnë bashkëkohësinë tonë tejet komplekse.

“Duke krijuar një lloj regjistrimi, një shënim mbi pozicionin tim brenda kornizës së parashikuar të bashkëkohësisë. Korniza e përmendur e bashkëkohësisë sonë, e orientuar drejt prodhimit, në të cilën ne qëndrojmë si punëtorë dhe/ose si konsumatorë, përcaktohet nga kushtet e rishpërndarjes së pabarabartë të pushtetit, të nxitur përfundimisht nga kapitalizmi global”, ka thënë ai. Sipas tij, në këtë kuptim, pozicioni i tij si akter. përmes kritikës dhe skepticizmit të imponuar nga një bashkëkohësi e tillë, kristalizohet si një shmangie e mundshme nga fenomenet e cekura më lart.

Ka treguar se nocioni “screenshot”, ose një lloj dokumentimi digjital i përmbajtjes në ekran, është përdorur në këtë kontekst si një metaforë për të ruajtur shpejt një moment në një shoqëri që është në lëvizje të vazhdueshme, e ngarkuar me prezantim dhe duke bërë gjithçka "tani dhe menjëherë ".

“Si pasojë, prodhohet një imazh interesant i koncepteve në dukje të kundërta, të cilat janë, në realitet, dy anë të së njëjtës monedhë. Ana e parë përmban fragmente të "së tashmes personale", duke filluar nga hapësira dhe përvoja më intime, personale si një pikënisje, ndërsa ana tjetër i vë të gjitha në dispozicion për publikun (online) - i njëjti publik që ka mundësinë të ndiejë dhe të përpiqet të kuptojë një moment të caktuar në të tashmen (e tyre)”, ka thënë ai në një përgjigje me shkrim për KOHËN.

Artisti 34-vjeçar ka thënë se fjala “NOW” (tani) është, deri diku, çorientuese në kuptimin që kurrë nuk mund të jemi të sigurt nëse përfaqëson diçka reale, nëse është një çështje aktuale, apo një interval kohor i papërcaktuar që mund të shpjegohet vetëm në një nivel metaforik, bazohet pjesërisht në karakterin e pakapshëm të vetë termit të tanishëm, i cili pengon çdo përpjekje për ta përcaktuar atë me saktësi.

“Sidoqoftë, edhe nëse e lëmë mënjanë nevojën për ta përcaktuar me saktësi, mbetet pyetja se si e kuptojmë, si shfaqet në përvojën tonë të përditshme, para se të bëhet objekt shqyrtimi dhe kritike teorike. Dhe së fundi, si e ndiejmë dhe përjetojmë atë në një nivel personal, duke pasur parasysh se ne jemi përbërësi i tij integral”, ka thënë ai.

Ka shtuar se pikërisht kjo është një pyetje që e ka preokupuar gjithmonë, dhe një pyetje me të cilën ai lufton, sepse aspiron drejt kuptimit të saj, madje edhe gjetjes së një metode për ta paraqitur atë.

Kuratorja e kësaj ekspozite, Ana Ivanović në tekstin e saj kuratorial ka shkruar se në ambientin e bashkëkohësisë, arti ka një karakter rrjedhës, dhe kështu arrin të jetë pjesë përbërëse e çdo aktiviteti dhe të vërë në dyshim çdo hap të mëtejshëm që ndodh në çdo hapësirë, qoftë virtuale apo reale.

“Në këtë kuptim, ai fut në mënyrë të padiskutueshme komunikimin në diskursin publik. Pyetja e vetme e mbetur është nëse prezanton komunikimin në një nivel kalimtar, ose nëse aspiron drejt bërjes së një ndryshimi me vetëdije të thellë se veprimet e tij në një kontekst të caktuar nuk ndikojnë vetëm në rrjedhën e tij të mëtejshme, por gjithashtu ndërtojnë atë që ngrihet nga një komunikim i tillë”, vazhdon tutje shkrimi i saj. Ka theksuar se qasja e Selmanit në art është e bazuar në një reagim instinktiv të tij ndaj mjedisit që si shkas ka një eksperiencë personale dhe veprat e tij në një mënyrë janë një proces i përpunimit të asaj përvoje.

Selmani ka përfunduar studimet master në artet bashkëkohore në “The Arts University Bournemouth” të Anglisë. Hulumtimi i tij artistik përshkruhet si një “nismë” eksperimentale e vazhdueshme, dhe ka një lidhje të ngushtë me kompleksitetin e ndodhur në identitetin e tij kulturor. Ai përdor një gamë të gjerë të burimeve personale, historike, sociale dhe politike, për të ndërtuar hapësira të reja të “dyshimit” si mjet për të shpalosur një gjuhë të ndjeshme dhe të drejtpërdrejtë.