6 prill 2001
Të gjithë ata që e dinë se ç’është burgu, e aq më tepër të gjithë ata që kanë lënë një pjesë të jetës së tyre nëpër burgje, do të befasohen me titullin e këtij shkrimi.
Mirëpo, pikërisht falë qëndrimit tim nëpër burgjet e gjata dhe të egra, arrita që të aftësohem për ta kuptuar jetën në terë kompleksitetin e saj. Falë burgjeve të mia të gjata arrita të kuptoja se jeta, krejt jeta, përbëhet nga paradokse të panumërta, të vogla e të mëdha. Dhe, për më tepër, jo vetëm që arrita t’i kuptoja paradokset më të mëdha dhe më të ashpra të jetës, por arrita edhe të pajtohesha dhe t’i pranoja këto paradokse si diçka fare normale dhe madje të domosdoshme për t’u ruajtur vetë thelbi i jetës.
Merreni me mend se çfarë do të ndodhte me jetën tonë, ose çfarë do të mbetej nga jeta jonë sikur ne, sipas dëshirës e dijes sonë të kufizuar, t’i eliminonim të gjitha ato gjëra e dukuri të cilat nuk na pëlqejnë në jetën tonë?
Nëse eliminojmë errësirën, kemi eliminuar vetvetiu edhe dritën; nëse eliminojmë të keqen, kemi eliminuar vetvetiu edhe të mirën; nëse eliminojmë jolirinë, vetvetiu kemi eliminuar edhe lirinë, nëse eliminojmë vdekjen, vetvetiu kemi eliminuar edhe jetën. Prandaj, kush e kupton se paradokset janë pjesë përbërëse dhe të pandashme të jetës, e kupton se ato nuk bën kurrsesi të preken. Ai që pajtohet me paradokset e ka më lehtë madje edhe t’i dojë paradokset ashtu si e do edhe vetë jetën.
Duket sikur paksa u larguam nga tema jonë, por jo, jemi mu në zemër të temës sonë. Burgjet, për mendjet e kufizuara, janë simbole të jolirisë, të jojetës, të vuajtjeve, të dëshpërimit dhe të skamjes.
Unë në burgjet e mia gjeta lirinë time të vërtetë, gjeta kuptimin e jetës sime, gjeta kënaqësinë time, gjeta lumturinë time dhe gjeta krejt pasurinë e botës.
Natën e parë të burgut, më 19 nëntor 1958, isha në dilemën më të madhe të jetës sime, isha mbi hejzën më dramatike në jetën time. Të shpëtoja trupin tim duke sakrifikuar shpirtin tim, apo të shpëtoja shpirtin tim duke sakrifikuar trupin tim. Të qëndroja këndej lirisë duke ruajtur trupin tim të përkohshëm, apo duke sakrifikuar trupin tim të përkohshëm të merrja anën e lirisë dhe të shpirtit të përjetshëm? Dilema ishte: Ta “shpëtoja” veten time për vetveten dhe t’i humbisja të tjerët, apo të sakrifikohesha për të tjerët dhe t’i fitoja të gjithë?
Për të “shpëtuar” ishte fare “lehtë”. Të pranoja para inspektorit se kisha gabuar; të betohesha se nuk do të veproja kurrë më kundër shtetit dhe si dëshmi për këtë, të bëhesha bashkëpunëtor i Sigurimit Serb.
“Nëse vepron kështu,” më tha inspektori Momçilo Çanoviq, “ atëherë ke për të pasur para sa të duash, ke për t’u bërë letrar i famshëm, ke për të arritur shumë lart dhe që në mëngjes po të lirojmë nga burgu.”
Falë gjinit hallall dhe edukatës së vërtetë të nënës Nazife, pata aq fuqi sa të luaja kokën në shenjë mohimi.
“Nuk do?! Refuzon mirësinë tonë?” ulëriu Çanoviqi. “Do të shohësh, pra, kush jemi ne!”
“Edhe ju do të shihni se kush jam unë”, mendova vetëmevete pa guxuar t’ia thosha Çanoviqit. Por, ai mendim imi i heshtur kishte qenë vendimi im më madhështor dhe më i bekuar në jetën time. E kisha dhënë provimin para vetes. Të tjerat erdhën vetvetiu.
Porsa më vërvitën brenda dhe e mbyllën derën me shul, qelia numër tetë e burgut të Prishtinës, nga një kthinë e ngushtë e errët dhe e ftohtë, sakaq u shndërrua në një hapësirë të pafund midis të cilës qëndronte një qiri i madh gjigandesk, i cili në majën e tij digjej flakë. Ai qiri isha unë dhe gjëja e parë që m’u kujtua ishin “FJALËT E QIRIRIT” të Naimit: “Në mes tuaj kam qëndruar, e jam duke përvëluar, që t’u ap pakëz dritë, natën t’ua bënj ditë… që t'u ndrinj mir' e të shihni, njëri-tjatërin të njihni…”
Sa më shumë që digjej qiriu, në vend se të zvogëlohej, ai rritej e bëhej më i madh dhe drita e tij shtynte më tutje errësirën! Sa më i madh që bëhej qiriu, aq më larg kumbonte zëri i tij.
Vendosmëria për t’u sakrifikuar për të tjerët është shkëputja më dramatike nga egoja dhe hapi i parë në fushën e panjohur, por gjithmonë të freskët, gjithherë tërheqëse, prore magjepsëse të lirisë.
Krejt burgu i parë, 19 nëntor 1958 – 18 nëntor 1961, më kaloi duke përjetuar veten si qiriun.
Në burgun e dytë, 8 qershor 1964 – 8 qershor 1974, në fushën e pafund të lirisë u dukën edhe shumë qirinj të tjerë. Ata jo vetëm që digjeshin flakë, jo vetëm që recitonin, por ata edhe këndonin këngën e Dedë Gjo` Lulit. Krejt burgu i dytë na kaloi duke kënduar këngën e Dedë Gjo` Lulit.
Gjatë burgut tim të tretë, 6 tetor 1975 – 21 prill 1990, shumë dasma u bënë në Dardani; shumë nuse u muarën dhe shumë krushq ranë në Dardani. Kësaj here, u këndua kënga: “Republikë, kushtetutë, ja me hatër, ja me luftë!” Pas kësaj, qirinjtë filluan të organizoheshin, qirinjtë filluan të marshonin, qirinjtë filluan të vepronin, derisa shkëputën lakun nga qafa e dardanëve.
Burgjet janë vendet ku lindin qirinjtë e pavdekshëm. Atje ku digjen qirinjtë e gjallë, atje lindet liria e pavdekshme.
Kjo sprovë letrare, e shkruar më 2001, është botuar si libër, “Burgjet e mia – Fati im i madh”, në 34 gjuhë të botës. Shoqata e të Burgosurve Politikë – me lejen e së cilës botohet ky shkrim – e promovoi atë më 26 korrik, pikërisht në trevjetorin e vdekjes së Adem Demaçit