Shtojca për Kulturë

Zef Toçi – piktor i poetikës sureale

Në kohën kur konceptualizmi ka filluar të aplikohet me të madhe në artin tonë pamor, ende gjenden krijues që ruajnë dhe kultivojnë me respekt e dashuri pikturën e kavaletit, e cila mbijetoi nëpër shekuj, deri në ditët e sotme. Pikturën e kavaletit e kultivon edhe piktori prizrenas, Zef Toçi (1941), i cili në artin figurativ kosovar është i pranishëm afro pesë dekada.

Si çdo krijues fillestar që nuk u shpëton dot ndikimeve shkollore, edhe Zef Toçi në fillim të krijimtarisë dukshëm u frymëzua nga profesorët, e veçanërisht nga Muslim MulIiqi dhe Gjelosh Gjokaj, ndaj të cilëve edhe tash ushqen respekt të posaçëm. Por, ai graduaIisht u vetëdijesua në atë masë sa të kujtojë se është e domosdoshme të nisë ta kërkojë identitetin e vet kreativ. Njëherësh kuptoi se i vetmi vokacion qe i fle fleksibilitetit të tij, piktural është surealizmi, i cili sipas Bretonit dhe ithtarëve të tij, duhet të funksionojë jashtë logjikës dhe artikulimeve ndijore. Pra, fjala është për një gjendje apo botë irracionale, e cila nuk i përfill dot ligjet e arsyes, ngase lind, evoluon dhe zhvillohet në habitusin ireal të qenies njerëzore, ku roli i imagjinatës është me rëndësi të dorës së parë. Dhe, mbi një botë të tillë ireale e somnambule, piktori ynë, Zef Toçi, vendos njeriun si qenie sublime, si ikonografi simbolike, mbi të cilën pothuaj përherë do të qëndrojë një ogurzi, apo shpata e Demokleut. Pra, në imazhet pikturale të Zef Toçit, qeniet njerëzore përbëjnë subjektin kryesor pa të cilin nuk mund të mendohet të thuash asnjë tablo të tij.

{gallery}

“Përcjellja e kohës”, Zef Toçi, 2007, vaj në pëlhurë, 140 me 100 centimetra; “Mallëngjimi prindëror”, Zef Toçi, vaj në pëhurë, 85 me 110 centimetra; “Intervenimi i Natos”, Zef Toçi, 2002, vaj në pëlhurë 144.5 me 100.5 centimetra; “Kulla”, Zef Toçi, 2005, vaj në pëlhurë 85 me 110 centimetra

Në të vërtetë, këto qenie ngjasojnë në njerëz, por njëkohësisht ngjasojnë edhe në krijesa limfatike dhe të ankthshme. Është ky ankth krijues, në të cilin piktori vazhdimisht ballafaqohet me sfidat e kohës: me të kaluarën e hidhur, me të sotmen e mjegullt, me të nesërmen e pasigurt dhe të panjohur.

Poetika mbireale e Zef Toçit është mjaft sugjestive dhe e pasur, mirëpo ajo pasurohet, kuptimësohet vijimisht përmes sistemit të shenjave apo simboleve, ndër të cilat, më së shpeshti haset pëllumbi. Bota e shpezëve, në veçanti pëllumbi, për piktorin tonë ka rëndësi të posaçme, sepse simbolizon rrugën sizifiane të njeriut tonë për sendërtimin e synimeve të tij shekullore. Dhe, ky simbol e përcjell njeriun nëpër katrahurat e kohës, para, gjatë dhe pas luftës. Krahas shpezëve, paraqiten edhe vezët, prania e të cilave simbolizon shtimin biologjik të qenies sonë, që ishte halë në sy për ata që atë ëndërronin ta rrudhnin, ta gjymtonin, ta asgjësonin me masa anticivilizuese e me dekrete shtetërore.

Në botën pikturale të Zef Toçit, sistemi i shenjave dhe i simboleve është i shumëllojshëm. Aty gjendet edhe dryni, që sugjeron diçka të kobshme. Kjo mund të jetë Arka e Pandorës, në të cilën janë ndryrë e lidhur me zinxhirë të gjitha të këqijat e kësaj bote, mund të jetë edhe ndonjë sekret apo dëshmi e mbyllur kohe. Dhe krejt ky arsenal shenjash e simbolesh kontribuon që më qartë të kuptohet mendimi artistik i piktorit, të kuptohen anët dhe preokupimet e tij estetike dhe tematike.

Në procesin krijues, piktori Zef Toçi aplikon spektër të tërë nuancash e modulucionesh koloristike, e të ngrohta dhe disa sosh të metalta, të ftohta, anemike, pikërisht të tilla siç di të jetë jeta, në momente dhe rrethana të caktuara. Sipas këtij prizrenasi e nipi të Mjedajve të njohur për artin e filigranisë, prania e strukturës së metaltë në pikturën e tij është e natyrshme ngase rrjedh pikërisht nga filigrania që në Prizrenin e lashtë u kultivua brez pas brezi. Piktori Zef Toçi, vazhdimisht rendi pas zërit të intuitës së tij kreative, për ta gjetur fjalorin adekuat të shprehjes dhe të kohës. Në këtë rrugëtim gjysmëshekullor, krijoi përvojë të madhe krijuese, të cilën e rrezikon, por nuk e prish dot forma që ndonjëherë lëngon nga skematizmi e as fabula që, në raste të rralla, rrëshqet në narracion. Në këtë mënyrë, Zef Toçi krijoi modelin e pikturës së vet koherente në formë dhe përmbajtje, duke u dëshmuar më në fund si piktor i formuar i poetikës sureale ndër ne.

Ky tekst i Mustafa Ferizit (1941 – 2011) është botuar në katalogun e ekspozitës personale të Zef Toçit (15 shtator 1941 – 27 korrik 2021) e hapur në Galerinë Kombëtare të Kosovës në qershorin e 2010-s