Shtojca për Kulturë

FBI-ja në gjurmë të artit fals

Descriptive Text

Byroja Federale e Hetimit ka bërë të ditur se ka arrestuar një 49-vjeçar me emrin Angel Pereda, i cili dyshohet se ishte përpjekur të shiste vepra të falsifikuara arti e për të cilat kishte thënë se janë në autorësi të Jean-Michel Basquiat dhe Keith Haring. Sipas komunikatës për media, Pereda, i cili është nga Meksika, kishte kërkuar miliona dollarë për veprat.

Ne mesin e tyre ishin dy piktura të bëra në stilin e motiveve nënshkruese të Haring, duke përfshirë qentë e tij që lehin dhe përbindëshin me tre sy, si dhe një vazo të veshur me imazhe të ngjashme që Pereda thoshte se ishin gjithashtu nga artisti.

FBI-ja akuzoi Peredan për përpjekjen për të shitur një pikturë të Basquiat, që ai e quajti “Glory Boys Kingdom”. Dyshohet se e ofroi atë me një çmim prej 6 milionë dollarësh për një person, emri i të cilit nuk është bërë i ditur, por që jetonte në New York dhe punonte me FBI-në. Kur ky person i ka thënë Peredës që piktura ishte e rreme, Pereda u tha atyre se do ta realizonte atë që në akuzë është thënë se ai e quante: “një origjinal të ri fiktiv”.

Është cituar edhe ankesa e një punonjësi të shtëpisë së ankandeve që ishte kontaktuar nga Pereda në lidhje me veprat e rrejshme. Fondacioni “Keith Haring” ka konfirmuar se veprat ishin false.

Pikturat nga Basquiat dhe Haring marrin vazhdimisht miliona dollarë në ankande. Ato kërkohen nga koleksionistët dhe konsiderohen shumë të vlefshme për tregtarët.

William F. Sweeney, Jr, ndihmës drejtori i FBI-së, ka thënë në një deklaratë: “Siç pretendojmë, z. Pereda i lidhi blerësit e artit, duke shpresuar se viktimat e tij nuk do të shihnin ndryshimin midis artit të vërtetë dhe një falsifikimi. Ai e përdori besimin e tyre në avantazhin e tij duke kaluar vepra pa vlerë si vepra arti të paçmuara. Shpresojmë se ky rast do të jetë një mësim për të tjerët që shpresojnë të bëjnë një sjellje të ngjashme”.

Marrë nga “ArtNews”