Shtojca për Kulturë

Monografi për kolosin e Pazarit të Ri

Ismet Azizi, “Aqif Blyta: kolosi i Pazarit të Ri”, botoi “Logos-A”, Shkup-Prishtinë-Tiranë, 2019

Botimi i një libri paraqet moment të veçantë për autorin dhe mjedisin përkatës, por kur për objekt hulumtimi kemi personalitete, ngjarje e mjedise të veçanta gjeografike, atëherë libri i tillë i tejkalon përmasat personale dhe nxit kureshtjen e lexuesit.

Në tërë hapësirën etnogjeografike shqiptare nga përfundimi i Luftës së Dytë e Botërore deri në vitin 1990 me dështimin e socializmit si sistem shoqëror dhe komunizmit si ideologji në lidhje me hulumtimet shkencore dhe shoqërore ka pasur pengesa të ndryshme subjektive. Ishte kjo koha e monizmit ku çdo gjë vlerësohej sipas drejtimit ideologjik e jo realitetit e faktografisë shkencore. Por, në rrethe të reja shoqërore, pas vitit 1990 studiues dhe individë të pasionuar kanë filluar të hulumtojnë dhe të publikojnë botime të profileve të ndryshme shkencore, kulturore e publicistike.

Opinioni i gjerë është i njohur se shqiptarët që mbetën jashtë Shqipërisë politike të vitit 1913, ndonëse ishin në trojet e tyre autoktone, përjetuan politikën asimiluese dhe të spastrimit etnik, që realizohej në praktikë sipas projektit serbomadh të Naçertanijës (1844). Duke marrë parasysh shpërndarjen territoriale, nuk ka dilemë se në pozitë me pavolitshme ishin shqiptarët në mjediset periferike, duke u kërcënuar vazhdimisht nga pushteti serb i kohës.

Në këtë aspekt, rast të veçantë paraqesin shqiptarët e regjionit të Sanxhakut, çështje e cila ka kohë që është preokupim personal e profesional i pedagogut e studiuesit I. Azizi, i cili në sajë të angazhimit e hulumtimit disavjeçar, ka botuar librin “Aqif Blyta; kolosi i Pazarit të Ri”, “Logos-A”, Shkup-Prishtinë-Tiranë, 2019. Kemi të bëjmë me libër monografik për një mjedis të veçantë dhe të panjohur sa duhet nga opinioni i gjerë, që përfshin kryesisht periudhën nga fillimi i shekullit XX e deri me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore.

Libri ndahet në disa kapituj duke ofruar fillimisht të dhëna për regjionin e Sanxhakut e vazhduar më pas me personalitetin e Aqif Blytës, në lidhje me jetën e veprimtarinë e tij, shkollimin, veprimtarinë në Izmir (Turqi), kthimin në vendlindje dhe përfshirjen e tij në politikë, rolin e tij në themelimin dhe veprimtarinë në Xhemijet (Bashkimi), aktivitetin e tij parlamentar, angazhimin në pengimin e shpërnguljes së shqiptarëve, si dhe në rrjedhat politike pas shuarjes së Xhemijetit, okupimin e Kosovës dhe Sanxhakut në Luftën e Dytë Botërore dhe ndarjen e tyre në zona okupimi, organizimin e pushtetit për mbrojtjen e Sanxhakut nga sulmet e çetnikëve, pastaj veprimtarinë e tij në Lidhjen e Dytë të Prizrenit si dhe më pas në NDSH, dhe së fundmi hyrjen e komunistëve dhe vendosjen e pushtetit të tyre në Pazar të Ri dhe ekzekutimin e tij nga ana e tyre.

Nuk ka dilemë së Aqif Blyta ishte intelektual me vlera të mëdha politike e diplomatike, në shërbim të popullit dhe çështjes kombëtare, duke mbetur simboli i shpëtimit të Pazarit të Ri nga pushtimi i çetnikëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në këtë aspekt, ai ka pasur ndihmën vëllazërore të kosovarëve në krye me Shaban Polluzhën dhe bashkëluftëtarët e tij, duke dëshmuar organizim dhe sakrificë në mbrojtje të kauzës kombëtare.

Ndonëse në rrethana të vështira, A. Blyta mbeti politikani më m ndikim në Pazarin e Ri dhe rrethinën e tij, sidomos në mesin e popullsisë boshnjake, simbol i rezistencës kundër pushtetit serb të kohës për barazi kombëtare e shoqërore. Kemi të bëjmë me kohën kur shqiptarëve pushteti iu mohonte të drejtat kombëtare, duke dëshmuar hipokrizi sepse pjesëtarëve të popujve tjerë jo sllavë (gjermanët, hungarezët, italianët) u lejoheshin të drejtat kombëtare.

Në saje të veprimtarisë dhe sakrificave në mbrojtje të popullsisë së Sanxhakut, A. Blyta, duhet të zërë vendin e merituar në historinë e boshnjakëve dhe të shqiptarëve, në historinë e Kosovës dhe të Shqipërisë, andaj duhet të jetë pjesë e teksteve shkollore. Sepse pakkush e di se në Pazar të Ri ka funksionuar shkolla shqipe “Naim Frashëri” (1941-1944) si dëshmi e identitetit kombëtar të këtij qyteti. Një lëshim i tillë në të kaluarën, është dashur të eliminohet tash në pluralizëm, sepse çështjet nuk duhet të trajtohen me qasje ideologjike si në kohën e monizmit (1945-1990), por me argumente e faktografi shkencore në kontekstin e kohës.

Në lidhje me çështjet përkatëse, autori ofron të dhëna me interes duke u bazuar në literaturë dhe dokumente arkivore të cilat prezantojnë rrethanat shoqërore e politike të kohës, nga del se pjesëtarët e popullit boshnjak e shqiptarë janë përballuar për të mbijetuar. Dhe nuk ka si të ishte ndryshe sepse ka ekzistuar aleancë në mes çetnikeve dhe njësiteve partizane kur në pyetje ishte popullata vendore boshnjake e shqiptare e cila ishte pengesë në realizimin e strategjisë së spastrimit etnik në këtë regjion. Edhe ndarja e Sanxhakut në dy pjesë në mes Malit të Zi dhe Serbisë, me të përfunduar Lufta e Dytë Botërore jashtë vullnetit të popullsisë vendore, dëshmon politikën shtetërore hegjemoniste kundër këtij regjioni me pozitë gjeostrategjike.

Duke lexuar këtë libër del qartë se Aqif Blyta mbetet një model i rrallë i përpjekjeve dhe i luftës së pareshtur të popullit të Sanxhakut në betejat e shumta për të frenuar aspiratat e Serbisë e Malit të Zi në zbatimin e programeve të ndryshme për spastrim etnik dhe dalje në det përmes regjionit të Sanxhakut. Dhe një gjendje e tillë kulmoi sidomos në kohën kur Sanxhaku lindor, me rastin e ardhjes së gjermanëve (1941) mbeti pjesë e Serbisë. Por, Aqif Blyta, duke qenë tash lider i vërtetë mori përsipër që t'u prijë proceseve duke marrë situatën në duar të veta duke mbrojtur popullatën, e cila rrezikohej nga forcat çetnike, të cilat në programin e tyre kishin spastrimin e Sanxhakut nga elementi joserb, si synim i tyre politik e strategjik.

Këtë libër e vlerësoj si homazh për A. Blytën dhe të gjithë të martirizuarit në Pazarin e Ri, të cilët luftuan për liri e barazi kombëtare, si të gjithë popujt e qytetëruar. Por, në rrethana të reja me rastin e instalimit të ideologjisë komuniste, të gjithë ata që nuk ishin sipas përceptimit të tyre ishin armiq potencialë dhe si të tillë të rrezikshëm për pushtetin e ri. Andaj, duke jetuar në një mjedis, ku dominonin paragjykimet ndaj pjesëtarëve të popujve të tjerë, në aspektin kombëtar, gjuhësor e fetar, ndëshkimi ka qenë i paevitueshëm. Në këtë aspekt, boshnjakët shqiptarët në Pazarin e Ri e përjetuan me së shumti se të tjerët, sepse pushtetarët e rinj ideologjikë, kishin mision që të eliminojnë kundërshtarët e tyre fetarë e kombëtarë.

Botimin e këtij libri e vlerësojmë si mundësi praktike të njohjes së rrethanave politike e shoqërore të kohës, në Sanxhak, në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. Kemi të bëjmë me rolin dhe kontributin Aqif Blytës, aktivitetin e tij shoqëror dhe patriotik në kuadër të Xhemijetit, me mision në avancimin e çështjes shqiptare, të mbrojtjes së Sanxhakut dhe të trojeve të tjera shqiptare në përgjithësi.

Libri “Aqif Blyta, kolosi i Pazarit të Ri” është i mirëseardhur jo vetëm për studiuesit, por edhe për të gjithë të interesuarit për ngjarjet e personalitetet historike, të këtij regjioni dhe më gjerë. Duke e lexuar këtë libër, lexuesit i ofrohet një mundësi e cila më herët i ka munguar që të njoftohet më në detaje për të kaluarën historike të regjionit të Sanxhakut (sidomos të pjesës jug-lindore) dhe të luftës për mbijetesë të popullsisë boshnjake dhe shqiptare. Nga ana tjetër, dokumentohet politika asimiluese e pushtetit serb nga viti 1912 e deri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. Dhe një qasje e tillë nuk përfundoi, por vazhdoi edhe më pas ku në forma të modifikuara është edhe në ditët tona, sepse Serbia mbetet faktori destabilizues numër një në Evropën Juglindore. Edhe kontestimi i A. Blytës nga politika ditore dhe pushteti serb është pjesë e paragjykimeve kundër shqiptarëve e boshnjakëve dhe urrejtjes patologjike kundër joserbëve në këtë mjedis.

Nga përmbajtja dhe trajtimi i lëndës u mbetet lexuesve të analizojnë dhe të konkludojnë se sa vështirë ka qenë të përballohen rrethanat shoqërore e politike të kohës në regjionin e Sanxhakut, pa anashkaluar Kosovën dhe Maqedoninë, ku ka dominuar popullsia shqiptare. Ishte pikërisht kjo popullsi në aspektin fetar dhe kombëtar, që dallohej nga ajo ortodokse duke qenë sindromë për pushtetin serb dhe qëllimet e tyre hegjemoniste.

Kur bëhet fjalë për shqiptarët në aspektin historik dhe atë gjeopolitik në Siujdhesën Ilirike, librin në fjalë nuk duhet trajtuar si të izoluar, por si pjesë integrale të çështjes shqiptare në përgjithësi, e cila duhet të jetë preokupim i studiuesve shqiptarë tash dhe në të ardhmen.

Nuk ka dilemë se autori u ka ofruar lexuesve një botim me vlerë, për këtë personalitet historik duke pasuruar fondin e botimeve nga gjeografia historike e hapësirës etnogjeografike shqiptare.