Shtojca për Kulturë

Kryeqyteti i kafesë

Kur në vitin 1719 perandori austriak Karli VI e shpalli Triesten port të lirë tregtar, ai ndoshta nuk e dinte se kishte marrë vendim për themelimin e një kulture të re në Evropë: kulturën e kafesë...

Ditari i Adriatikut: Në Trieste shijimi i kafesë është shndërruar qëmoti në kult. Dhe ky kult kremtohet çdo ditë

 

Ditari i Adriatikut: Në Trieste shijimi i kafesë është shndërruar qëmoti në kult. Dhe ky kult kremtohet çdo ditë

Të porositësh një kafe në viset shqiptare në Ballkan është punë e thjeshtë. “Makiato të madhe”, “makiato të vogël”, “espresso” (disa i thonë “ekspres”). Të porositësh një kafe në Trieste është ceremoni dhe sfidë gjuhësore. Nero quhet espressoja klasike në filxhan të vogël, Nero in B (espresso në gotë qelqi. B sugjeron fjalën “bicchiere”, qelq), Deca (pa kafeinë, në filxhan), Deca in B (pa kafeinë, në gotë qelqi), Capo (expresso me qumësht), Capo Deca dhe Capo Deca in B.

Për kokë banori, triestinët pinë 10 kilogramë kafe në vit – dyfish më shumë se banorët e tjerë të Italisë. Ka një arsye për këtë: përmes portit të Triestes importohet sasia më e madhe e kafesë, 2 deri në 2,5 milionë thasë në vit. “Molo VII” quhet pjesa e portit ku arrijnë anijet me kontejnerë të mbushur me kafe – nga Brazili, Vietnami, Indonezia, Kolumbia, India. Triestinët relativisht herët kanë rënë në kontakt me kafenë, janë kujdesuar që me këtë bimë të bëjnë jo vetëm tregti, por edhe të krijojnë një stil të jetës në të cilin kafeja ka funksion social, një lloj benzine që e gjallëron trupin e njeriut pas disa orëve gjumë dhe kështu ndikon që kafehanet të shndërrohen në tribuna debati.