Në njëmujorin e vdekjes së kompozitorit, prof. Fahri Beqiri
Rikthimi në muzikën e shkruar artistike, nderim ndaj meritorëve
Në pothuajse tetë dekada të muzikës artistike në Kosovë, krijuesit e saj, kompozitorët, kanë dëshmuar karrierë të pasur muzikore. Por, sa kemi arritur të bëjmë ne në raport me vlerësimin e tyre. Dhe jo, këtu nuk po mendoj për futjen e krijimeve në kuadër të programeve të institucioneve të larta performuese në vend dhe kjo në masë të madhe e realizuar në përvjetorë e manifestime të ngjashme, dhe as me ndarjen e shpërblimeve të pakta për karrierë e krijimtari të cilat sot ne i posedojmë. Ne, si komunitet, si hulumtues e bartës të aktiviteteve muzikore do të duhej të gjenim një formë për të manifestuar punën e tyre, në veçanti derisa ata frymojnë së bashku me ne, me anë të muzikës të cilën ata e krijojnë.
Jo më pak një temë e tillë sot shtjellohet nga kritikë në mbarë botën. Si do të ishte mënyra më e vlefshme për t’i nderuar kompozitorët? A do të ishte më e lehtë të krijohej hapësira për performancat e drejtpërdrejta e të vazhdueshme të krijimtarisë së tyre, publikimi dhe regjistrimi i saj apo edhe shfaqja e kësaj krijimtarie në kuadër të aktiviteteve të ngjashme në botë si rezultat i shumë memorandumeve bashkëpunuese të cilat sot personalitetet përfaqësuese kulturore lidhin mes vete. Dhe po, tashmë e dimë që në një shtet relativisht të ri në muzikën profesionale me tërë problematikat të cilat e shoqërojnë atë, nuk është e lehtë të arrihet diçka e tillë, megjithatë është koha e fundit që ne detyrimisht të rimendojmë dhe rishikojmë trashëgiminë e kompozitorëve, të hulumtojmë e thellohemi sepse mund të ketë diçka të re në muzikën e shkruar kohë më parë.
Aktualisht jemi në vitin e dytë pandemik, i cili me tërë të panjohurat që po e shoqërojnë si duket nuk arriti t’i ndalojë festat madhore të planifikuara vite me radhë nga organizatat botërore të muzikës klasike. Vitin e kaluar kishim 250-vjetorin e kompozitorit botëror, Ludwig van Beethoven, krijimtaria e të cilit u programua nga institucionet përkatëse pothuajse në tërë botën e paralelisht edhe manifestime të tjera, të cilat tashmë i kishin shpallur “luftë” pandemisë duke u kthyer në formën virtuale si mjet i mundshëm për ruajtjen e komunikimit me publikun.
Sfida të tilla padyshim që na prekën edhe ne, edhe komunitetin artistik në Kosovë, por nga ato më të mëdha ishte humbja e disa nga personaliteteve më të njohura në vend, kontribuues të drejtpërdrejtë të trashëgimisë shpirtërore e profesionale te ne. Së fundmi humbëm njërin nga emrat më të nderuar të skenës krijuese e performuese vendore, prof. Fahri Beqirin. E humbëm në një situatë, e cila nuk na la ta nderojmë ashtu siç do të donim. Dhe pikërisht kjo më bëri të reflektoj shumë. Në një situatë tjetër a do të arrinim t’i nderonim meritorët?
Ndarje të tilla i gjejmë si lajm e rrallëherë edhe në diskutime publike. Fatkeqësisht, nga ato diskutimet më të shpeshta i hasim në tavolina kafenesh ku temë qendrore padyshim nuk janë vepra dhe kontributi në shoqëri, jo sepse këtë pjesë e njohim pak apo fare. Ka edhe momente ironike në këtë mes, kur shpesh shokët, bashkudhëtarët e personaliteteve na e shfaqin një dashuri e respekt të pamatur në raport me ta, “çuditërisht” të pashfaqur më parë.
Dikur ishin përvjetorët e lindjes mënyra më e qartë për institucionet të programojnë krijimtarinë e kompozitorëve e sidomos kur bëhet fjalë për gjeneratat e para të kompozitorëve shqiptarë të Kosovës, të cilët janë jo pak të njohur. Kështu ne dëgjuam për Lorenc Antonin, Rexho Mulliqin, Esat Rizvanollin e Mark Kaçinarin, i nderuam në ato ditë dhe çdo gjë përfundoi deri në arritjen e numrit të “rrumbullakët”, i cili do të na risillte copëza krijimtarie.
Një çështje tjetër, të cilën do të duhej ta diskutonim, është edhe prezantimi i vazhdueshëm i krijimtarisë së tyre pa justifikime shtesë dhe jo domosdoshmërisht në ditë e data specifike.
Si muzikologe, hulumtuese e promovuese e muzikës artistike me fokus të veçantë të asaj kosovare, ndër vite kam arritur të evidentoj kompozitorë, pedagogë, të cilët potencialin dhe veprimtarinë e tyre artistike e shtrinë përtej tingujve muzikorë. I tillë ishte edhe profesor Fahri Beqiri, fillimisht një njeri human, shumë i dashur, karizmatik jo me pak kërkesa në punë. Prezenca e tij hapte shumë tema diskutimi dhe e njëjta ndodh edhe sot, edhe atëherë kur do të duhej të përqendroheshim te humbja e tij. Një pedagog me gjuhë të thjeshtë komunikuese, një zotëri plot sharm. Një transmetues e tregues i pashoq e plot humor i ngjarjeve ndoshta edhe jo pak të vështira nga jeta e tij. Shoqëria kosovare e humbi edhe një personalitet, i cili nuk i mungoi kurrë skenës dhe jo domosdo me krijimtarinë e tij. Ishte njëri nga auditorët më aktivë, mbështetës e motivues. I donte njerëzit e tij, e donte komunitetin, rininë, studentët. Nuk jemi të paktë, ata të cilët sot jemi në këtë profesion si rezultat që patëm rastin ta takonim e njiheshim me të si fëmijë.
Kompozitorët e muzikës artistike në Kosovë: ndarja historike sipas muzikologjisë kosovare
Për të kuptuar si duhet veprimtarinë kompozicionale të kompozitorit Fahri Beqiri, gjykoj se është e nevojshme të jap një vështrim të shkurtër mbi ndikimin e rrethanave shoqërore dhe politike në formimin e tij të përgjithshëm artistik, rrethana këto të cilat ndikuan në zhvillimin e përgjithshëm kulturor në vend. Ishin pikërisht këto rrethana, të cilat çuan edhe në vonesat e shfaqjes dhe të zhvillimit të muzikës artistike në Kosovë, e cila rrugëtimin e saj e fillon pas Luftës së Dytë Botërore (1945). Para kësaj lufte, as në Kosovë e as në pjesë të tjera të ish-Jugosllavisë të banuara me shqiptarë, si dhe në Shqipëri, nuk ekzistonin institucione profesionale muzikore.
Fundi i Luftës së Dytë Botërore dëshmoi instalimin e regjimit komunist në ish-Jugosllavi dhe imponimin e realizmit socialist në muzikë. Megjithëse kjo periudhë zgjati vetëm disa vjet, ndikimi i dëmeve të shkaktuara zgjati shumë më gjatë. Periudha pas Luftës së Dytë Botërore ishte një kohë kur u krijuan disa nga kushtet themelore për shfaqjen dhe zhvillimin e jetës së muzikës artistike në Kosovë, megjithëse mungesa e institucioneve arsimore po rëndonte edhe më tepër situatën.
Pikërisht krijimi i institucioneve të para të muzikës artistike (shkolla e muzikës në Prizren më 1948) mundësoi zhvillimin gradual të muzikantëve profesionistë, shumica e të cilëve, për shkak të mosekzistencës së një institucioni të tillë në Kosovë, do të jenë të detyruar t’i vazhdojnë studimet e mëvonshme muzikore në qytete të tjera të ish-Jugosllavisë, si Beogradi, Zagrebi dhe Sarajeva, ku Beogradi ishte më i madhi (nën pushtetin e të cilit ishin të gjitha shtetet e tjera jugosllave). Duke u kthyer në qytetin e tyre të lindjes nga qytetet e lartpërmendura ish-jugosllave, kompozitorët, si Fahri Beqiri, Esat Rizvanolli, Rafet Rudi, Zeqirja Ballata, Rauf Dhomi, sollën dhe praktikuan rregulla harmonike dhe polifonike, forma vokale, instrumentale dhe vokale-instrumentale zhanret dhe strukturat, mjetet shprehëse karakteristike për vendet ku ata u shkolluan. Sidoqoftë, shumica vendosën që krijimtaria e tyre në një masë të madhe të bazohej në elemente të muzikës popullore. Përdorimi i muzikës popullore karakterizonte shkollën kompozuese në tërë ish-Jugosllavinë. Kjo metodë u aktualizua si tërheqje drejt thjeshtimit dhe mbajtjes vetëm të një niveli sipërfaqësor. Sidoqoftë, duke filluar nga mesi i viteve 1950, u krijuan një numër veprash me vlera të qëndrueshme që përdorën elemente të muzikës popullore dhe kishtare me shumë reflektim.
Kompozitorët profesionistë kosovarë si pjesë e ish-Jugosllavisë së shekullit 20, përpara të ashtuquajturit komunitet muzikor evropian filluan të shfaqin mjeshtërinë e tyre krijuese dhe individualitetin krijues, këto të fundit u përçuan përmes prezantimit tek elementet popullore si shenja të një identiteti specifik. Më vonë, krahasuar me shtetet e tjera të Jugosllavisë, Kosova e ndikuar nga rrethanat politike shpesh të vështira dhe të papritura mbeti shumë larg, dhe jo vetëm në kulturë, por fatkeqësisht e pësoi e gjithë shoqëria. Kosova u dëmtua seriozisht nga luftërat e njëpasnjëshme, duke përfshirë edhe atë të fundit më 1999.
Megjithatë, me tërë tragjiken e cila e përcillte shoqërinë tonë ndër vite, Kosova edhe pas dhjetëvjetëshit të dezertimit të jetës kulturore publike (1990-99), nëpërmjet kompozitorëve, arriti të themelojë një fond të konsiderueshëm të veprave të formave dhe zhanreve të ndryshme të muzikës. Por edhe pas çlirimit e shpalljes së pavarësisë, e cila padyshim do të duhej të motivonte e të pritej me më shumë optimizëm nga tërë komuniteti, shumë shpejt ne do të prekemi me një rënie graduale në numër të kompozitorëve, e cila na dërgon te dy çështje të cilat edhe mund t’i parashtrojmë vetes si pyetje:
• rënia e numrit të kompozitorëve ishte rezultati i teknikave moderne, të cilat kërkoheshin në të gjithë botën, dhe për kompozitorët tanë kjo ishte akoma vetëm një temë që gjen qarkullim në Evropë dhe më gjerë, padyshim jo te të gjithë, kjo dhe mund të dëshmohet me opusin e tyre ose
• përsëri rrethanat dhe vendi i pafat për një periudhë të gjatë kohore nuk premton një jetë të arsyeshme socio-ekonomike, e lëre më të mendosh për artin, duke rezultuar në zvogëlimin e motivimit për kompozitorët për një qasje të tillë, për zgjerimin e krijimtarisë së tyre;
Megjithatë, ata të cilët u mbijetuan rrethanave dhe ndryshimeve sociale e artistike sot paraqesin figurat më të vlerësuara te ne, ndër ta edhe profesor Fahri Beqiri të cilin në njëmujorin e largimit nga jeta fizike vendosëm ta rikthejmë në disa rreshta.
Muzikologjia kosovare, respektivisht muzikologu i njohur prof. Engjëll Berisha, zhvillimin e muzikës artistike kosovare, por edhe të shkollës kompozuese e ndan në tri gjenerata. Ndarja e shkollës kompozuese nuk bazohet në karakteristikat stilistike dhe mënyrat e shprehjes muzikore te kompozitorët shqiptarë, por bazuar në moshën e tyre. Në këtë ndarje padyshim e gjejmë edhe figurën më të respektuar nga komuniteti kulturor në vend, prof. Fahri Beqiri, i cili së bashku me kompozitorin Esat Rizvanolli, përfaqësojnë kompozitorët e parë profesionistë në Kosovë.
Fahri Beqiri – të dhëna biografike, arsimimi dhe stili krijues
Fahri Beqiri formimin e tij profesional e realizoi në kohën e të ashtuquajturës Jugosllavia e Dytë (1963-1991), pjesë e së cilës ishte edhe Kosova, e cila konsiderohej si periudha më e mirë për zhvillimin e muzikës në përgjithësi dhe pati një ndikim të madh edhe në zhvillimin e skenës më të gjerë të muzikës artistike, padyshim edhe në lidhje me Kosovën. Sidoqoftë, prezantimi i aspektit tradicional pra, lokal-kombëtar në kuadër të krijimtarisë së kompozitorëve shqiptarë nuk u lejua, gjithnjë bazuar në politikat e kohës, të cilët i dhanë asaj kuptim politik. Megjithatë, në krijimtarinë profesionale kompozitorët e Kosovës përfshirë edhe Fahri Beqirin ishin të lirë të zgjidhnin teknikën dhe stilin kompozues/krijues. Krijimtaria e profesor Beqirit u ndikua nga vendet e tjera që ishin pjesë e ish-Jugosllavisë. Kjo zgjati deri në vitin 1990, kur çdo aktivitet muzikor i shqiptarëve në Kosovë u ndalua.
Fahri Beqiri, krahas punës së suksesshme krijuese me vlera artistike të ngritura e të qëndrueshme në kohë, shquhet për aktivizmin e pashoq në jetën muzikore në Kosovë. Ishte drejtues i institucioneve më të rëndësishme të kulturës në vend, nga Shoqata e Kompozitorëve të Kosovës te Radio Prishtina e ansambli kombëtar i këngëve dhe valleve “Shota”. Ai është themelues i festivaleve, si “Takimet e talenteve të Kosovës”, “Akordet e Kosovës” dhe “Kosovarja këndon”, kryeredaktor në Radio Prishtinë, dirigjent i korit dhe orkestrës frymore në Mitrovicë. Tërë aktiviteti i tij është i lidhur ngushtë me organizimin, promovimin e muzikës në vend. Padyshim, dominimi i vlerave të trashëgimisë sonë shpirtërore e dallojnë Beqirin për fanatizmin e tij të jashtëzakonshëm në ruajtjen dhe promovimin e vlerave të muzikës sonë autoktone – shqiptare dhe ngritjen e saj në nivelin më të lartë artistik.
I lindur në vitin 1936 në qytetin e Mitrovicës, rrugëtimin e tij profesional e filloi në shkollën e mesme të muzikës në Prizren për t’i vazhduar studimet në Akademinë e Muzikës në Beograd. Në vitin 1970 Beqiri diplomon në drejtimin e kompozimit, me poemën e tij të njohur simfonike “Skënderbeu”, vepër debutuese simfonike jo vetëm për krijimtarinë e këtij kompozitori, por në tërë krijimtarinë e re simfonike kosovare e shqiptare në përgjithësi. Si përfaqësues i gjeneratës së dytë të kompozitorëve shqiptarë të Kosovës dhe ndër kompozitorët e parë profesionistë në vend, kontributi i tij i menjëhershëm lidhet me punën pedagogjike fillimisht në Shkollën e Lartë Pedagogjike, ku pjesë përbërëse e saj ishte edhe Dega e Muzikës e më pas me hapjen e Fakultetit të Artit Muzikor kalon atje dhe deri në vitin 2011, ku ishte i angazhuar në procesin e mësimdhënies.
Edhe pse opusi i tij nuk paraqet një numër të madh veprash, ai padyshim që ka zënë dhe mban një vend të rëndësishëm. Ky opus na paraqet krijime të formave dhe zhanreve të ndryshme muzikore, përveç muzikën skenike për të cilën ai nuk kishte kompozuar. Ideja themelore e krijimtarisë së Fahri Beqirit, por edhe pothuajse tërë kompozitorëve të këtij brezi ishte shndërrimi krijues artistik i muzikës popullore shqiptare, por një karakteristikë që e bën Beqirin ndryshe nga kompozitorët e tjerë të asaj gjenerate është trajtimi i lirshëm i tonalitetit.
Një numër i veprave të tij, sot kanë vlerën e tyre dhe vendosën bazat e muzikës instrumentale në vend.
Fahri Beqiri, kompozitor i veprave korale, si “Erdh Misiti”, “Migjenit”, “Kënga e rinisë,” “Madrigali i Ibrit plak”, “Moj e mira”, Shkoj e vij fluturim si zogu”, këngë këto të cilat i gjejmë edhe në repertorin e zhanreve të tjera muzikore, duke rritur edhe më tepër popullaritetin e tyre. Janë pikërisht veprat korale të parat në kuadër të opusit të tij krijues profesional, këngë këto nga aspekti i tyre formal të thjeshta, të mbështetura në elementet karakteristike të melosit popullor si trashëgimia e vetme që krijuesit kosovarë posedonin. Këto këngë gëzojnë popullaritet edhe në ditët e sotme si pjesë përbërëse e repertorit të koreve të ndryshme dhe na pasqyrojnë vlera të mëdha artistike me anë të mjeshtërisë dhe teknikës korale të Fahri Beqirit.
Krahas veprave korale, një rëndësi të madhe ky kompozitor u kushtoi edhe atyre instrumentale, duke filluar nga miniaturat e thjeshta didaktiko - pedagogjike për fëmijë e deri tek ato vepra që kërkojnë një përgatitje më të madhe interpretuese. Beqiri kompozitori i “Scherzo's”, “Allaturkas” e më pas edhe i veprave si “Kuinteti frymor” dhe “Sonata për klarinetë”, të cilat së bashku me poemën simfonike “Skënderbeu” u emëruan nga muzikologjia kosovare si vepra me vlerë antologjike. Trajtimi jotradicional nga struktura, forma te tingëllima, tonaliteti vështirë i precizuar si rezultat i linjës së këputur melodike dhe akordeve tejet disonante, prezenca e melosit popullor i shkrirë në harmonitë klasike, neoklasike e të romantizmit të vonshëm të fund shekullit 19 na japin një kompozitor me stil origjinal krijues, të pavarur e me karakter.
Krijimtaria orkestrale në Kosovë është paraqitur në vitet ’50, që do të thotë mjaft vonë. Faktura e tyre ishte e thjeshtë dhe mbështetej në folklor, vepra me karakter rapsodik. Ishte pikërisht kompozitori Fahri Beqiri, i cili në hapjen e një nga koncertet e realizuara në vitin 1972 nga Filharmonia e Beogradit (Beograd), fondit të muzikës artistike në vend i solli veprën debutuese simfonike jo vetëm për krijimtarinë e këtij kompozitori, por në tërë krijimtarinë e re simfonike kosovare e shqiptare në përgjithësi. Vepër programore me përmbajtje të frymëzuar nga lufta e popullit shqiptar për çlirim, ku figurë qendrore është heroi ynë kombëtar – Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.
E shkruar gjatë vitit 1968, atëherë kur po festohej 500-vjetori i vdekjes së kryetrimit tonë shqiptar, kompozitori zgjodhi që vepra të titullohej “Skënderbeu”, dhe deri sot paraqet një nga kompozimet më të suksesshme të këtij kompozitori, me vlera artistike të ngritura e të qëndrueshme në kohë. Me tërë karakteristikat e saj, me gjuhën e saj shprehëse, me tematikën që mbart kjo vepër në vete zë një vend të rëndësishëm jo vetëm në krijimtarinë simfonike kosovare, por edhe në atë shqiptare në përgjithësi.
Numri më i madh i veprave, në kuadër të krijimtarisë së këtij kompozitori, janë realizuar gjatë studimeve të tij universitare dhe jo rastësisht ato na shpien në udhëtime kohore, stilistike, nga ruajtja e parimeve tradicionale formale e strukturore me anë të invencës së fuqishme krijuese tek atonaliteti i shekullit 20. Rëndësia e veprave të këtij kompozitori është shumë e madhe dhe evidente, me vetë faktin e popullaritetit të tyre edhe në ditët e sotme, por edhe se këto vepra janë lavdëruar e vlerësuar shumë dhe janë interpretuar jo vetëm nga muzikantë shqiptarë, por edhe nga ata të huaj.
janë vetëm disa momente të shkëputura, të cilat na e japin një pasqyrim të gjerë mbi rolin të cilën profesor Fahri Beqiri kishte dhe vazhdon të ketë me anë të krijimtarisë së tij në muzikën profesionale shqiptare. Puna e tij do të vazhdojë të vlerësohet lart, sepse ajo pasuroi fondin e muzikës sonë artistike të cilën së bashku me bashkëkohësit e tij e vendosën paralelisht me zhvillimet e stileve e rrymave muzikore që aplikohen sot në muzikën artistike në mbarë botën.
Puna e tij pedagogjike, artistike dhe krijuese, është dekoruar me dhjetëra mirënjohje komunale, krahinore, federative dhe së fundmi është nderuar me Medaljen Presidenciale të Meritave, si dhe me çmimin kombëtar për vepër jetësore, “Niketë Dardani”.
Fahri Beqiri me punën e tij vazhdon të jetë njëra nga figurat më të nderuara te ne.
Autorja është muzikologe