Shtojca për Kulturë

Kujt i takon Trieste?

Ditari i Adriatikut: Në Trieste shkrihen, bashkëjetojnë dhe shquhen kultura italiane, austriake, sllovene, hebraike dhe greke

Më së voni kur para Triestes shfaqen tabelat e vendbanimeve në dy gjuhë (italisht dhe sllovenisht) edhe udhëtari më i painteresuar për historinë do ta kuptojë se po shkel në një territor multietnik. Në vitin jo edhe aq të largët 1999 në Itali u zhvillua një anketë, në të cilën italianet dhe italianët u pyetën kujt i takon Trieste. 67 për qind e të anketuarve nuk e dinin se Trieste është pjesë e Italisë.

Për 500 vjet, deri në vitin 1918, Trieste i ka takuar Austrisë. Pas Luftës së Parë Botërore qyteti iu dha Italisë për shkak se shumica e popullsisë është italiane apo italishtfolëse. Pas Luftës së Dytë Botërore pretendime kishte edhe Jugosllavia (“Trst je naš”, Trieste është e jona – gjeneratave të vjetra nga Sllovenia deri në Maqedoninë e Veriut do t’u kujtohet kjo parullë titoiste). Tek në vitin 1954 statusi i Triestes u zgjidh: qyteti dhe një pjesë e rrethinës (zona A) përfundoi nën kontrollin italian, ndërsa «hinterlandi» i Triestes në perëndim dhe jug iu dha Jugosllavisë.

Jugosllavia nuk ekziston më, tani me Italinë kufizohet Sllovenia. Anëtarësimi i Sllovenisë në Bashkimin Europian dhe në zonën Schengen ka ndikuar që marrëdhëniet mes sllovenëve dhe italianëve në pjesën kufitare të shtendosen dukshëm. Trieste ka qenë dhe vazhdon të jetë një Babilon i vogël ballkanik: një shëtitje e shkurtër nëpër rrugët e qytetit mjafton për të dëgjuar italisht, sllovenisht, gjermanisht, kroatisht. Si askund tjetër në Trieste takohen bota italiane, sllave dhe ajo gjermanofone. Ndikimi i Austro-Hungarisë shihet sidomos te ndërtimet dhe te ajo që në Vjenë njihet si “Kaffehauskultur”, që në shqip i bie: kulturë e kafehanes. Kjo kulturë nënkupton debate të pafundme, lexim gazetash, takime me miq...

Nëse austriakët mund të pretendojnë se kultura e kafehanes është zbulim i tyre, arabët me të drejtë kanë hyrë në histori si kultivues të bimës së kafesë. Mjeku Leonhard Rauwolf nga Augsburgu i Gjermanisë vizitoi Orientin në vitin 1573 dhe në qytetin e Halepit në Sirinë e sotme shijoi kafenë, këtë pije të panjohur nga europianët perëndimorë. Për këtë përvojë ai ka raportuar në udhëpërshkrimin e tij të botuar më 1582.

Duke pasur parasysh historinë, pyetja se kujt i takon Trieste duhet të marrë vetëm këtë përgjigje: të gjithëve, ndonëse nominalisht i përket Italisë. Claudio Magris, kronisti i pashoq i qytetit, shkruan se në Trieste shkrihen, bashkëjetojnë dhe shquhen kultura italiane, austriake, sllovene, hebraike dhe greke. Mes viteve 1863 deri më 1902 në Trieste janë botuar 560 gazeta dhe revista në gjuhë të ndryshme. Trieste ishte një nga qendrat e rëndësishme të emigrantëve politikë nga Lindja dhe Perëndimi. Në vitin 1940 policia italiane zbuloi një grup ilegal slloven të prirë nga Pino Tomazhiqi, i cili angazhohej për pavarësinë e Sllovenisë sidomos nga Italia. Tomazhiqi doli vetë i nënti para gjyqit në vitin 1941. Të gjithë u dënuan me vdekje dhe pesë me të vërtetë u ekzekutuan.

Lufta e Dytë Botërore në këtë rajon ishte një larje brutale hesapesh mes italianëve dhe sllavëve. Fashizmi italian i konsideronte sllavët (sllovenët dhe kroatët) si “racë më të ulët”. Një lloj nënçmimi nga ana e italianëve vazhdon edhe sot: vetëm pak prej tyre flasin sllovenisht apo kroatisht. Por, koha e konfrontimit duket se ka marrë fund. Ekziston një identitet rajonal i Triestes, i zhvilluar historikisht, i cili në radhë të parë synon që qyteti t’u takojë banorëve të tij.