Shtojca për Kulturë

Venecia midis pandemisë dhe botës së arkitekturës

Zor që Venecia të ketë përjetuar një kontrast si ai në kohë pandemie, që izolimin e vitit të kaluar ngadalë po e zëvendëson me numër të kufizuar vizitorësh. Si antagonizëm është edhe Bienalja Ndërkombëtare e Venecias, e cila zbërthen idenë e hapësirave të përbashkëta përderisa thirrja për mbajtje distance ende jehon në qytetin mbi ujë. Megjithatë, një shëtitje e shpejtë nëpër këtë qytet është përjetim unik, njashtu sikurse edhe vizita nëpër pavijonet e Bienales

Dyqanet e vogla të mbyllura me dry në rrugët e ngushta të Venecias janë një pamje e pazakontë për njërin prej qyteteve më unike të Italisë. Destinacioni i miliona turistëve në vit javën e tretë të majit duket i qetë. Natyrshëm, pandemia COVID-19 ka bërë që numri i vizitorëve në krahasim me vitet e shkuara të jetë dukshëm më i vogël. Një gjë e tillë i ka kushtuar mjaft në aspektin ekonomik këtij qyteti. Mirëpo, kjo qetësi ofron edhe një mundësi për përjetim të panxituar të atraksioneve të shumta në qytetin që themelet i ka mbi ujë e numëron 391 ura. E krejt këto duhet të bëhen me respektimin e masave antiCOVID.

Një muze nën qiell të hapur

{gallery}

Qyteti i gondolave, i kanaleve dhe i Vivaldit përçon ndjenjën e një muzeu të vërtetë nën qiell të hapur. Një gjë e tillë përforcohet gjatë qëndrimit në sheshin “San Marco”, që është një prej vendeve më të vizituara dhe më të fotografuara, shkaku që grumbullon rreth vetes një mori atraksionesh të tjera. Mungesa totale e trafikut të motorizuar mundëson një atmosferë ku dëgjohen vetëm natyra dhe zërat e njerëzve. Këta të fundit janë më të zhurmshëm mbi urën më të vjetër të Venecias “Rialto”, mbi Kanalin e Madh. Hapësira e kufizuar dhe dëshira për ta përjetësuar çastin nga qëndrimi mbi këtë urë krijojnë tollovi, ku ndodhin edhe shkeljet padashje të këmbëve, derisa në afërsi mund të blihen edhe suvenirë me karakteristikat e qytetit të mbrojtur nga UNESCO. Ndërkohë, një shëtitje më e veçantë në këtë qytet realizohet në kanale me gondola, gjë që mundëson edhe ikje të përkohshme nga realiteti mbi tokë. Pas përfundimit të lundrimit, në afërsi të kanaleve ndodhen edhe restorantet me meny të veçanta për turistët, ku mund të shijohen specialitetet e kuzhinës italiane, të shoqëruara me ndonjë “spritz”.

Bienalja me traditë 125-vjeçare

Image

Sheshi “San Marco”, prej vendeve më të vizituara në Venecie

Krahas kësaj, “Qyteti mbi ujë” është nikoqir edhe i një numri të konsiderueshëm të ngjarjeve kulturore. Ai, pos monumenteve historike, shquhet edhe për galeritë e shumta të arteve, si dhe muzetë e ndryshëm. Padyshim se në këtë mes bën pjesë edhe Bienalja e Venecias, me historikun e saj 125 vjeçar, që përfshin edicionin e arteve, me festivalet e muzikës, kinemasë dhe teatrit, ndërkohë që nga viti 1980 i është shtuar edhe edicioni i arkitekturës.

Image

“Inhabiting New Tectonics” eksploron se si materialet dhe teknologjitë e reja nxisin arkitektët që t’i riimagjinojnë banesat

i 17-të i Arkitekturës në Bienalen e Venecias ka qenë në plan të mbahet në vitin 2020, por shkaku i pandemisë është shtyrë për vitin 2021. Përgatitjet për këtë edicion qenë zhvilluar në një frymë paqartësie, marrë parasysh aplikimin e masave për frenimin e përhapjes së koronavirusit, ku hapja graduale në Venecia ka filluar që nga dita e fundit e prillit të sivjetmë. Përkundër sfidave të shumta që kanë sjellë këto kufizime, sipas organizatorëve, pjesëmarrësit janë munduar që me veprat e tyre të ofrojnë përgjigje për problemet e reja që bota i vendos para arkitektëve.

Qindra përgjigje për hapësirë të përbashkët

Kuratori i edicionit të 17-të të Arkitekturës në Bienalen e Venecias, Hashim Sarkis, ka bërë të ditur se në kontekstin e ndasive politike dhe rritjes së pabarazisë ekonomike, arkitektët janë thirrur që të imagjinojnë hapësira në të cilat mund të jetojmë bashkë në mënyrë bujare. Sipas tij, kuratorët e pavijoneve janë ftuar që të bashkëpunojnë edhe me profesionet e tjera sikurse edhe me artistët, inxhinierët, mjeshtërit, por edhe politikanët, gazetarët, shkencëtarët socialë si dhe qytetarët e rëndomtë.

Image

“Designing for New Bodies” është pavijoni i parë në Arsenale ku prezantohen trupat njerëzorë të kryqëzuar me teknologjinë

“Në fakt, Bienalja e Arkitekturës 2021 pohon rolin jetësor të arkitektit si thirrës i përzemërt dhe si kujdestar i kontratës hapësinore”, kishte thënë Sarkis në fjalën e tij hyrëse.

Interesimi i publikut për veprat e ekspozuara në Arsenale e Giardini dhe përgjatë qytetit mbi ujë, nuk ka munguar as sivjet.

“Designing for New Bodies” është pavijoni i parë në Arsenale ku prezantohen trupat njerëzorë të kryqëzuar me teknologjinë. Ky pavijon, siç thuhet në përshkrim, propozon mënyra modelimi dhe arkitekture në ndërmjetësim midis trupave tanë për t’i zbutur mjediset ekstreme përmes zgjatimeve protetike që amplifikojnë dhe projektojnë praninë tonë trupore në hapësirë.

Image

Kosova me pavijonin e saj “C0ntainp0rary”, të kuruar nga Maksut Vezgishi

Pas tij vjen pavijoni “Living With Other Beings”, që trupat tanë i emëron si ekologji dhe kësisoj i dedikohet rimendimit të ekologjive në mënyrë më përfshirëse dhe më simbiotike, për të dizajnuar hapësira në të cilat këto ekologji mund të lulëzojnë.

Pavijoni i titulluar “Catering to New Demographics” sjell reflektimin e pjesëmarrësve se si ndryshimet në formën dhe përbërjen e familjes në lidhje me atë se kush jeton bashkë në të njëjtën çati do të ndikojnë në arkitekturën e banesës.

“Inhabiting New Tectonics” eksploron se si materialet dhe teknologjitë e reja nxisin arkitektët që t’i riimagjinojnë banesat. Projekti gjithashtu prezanton mënyra më efiçiente dhe më kreative të përdorimit të burimeve. Dhe, përfundimisht, ngre materiale dhe metoda të reja të ndërtimit drejt poetikës së re të banimit.

“Living Apart Together” u dedikohet banesave me permutacione të ndryshme, të bëra bashkë nga e tërë bota për ta kremtuar atë dhe për të eksploruar variabla të reja të bashkëjetesës.

Image

Shqipëria prezantohet sivjet me projektin “In Our Home”, ku arkitektet shqiptare Fiona Mali, Irola Andoni, Malvina Ferra dhe Rudina Brecani i flasin botës artdashëse në Venecia me konceptin e fqinjësisë, siç kuptohet ndër shqiptarë

“Appealing to Civicness” ofron qasje arkitekturale për t’ua prezantuar banorëve të drejtat e tyre bazike, si strehimi dhe edukimi.

“Coming Together in Venice” kremton ruajtjen e qytetit nikoqir të Bienales, bashkë me shqyrtimin e sfidave aktuale me të cilat ballafaqohet.

Edhe Prishtina del të jetë në mesin e vendeve që tenton që përmes objekteve t’i mbajë afër qytetarët. Dhe kjo vihet në pah me instalacionin “Prishtina Public Archipelago”, që nëpërmjet një dokumentari 25-minutësh shpalos rrëfime për disa nga hapësirat më identifikuese të kryeqytetit në programin “Co-Habitats”, brenda të cilit tregohet se si arkitektura përdoret për të bashkëvepruar me qytetarët.

Shqipëria prezantohet sivjet me projektin “In Our Home”, ku arkitektet shqiptare Fiona Mali, Irola Andoni, Malvina Ferra dhe Rudina Brecani i flasin botës artdashëse në Venecia me konceptin e fqinjësisë, siç kuptohet ndër shqiptarë.

Image

Edhe Prishtina del të jetë në mesin e vendeve që tenton që nëpërmjet objekteve, t’i mbajë afër qytetarët. Dhe kjo vihet në pah me instilacionin “Prishtina Public Archipelago

Kroacia paraqitet me “Togetherness/Togetherless” të kuratorit Idis Turato, që është një përbërje hapësinore që hulumton mënyrat në të cilat elementet themelore të arkitekturës mund të përdoren për ta krijuar një komunitet të përkohshëm. Shtresat e historisë, kontekstit dhe referencat e jashtme të gdhendura në pavijon janë tërhequr nga qyteti i Rijekës dhe përvoja e tij si kryeqytet evropian i kulturës në vitin 2020, kur shërbeu si një arenë për kërkime dhe eksperimentime hapësinore dhe artistike.

Ndërkaq, Kosova me pavijonin e saj “C0ntainp0rary”, të kuruar nga Maksut Vezgishi, i mëshon një teme po kaq universaliste: urbanizimit global dhe krijimit të mjediseve të qëndrueshme.

Nevoja për përvojën

Në edicionin e sivjetmë të Arkitekturës në Bienalen e Venecias, të 17-in me radhë, po marrin pjesë 112 pjesëmarrës nga 46 vende të ndryshme të botës. Kuratori Hashim Sarkis ka përkujtuar se ky profesion ka për detyrë që të hartojë hapësira më të mira për një jetesë më të mirë. Sipas tij, në këtë ekspozitë, ideja e instalacioneve është përqendruar te përvoja.

“Ideja e instalacionit ka të bëjë shumë me sjelljen e përvojës te vizitori të aspekteve të caktuara të projektit. Tradicionalisht, ekspozitat e arkitekturës nënvizojnë planet e vizatimet të cilat natyrisht janë të nevojshme për ta kuptuar si ndërtesë, por ato jo domosdoshmërisht e përcjellin përvojën. Çka kemi theksuar në këtë bienale ka qenë nevoja për përvojën”, ishte shprehur ai gjatë një konference për media.

Ndërkaq, presidenti i Bienales së Venecias, Roberto Cicutto, ka pohuar se ekspozita e sivjetme përkundër paqartësive të shumta është realizuar në saje të përkushtimit të kuratorit Sarkis dhe gjithë pjesëmarrësve.

“Kjo ekspozitë nuk do të gjykohet nga numri i njerëzve që do të tërheqë, sepse kjo varet nga procedurat që aplikohen për mundësimin e pjesëmarrjes së publikut. Shpresojmë që njerëzit do të jenë në gjendje të vijnë këtu edhe nga shtetet e tjera... Është shumë me rëndësi që njerëzit përgjegjës për instalacione janë këtu dhe ata kanë ardhur nga e tërë bota. Dhe ky është një sukses në vetvete”, ka deklaruar Cicutto.

Bienalja Ndërkombëtare e Arkitekturës në Venecie do të jetë e hapur për vizitorët deri më 21 nëntor. Deri atëherë është në pritje të atyre që synojnë që nëpërmjet botës së arkitekturës, edhe në këtë kohë pandemie, synojnë ta gjejnë përgjigjen për hapësirën e përbashkët.