Shtojca për Kulturë

Propaganda serbe e viktimizimit

Hipnotisti serb, duke kërkuar shfajësimin e madh për krimet e tij rrëqethëse, mjaftonte të maskohej si viktimë që të falej. Ku kemi gabuar ne me krizën jugosllave? Njëjtë, si me gabimin e përjetshëm që e bëmë me komunizmin dhe me përkrahjen tonë për Botën e Tretë: Ia kemi lejuar vetes të shantazhoheshim prej retorikës së viktimës

“Ditën kur krimi mëveshët me pafajësi, me një përmbytje kureshtare që është specifike për kohën tonë, është pafajësia ajo që duhet ta justifikojë veten” – Albert Camus, “L’Homme révolté.”

“Duke mos qenë të zotë t’i fuqizojmë të drejtit, ia kemi dalë t’i bëjmë të drejtë të fuqishmit” - Pascal, Pensées

“Ne jemi hebrenjtë e botës, në fund të shekullit të njëzetë. Jerusalemi ynë i dashur po kërcënohet prej të pafeve. Krejt bota na urren; armiku i paqëndrueshëm, një hidër me njëqind koka është përbetuar që të na shkatërrojë. Të gjithë fëmijët tanë tashmë mbajnë yllin e verdhë të padukshëm të qepur në rrobat e tyre. Jemi ne ata që kemi vuajtur gjenocidin më të keq se ai që ishte kryer nga nazistët kundër hebrenjve dhe jevgjëve, dhe bash si hebrenjtë, edhe ne duhet të nisim shtegtimin nëpër shkretëtirë, edhe në qoftë se do të zgjasë pesë mijë vjet”. Prej gojës së kujt dalin këto fjalë? Ndonjë lideri të ekzaltuar mesianik, prej kreut të ndonjë kulti protestant fundamentalist që matet me judaizmin për përpikërinë e Biblës? As që bëhet fjalë!

Deklarata të tilla janë thënë përditë, në një formë a tjetër, për vite me radhë prej partizanëve të regjimit të Milosheviqit në Beograd. Novelisti Dobrica Qosiq, kryefrymëzuesi i nacionalizmit serb dhe president i Jugosllavisë së re (Serbia dhe Mali i Zi) deri në qershorin e vitit 1993, shkruante se serbi “është hebreu i ri, në fund të shekullit të njëzetë – viktimë e të njëjtave padrejtësi, nëse jo e të njëjtave persekutime: populli i ri martir”. Por serbët janë më hebrenj se vetë hebrenjtë, thënë të vërtetën, meqë kanë qenë “viktima të gjenocidit që i kapërcente përmasat e gjenocideve naziste për nga metoda dhe egërsia”, siç shkruante Qosiq në lidhje me politikën e shfarosjes së ushtruar prej ustashëve kroatë kundër bashkatdhetarëve të tij ndërmjet viteve 1941 dhe 1944.

Gabim fondamental

Lufta që shkatërroi territorin e ish-Jugosllavisë që nga viti 1991 dhe që ishte paramenduar prej Beogradit, u bazua mbi një keqinterpretim fantastik: Torturuesi e shfaqte veten si martir dhe Evropa, në pajtim me torturuesin, i paraqiste ata që sulmoheshin (kroatët, boshnjakët, shqiptarët e Kosovës) si përgjegjës për tragjeditë që u kishin rënë mbi kokë. Nëse u dilte ndonjë problem, thuhej se e kërkuan të zezën – ishin ata fajtorët! Pse ky gabim tmerrues, pse pothuajse për një vit, intelektualët, politikanët dhe gazetarët perëndimorë, kishin ngrënë karremin e propagandës serbe. Dhe si mundet një person aq i informuar, si Francois Mitterrandi, të deklaronte më 29 nëntor 1991 (gjatë një interviste për “Frankfurter Allgemeine Zeitung” pikërisht në kohën kur qyteti i Vukovarit porsa ishte djegur rrafsh me tokë dhe kur çereku i territorit kroat kishte rënë nën kontroll të ish-ushtrisë federale), se “Kroacia, e jo Serbia, i përkiste bllokut nazist?” Sepse Milosheviqi dhe besnikët e tij ishin aq të zgjuar që të pushtonin opinionin publik dhe të justifikonin luftën para se ta nisnin me shkrime propaganduese për fatkeqësitë që gjatë historisë i vuajti populli serb. Duke shfaqur përherë fotografi dhe xhirime të grave, fëmijëve dhe pleqve të masakruar, të nëpërkëmbur dhe të torturuar, apo duke cituar pafundësisht nëpër debate dhe takime listën e atyre që vdiqën në Jasenovac (një prej kampeve më të tmerrshme të përqendrimit të regjimit kroat nën Ante Paveliqin pro-nazist, ku hebrenjtë, jevgjit, partizanët serbë dhe kroatë u shfarosën me mijëra sish), kjo propagandë siguroi terren të gjerë moral, dhe që nga fillimi ia zuri frymën kujtdo që mund ta vinte në dyshim: Shiko vuajtjen time dhe guxo të më thuash se është e barabartë! Ky është një rast studimi që na mjegulloi njohuritë për konfliktin dhe u bë burim prej të cilit më vonë rrodhën gjykimet e gabuara: indiferenca, hezitimi dhe politika prit-e-shih e Evropës dhe Amerikës.

Andaj, sunduesit serbë, para se të lansonin ofensivën e tyre në Kroaci dhe Bosnjë, tashmë e kishin fituar betejën e mendjes, tashmë u ishte shprehur një nivel i caktuar dashamirësie prej bashkësisë ndërkombëtare. Kjo shpjegon pse Beogradit, si pak pushtues në historinë e re, nuk i ishte prerë rruga; Pse Beogradi ishte favorizuar me tezat e tij të diskutuara, të komentuara, të dëgjuara dhe të vlerësuara me vëmendje të madhe; pse gëzonte këtë lloj privilegji. Dokumentarë, shkrime dhe raporte të panumërta ishin publikuar prej vitit 1991, me hollësi për krimet e kryera gjatë Luftës së Dytë Botërore prej kroatëve, boshnjakëve dhe shqiptarëve, të cilët i ishin bashkuar regjimit nazist – megjithëse mbledhja e këtyre tmerreve do të kompensonte disi tmerret e kryera gjatë të njëjtës kohë prej milicisë së Beogradit. Pa dyshim, pas një viti u hoq dorë prej kësaj preference ekskluzive për serbët; por me qëllim të shmangies së sprapsjes së menjëhershme, ministrat e jashtëm shpikën këtë fabulën tjetër: se të gjitha kampet ishin njëjtë të tmerrshme. Andaj triumfoi parimi i baraslarguar: gjërat nuk ishin vënë në perspektivën e tyre të duhur, por të gjitha palët ishin përfshirë në vlugun e njëjtë të egërsisë tribale.

Dhe në maj 1993, në lidhje me ngjarjet në Bosnjë, Warren Christopher dha këtë deklaratë konfuze para Kongresit: “Do të ishte e lehtë të krahasohej e gjithë kjo me Holokaustin, por unë kurrë nuk kam dëgjuar asgjë për ndonjë gjenocid të kryer prej hebrenjve kundër popullit gjerman”. Shumëkush edhe sot vazhdon të gjejë rrethana justifikuese për nacionalizmin serb dhe nuk mund t’i qaset kësaj teme pa rënë menjëherë në grackën e përbaltjes së kroatëve, boshnjakëve, sllovenëve, shqiptarëve dhe maqedonasve.

Dhe mashtrimi ka funksionuar. Hipnotisti serb, duke kërkuar shfajësimin e madh për krimet e tij rrëqethëse, mjaftonte të maskohej si viktimë që të falej. Ku kemi gabuar ne me krizën jugosllave? Njëjtë, si me gabimin e përjetshëm që e bëmë me komunizmin dhe me përkrahjen tonë për Botën e Tretë: Ia kemi lejuar vetes të shantazhoheshim prej retorikës së viktimës. Leksioni i tmerrshëm i shekullit është kjo sprapsje që transformon të shtypurit, me të marrë pushtetin, në diktatorë, që transformon proletarët në tiranë, të kolonizuarit në sundues të rinj. Nuk i vret ndërgjegjja ata që ishin persekutuar. Dhe njerëzit prej të cilëve prisnim drejtësisë dhe barazi, në fakt sundojnë me despotizëm, që është edhe më frikësuese meqë ata erdhën në pushtet me aspiratat për liri dhe drejtësi. Është kjo formë përmbysjeje, sepse nuk jemi të zotë ta përthekojmë – sikur të ishte e shkruar njëherë e përgjithmonë se nëse dikur ishe viktimë, përherë viktimë do të mbetesh. Kështu nuk rrezikon që të rrëshqasësh në dhunë dhe totalitarizëm. Kjo ishte fuqia e propagandës së Milosheviqit (përveç – ose për shkak të – aspektit të saj fantastik, së cilës ia ka bashkëngjitur edhe traditën e folklorit sllav). Ai kujton të gjitha të zezat që i ka vuajtur populli i tij, sidomos ato ndërmjet viteve 1941 dhe 1945, i japin imunitet të përhershëm, duke e vënë veten mbi ligjin. Nuk ishte asgjë më dekurajuese se të shihje se si ky kurth po pranohej dhe përpihej prej publikut (dhe shpesh në emër të vigjilencës strikte demokratike).

Pakkush, së paku në fillim, e kuptoi se po këta njerëz që shfaqeshin si rezistues të fashizmit, (serbët) kishin huazuar tashmë metodat e fashizmit, se ujku ishte futur në lëkurën e qengjit; pakkush e kujtonte se ideologjia viktimizuese ishte pjesë e fashizmit, që nuk është vetëm doktrinë e racës më të lartë, por e një race më të lartë të poshtëruar. Kështu, me shkathtësi të patëmetë, ekstremistët serbë ia dolën në krye me maskimin e apetitit të tyre për pushtim si shqetësim për mbrojtjen e pakicave të tyre, vullnetit të tyre luftëdashës si dashuri për paqen, spastrimin e tyre etnik si dëshirë të zjarrtë për ruajtje të Federatës Jugosllave. Me pak fjalë, më së miri e përmbledh proverbi: “Edhe djallit i pëlqen të citojë Biblën”.

Ekzaltimi me humbjen

Çka është për serbët identiteti viktimizues? Është traditë e brumosur prej letërsisë dhe Kishës Ortodokse, dhe ka lëshuar thellë rrënjët në historinë e kahershme të vuajtjes, prej kohës së kolonizimit turk dhe sistemit feudal habsburg, që gjeneruan patriotizëm të ekzagjeruar, e që nxiti veprime dramatike heroizmi. Është ndjenjë e pasigurisë së përhershme të krijuar prej dyndjeve të përhershme dhe ndryshimeve kufitare, shpërnguljeve zemëruese dhe ekzilit të shtetasve që ishin larguar nga territoret armiqësore. Dhe fundja është element i trashëguar që ka marrë hov prej disfatës së Princit Llazar më 15 qershor 1389 para osmanëve në Betejën e Kosovës (“Fushës së Mëllenjave”), ngjarje historike, trashëgimia e së cilës kujtohet për shekuj me radhë. Serbët ishin para fatit të lavdishëm – duhej të ishin ndërtuesit e mbretërisë së re bizantine; por gjithçka u rrëshqiti prej duarve. Sot, trashëgimtarë të nëpërkëmbur të një perandorie, që kurrë nuk ekzistoi, nuk pajtohen kurrsesi me humbjen. Ka krenari, madje edhe bukuri në mënyrën e festimit të disfatave të tyre, meqë Zoti paska zgjedhur pikërisht këtë popull për ta sprovuar me fatkeqësi dhe për ta bërë instrument të qëllimeve të tij, si të ishte e shkruar që debakli tokësor të transformohej përherë në triumf qiellor karshi forcave të djallit. Serbët duket se nuk ndihen të helmuar prej të këqijave prej të cilëve janë prekur, dhe ata kultivojnë, sidomos në poezinë e tyre epike, ekzaltimin e këtyre gjykimeve, duke besuar pathyeshëm në martirizimin e tyre.

I gjithë populli është mishëruar me bindjen se e kanë të shkruar të vuajnë dhe se janë pasardhës të këtij soji të dinjitetit aristokratik: sikur shihen me aq nënçmim, keqtrajtohen prej zanafillës, e kjo mund të jetë vetëm punë e Zotit!

Prej ardhjes në pushtet, Milosheviqi u është përshtatur anktheve të bashkatdhetarëve, duke rizgjuar të kaluarën e paraardhësve për ta përdorur për planin politik dhe ushtarak për Serbinë e Madhe. (Serbia e Madhe, na lejoni që t’jua kujtojmë, nuk nënkupton veç bashkimin e të gjithë serbëve në një Shtet, ajo gjithashtu nënkupton, që është edhe më e rëndësishmja, dëbimin e të gjithë joserbëve nga ai Shtet.) Ky obsesion me vajtim, vdekje dhe zhdukje, i krijuar me përsosmëri në vetvete, shihet përherë e më me dyshim kur përdoret prej një lideri të një Shteti dhe transformohet në armë ideologjike për legjitimimin e luftës. Andaj, Serbia e Milosheviqit, kah fundi i viteve 1980, ndiente se nuk ishte lënduar aq shumë prej padrejtësisë së situatës ekonomike që kishte ardhur si pasojë e aventurave të gabuara të Luftës së Dytë Botërore dhe ndrydhjes së Jugosllavisë, por prej një padrejtësie qenësisht metafizike që rrënjët i ka në historinë 1000-vjeçare. Në këtë aspekt, komunizmi nacional serb është hibrid interesant: prej nacionalizmit ekstrem huazon obsesionin karshi gjakut të përzier (temë e përsëritur në romanet e Dobrica Qosiqit) fobinë karshi mosndëshkimit, dhe nevojën urgjente për ndarje, për ta ditur kush çfarë është. “Zemra dhe identiteti ynë”, deklaronte Karaxhiqi, lider i serbëve të Bosnjës, “mund të mbijetojnë vetëm nëpërmjet ndarjes. Nuk mund ta përziesh ujin dhe naftën.

Ballkani nuk është si Zvicra ose Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Tenxherja me presion, asnjëherë nuk ka funksionuar, pavarësisht prej pushtuesve të huaj të njëpasnjëshëm”. Komunizmit ia huazoi stilin, pretendim që mendohet se buroi prej trashëgimisë së vjetër kulturore, siç e kemi parë. Ky mishmash i tmerrshëm mjegulloi vizionin e antifashistëve tanë më të mprehtë: ky nuk është nazizëm – Milosheviqi nuk është Hitleri dhe spastrimi etnik nuk është zgjidhja përfundimtare – as stalinizëm i sertë, por produkt i çnatyruar i martesës së tyre të fundit kombinuar me fasadë pluraliste dhe ekonomi mafioze. Kjo është arsyeja pse kokteji serb mund të përdoret si precedent për popujt që së fundi kanë dalë prej komunizmit; fuqia e saj joshëse buron prej kombinimit të dy lëvizjeve (që përdoreshin për t’u matur njëra me tjetrën) në luftë kundër armikut të tyre të përhershëm: demokracisë liberale. Çifton metodat staliniste me lartësimin e krisur të identitetit, zmadhuar dhe ekzaltuar në pastërtinë e vet, kundrejt kontaminimit dhe ndërshumëzimit. Dhe mbi të gjitha, u ofron politikën e poshtërimit vendeve që nuk ndihen se janë zotë të tyre dhe për të cilat pavarësia është vetëm themel i lëkundur. U tregon atyre se si në emër të fatkeqësive të së djeshmes, të fabrikojnë shenjën dalluese që i bën të paprekshëm, që i shkarkon prej borxheve dhe për më tepër u jep patentën për të urryer dhe ndëshkuar sipas tekeve të tyre.

Sidoqoftë, Serbinë e vogël e ndjek përherë hija e Rusisë, e cila është e lidhur me Serbinë me nyje fetare, emocionale dhe etnike – hija e një harku të ri ortodoks pansllav. Për krejt ata në Moskë dhe kudo qofshin në rrënoja të perandorisë sovjetike që ëndërrojnë hakmarrjen kundër Perëndimit dhe që ndihen të poshtëruar, Serbia e Milosheviqit ofron modelin e suksesshëm për komunizëm mahnitës. Këtu ka rrezik se banon e vërteta. Gjynahu i regjimit të Beogradit nuk bazohet edhe aq shumë në shprehjen e qëllimeve që mund të jenë legjitime – të gjitha ish-republikat jugosllave ishin të pakënaqura me fatin e tyre – por për faktin se ka zgjedhur t’i korrigjojë ato nëpërmjet dhunës dhe spastrimit etnik, duke shkelur kështu zotimin e madh mbi të cilin Evropa moderne e ndërtoi veten: ndalimin e luftës. Kurrë më pushtimeve, shkatërrimit masiv, shfarosjes në kontinentin tonë - i tillë ishte pakti që lidhi që nga viti 1945 shtetet e Evropës Perëndimore dhe që ka qeverisur pajtimin franko-gjerman. Prandaj, mosmarrëveshjet tona duhet të zgjidhen me dialog dhe arbitrazh, e jo me armë. “Laboratori jugosllav” (Roland Dumas) ka rihapur kutinë e Pandorës: prospektin e modifikimit me forcë të kufijve. Duke besuar se do ta blejë paqen duke copëtuar Bosnjën, Evropa vetëm inkurajon luftën si mjet për zgjidhjen e problemeve. (Ndërhyrja brutale e Moskës në Çeçeni nuk do të ndodhte pa Vukovarin dhe Sarajevën.) Fundja, Evropa autorizon përsëri krimet kundër njerëzimit si instrumente të pushtimit në oborrin e saj.

Vijon në numrin e ardhshëm të shtojcës

Ky artikull – i botuar në Shtojcën për kulturë edhe në shkurt të vitit 2018 – është pjesë nga kapitulli i gjashtë “Pafajësia e torturuesit: Viktima, në propagandën serbe” i librit “The Temptation of Innocence: Living in the Age of Entitlement”, botuar më 2000 në New York nga “Algora Publishing”.

Përktheu: Rexhep Maloku