Shtojca për Kulturë

Shkrirja e akullnajave ekspozon relikte të Luftës së Parë Botërore në Itali

Derisa akullnajat shkrihen dhe tkurren në Alpet e Italisë Veriore, relikte të ngrira prej kohësh të Luftës së Parë Botërore kanë dalë në pah. Ato përfshijnë shishe qelqi, kanaçe, letra, armë dhe kocka. U gjetën në kazermat e shpellave jo shumë larg majës së ftohtë të malit Scorluzzo, i cili arrin më shumë se 3 mijë metra mbi nivelin e detit në Italinë Veriore, pranë Zvicrës.

Ushtarët Austro-Hungarezë që ishin në ato kazerma po luftonin me trupat italiane në atë që u bë e njohur si Lufta e Bardhë. Atje në Alpe – larg nga i famshmi Front Perëndimor, një vend i luftës së përgjakshme midis Gjermanisë dhe Francës – trupat u ngjitën në lartësi të pasigurta në të ftohtin e madh për të gdhendur fortifikime në shkëmb dhe borë.

Moti që testoi trupat në malin Scorluzzo në fund të fundit i ruajti kazermat e tyre, duke ngrirë hyrjen e mbyllur pasi ushtarët braktisën pozitën e tyre në fund të Luftës në vitin 1918. Struktura ishte në thelb e padepërtueshme për dekada – deri në vitin 2017, kur mjaftueshëm akull dhe borë qe shkrirë, duke lejuar hulumtuesit të hynin brenda.

Tani, pas një projekti shumëvjeçar të udhëhequr nga Muzeu i Luftës së Bardhë në Adamello, kazermat janë gërmuar, duke zbuluar sendet që ishin lënë pas dhe duke ofruar një copëz nga jetesa e njerëzve që jetonin në hapësirën e ngushtë më shumë se një shekull më parë.

Kazermat, në parkun kombëtar “Stelvio”, janë “një lloj makinerie e kohës”, ka thënë Stefano Morosini, historian që koordinon projektet e trashëgimisë për Parkun dhe është profesor në Universitetin e Bergamos në Itali.

“Ne jemi të interesuar jo vetëm në aspektin historik, por edhe në atë shkencor”, ka shtuar ai. “Si ishte ndotja? Si ishin kushtet epidemiologjike në kazerma? Si fjetën ushtarët dhe si vuajtën ata? Çfarë hëngrën ata?”

Shumë prej objekteve përfundimisht do të shfaqen në një muze që pritet të hapet vitin e ardhshëm në qytetin e Bormios, ka treguar Morosini. Punëtorët në Muzeun e Luftës së Bardhë, i cili është në afërsi të Temus, po punojnë për të restauruar reliktet e gjetura në kazerma.

Luca Pedrotti, një koordinator shkencor në Park, ka thënë se reliktet japin mësime në shkencë, mjedis e histori. Moti jashtëzakonisht i ftohtë la të vdekur ushtarë në Italinë Veriore më shumë se një shekull më parë. Sot kushtet e ngrohta paraqesin një tjetër lloj kërcënimi.

Pedrotti, i cili jetonte në Park si fëmijë, ka thënë se ai kishte parë akullnajat të tërhiqeshin për dekada. Ai ka parë ndryshime në florë dhe ka vërejtur kafshë akullnajash që lëviznin lart drejt majave të maleve, duke u kapur pas zonave të banueshme që vazhdojnë të tkurren.

“Unë mendoj se është e rëndësishme që ne ta përdorim Parkun si një zonë studimi për të rritur vetëdijen në lidhje me ndryshimet klimatike”, ka thënë ai.

Në Luftën e Bardhë, shumica e ushtarëve që vdiqën besohej se ishin vrarë jo nga luftimet, por nga kushtet atmosferike. Pozitat e tyre e bënin të vështirë furnizimin me ushqim dhe majat e maleve ishin të prira të vërshoheshin nga ortekët.

“Këtu burrat i kalonin ditët e tyre të mbështjellë me gëzofë të ashpër, fytyrat e tyre të lyera me yndyrë si një mbrojtje nga shpërthimet therëse dhe netët e tyre në vrima të zhytura në dëborë”, ka shkruar E. Alexander Powell, autor i “Italy at War” (Italia në Luftë), një libër i botuar në vitin 1918. “Në asnjë front, as në fushat e djegura nga dielli në Mesopotami, as në kënetat e ngrira Mazuriane, as në baltën e lagur me gjak të Flanders, njeriu nuk lufton për ekzistencë aq shumë sa këtu në çatinë e botës”.

Tani shkencëtarët dhe studiuesit italianë po punojnë për të rindërtuar jetën e përditshme të ushtarëve që luftuan në frontin e ngrirë.

Tashmë është e qartë se ata luftuan me urinë – ishin aq të uritur për të ngrënë palcë kockash dhe fara pemësh – dhe se ata bënë çmos për të luftuar të ftohtin me shtresa pëlhure dhe lesh. Ata gjithashtu u shkruan letra të dashurve të tyre, duke u treguar pamje spektakolare dhe kushtet e tmerrshme.

“Ne nuk jemi aq të interesuar për armët, sepse armët janë një mënyrë për të vrarë”, ka thënë Morosini. “Ne jemi të interesuar për reliktet që tregojnë kushtet ekstreme të mjedisit dhe kushtet ekstreme të jetës që kanë bërë këta ushtarë”.

Asnjë trup i ushtarëve nuk u gjet në kazerma, megjithëse kufomat e ngrira të njerëzve që luftuan në Luftën e Bardhë janë shfaqur afër. Megjithatë, studiuesit gjetën të paktën një shenjë jete, ka thënë Alessandro Nardo, drejtori i Parkut. “Kur erdha për herë të parë për ta menaxhuar parkun kombëtar ‘Stelvio’, në fund të vitit 2018, një nga gjërat që më tërhoqi kuriozitetin ishte një tenxhere e vogël në një tavolinë me një barbarozë të egër të gjelbër”, ka thënë ai.

“E pyeta kolegun tim se çfarë ishte, dhe ai tha se kishte mbirë nga farat e gjetura në dyshekët e kazermës së Scorluzzos”.

Marrë nga “The New York Times”. Përktheu: Alberina Haxhijaj