Shtojca për Kulturë

Mbijetesa e gjurmëve ilire

Roma, nëpërmjet kolonive e qytetarëve romakë, ushtroi mbi popullsinë ilire një presion kulturor e gjuhësor të cilin e shtriu edhe në sferën shpirtërore. Pati një akulturim të një shtrese të veçantë të popullsisë qytetare e të parisë vendëse. Elemente të qytetërimit romak hynë edhe në brendi të viseve ilire. Pushtuesit romakë bënë përpjekje të shumta për dobësimin e traditave të lashta në fushën e kulteve dhe për njësimin e disa hyjnive vendëse me hyjnitë e panteonit romak, duke u dhënë pamjen e jashtme romake

Në dy shekujt e parë të erës sonë degët kryesore të prodhimit: bujqësia, zejtaria, ndërtimet dhe tregtia e arti kaluan në duart e pushtuesve romakë dhe patën një zhvillim të madh, por pa pasur fuqinë e intensitetin e mëparshëm. Ky zhvillim qe pasojë e shtypjes dhe e shfrytëzimit të popullsisë vendëse, e shndërrimit të një pjese të saj në skllevër dhe e faktit se në pjesën më të madhe si bazë e ekonomisë ishte bërë puna e skllevërve. Ai u përqendrua kryesisht në disa qytete të rëndësishme, në radhë të parë në ato ku qenë vendosur kolonistë romakë.

Zhvillimi i Dyrrahut dhe Apolonisë

Në këtë kohë, Dyrrahu vazhdoi të ishte porti e qyteti më i madh i pjesës perëndimore të provincës së Maqedonisë. Dëshmitë arkeologjike e mbishkrimore tregojnë për një lulëzim të zejtarisë e të tregtisë, për ndërtime monumentale të bëra nga perandorë e funksionarë romakë, madje edhe banorë të qytetit. Në Dyrrah është gjetur thesari më i madh me monedha argjendi (rreth 4 mijë) të perandorëve romakë të shekujve I-II e. sonë. Një periudhë lulëzimi përjetoi edhe Apolonia, e cila qe jo vetëm një qendër e madhe kulturore artistike, por edhe ekonomike: ai është qyteti i vetëm që preu monedha për më shumë se dy shekuj, nga Augusti deri tek Eliogabali. Qyteti, në shekullin II dhe në gjysmën e parë të shekullit III, zhvillon një veprimtari të madhe ndërtuese. Për t’u përmendur në Apoloni, në këtë kohë, është se në fushën e artit, sidomos në mozaikët dhe në skulpturë, ruhen të gjalla e të forta shumë tipare të traditës klasike e helenistike. Apolonia tani është në duart e përfaqësuesve të aristokracisë romake të vendosur aty. Q. Vil Kripsin Fur Prokli ndërton buleterionin e qytetit të cilin e përuron me luftimet e 25 çifteve të gladiatorëve në arenën e qytetit. Ajo ka tashmë pamjen e një qyteti provincial, popullsia e saj është heterogjene.

Në qytet ka pasur edhe banorë ilirë, në një mbishkrim përmendet si pritan një ilir, M. Pedukai Gentiani. Ndërtime intensive, duke prekur planin e vjetër urbanistik, janë bërë edhe në qytetin e Butrotit. Me një interes të veçantë janë termet e shumta, që e bëjnë këtë qytet një qendër termale të njohur. Nga fundi i shekullit II kolonia nuk është më ajo e kohës së Augustit. Mbishkrimet nuk janë vetëm në gjuhën latine; një mbishkrim i gjetur në Butrot që nderon Mark Ulp An Kuinzianin, sundimtarin e provincës së Maqedonisë, është shkruar në gjuhën greke.

Nga mozaikët deri te monumentet

Ndërtime e rindërtime, por me përmasa më të vogla, në shekullin I-II të e. sonë janë bërë edhe në qytete të tjera. Në Orik, midis të tjerave, u përshtat një teatër për shfaqje teatrale e luftime gladiatorësh, kurse në Amanti u rindërtuan tempulli i Afroditës dhe u ngrit nga një qytetar romak një depo e madhe drithi. Në skelën e Onhezmit (Sarandë), që në këtë kohë fitoi një rëndësi të posaçme, banesat bëhen më të shumta, gjatë bregdetit janë zbuluar rrënojat e disave prej tyre, me salla e dhoma të shtruara me mozaikë.

Në Bylis deri tani nuk janë gjetur rrënoja ndërtimesh monumentale që i takojnë kohës kur ai ishte koloni romake. Qendra e qytetit, agoraja, ka ruajtur planin urbanistik të mëparshëm dhe aty ka vetëm gjurmë të pakta rindërtimesh. Ndryshe nga qytetet e mësipërme, kolonia romake e Shkodrës u zhvillua jashtë e poshtë mureve të kështjellës ilire, buzë lumit Drin, ku në një mikrolagje të saj kanë filluar të zbulohen gjurmë godinash të shekullit I-IV të e. sonë. Edhe qyteti i Foinikes u zhvillua poshtë akropolit të tij, në oborret e shtëpive të fshatit ngrihen mure të larta godinash, por ato janë ende të pagjurmuara e të pastudiuara. Nga pjesët e një terme të shekujve të parë të e. sonë, të zbuluar rishtazi në Lezhë, del se edhe qyteti i Lisit u zhvillua më tepër në pjesën e poshtme të tij, bile edhe jashtë mureve rrethuese të tij.

Ndikimi i kolonive romake

Një faktor që stimuloi zhvillimin e disa qyteteve ka qenë ndërtimi asokohe i një rrjeti të gjerë rrugor, sidomos në Ultësirën perëndimore. Në pjesën më të madhe këto rrugë ndiqnin trasetë e atyre më të vjetra, por në pajtim me kërkesat e komunikacionit të kohës ato u bënë më solide, u pajisën me stacione (mansio e mutatio). Një rëndësi të madhe fitoi rruga Egnatia me stacionet e shumta të saj. Një prej tyre, Ad Quintum, u zbulua në Bradashesh afër Elbasanit, i përbërë nga një kompleks i bukur nymfé-terme. Rrënoja stacionesh të tjera, të përfaqësuara tani për tani nga terme, janë lokalizuar në Borizanë të Krujës, stacioni Pistum, në rrugën Dyrrah-Salonë (Dalmati) dhe në Rexhepaj të Vlorës, i paidentifikuar, në rrugën Apoloni-Aktia Nikopolis (Greqi).

Hulumtimi arkeologjik në qytetet ilire “peregrine” ka dhënë një pamje tjetër. Në ekonominë e përqendruar të Perandorisë Romake një pjesë e qyteteve ilire kishin humbur rëndësinë e tyre si qendra ekonomike kulturore. Kolonitë romake, qytetet e “lira”, kishin përthithur e kthyer në “vici” dhe shpopulluan shumë qytete fqinje. Disa prej tyre edhe u braktisën. Por, ky reduksion i tyre në shekullin I-II nuk ka qenë një proces homogjen as edhe imediat, dhe nuk duhet marrë si tregues i rënies së përgjithshme të jetës qytetare. Edhe pse administrativisht të kthyera në gjendjen e një fshati dhe të pafortifikuara, ato nuk pushuan së qeni banime qytetare. Disa prej tyre vazhduan të ekzistojnë brenda mureve të vjetra tashmë të rrënuara, me një popullsi të paktë e me një jetë ekonomike-kulturore të varfëruar. Të tilla u bënë qytetet e Dimalit, Olympas, qytezat e Irmajt (Gramsh), Leklit (Tepelenë), Xibrit (Mat) etj. Të tjera, si qyteti ilir në (Albanopoli) Zgërdhesh, zbresin në fushë dhe zhvillojnë bujqësinë. Ndonjë qytet si Antipatrea (Berati) e Partha (Belshi), siç tregojnë zbulimet arkeologjike, vazhduan edhe në shekullin I-II të kenë një jetë mjaft intensive.

Shfaqja e qyteteve të reja

Në gjeografinë e Ptolemeut të shekullit II, krahas qyteteve të njohura, në provincën e Maqedonisë dalin për të parën herë emra qytetesh që mungojnë në veprat e autorëve më të vjetër. Midis tyre është Albanopoli (i lexuar kohët e fundit edhe në një mbishkrim latin të gjetur në Shkup), Aulona (qytet e skelë), Skampis e Dibolia. Ptolemeu jep vetëm pozitën gjeografike e cilësimin e tyre si qytete: ai nuk thotë asgjë për statusin e tyre. Ka shumë të ngjarë që në rrethana të veçanta dhe lidhur me pozitën e tyre gjeografike, nga vendbanime të vogla e të parëndësishme ato u zhvilluan si qytete. Aulona u bë e tillë pas rënies së qytetit të Orikut e portit të Triportit, i pari në jug dhe i dyti në veri të saj. Skampa, më parë “vicus” i Dyrrahut, falë pozicionit të saj në rrugën Egnatia, zuri vendin e qytezave të vjetra ilire dhe u bë qendra e pjesës lindore të Parthinisë. Edhe Dibolia-Deaboli mesjetar, e lokalizuar prej nesh në Zagradishtë të Korçës, e ndodhur në pjesën jugore të Dasaretisë të mbetur pa ndonjë qendër banim të rëndësishëm, filloi të zhvillohej si qytet. Në lidhje me të duhen theksuar dy fakte: e para, Aulona, Skampa e Dibolia qenë qytete ilire dhe e dyta, pamjen më të plotë të tyre ato e morën në shekullit IV. Për këtë periudhë dëshmitë arkeologjike janë të shumta. I tillë ka qenë edhe Hadrianapoli, i vetmi qytet që mban emrin e një perandori romak. Ai del vonë në burimet, në Tabelen Peutingeriana, si stacion i rrugës Apoloni-Amantia-Aktia Nikopolis dhe tani së fundi është identifikuar në Bregun e Melanit, në luginën e Dropullit. Por ajo që e bën më interesante këtë qytezë është zbulimi në fushë, në fshatin Sofratikë pak larg saj, të rrënojave të një teatri të bukur fushor të datuar në shekullit II të e. sonë. Për funksionin e këtij teatri është thënë se ai i përket pjesës së poshtme të qytezës së Bregut të Melanit, Hadrianopolit. Por, fakti që teatri ndodhet pak larg qytezës, në një vend ku nuk janë zbuluar gjurmë të tjera ndërtesash, të çon te një mendim tjetër. Duke u nisur edhe nga një dukuri shumë e përhapur në Galinë romake, ajo e ndërtimit të teatrove në fusha jashtë qyteteve, ka të ngjarë që aty të ketë qenë një “conciliabulum”, vend mbledhjesh i popullsisë fshatare të bashkësisë antigonase, së cilës, me sa duket, i mungonte një qendër administrative që të kryente funksione të ndryshme zyrtare.

Ndikimi i Romës

Roma, nëpërmjet kolonive e qytetarëve romakë, ushtroi mbi popullsinë ilire një presion kulturor e gjuhësor të cilin e shtriu edhe në sferën shpirtërore. Pati një akulturim të një shtrese të veçantë të popullsisë qytetare e të parisë vendëse. Elemente të qytetërimit romak hynë edhe në brendi të viseve ilire. Qeramika romake u përhap gjerësisht, duke sjellë uniformizimin e shumë prodhimeve të poçerisë, veçanërisht të enëve të vogla. Enët e tipit “terra sigillata” e “pseudo-sigillata” janë gjetje të rëndomta në shtresat kulturore pothuaj në të gjitha qendërbanimet ku janë bërë gërmime. Në të njëjtën kohë hyjnë në përdorim vegla të reja pune, më të përsosura, më praktike, që prodhoheshin me lehtësi. Edhe stolitë e tipit e të prodhimit italik janë të pranishme në shtresat kulturore të shek. I-II të e. sonë: janë më të shumta fibulat e tipit “Aucissa”, me këmbë të përthyera e ndonjë tjetër. Zbulimi i llambave të tipit me kanal me vulat FELIX BYLLIS E BYLLIS FORTIS, të shekullit II e. sonë, të përhapura në pellgun e Vjosës deri në Apoloni, tregojnë se firmat e mëdha italike të prodhimit të llambave krijuan filiale edhe në qytetet ilire.

Vazhdimësia e varreve tradicionale

Gjurmë të kulturës materiale romake janë gjetur edhe në varrezat e disa vendbanimeve të vogla. Në rrugën Egnatia e në degët e saj janë për t'u përmendur varreza e Togzit (Librazhd), ku, në një varr të shekullit II, u gjetën 26 enë balte, metalike e objekte të tjera të tipave të njohur romakë dhe ajo e Gërshtenjasit (Pogradec) e shekullit II e III e. sonë. Edhe në këtë varrezë gjetje të zakonshme janë enët prej balte të pjekur e qelqi. Bën përjashtim një varr i pasur me stoli ari e argjendi. Emri Platoria, i gërricur në dorezën e një pasqyre të gjetur në këtë varr, tregon se pronarja e saj i përkiste një familjeje fshatare ilire të pasur. Një varrezë fshati ilir është zbuluar dhe në Koplik të Shkodrës, stacioni Cina në rrugën Dyrrah-Salone. Edhe këtu inventari i varreve është i tipit romak (enë qelqi, enë balte, fibula etj.), por në gurët e varreve antroponomia është ilire dhe në një stelë ilire është edhe veshja e figurave që ajo mban. Më në veri pllaja që shtrihet në jug të qytetit të Kukësit është gjithashtu e pasur me gjetje të kulturës ilire-romake. Varret, ku inventari është i përbërë nga objekte të ngjashme, janë zbuluar në Leshnjë të Skraparit dhe në Qeparo të zonës së Himarës. Për t’u shënuar në këto varreza është se varret, në pjesën më të madhe të tyre, janë ndërtuar sipas mënyrës tradicionale, kanë trajtë arke apo çatie dhe se riti i varrimit është ai pararomak, me vendosjen e kufomës drejt në varre.

Përpjekja e romakëve për dobësimin e traditave

Me këtë përhapje të kulturës romake duhet thënë se nuk qëndron pikëpamja e ndonjë studiuesi për shndërrime të thella në tërë Ilirinë jugore dhe kjo për disa arsye. Së pari, shkalla e përhapjes apo e ndikimit të kulturës romake ka qenë e kufizuar, e vendosur nga pozita e ndryshme gjeografike e krahinave ilire dhe e kushtëzuar nga marrëdhëniet e tyre me Perandorinë Romake. Duhet pasur parasysh edhe një fakt tjetër: pas gërmimeve të reja në disa qendërbanime, prodhimet e qeramikës, stolitë, veshjet, ruajnë mjaft elemente tradicionale si në trajtë, në teknologji dhe deri në dekoracionin e tyre.

Po këtë dukuri kemi vënë në dukje, shumë kohë më parë, edhe në kulturën shpirtërore. Pushtuesit romakë bënë përpjekje të shumta për dobësimin e traditave të lashta në fushën e kulteve dhe për njësimin e disa hyjnive vendëse me hyjnitë e panteonit romak, duke u dhënë pamjen e jashtme romake, “interpretatio romana”. Shembujt më të bukur i kemi tek hyji i madh parthin, i quajtur Jupiter Parthinus, dhe tek hyjnesha e grigjave dhe e pyjeve e kandavëve, Diana Candavonsis. Në Amantia, në shekullit II të e. sonë, u rindërtua tempulli i vjetër i Afroditës, po kjo gjë ndodhi në Butrot me tempullin e Asklepit. Kulti i nymfeve, i hyjit të pjellorisë etj., vazhduan në Atintani e jashtë saj. Nuk do mohuar edhe përhapja e prania e kulteve romake e orientale. Në Dyrrah u ndërtua tempulli i Minervës dhe ka qenë mjaft i përhapur kulti i Mitrës, kurse në Lis një mbishkrim i kushtohet Menit, një hyjnie tjetër me origjinë orientale. Për përhapjen e kulteve orientale kryesisht në rrugën Egnatia ka edhe dëshmi të tjera arkeologjike.

Mbishkrimet latine

Për të njohur edhe më mirë procesin e shndërrimeve dhe përhapjen e kulturës romake që ndodhën në Ilirinë e Jugut në shekujt I-II dhe në gjysmën e parë të shekullit III, dhe për të përcaktuar karakterin e tyre dhe sa ato kanë prekur përbërjen etnike të popullsisë vendëse, janë me shumë vlerë mbishkrimet latine. Me përgatitjen për botim të përmbledhësit të mbishkrimeve latine të gjetura në Shqipëri, ne kemi në dorë një tablo të qartë të përhapjes së kufizuar të tyre, (shih hartën nr. 2). Edhe numri i tyre, gjithsej 250 mbishkrime, është tepër i vogël, po ta krahasojmë me 1676 mbishkrimet latine të gjetura vetëm në koloninë romake të Salonës, me 3.000 mbishkrimet e Dakisë, madje edhe 526 mbishkrimet latine të Dardanisë. Po t’i grupojmë sipas ndarjeve të vjetra krahinore, do të vërejmë se në Labiani ata gjenden në qytetin e Shkodrës dhe në rrethin e afërt të saj. Në verilindje ka dy mikrozona me mbishkrime latine, e para në Margegaj të Tropojës, në rrënojat e një prone të madhe tokësore me antroponimi latine, e dyta në zonën e Bicajt (Kukës), por edhe me antroponomi ilire.

Në municipin e Lisit mbishkrime latine ka deri tani vetëm brenda në qytet. Më shumë mbishkrime latine, gati gjysmën e sasisë së përgjithshme të tyre, i ka dhënë qyteti i Dyrrahut me rrethin e tij. Në fshatra ata janë fare të pakta, një për fshat, kryesisht të shekullit I të e. sonë, pastaj nuk ka më. Na duket me interes gjetja tani së fundi në të fshatin Baldushk të Tiranës e një monumenti votiv të dioskurëve të shekullit II të erës sonë ku kushtimi është shkruar në latinisht e greqisht. Ndërsa në mbishkrimet e lokaliteteve fshatare antroponomia është latine dhe është e kuptueshme, sepse kemi të bëjmë me italikë të ardhur, në ato të qytetit të Dyrrahut është e përzier. Nuk janë të pakta mbishkrimet që mbajnë emra tradicionalë ilirë, si Sura, Anula, Anai, Anaja, Pladomen, Beni apo etnikone ilire si Scodrina, Epetinus, Naissus e Nutria. Emra ilirë ka edhe në mbishkrimet e Skampës. Emrat: Plator, Dona, Advena e Satria tregojnë për ekzistencën e një popullsie vendëse para ardhjes së italikëve. Një përhapje të kufizuar mbishkrimesh latine ka pasur në krahinën e urbanizuar të Atintanisë, në mjedis të zhvilluar ilir dhe me ndikime të forta helenistike. Ata gjenden kryesisht në qytetin e Bylisit dhe në periferinë e ngushtë të tij. Krahina e fundit me mbishkrime latine është Kaonia, ato janë përdorur thuajse vetëm në qytetin e Butrotit.

Vazhdon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë

Kumtesë e lexuar në Kuvendin II të Studimeve Ilire, Tiranë, 1985. Mestitujt janë të Redaksisë