Shtojca për Kulturë

Teoria semiotike e rrëfimit

Jo një herë, Eco – që nuk sjell definicione në trajtë cirkulare, por vendos pika në çështje të rëndësishme që lidhen me semiotikën e tekstit letrar – do të përkufizojë se teksti është një makinë e krijuar për nxjerrjen apo reflektimin e interpretimeve. Ky, teksti pra, i përkufizuar si makinë për prodhimin e kuptimeve, do ta ketë si qëllim prodhimin e lexuesit model dhe ky i fundit prodhimin e pakufishëm të kuptimeve.

Gjashtë shëtitje në pyjet e tregimtarisë, para së gjithash, është përgatitje për të hyrë në botën e rrëfimit. Meqë kjo botë, e përbërë nga ngjarjet dhe personazhet, nuk ia del asnjëherë që ta shprehë tërësinë, në procesin konstituiv të saj kërkohet një aktant që do ta përplotësojë. Ky është lexuesi, i cili mbush hapësirat eliptike të tekstit, duke u kthyer kësisoj në bashkëpunëtor të ngushtë të autorit. Pylli i Ecos shenjëzon tekstin tregimtar. Ky pyll degëzohet në mijëra shtigje, kahen e të cilave e vendos secili lexues ndryshe nga tjetri, varësisht pikënisjes së caktuar dhe pikëmbërritjes së synuar. Jemi brenda pyllit, pra universit rrëfimor. Të stivuar tani do t’i gjejmë elementët përbërës të tij, duke nisur nga më i rëndësishmi: apertativiteti. Vepra letrare është e hapur, apo – nëse do të manovronim me konceptet e R. Bartit – e shkrueshme. Ajo asnjëherë nuk i thotë – dhe as nuk duhet t’i thotë – të gjitha: është një makinë dembele në lëvizjen e së cilës lexuesi luan rol kyç. Këtu nuk lipset një lexues empirik, por një lexues model. I pari nuk diktohet nga asnjë ligj a premisë udhëzuese gjatë leximit, ndërkaq i dyti është opozitari i tij. Ai bën anatomizimin e tekstit përmes një leximi të hollë, të afërt dhe të përsëritur në kohë, duke e parë këtë si të vetmen rrugë për hetimin e teknikave të shkrimit, që është shteg edhe për detektimin e mënyrës së krijimit të universit narrativ. Kështu, lexuesi – nëse do ta vazhdonim gjuhën e metaforizuar të Ecos – pyllëzon hapësirën e pafundme semantike duke dekoduar sistemin e shenjave e kodeve.

Tani, nëse pylli është universi narrativ, atëherë endja nëpër të shënjon leximin, sikundër edhe përpjekjen për përplotësim. Pylli, thotë Eco, për t’u bërë Pyll i Shenjtë, duhet të jetë i ngatërruar si pyjet e Druidit, e jo i rregullt si një kopsht francez. Rend në këtë pyll ngatërrimtar duhet të vërë lexuesi, të cilit i ngarkohet detyra që tekstin ta vrojtojë si tërësi koherente duke startuar nga preciziteti në detektimin e dysisë botë reale dhe botë fiktive. Për ta zhbiruar këtë fillimisht nevojitet një dialektikë e fuqishme autor–lexues: një pakt midis autorit dhe lexuesit, i cili duhet të besojë në gjithçka që thotë teksti. Ky tip lexuesi do të quhet lexues i bindur, i cili do ta lexojë trillimin sikur të ishte realitet, pra do ta marrë për të vërtetë atë që e lexon. Për ta bërë këtë gjë, ai duhet ta pezullojë mosbesimin para se t’i vihet aktit të leximit, në atë mënyrë që bota e trillit të jetë botë ku e vërteta nuk duhet të vihet në diskutim e as pikëpyetje. Jemi te kategoria e së vërtetës në botën fiktive, e cila saktësohet si e vërteta e pranueshme dhe përkthehet në besim e pastaj në parim që duhet ndjekur dhe që peshon po aq sa parimi i së vërtetës në botën reale. E dyta i ngjan të parës e të dyja së bashku paraqesin një amalgamë interesante – apo me fjalët e vetë Ecos, një gjendje ku botët tregimtare janë parazitë të botës reale. Në të vërtetë, ajo çfarë kërkohet është literalisht preciziteti në rrëfim – që këtu sinonimon me të vërtetën – për çka më së shumti shquhet ky autor në rolin e tregimtarit. Por, e vërteta duhet matur mirë dhe vendosur kujdesshëm në kuadrin ligjërimor. Ne flasim për të vërtetën edhe brenda botës imagjinare, bazuar në ngjarjen e një libri të caktuar e cila etablohet si konstrukt vërtetësie. Pra, nëse themi se Maria e Tunelit të Sabatos nuk vdes në fund, ne gënjejmë. Bota reale dhe fiktive në terma letrarë paraqesin tregimtarinë natyrale dhe tregimtarinë artificiale: në parafrazë, e para është rrëfimi i asaj që ka ndodhur realisht – pra, një historia rerum gestarum – dhe e dyta rrëfimi që predominohet nga trilli tregimtar i cili bën sikur e thotë të vërtetën në kuadrin e ligjërimit të përgjithshëm tregimtar. Fakti që autori ‘vjedh’ nga bota reale për ta krijuar atë fiktive e stabilizon vërtetësinë në rrëfim. Realizimi final i këtij të fundit varet nga fuqia strategjike e autorit model, zbulimi i të cilit kërkon detyrimisht një lexues model. I takon këtij të hetojë zërin e autorit model, autorit empirik dhe tregimtarit; t’i hetojë aluzionet dhe lidhjet semantike të tekstit; të ftillojë mënyrën e ligjërimit, që është kruciale kur shihet në raport me disponimin që e përçon teksti – varësisht nga mënyra sesi shprehemi, teksti merr ngjyresat konotuese: një tragjedi mund lehtë të kthehet në komedi dhe vice versa; të hetojë kohën tregimtare – pra kohën e ligjërimit, të fabulës dhe leximit – e cila krijohet për ta “lodhur” në endje atë dhe për t’ia shtuar kuriozitetin për deshifrim semantik, duke e vonuar apo, thënë shkurt, duke e ftuar për një shëtitje deduktive. Kjo shëtitje do të bëhet krah autorit model, i cili nuk do të përdorë teknikën cut to the chase – mbi bazën e të cilit parim Eco ndan letërsinë e lartë nga ajo e ulëta – sepse e di se do t’i humbet shija leximit, por do të përdorë teknikën e ngadalësimit narrativ, që bëhet përmes përshkrimeve të ndryshme, hipotipozave në rastin më të mirë, të cilin proces Eco e quan koha e ankthit. Ngadalësimi duhet me patjetër të jetë funksional, fort i kujdesshëm dhe të bëhet për qëllime artistike. Ideja e vonimit kapet për teorinë aristoteliane të veprimit tragjik, që sugjeron peripeci të shumta para katastrofës, në mënyrë që katarsisi të jetë më i fuqishëm dhe më ekstatik. Ngadalësimet jepen në funksion edhe të zbërthimit të tekstit, simboleve dhe alegorisë së tij, pasi i japin kohë lexuesit për përsiatje dhe deshifrim.

I përmbledhur shkurt në fjalë, ky është labirinti i pyllit nëpër të cilin lexuesi udhëhiqet dhe udhëzohet nga Eco, i cili, që në krye të herës, mëton të vërë në pah fuqinë e jashtëzakonshme e tregimtarisë për ta mbushur pamjaftueshmërinë njerëzore metafizike. Duke qenë se trilli mundëson sistemimin e përvojave jetësore, atëherë leximi, për këtë autor, është literalisht kërkim për t’i siguruar kuptim qenësisë.

Eco, duke na mësuar si duhet lexuar, na tregon edhe si duhet shkruar. Duke na mësuar si të endemi nëpër pyll, na mëson si ta sendërtojmë atë.

(Fusnotat janë hequr nga redaksia)