Shtojca për Kulturë

“Romakët nuk qenë në gjendje ta nënshtronin trevën ilire”

Proceset e shndërrimit që na interesojnë kanë parahistorinë e tyre, një periudhë gati 200-vjeçare që i paraprin; ajo fillon menjëherë pas luftës së parë ilire-romake (v. 229 p.e. sonë), vazhdon me rënien e shtetit ilir, me vendimet që mori Roma në Ilirinë e Jugut (v. 168) e me krijimin e provincës së Maqedonisë (v. 148), në të cilën qenë përfshirë krahinat në jug të lumit Mat. Shndërrimet kanë pasur kryesisht karakter politik. Republika skllavopronare romake e shkatërroi në radhë të parë unitetin politik të ilirëve, i copëtoi ata – që të mos bashkohen – në njësi të vogla administrative politike-koinone e polise me statuse të ndryshme, duke ruajtur edhe institucionet e vjetra politike të tyre, por gjithmonë të varura prej saj

Historia mjaft e trazuar e ilirëve dhe kultura e tyre e shekujve të pushtimit romak, pas kërkimeve të reja, kanë filluar të marrin pamjen e vet, duke dalë si një tërësi e njësuar e logjike me një zhvillim të sigurt në vazhdimësinë e tyre. Ato kanë përmbajtjen e një periudhe, tipari thelbësor i së cilës është qëndresa kundër romanizimit. Proceset e shndërrimeve në këtë periudhë, shtrirja e tyre në kohë e në hapësirë, reagimi dhe qëndresa ndaj tyre e popullsisë ilire, por edhe dukuritë që i kanë shoqëruar, përbëjnë temën që kemi zgjedhur për të parashtruar në këtë Kuvend. Mbi bazën e një analize të burimeve të shkruara dhe të dhënave të arkeologjisë, në trajtesë do të nxirren edhe përfundime. Si në çdo fillim të një pune, ato nuk kanë si të jenë shteruese dhe më tepër synojnë ta hapin perspektivën për një program të njësuar e të gjerë të kërkimeve arkeologjike e historike për këtë problem, që do të zbatohet me përmasa më të mëdha në të ardhmen.

1. Proceset e shndërrimit që na interesojnë kanë parahistorinë e tyre, një periudhë gati 200-vjeçare që i paraprin; ajo fillon menjëherë pas luftës së parë ilire-romake (v. 229 p.e. sonë), vazhdon me rënien e shtetit ilir, me vendimet që mori Roma në Ilirinë e Jugut (v. 168) e me krijimin e provincës së Maqedonisë (v. 148), në të cilën qenë përfshirë krahinat në jug të lumit Mat. Shndërrimet kanë pasur kryesisht karakter politik. Republika skllavopronare romake e shkatërroi në radhë të parë unitetin politik të ilirëve, i copëtoi ata – që të mos bashkohen – në njësi të vogla administrative politike-koinone e polise me statuse të ndryshme, duke ruajtur edhe institucionet e vjetra politike të tyre, por gjithmonë të varura prej saj. Romakët, në atë kohë, për shkak të luftërave e kryengritjeve të dalmatëve, dardanëve e fiseve të tjera ilire, nuk ishin në gjendje të kalonin drejtpërdrejt në qeverisjen e trevës jugore ilire.

Këtë situatë politike të krijuar, por të pakonsoliduar, në trevën tonë e ndriçojnë ngjarje të shumta, të cilat e gjallëruan në njëfarë mënyre jetën politike të saj. Dokumentacioni që kemi përdorur e ka çarë një pjesë të perdes që mbulonte këtë periudhë, por duhet thënë se pamja nuk është ende tërësore. Do t’i përmend shembujt më të njohur. Në listën e theorodokëve të Delfit (Greqi), të çerekut të parë të shek. II p.e. sonë, që shërben për njohjen e statusit të qyteteve në vendet e pushtuara nga Roma, janë shënuar emrat e tetë qyteteve ilire-epirote: Daulia (e paidentifikuar), Apolonia, Bylisi, Oriku, Foinike, Kemarai (Himara), Abantia (Amantia) dhe Dyrrahu. Për më shumë se 100 vjet (shek. II-I p.e. sonë) në Butrot e në Foinike dokumentet zyrtare mbishkrimore fillojnë me emrat e strategëve e të prostatëve, të koinoneve, të prasaibëve e të epirotëve përreth Foinikes. Në mbishkrimet zyrtare të Apolonisë, Amantisë, Bylisit e Dimalit, si sundimtarë eponimë të qyteteve përmenden gjithnjë pritanët. Një “letër” e bylinëve, e fillimit të shek. II p.e. sonë, dërguar Spartës (Greqi), që ka të bëjë me marrëdhëniet midis tyre, nis edhe ajo me pritanin e demosin. Sipas një pasazhi të Tit Livit parthinët, në vitin 168 p.e. sonë, fjala është për koinonin e tyre — në krye të ushtrisë kishin një komandant të këmbësorisë (strategun) dhe një komandant të kalorësisë (hiparkun). Pas vitit 168 p.e. sonë, koinoni i labianëve, njëra nga krahinat ashtu të quajtura autoktone të krijuara me rënien e shtetit ilir dhe kryeqendra e tij Skodra, ashtu sikurse më parë koinoni i bylinëve e Bylis, presin monedhat e tyre.

“Në Iliri vazhduan traditat e vjetra”

Dokumentacioni i sotëm arkeologjik tregon se në situatën e re të krijuar, zhvillimi ekonomik e kulturor relativisht i lartë, ku mbizotëron prodhimi vendës, është vazhdimi i atij zhvillimi që kishte filluar që nga vitet 270-250 p.e. sonë. Nismëtare, të shumtën, janë përsëri qytetet ilire-epirote, ku në shek. II e gjysmën e parë të shek. I p.e. sonë veprojnë atelie të ndryshme, sidomos të qeramikës, duke përfshirë edhe qeramikën masive të ndërtimit. Një shembull i qartë për këtë janë punishtet e tjegullave në Dimal dhe atelietë e figurave prej bronzi në Amanti. Në qarkullimin monetar janë monedhat e Dyrrahut e të Apolonisë që mbizotërojnë, duke i kapërcyer edhe kufijtë e Ilirisë. Gjatë kësaj kohe kultura qytetare ilire nuk pati ndonjë ndryshim. Qytetet, qytezat dhe fshatrat e Ilirisë së Jugut vazhduan traditat e vjetra, ruajtën fizionominë e tyre, kurse republika skllavopronare romake nuk luan ndonjë rol dhënës në fushat ekonomike e kulturore. Vërehet vetëm një dukuri e re: prania gjithnjë e në rritje, veçanërisht në shek. I p.e. sonë, në disa qytete ilire-epirote, e të ardhurve italikë. Ne listën e emrave të lexuar në mbishkrimet e parodosit të teatrit të Butrotit ka një Aulos e një Markos. Një Gai, pritan i Dimalit, është lexuar në mbishkrimin e arkitraut të një tempulli të ndërtuar në këtë qytet, kurse një Gai tjetër vulos me emrin e tij tjegullat e punishteve shtetërore në Dyrrah.

Në trevën ilire jugore gjatë këtyre shekujve ishin formuar disa krahina të mëdha etno-gjeografike: Labiania, Parthinia (Bardhinia) e Dasaretia, në viset që më parë i përkisnin shtetit ilir, kurse në kufirin e shtetit ilir me atë epirot ishte Atintania dhe në jug të saj Kaonia. Këto krahina do të luajnë një rol të rëndësishëm në ngjarjet e shndërrimet e shekujve të mëvonshëm madje edhe në procesin e gjenezës së popullit shqiptar.

“Ardhja e kolonëve romakë”

2. Gjendja në Ilirinë e Jugut filloi të ndryshojë në mesin e shek. I p.e. sonë, në kohën e prokonsullatës së Cezarit në Ilirik e pastaj gjatë luftës civile të tij me Pompeun. Në këtë kohë nis një proces shndërrimesh në fusha të ndryshme të këtyre krahinave. Por, shndërrimet nuk u bënë pa qëndresë nga ana e vendësve. Vetë Cezari kallëzon për një kryengritje të pirustëve në vitin 54 p.e.s., e cila e detyron atë të vijë në Ilirik; më pas ai shkruan për një “conventus civium romanorum” që kishte në dorë qytetin e Lisit, të cilin ai ua kishte besuar atyre dhe ishte kujdesur vetë për t’i mëkëmbur fortifikimet e tij. Tri mbishkrime latine të gjetura në muret e qytetit i takojnë kësaj kohe dhe tregojnë për rindërtime të rëndësishme në muret fortifikuese. Dy ngjarjet lidhen bashkë. Në qytetin e Lisit ishin vendosur me shumicë qytetarë romakë dhe qyteti ishte shndërruar në një municipium romak, jo pa ndeshur kundërshtimin e banorëve të tij. Qytetarët romakë ishin kryesisht “negotiators” e “mercatores”, tregtarë e spekulantë të ardhur aty nga mundësitë që kishin për t'u pasuruar.

Një proces i ngjashëm e afërsisht në të njëjtën kohë ka ndodhur në Butrot; ai ka prekur qytetin, por më shumë rrethinën e tij bujqësore. Për ngjarjet në Butrot, një burim i çmueshëm është letërkëmbimi i Ciceronit. Që në vitin 59 p.e. sonë, Tit Pompon Atiku, një përfaqësues i aristokracisë skllavopronare romake, del si zotërues pronash të mëdha tokësore e kopesh bagëtish në rrethinën e Butrotit. Në Butrot ishin vendosur edhe qytetarë të tjerë romakë, sepse edhe ai merr statusin e municipit. Grabitja e tokave në zonën e Butrotit, që vazhdoi për shumë vjet, shkaktoi revoltën e butrotasve. Kjo e detyroi Cezarin që edhe këtu ta fortifikonte qytetin. Ai kishte hartuar edhe një plan, sipas të cilit pas mbarimit të luftës civile Butroti duhej të shndërrohej në një koloni ku do të vendoseshin veteranët e legjioneve të tij.

“Fundi i drahmave ilire”

Periudha “cezariane”, veçanërisht luftërat civile, kemi parasysh jo vetëm atë midis Cezarit e Pompeut, por edhe ato midis M. Antonit e Brutit, të cilat u zhvilluan në trevën tonë dhe në mënyrë të veçantë në Parthini, patën pasoja të rënda për popullsinë vendëse. Ato u bënë shkak në vitet 48 e 39 p.e. sonë për shpërthimin e dy kryengritjeve të parthinëve, të cilat u shoqëruan me shkatërrimin e vendit e vrasjen e popullsisë. Thesare monedhash të fshehura në këtë kohë të pasigurt hedhin dritë edhe për shndërrime të tjera; dobësohet e merr fund qarkullimi i drahmave ilire të Dyrrahut e të Apolonisë. Vendin e tyre e zë, pas vitit 44 p.e. sonë, denari romak.

3. Politikën kolonialiste të Romës në trevën e Ilirisë së Jugut, të filluar nga Cezari, e çoi deri në fund pasardhësi i tij, Oktaviani, pas betejës së Aktiumit në fillim të Principatit.

Në vitin 30 p.e. sonë, Dyrrahu, që deri atëhëre kishte qenë “një qytet i lirë” me popullsi të madhe e shumë qytetarë romakë, shndërrohet në një koloni. Sipas Dion Kasit, Dyrrahu ka qenë njëri nga qytetet e para ku Augusti dërgoi si kolonistë italikët e shpronësuar, partizanë të Antonit, tokat e të cilëve ua kishte dhënë veteranëve të legjioneve të tij. Në burimet e ndryshme ai do të dalë me epitetet Colonia Julia Augusta, Colonia Julia Veneria. Po kjo ndodhi në të njëjtën kohë edhe me qytetin ilir Bylis, i cili u shndërrua gjithashtu në koloni romake. Nga dy mbishkrime latine të zbuluara rishtazi ka të ngjarë që edhe kjo koloni të jetë njohur me emrin Colonia Julia Augusta Byllidensis. E njëkohshme me ta është edhe kolonia e Butrotit, e cila, në monedhat e prera në qytet, njëherë quhet Colonia Julia Buthrotum e një herë tjetër Colonia Augusta Buthrotum. Nuk ka të dhëna të plota për vendosjen e kolonisë romake në Skodra. Në veprën e Plinit “Historia e Natyrës”, Skodra, ashtu si Lisi, është një oppidum civium romanorum (qytet me të drejtën romake); ajo duhet të jetë shndërruar në koloni pak më vonë, sepse në një mbishkrim latin ajo mban epitetin Colonia Claudia Augusta. Lisi mbeti vetëm një municip. Një status të ngjashëm me atë të Lisit ka pasur, sipas Plinit, edhe qyteti Denda ende i paidentifikuar, që ndodhej në bregdetin midis Lisit e Dyrrahut. Duhet theksuar se në procesin e ngritjes së kolonive romake në Ilirinë e Jugut nuk pati themelime në vende të reja të pabanuara; kolonitë e municipet ruajtën, të gjitha, emrat e qendërbanimeve të vjetra, duke përfshirë edhe Dyrrahun.

Themelimi i kolonive romake u pasua me shndërrime në fusha të ndryshme të jetës së tyre; në to u vendosën me shumicë qytetarë romakë, kurse popullsia e vjetër e tyre, duke përjashtuar përfaqësuesit e parisë së qyteteve, të bashkuar me romakët, mbeti incolae, banorë të zhveshur nga të drejtat qytetare. Nëpër koloni, institucionet municipale qenë organizuar sipas shembullit të Romës. Mbishkrimet latine të gjetura në këto qytete na kanë njohur me organet drejtuese të tyre; më të plota kanë dalë në mbishkrime institucionet municipale e organizma të tjerë në qytetin e Dyrrahut.

Ndryshimet e reja

Shndërrimet u bënë jo vetëm në qytetet koloni, por edhe në rrethinën e tyre. Kjo ka qenë përcaktuar nga faktorë të ndryshëm, në radhë të parë nga karakteri më tepër agrar i kolonive dhe pastaj nga politika e diferencuar e Romës kundrejt bashkësive krahinore të ilirëve. Labiania e vjetër u bë territori bujqësor i kolonisë së Skodrës. Mendoj se nuk është e rastit gjetja e mbishkrimeve latine në lokalitete të vjetra bujqësore, siç ndodh në Melgushë apo në fshatrat e Mbishkodrës, në Vaun e Dejës, Rene, Drisht, Marshenj e Koplik. Municipi i Lisit edhe më vonë mbeti një qendër tregtare. Qyteti koloni i Dyrrahut, megjithëse ishte një port i madh e qendër “industriale”, pati një rrethinë të gjerë. Parthinia, krahina e banuar nga parthinët-albanët, nga lumi Mat në veri deri në rrjedhjen e poshtme të Apsit (që, sipas Cezarit, ishte në kufi të Apolonisë) e malet e Kandavëve (Polisi) në jug, u bënë territor bujqësor i qytetit. “Dyrrahu, shkruan Dion Kasi, ndodhet në atë tokë e cila më parë u përkiste ilirëve parthinë…”. Në zonën perëndimore të saj ka pasur prona të mëdha tokësore; kolonistët italikë të vendosur aty, në pjesën më të madhe, kanë qenë skllevër e libertë (skllevër të liruar). Territorit bujqësor të Dyrrahut i përkiste edhe Skampa, që për një kohë të gjatë qe një “vicus” i tij. Një “vicus” tjetër i tij ka qenë edhe Asparagium Dyrrachinorum, i përmendur nga Cezari, por ende i paidentifikuar. Sipas një mbishkrimi të gjetur, Kuint Musi, një qytetar romak që bëri karrierë në Dyrrah, kishte pronat e tij tokësore në Skampa. Kolonia e Dyrrahut ka qenë kolonia e vetme në Ilirinë e Jugut që gëzonte ius Italicum, të drejtën italike, që ishte një nga privilegjet më të larta për qytetet e provincave romake. Kolonia e Bylisit, e ndodhur në një krahinë të banuar intensivisht dhe të urbanizuar, nuk ka pasur një territor të gjerë bujqësor; ajo u kufizua në krahinën e vjetër të banuar nga bylinët. Edhe më e vogël ka qenë rrethina bujqësore e kolonisë së Butrotit, që mbeti brenda zonës së banuar nga prasaibët epirotë.

“Krahinat e lira” që mbetën jashtë kontrollit romak

Sikurse shihet, në ngritjen e kolonive romake numerikisht të pakta, Augusti zgjodhi disa nga qytetet e mëdha e të rëndësishme, me një shpërndarje proporcionale në katër krahinat e mëdha etno-gjeografike në ultësirën bregdetare. Ato ndodheshin në krahina pjellore e të urbanizuara të vendosura në rrugët kryesore që përshkonin Ilirinë e Jugut dhe përputheshin me interesat ekonomikë të Perandorisë Romake, por njëkohësisht ata u përshtateshin edhe kërkesave të tjera, sikurse qe kontrolli i popullsisë vendëse.

Kolonitë romake me territoret e tyre bujqësore përbënin një pjesë relativisht të vogël të trevës së madhe ilire jugore. Krahinat e tjera, veçanërisht ato të brendshme, mbetën jashtë veprimtarisë kolonizuese. Perandoria romake, për të mos e ashpërsuar qëndrimin antiromak të popullsisë ilire, e vazhdoi politikën e vjetër të diferencuar. Këtë ajo e bëri edhe në vartësi të kushteve ekonomike shoqërore e gjeografike të ndryshme të krahinave të brendshme. Pati qytete në jug të lumit Seman të cilat e ruajtën “autonominë” dhe aparatin administrativ të tyre në shekujt e parë të erës sonë. Sipas Nikollës së Damaskut, Augusti e shpalli Apoloninë një “civitas libera et immunis”. Këtë ai e bëri jo vetëm për “respektin” ndaj një qyteti helen me tradita të zhvilluara kulturore e artistike, që ishte bashkuar qysh herët me Romën, por edhe për motive demagogjike të cilat mund të shfrytëzoheshin politikisht. Statusin e një qyteti të lirë e ruajti edhe Amantia, banorët e së cilës Plini i cilëson “liberi amantini”. Duhet menduar se qytete të lira mbetet edhe Foinike, e cila ende në vitin 27 p. e. sonë ishte qendra e koinonit të epirotëve përreth saj, e bashkë me të dhe Oriku, që në përshkrimin e bregdetit perëndimor të provincës, të bërë nga Plini, radhitet pas Apolonisë, duke u cilësuar si qytet i themeluar nga kolkasit. Qytetet e tjera ilire, si ato që kishin filluar të binin edhe ato që qëndronin ende, mbetën qytete “peregrine”, tributare.

Përveç qyteteve “të lira”, ka pasur edhe krahina të lira. Në burimet e shkruara përmendet si e tillë Dasaretia. Nga një mbishkrim i gjetur në kryeqendrën e dasaretëve, në Lyhnid (Ohër), del se bashkësia — demosi — i dasaretëve kishte organet e veta, bulenë e arkontët. Në viset e brendshme lindore ka pasur edhe bashkësi të tjera “të lira”, si ajo e pirustëve, ndoshta edhe e penestëve. Kjo gjendje ka qenë e përcaktuar nga tradita e vjetër e autonomisë së disa krahinave, që në kohën e shtetit ilir, nga zhvillimi i ngadaltë ekonomik e shoqëror i tyre dhe nga urbanizimi i paktë dhe i vonuar, janë përfaqësuar nga qyteza të vogla. Në këto krahina mungojnë mbishkrimet latine, ka pak gjurmë të kulturës romake dhe ato pak të dhëna që kemi tregojnë se popullsia ilire nuk u prek nga shndërrimet e shekujve të parë të erës sonë dhe mbeti homogjene. Të mbetur jashtë rrugëve të rrahura tregtare e lëvizjeve të mallrave dhe larg qyteteve të mëdha, banorët e këtyre krahinave vazhduan të merreshin kryesisht me bujqësi e blegtori, duke ndier njëfarë rënieje ekonomike e demografike.

(Kumtesë e lexuar në Kuvendin II të Studimeve Ilire, Tiranë, 1985. Vazhdon në numrin e ardhshëm të shtojcës për kulturë. Mestitujt janë të redaksisë)