Shtojca për Kulturë

Hapësira publike e Prishtinës shpaloset në kuadër të Bienales së Arkitekturës në Venecia

Projekti "Prishtina Public Archipelago" (Arkipelagu Publik i Prishtinës), që shpalos detaje në lidhje me hapësirën publike në Prishtinë, është përzgjedhur nga kuratori i Bienales së Arkitekturës në Venecia, Hashim Sarkis, që të shpaloset në kuadër të seksionit “Co-Habitat”. Arkitektët Bekim Ramku e Nol Binakaj sjellin detaje për sheshin “Bashkim-Vllaznimi”, Hotelin “Grand”, “Rilindjen”, “Boro-Ramizin”, “Kino Armatën” e objektin e ish-Shtëpisë së mallrave “Gërmia”

Kur arkitekti libanez Hashim Sarkis e mori detyrën për të qenë kurator i Bienales së Arkitekturës në Venecia u bë e ditur se i gjithë edicioni i 17-të do t’i besohet tematikës që ai do ta përzgjidhte. “How will we live together?” (Si do të jetojmë së bashku) është tema që ai ka vendosur, e mbi të cilën kanë filluar punën edhe vendet pjesëmarrëse të këtij edicioni, por edhe artistët e ftuar nga kuratori. Ky edicion do ta përfshijë një seri të pjesëmarrësve jashtë garës, e në programin “Co-Habitat” – mes diskutimeve që do të zënë pjesë – është edhe trajtimi i hapësirës publike në Prishtinë. "Prishtina Public Archipelago" (Arkipelagu Publik i Prishtinës) është titulli i projektit që shpaloset nga Fondacioni kosovar për Arkitekturë, respektivisht nga arkitektët Bekim Ramku e Nol Binakaj. Projekti që ka marrë formën e një dokumentari dhe libri shpalos detaje për sheshin Bashkim-Vllaznimi, Hotelin “Grand”, “Rilindjen”, “Boro-Ramizin”, “Kino Armatën” e objektin e ish-Shtëpisë së mallrave “Gërmia”.

Edicioni i sivjetmë i Bienales së Arkitekturës në Venecia do të nisë më 22 maj dhe zgjat deri më 21 nëntor të këtij viti. Kuratori Sarkis ka thënë se është plotësisht rastësi vendosja e kësaj teme për këtë edicion që është shtyrë dy herë për shkak të pandemisë.

“Sidoqoftë, shumë prej arsyeve që na kanë shtyrë ta bëjmë këtë pyetje – kriza intensifikuese e klimës, zhvendosjet masive të popullsisë, paqëndrueshmëritë politike nëpër botë dhe pabarazitë në rritje racore, sociale dhe ekonomike, ndër të tjera – na kanë çuar në këtë pandemi dhe janë bërë gjithnjë e më të rëndësishme", ka shtuar ai.

Bienalja Ndërkombëtare e Arkitekturës – ku Kosova sivjet do të marrë pjesë për herë të katërt – fillimisht ishte menduar të mbahej në maj të vitit 2020, por ishte shtyrë për datat 29 gusht deri më 29 nëntor të vitit të kaluar, për shkak te pandemisë. Sidoqoftë, as me këto data nuk u mbajt edicioni i 17-të, i cili do të nisë këtë muaj.

Arkitekti Bekim Ramku ka treguar se në kuadër të seksionit “Co-Habitats”, përpos instalimit të tyre që trajton Prishtinën, do të ketë edhe pavilione të tjera që trajtojnë dukuri të ndryshme. Bëhet fjalë për qytetin Bejrut, qytetin San Paulo, qytetin Addis Ababa, kampin “Al Azraq” në Jordani, Indinë, Nigerinë/Egjiptin/Meksikën, Prishtinën, Hong-Kongun, Venecian, New Yorkun dhe Rio de Janeiron. Ramku ka thënë së i bën të lumtur fakti se instalimet e tjera në kuadër të këtij seksioni janë punuar nga profesorë eminentë të “Harvard Graduate School of Design”, “Massachusetts Institute of Technology” , “AA school”, “GSAPP Columbia”, e të ngjashëm.

“Kur u ftova nga kuratori dhe ekipi i tij të marr pjesë në ekspozitë, më është kërkuar ta adresoj një fenomen urban, qoftë në Prishtinë, Kosovë, apo në relacionin e Kosovës si shtet i ri me shtetet përreth, në veçanti me Shqipërinë”, ka thënë ai. Por, ka shtuar se ftesa ishte një “rreng”, pasi të gjithë të ftuarve të kuratorit u është kërkuar që produkti final i studimit dhe instalimit të kenë përfundim pozitiv. Kjo doli të jetë sfiduese për ekipin nga Kosova.

“Pas shumë diskutimeve, në fund vendosëm ta trajtojmë ‘publiken’ në Prishtinë. Instalimi ynë dhe studimi fillojnë që të dy nga premisa se hapësira publike është vitale për mirëqenien e shoqërisë, pa marrë parasysh regjimet politike. Nisur nga kjo, në dy vjetët e fundit, ekipi i Fondacionit kosovar për Arkitekturë ka përzgjedhur ta shikojë fenomenin e privatizimit të hapësirave dhe strukturave publike në qendrën e qytetit, si dhe iniciativave jofitimprurëse (kryesisht kulturore) që janë duke punuar për t’i mbajtur këto struktura publike”, ka thënë ai.

Ramku ka treguar se strukturat të cilat janë trajtuar janë sheshi “Bashkim-Vllaznimi”, Hoteli “Grand”, “Rilindja”, “Boro-Ramizi”, “Kino Armata” dhe objekti i ish-shtëpisë së mallrave “Gërmia”. Ka shtuar se për të gjitha këto struktura kanë bërë analiza hapësinore (përdorimi burimor dhe ai i tanishëm), kanë kërkuar nga studiues të ndryshëm vendorë që të prodhojnë shkrime për to, si dhe kanë prodhuar një dokumentar.

“Në instalimin tonë në Venecia do të paraqesim dokumentarin, si dhe disa libra studimi. Është e rëndësishme të përmendet se në studimin tonë (dhe libër) kemi kontribuues nga qytete të tjera të regjionit, që trajtojnë mungesën apo ‘luftën’ për ruajtjen e hapësirave publike në to”, ka theksuar ai.

Seksioni i Co-Habitats do jetë i vendosur në “Arsenale”. Përpos prezantimit në “Arsenale” dhe në librin kryesor të Bienales, Bienalja e Venecias në bashkëpunim me MIT Press (një nga shtëpitë më të rëndësishme të arkitekturës dhe urbanizmit në botë) do të publikojë edhe librin “Co-Habitats”, që do t’i trajtojë vetëm hapësirat e prezantuara në kuadër të këtij sesioni.

Në anën tjetër, “Containporary” është vepër që do ta përfaqësojë Kosovën në Bienalen e sivjetme të Arkitekturës në Venecia. Në një prononcim për gazetën në mars të vitit të kaluar, Vezgishi kishte treguar se qysh në fillim ishte përcaktuar që qasja konceptuale të ishte mjedisi.

Një kontejner të cilin e kishte vënë re pranë një institucioni në kryeqytet kishte shërbyer si pikënisje për idenë e tij.

“Ai shërben për largimin e ‘përmbajtjeve’ të ndryshme... Përmbajtja jemi vetë ne, atë që e kemi e hedhim, atë që e hedhim na përshkruan”, kishte thënë Vezgishi për instalacionin që do të paraqitet në “Arsenale”.

Ish-ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, në bazë të kompetencave të tij, kishte emëruar Jehona Shytin si komisionere të Pavijonit të Republikës së Kosovës për pjesëmarrje në Bienalen e Venedikut, kurse arkitektin Maksut Vezgishi si kurator të kësaj ngjarjeje të rëndësishme ndërkombëtare.

Në edicionin e 16-të të Bienales së Arkitekturës në Venecia 2018, kuratore e Pavijonit të Kosovës ishte artistja Eliza Hoxha, me temën “Qyteti është gjithandej”. Më 2016, sherri i Ministrisë së Kulturës, Kosova s’u përfaqësua. Debutimin e vendit në këtë ngjarje e bëri arkitekti Përparim Rama më 2012, me veprën “Punuesi i filigranit”. Për komisar ishte caktuar arkitekti Bekim Ramku. “Punuesi...” mëtonte të hidhte dritë mbi trashëgiminë kulturore të Kosovës. Më 2014, Gëzim Paçarizi e kishte përfaqësuar Kosovën me “Visibility (imposed modernism)” (Dukshmëria – Modernizmi i imponuar).