Shtojca për Kulturë

Njohja historike nga Izraeli

Ujdia për njohjen reciproke midis Republikës së Kosovës dhe shtetit të Izraelit, bazuar në parimet e Kartës së KB-së dhe në përputhje me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike të vitit 1961, ka rëndësi të veçantë si për Kosovën, ashtu edhe për Izraelin, pasi kjo njohje ndërkombëtare i hap mundësi një partneriteti shumë efektiv ndërmjet dy vendeve tona. Pa dyshim, kjo njohje dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Izraelit është e rëndësishme strategjikisht dhe e veçantë për shkak të historisë dhe mënyrës së krijimit të shtetit të Izraelit, i cili, ashtu si edhe shteti i Kosovës, i detyrohet për mbështetje vendimtare SHBA-së. Sigurisht, siç e konfirmoi edhe ambasadori i Izraelit në Beograd, “Vuçiqit nuk i pëlqeu, por njohja e Kosovës është çështje e kryer”

Për koincidencë, 21 vjet më vonë – prej 12 prillit të vitit 1999, kur për herë të parë refugjatët shqiptarë nga Kosova prekën në tokën e Izraelit, e cila u bë vendstrehim dhe shtëpi e dytë e kosovarëve – i njëjti politikan, i njëjti kryeministër, Benjamin Netanyahu, ishte protagonist i njohjes së fundit ndërkombëtare të shtetit të Kosovës. Ishte kjo një njohje që ka kuptim të veçantë dhe historik për të dyja shtetet mike, të cilat ndajnë orientime, aleatë, vlera dhe interesa të përbashkëta.

Ujdia për njohjen reciproke midis Republikës së Kosovës dhe shtetit të Izraelit, bazuar në parimet e Kartës së KB-së dhe në përputhje me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike të vitit 1961, ka rëndësi të veçantë si për Kosovën, ashtu edhe për Izraelin, pasi kjo njohje ndërkombëtare i hap mundësi një partneriteti shumë efektiv ndërmjet dy vendeve tona. Pa dyshim, kjo njohje dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Izraelit është e rëndësishme strategjikisht dhe e veçantë për shkak të historisë dhe mënyrës së krijimit të shtetit të Izraelit, i cili, ashtu si edhe shteti i Kosovës, i detyrohet për mbështetje vendimtare SHBA-së. Sigurisht, siç e konfirmoi edhe ambasadori i Izraelit në Beograd, “Vuçiqit nuk i pëlqeu, por njohja e Kosovës është çështje e kryer”.

Sipas analistit të Institutit të Izraelit për Politikat e Jashtme Rajonale, Yonatan Touval, 12 vjet pas shpalljes së pavarësisë, vjen në një kohë kur janë dominuese pikëpamjet se pavarësia nuk nxit ndjenjat secesioniste në Izrael. “Unë mendoj se këto ankthe, këto shqetësime për këtë paralelen imagjinare midis Kosovës dhe Palestinës janë zbutur në mënyrë të konsiderueshme gjatë 12 vjetëve të kaluar. Për këta 12 vjet, qëkur Kosova ka shpallur pavarësinë, historia ka treguar se ajo nuk ka pasur ndikim negativ në konfliktin (e Izraelit) me palestinezët”, thotë Yonatan.

Veç kësaj, kjo njohje e shtetësisë së Kosovës nga Izraeli është një çështje mjaft e rëndësishme gjeopolitike, sepse ka ndikim në zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe në Ballkanin Perëndimor. Po ashtu, kjo njohje konfirmoi se ishin të paqëndrueshme të gjitha paralelet apo ngjashmëritë artificiale të ngritura se pavarësia e Kosovës do të krijonte precedent legjitimes për palestinezë dhe për raste të tjera brenda Spanjës, Sllovakisë, Rumanisë e vendeve të tjera mosnjohëse. Po ashtu, njohja nga Izraeli dhe hapja e Ambasadës në Kosovë janë jo vetëm njohje për shtrirjen e sovranitetit të jashtëm të këtij shteti, por edhe shtrirje e sistemit të vlerave dhe njohje reciproke e vlerave të të dyjave palëve.

Derisa kjo njohje nga Izraeli për Kosovën ka vlerë dhe peshë të rëndësishme ndërkombëtare dhe i takon aksit të vendeve mike të prira nga SHBA-ja, reagimet nga qendra të ndryshme ndërkombëtare kanë qenë pro dhe kundër. Për administratën amerikane, vendosja e raporteve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit po vlerësohet si një ditë historike. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të jenë në krah të Kosovës gjatë rrugës drejt integrimit në instancat euro-atlantike. Ndërsa, BE-ja nuk e ka mirëpritur një zhvillim të tillë, sidomos hapjen e Ambasadës kosovare në Jerusalem. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se një vendim i tillë i Kosovës është një “vendim fatkeq”. Derisa për reagimin e Turqisë, vend po ashtu mik i Kosovës dhe mbështetës i fuqishëm në procesin e njohjes dhe pjesëmarrjes së Kosovës në organizatat multilaterale, qëndrimi i BE-së është injoruar në Kosovë, pasi shumica e kosovarëve konsiderojnë se Brukseli ka bërë pak në procesin e integrimit evropian dhe e ka lënë Kosovën të izoluar si të vetmin vend evropian pa liberalizimin e vizave.

Për këto kritika të BE-së karshi Kosovës ka shkruar në gazetën më të madhe gjermane “Die Welt” (5 shkurt 2021) gazetari britanik-gjerman, Alan Posener, i cili vinte në dukje se nuk ka asgjë më të rrezikshme për paqen sesa përzierja e fesë me politikën dhe shtonte: “nëse lufta për ‘Tokën e Shenjtë’ deideologjizohet nga fakti që vendet myslimane normalizojnë raportet e tyre me Izraelin, e madje vendosin ta pranojnë Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit, atëherë kjo duhet të jetë në interes të Bashkimit Evropian”. “Në këto rrethana, kërcënimi i Stano’s nuk është vetëm i zbrazët, por edhe i egër e padyshim i motivuar, thjesht anti-Izraelit”, deklaronte Posener.

Vendosja e marrëdhënieve diplomatike

Vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Izraelit, që u bë më 1 shkurt 2021, nëpërmjet aktit të firmosjes (virtuale) të dokumenteve nga dy ministrat e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla dhe Gabriel Ashkenazi, shënoi një moment të shumëpritur historik për të dyja shtetet. Në rend të parë, për Kosovën, kjo marrëdhënie paraqet një moment kyç në shtegun e konsolidimit të mëtutjeshëm të shtetësisë dhe të subjektivitetit të saj ndërkombëtar, ndërsa edhe për Izraelin angazhimi i palës kosovare për hapjen e ambasadës së saj në Jerusalem, pos që ndjek shembullin amerikan, e legjitimon njohjen e këtij qyteti si kryeqytet i Izraelit. Pavarësisht dilemave të ngritura në publikun vendor dhe disa qendra ndërkombëtare, më 15 mars 2021, bazuar në Marrëveshjen e Washingtonit të 4 shtatorit 2020, MPJD përmbushi zotimin e dhënë nga pala kosovare: vendosi selinë e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem.

Njohja nga Izraeli dhe hapja e ambasadës kosovare në Jerusalem, në fakt, shpërfaqin rëndësinë dhe ndikimin jetik të SHBA-së në politikën e jashtme të këtyre shteteve, të cilat i detyrohen në mënyrë ekzistenciale mbështetjes së SHBA-së. Pra, këto marrëdhënie u shërbejnë reciprokisht të dyja vendeve, konsolidimit të pozicioneve të tyre rajonale dhe ndërkombëtare, si dhe vetë politikës së jashtme amerikane. Ky pozicion duket qartë edhe në deklaratën e Departamentit Amerikan të Shtetit, në të cilën qartë konstatohet: “Kur partnerët tanë janë bashkuar, Shtetet e Bashkuara janë më të forta,” duke e cilësuar këtë ngjarje “si një ditë historike”. Marrëdhëniet Kosovë-Izrael gjithashtu i japin një dimension të rëndësishëm marrëveshjes më të gjerë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga SHBA-ja. Këto marrëdhënie ndërmjet Tel Avivit dhe Prishtinës në kontekstin gjeopolitik i shërbejnë paqes dhe stabilitetit në Ballkan e në Lindjen e Mesme. Në të njëjtën kohë, vendosja e marrëdhënieve Kosovë-Izrael ka ndikim domethënës për BE-në dhe shfaq një epërsi diplomatike të Washingtonit përballë Brukselit. Nëse amerikanët ia dolën ta bindin Tel Avivin për ta njohur Kosovën dhe për të konfirmuar se nuk ekziston asnjë paralele me Palestinën, Brukseli nuk pati sukses, ose nuk u tregua aq i vendosur për t’i bindur të pesë anëtarët e saj – Spanjën, Greqinë, Sllovakinë, Qipron dhe Rumaninë – për njohjen e Kosovës, edhe 13 vjet pas deklarimit të pavarësisë dhe pas vendimit të GJND-së. Çështja bëhet edhe më e ndjeshme për faktin se Brukseli që nga viti 2011 vazhdon të ndërmjetësojë në dialog për normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore Kosovë-Serbi e mosunitetin evropian në planin e politikës së jashtme dhe vihet re ka zbehur fuqinë e vet në sytë palës kosovare dhe asaj serbe. Megjithatë, Bashkimi Evropian ka shkuar më tej, nuk e ka mirëpritur një vendim të tillë të Kosovës për hapjen e ambasadës së saj në Jerusalem. Por, një qëndrim i tillë është injoruar në Kosovë, meqë në Prishtinë konsiderojnë se Brukseli ka bërë pak në procesin e integrimit evropian, për më tepër e ka lënë Kosovën të izoluar, si të vetmin vend evropian pa liberalizim të vizave. Por, mbetet të shihet si do të reagojë BE-ja kur bëhet fjalë për zhvendosjen e Ambasadës së Serbinë, e cila ka hapur bisedimet për anëtarësim në BE.

Kosova dhe shqiptarët kanë çfarë të mësojë nga shteti i Izraelit

Në këtë kontekst, Kosova ka çfarë të mësojë nga shteti i Izraelit, si në fushën e sigurisë dhe të procesit të shtet-ndërtimit, ashtu edhe në fushën e kulturës së kujtesës, meqë rrugëtimi dhe fati i këtij populli pothuajse ka qenë i njëjtë, me plot vuajtje dhe sakrifica – si i shqiptarëve të Kosovës, të cilët në mënyrë ciklike u përballën me tri dëbime shfarosëse gjatë shekullit XX. Mund ta japim një shembull: vite më parë, Yuli-Yoel Edelstein pati deklaruar se në Ministrinë e Jashtme të Izraelit ka një departament të veçantë trajnimi që quhet “Mashav”, ku ekspertë të vendeve të tjera trajnojnë persona nga Evropa Lindore, Azia e Afrika në fusha të ndryshme. Në këtë kontekst, diplomatët kosovarë mund të merrnin përvoja të çmuara në shtetin izraelit.

Në të njëjtën kohë, Republika e Kosovës, në shenjë respektimi të historisë dhe kontributit të komunitetit historik hebraik, e ka për detyrim t’i restaurojë vlerat historike dhe kulturore të komunitetit hebraik të Kosovës. Në këtë kontekst, ngritja e memorialit në kryeqytetin e Kosovës, përballë rrugës nga Parlamenti, shënon një copëz historie të komunitetit hebraik: është një kujtim për 92 hebrenjtë e deportuar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pllaka përkujtimore është vendosur në vendin e sinagogës së fundit të Kosovë, e shkatërruar nga regjimi komunist serb-jugosllav në vitin 1963. Ajo paraqet një kujtim për komunitetin historik hebraik të Kosovës. Gjithashtu, në kuadër të Muzeut të Kosovës, do të duhej të kishte një sektor i veçantë edhe për Holokaustin dhe gjithsesi edhe për kontributin e personaliteteve hebraike në fushën e studimeve albanologjike dhe atyre të diasporës hebraike në shërbim të afirmimit dhe mbështetjes së kërkesave të shqiptarëve të Kosovës për pavarësi, pa angazhimin e të cilave rrugëtimi i Kosovës deri këtu do të ishte i paimagjinueshëm. Edhe Kosova do të duhej ta ndiqte shembullin e ITSHK-së me seli në Shkup dhe përmes botimeve shkencore, përkthimit të memoareve të personave dhe familjeve të mbijetuara hebraike nga Holokausti gjatë Luftës së Dytë Botërore, do të jepnin një kontribut të mirë në sqarimin e çështjes hebraike në Ballkan. Një shembull pozitiv, padyshim, është vendimi i autoriteteve kosovare për t’ia dhuruar një ndërtesë Bashkësisë Hebraike, e cila do të shfrytëzohet si qendër kulturore e hebrenjve për ekspozimin e historisë mes shqiptarëve dhe komunitetit historik hebraik ndër shekuj.
Ajo që do të duhej të ndodhte në të ardhmen do të ishte më tepër punë dhe angazhim i studiuesve dhe institucioneve të ndryshme, që do të duhej t’i thellonin edhe më tepër studimet e tyre mbi çështjen hebraike, duke marrë si model mbijetesën hebreje nëpër shekuj, por dhe solidarizimin e popujve të tjerë me ta. Për rrjedhojë, shqiptarët kanë nevojë të mësojnë nga tradita e kultivimit dhe arkivimit të kujtesës hebraike – duke marrë si shembull Yad Vashem, Qendrën Botërore të Përkujtimit të Holokaustit – që, bashkë me këtë traditë të pasur, mund të përfshihen edhe në kurrikulat shkollore si pjesë të caktuara mësimore.

(Autori është historian dhe ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare)