Shtojca për Kulturë

“Heroi me një mijë fytyra” në sagën e udhëtimit nëpër kohë dhe botë

Te më e çmuara vepër e tij, Joseph Campbell vijëzon hollë udhëtimin universal të heroit, duke marrë në shqyrtim një duzinë mitesh nga anekënd bota, si ilustrime konkrete të idesë së paraqitur. Udhëtimi skicohet në të gjitha fazat e tij dhe ka si qëllim parësor kërkimin e së përbashkëtës njerëzore

Ab origine mundi

Mitet, thënë përmbledhtazi, flasin për origjinën e krijimeve. Kur zëmë ngoje mitet gjallojmë jashtë konceptit kohë dhe vendosemi në një terren ekstemporaliteti, gjithëkohësie a tejkohësie, nëpër të cilin lëvizim mes gjenezës – asaj që quhet fëmijëri e hershme e njerëzimit – dhe kohës së cilës i përkasim, duke krijuar kështu një tablo përherë dinamike të historisë së miteve, që de fakto është histori e lindjes dhe evoluimit të njerëzimit. Këtij terreni ecet duke kthyer kohën mbrapa (përmes teknikës going back) – si mjet i njohur gjurmimi në memorien njerëzore dhe atë mitike – për t’i formësuar hipotezat dhe për t’i ravijëzuar botëkuptimet mbi origjinaritetin e gjërave dhe fenomeneve. Bota e mitit është një botë ad infinitum, e mbushur me simbolikë, deshifrimi i së cilës na afron drejt të vërtetave humane. Ndërkohë që gjuha me të cilën flitet për të, e shkëputur nga logjika rigide, në çdo rast kapërcen përfytyrimet e zakonshme njerëzore.

Problematikave fort të ngatërruara si: krijimi i botës dhe shprishja e pritshme e saj, raporti i njeriut me kozmosin, Zotin a tjetrin, identiteti njerëzor ballë kohëve të ndryshme, metafizikja njerëzore, ekzistenca e pavarur e shpirtit etj., njeriu përherë u ka dhënë formë konkrete dhe shpjegim me anë të miteve, gjë që provon faktin se simbolikat mitologjike kanë, para së gjithash, kuptim psikologjik. Kësisoj, mitet, duke shprehur brendinë e njeriut, me gjithë emocionet e vagullta e dëshirat e strukura në nënvetëdijen e tij, u sigurojnë trajtë gjërave të paqarta me të cilat preokupohet qenia njerëzore.

“Mitet lindin, sikur ëndrrat dhe sikur vetë jeta, nga një botë e brendshme dhe e panjohur për vetëdijen.” Kështu do të përkufizojë mitologu i njohur Joseph Campbell, për të nënvizuar idenë se prirja kah miti do të thotë prirje kah bota e brendshme, ndërkaq shkëputja e lidhjeve me të do të nënkuptojë humbje të esencës humane.

Drejt së përbashkëtës njerëzore

Që në krye të herës, Campbell do të precizojë që, pavarësisht ndryshimeve sipërfaqësore, mitologjia është e njëjta kudo – kurdoherë dinamike dhe assesi statike. Këtu zaten merr fill diskutimi i gjerë dhe i bujshëm të cilin e gjejmë të mbarështuar edhe te Levi-Strosi. Tek “Antropologjia strukturale”, ky autor do të spikasë kontradiktën e natyrës së miteve. Nëse nga njëra anë – pyet ai – mitet duken arbitrare për arsye se nuk respektojnë konditat logjike, si ndodh që nga ana tjetër mitet e kulturave të ndryshme ngjasojnë mes vete, fakt ky që rrëzon arbitraritetin e supozuar të miteve. Pra, i bie që përmbajtja e mitit s’mund të jetë e rastësishme sepse, po qe se është, “si mund ta shpjegojmë faktin se mitet nëpër botë janë kaq të ngjashme? Miti, që për Levi-Strosin është “gjuhë më vete”, gëzon një strukturë të thellë e cila dëshmon për ngjashmërinë e tij nëpër kultura të ndryshme. Kjo vihet në dukje kur analizojmë komponentët strukturorë mbi të cilat ngrihen narracionet mitike, që realisht janë të patejkalueshëm dhe të përsëritur në të gjithë mitet. Një studim sintezë i strukturës së miteve – më shkurt i përbërësve strukturorë, që Levi-Stros i quan mitema – do të përcaktohet pra si domosdo për zhbirimin e tyre, duke pasur parasysh variabilitetin dhe dinamizmin që i karakterizon. Ky studim, sjellë në jetë me anë të krijimit të tabelave diakronike e sinkronike, paradigmatike e sintagmatike, do ta provojë njëjtësinë dhe qëndrueshmërinë e skemës së miteve.

Duke iu bindur idesë se për ta zbuluar strukturën e thellë të mitit duhen analizuar krejt variantet e tij, Campbell, me ndihmën e letërsisë, antropologjisë, psikanalizës e fenomenologjisë së feve, gjurmon thellë në vetëdijen njerëzore dhe arketipat mitologjikë të heroit, për të paraqitur para lexuesit sagën e udhëtimit të tij nëpër kohë dhe botë. Te “Heroi me një mijë fytyra” – më e çmuara vepër e tij – Campbell vijëzon hollë udhëtimin universal të heroit, duke marrë në shqyrtim një duzinë mitesh nga anekënd bota, si ilustrime konkrete të idesë së paraqitur. Udhëtimi skicohet në të gjitha fazat e tij dhe ka si qëllim parësor kërkimin e së përbashkëtës njerëzore. Heroi i tij, i shpërfaqur përmes një mijë fytyrash, udhëton nga një kulturë në tjetrën, në përpjekje për t’i dhënë frymë idesë se ekziston një vijë përbashkuese mes popujve, në mënyrën se si ata i përkufizojnë gjërat dhe se si i manifestojnë veprimet e tyre. Domethënë, sipas kësaj që thamë, ekziston një i ashtuquajtur “sistem gjigant kozmik”, brenda të cilit gjallojnë të gjitha qeniet njerëzore, të cilat ndajnë mes vete elemente të përbashkëta, që e konstruktojnë një, ta quajmë, identitet përbashkues njerëzor. Secili mit që Campbelli merr në shqyrtim paraqet një mikrostrukturë dhe të gjithë së bashku paraqesin makrostrukturën mitologjike të lidhur fort organikisht, që më pas kthehet në narrativë gjenerale.

E vërteta simbolike

Campbell dallon katër funksione të mitit: funksioni mistik, që është të kuptuarit e universit dhe vetes; funksioni kozmologjik, që paraqet dimensionin me të cilin preokupohet shkenca; funksioni sociologjik, që është mbështetja dhe validimi i një rendi të caktuar shoqëror; dhe funksioni pedagogjik, apo ai se si ta jetojmë një jetë njerëzore në çfarëdo rrethanash. Duke qenë se ky autor zgjedh shpirtëroren si kategori mbi çdo alternativë tjetër, funksioni pedagogjik mund të piketohet si më i rëndësishmi për të në këtë mes, gjë që bie në sy edhe po qe se lëvizet me kujdes nëpër faqet e veprës së tij.

Nën moton “E vërteta është një, të mençurit flasin për të me shumë emra”, Campbell do t’i zhbirojë simbolet që rrinë nën petkun e religjionit dhe mitologjisë – të cilën e quan si të vërtetën e parafundit, pasi ajo finalja s’mund të shprehet me fjalë – dhe do të gjejë se miti është fenomen kryekëput metaforik që shpërfaq potencialin mendor dhe spiritual të njeriut. Për ta kuptuar këtë “dije të moçme” lipset njohur gramatika e simboleve, çelës për zhbirimin e së cilës Campbell precizon psikanalizën, e cila do ta deshifrojë atë që njihet si fëmijëri e njerëzimit dhe psikologji e thellësisë. Duke qenë se religjioni, ashtu sikundër edhe filozofia, letërsia, arti e madje edhe ëndrrat, janë shumë të lidhura me mitin, ky i fundit për Campbellin paraqet një “hyrje sekrete nëpërmjet së cilës energjitë e pashtershme të kozmosit derdhen mbi manifestacionet kulturore njerëzore”; një të vërtetë të madhe por ama simbolike, produkt të nënvetëdijes njerëzore. Në këtë vazhdë, te “Heroi me një mijë fytyra”, Campbell do t’i vërë ballas të mirën dhe të ligën, vdekjen dhe pavdekësinë, të vjetrën dhe të renë, individualen dhe kolektiven, fiziken dhe metafiziken, për të shënjuar kështu të plotë orvatjen e njeriut për ekzistencë si dhe njohje të vetes dhe botës. Jo faktet që provojnë vërtetësinë, por mënyra se si del e vërteta (gjithmonë simbolike) është krejt çka ka rëndësi në një rrëfim mitik.

Monomiti, udhëtimi mitologjik i heroit

Monomiti, apo i ashtuquajturi “udhëtimi mitologjik i heroit”, shpërfaq më së miri lidhjen vivide që ekziston mes kulturave të popujve të ndryshëm nëpër gjithë botën. Monomiti, që nga shumë studiues shihet si udhëzues ideal për krijim narrativash të pafundme, është modeli i skicuar i udhëtimit të heroit. Formula reprezentative e këtij udhëtimi, i cili përbëhet nga tri faza që heroi duhet domosdo t’i kalojë për t’u konsideruar i plotë misioni i tij, është kjo: Veçimi – Nisja – Kthimi, dhe mund të shihet lirisht si embrioni i monomitit. Më poshtë do ta shohim të shprehur në fjalë sagën e heroit, që niset nga rëndomtësia e mbërrin te surrealja, te e jashtënatyrshmja, te një botë që s’i njeh ligjet e as kufijtë e botës fizike:

“Heroi niset për në aventurën e vet nga ambienti i zakonshëm në të cilin frymon drejt një regjioni ku shpërthejnë mrekullitë e mbinatyrshme, përballet me forca përrallore dhe korr një fitore decizive; nga aventura e tij misterioze heroi kthehet me forcën për t’u ndihmuar të tjerëve”.

Faza e parë e udhëtimit mitologjik paraqet thirrjen që fati ia drejton heroit për ta transferuar nga bota e rëndomtë në zona të paeksploruara, vende të çuditshme dhe jo të zakonshme, si për shembull: një tokë e largët, një pyll, mbretëri nëntokësore, qiell a ishull sekret. Heroi që e pranon thirrjen do të takohet tani me udhëheqësin e vet, i cili do të jetë ndonjë magjistar, xhuxh apo figurë e ngjashme, që mbron heroin në fazën e parë të udhëtimit. Në disa raste, ky udhëheqës është gjithashtu edhe lajmëtari që jep thirrjen për aventurë. Tutje pason ballafaqimi me atë që quhet “roja e pragut”, i cili mund edhe të ketë rol mbrojtës dhe ta paralajmërojë heroin për rreziqet që i kanosen dhe t’ia sugjerojë mosshkuarjen më tej në botën e panjohur, së cilës thirrje heroi nuk do t’i bindet nëse do me ngulm të fitojë njohurinë dhe fuqinë që i duhen. Tani heroi kalon në një fazë tjetër të ekzistencës dhe lë prapa krejtësisht jetën e gjeratëhershme: kalon nëpër shumë sfida, fitimi i të cilave pason me triumfet e tij, që kulmojnë me një apoteozë të mundshme. Piketohet takimi me perëndeshën-nënë që përfaqëson gruan në të gjitha llojet e saj: nënë, motër, shoqe, e dashur. Nga ana tjetër kemi figurën e babait, që zakonisht paraqet rivalin, i cili dënon heroin për orvatjen për t’ia zënë vendin, betejë në të cilën heroi mbrohet nga perëndesha-nënë. Kur heroi i mund frikët e veta dhe shkëputet totalisht nga bota paraprake, atëherë pason çlirimi absolut. Pas gjithë kësaj heroi duhet të kthehet në botën së cilës i përket dhe të ndajë gjithçka me të gjithë, ani pse, zakonisht, heronjtë i thonë “jo” kthimit në shtëpi. Edhe rruga e kthimit mban befasi e rreziqe për heroin, nëse forcat nuk i kanë dhënë bekimin që i duhet. Ndaj, ndonjëherë do të ketë nevojë edhe për ndihmën e dikujt. Sikur është precizuar, qëllimi përfundimtar i heroit – që shfaqet në shumë trajta, si tiran, dashnor, shëlbues, luftëtar apo shenjtor – është të krijojë urën lëvizëse mes dy botëve, të vdekshmes dhe të pavdekshmes, dhe të lëvizë kollaj mes tyre, sikundër, ta zënë, Krishti që përfaqëson edhe njerëzoren edhe hyjnoren në të njëjtën kohë.

Heroit i aventurës zakonisht është një aktant i cili në aventurë thirret nga forcat e larta ose priret “ex officio” të ndërmarrë nismën kur mendon që shoqërisë i duhet eliksiri i tij për një “ringjallje” të nevojshme. Fundja, morali i çështjes, sikur ka përcaktuar Campbell, është se heroi sakrifikohet për diçka. Ajo “diçka”, për shoqërinë, në rrethana të caktuara, është “gjithçka.”

Një mijë fytyra të një heroi

Duke lëvizur nga psikologjikja te metafizikja, Campbell, në këtë vepër që vlon nga mitet, legjendat dhe rrëfimet për heronjtë, na siguron që “nuk ka një sistem final për interpretimin e miteve dhe kurrë nuk do të ketë një të tillë gjë.” Pra, sikur ngjan në çdo terren që nuk ka ekzaktësi të dëshmuar, çdo gjë mbetet e hapur për t’u provuar e riprovuar.

Por, ajo që dihet është që ekziston një hero, i cili ka një mijë fytyra. Secili hero ndryshon nga tjetri, por pika e pjekjes është pothuajse identike. Secili nga ne është një hero në pritje të një aventure të mundshme, për ta fituar pavdekësinë shpirtërore, ashtu që të bëhemi përfaqësues të vullnetit të mirë dhe tregues të një procesi të vazhdueshëm të përmirësimit të njerëzimit.

Lidhja e Campbellit me mitin është gjithsesi e një natyre të veçantë dhe kapërcen në çdo rast raportin studiues – objekt studimi. Brenda mitit ky autor veneron një poezi të hollë dhe fine, të cilën bën thirrje të mos e vrasim, “duke e interpretuar si biografi, histori apo shkencë”. Kësaj udhe, duke e nuhatur një shmangie nga kontakti me transcendenten, Campbell do të shkruajë në fund, për ta lënë këtë edhe si mesazh:

“Sot neve na takon përgjegjësia për t’u bërë heronj të kohës sonë dhe për ta shpëtuar shoqërinë. Pasi që nuk është shoqëria ajo që duhet ta udhëzojë dhe shpëtojë heroin krijues, por e kundërta.”

Autorja është studiuese e letërsisë dhe përkthyese. Fusnotat janë hequr nga Redaksia