Shtojca për Kulturë

“Në kërkim të Venerës” për rritjen dhe emancipimin në Kosovën e sotme

Filmi i gjatë debutues i regjisores Norika Sefa, “Në kërkim të Venerës”, ndjek jetën e trazuar të një vajzë fjalëpakë që jeton në një fshat të Kosovës

Përkundër kushteve të kufizuara, kinematografia kosovare u ka dhuruar shikuesve një koleksion titujsh të suksesshëm në vitet e fundit: nga “Cirku fluturues” i Fatos Berishës dhe “Zana” nga Antoneta Kastrati, te “Zgjoi” i Blerta Bashollit, që në shkurt mori çmimin e madh të jurisë, atë të audiencës dhe çmimin për regjinë më të mirë në “Sundance Film Festival”. Tani, pas marrjes së Çmimit Special të Jurisë në edicionin e sivjetmë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Rotterdam, filmi debutues i metrazhit të gjatë i regjisores Norika Sefa, “Në kërkim të Venerës”, është i vendosur për të lënë shenjat e veta në historinë e filmit në vend.

Filmi që zhvillohet në një fshat kodrinor të Kosovës, ndjek ngjarjen e një adoleshenteje fjalëpakë që quhet Venera (një talente e re, Kosovare Krasniqi), e cila jeton në një shtëpi të vogël me prindërit e saj, dy vëllezërit me të rinj dhe me gjyshen e saj. Jashtë ka shumë pak për të parë dhe shijuar, dhe shumica e lëvizjeve të saj përcillen nga vëllezërit e saj, nipërit ose fqinjët që e ruajnë atë dhe “reputacionin e mirë” të familjes. Por Venera ëndërron për një të ardhme më ndryshe – dhe shpirti i saj gjallërohet kur ajo bëhet shoqe me rebelen Dorina (që luhet nga Rozafa Çelaj). Me lezet dhe ndjeshmëri, Sefa eksploron në thellësi zhvillimin seksual dhe mental të Venerës, pa hezituar të portretizojë ngacmimet e zakonshme që asaj i bëhen nga moshatarët dhe prindërit.

Sefa ka thënë se ajo e ka zhvilluar skenarin gjatë dy vjetëve: “Kam dashur që të tregoj mënyrën sesi jam rritur, dhe sesi funksionon një familje e madhe prej tri gjeneratash. Kishte shumë mundësi kreativiteti në këtë përplasje të energjive dhe vizioneve për jetën”, ka thënë ajo për “The Calvert Journal”. Pasi kam dalë jashtë vendit dhe jam kthyer në shtëpi, e shoh se shumë gjëra merren si të mirëqena. Në kulturën tonë ne jemi të prirë të mos i diskutojmë problemet e njerëzve që fshehin emocionet e tyre. Ndryshimet na frikësojnë. Kjo ka qenë baza të cilën e kam përdorur për ta zhvilluar rrëfimin. Kam zgjedhur që të fokusohem në një vajzë 16-vjeçare, pasi që adoleshentët kanë këtë nguti për të zbuluar se kush janë dhe sesi shihen”.

Gjetja e aktorëve kryesorë përmes audicionit kishte rëndësi thelbësore dhe kërkonte hulumtime intensive. “Kam dashur që të gjej dy vajza që plotësonin njëra-tjetrën, në vend që ta kundërshtonin. Të dyja është dashur që të kenë një tërheqje për njëra-tjetrën, duke kërkuar të tjetra atë që i mungon te vetvetja”. Në fund të fundit, Sefa mori në audicion më shumë se 1 mijë vajza para se të kalonte kohë me Kosovaren dhe Rozafën larg nga Prishtina dhe sytë kureshtarë.

“Unë nuk kisha kamera me vete pasi që nuk dëshiroja që ato të ndiheshin sikur ishim duke u përgatitur për të filmuar diçka, por vetëm kam dashur që të bisedojmë, të fitojmë besimin dhe të njohim njëra-tjetrën”, ka thënë ajo.

Realizuar me një buxhet të vogël (njëlloj si shumë projekte të tjera në Kosovë), filmi është xhiruar për 28 ditë. Gati e gjithë puna para produksionit është kryer nga vetë Sefa, dhe pasi që ishin në sheshxhirim, aktorëve u ishte dhënë hapësirë që të ushtronin dhe të familjarizoheshin me njëri-tjetrin në mënyrë që të ruanin kohë e ditë xhirimi.

Kamera, në anën tjetër, adopton një qasje observuese tipike për dokumentimin e portreteve, duke zgjedhur për të vënë Venerën dhe shumicën e karaktereve të tjera në një distancë shumë intime përmes pamjeve të afërta ose portreteve. Kinematografi Luis Armando Arteaga shpesh vendos prezencën e vajzave në fund ose në qosh të kuadrit, një zgjedhje estetike që fuqishëm reflekton ndjenjën e saj të vazhdueshme të shtypjes. Përderisa kjo provon të jetë një zgjidhje efektive, Sefa shpalos se kjo nuk ishte rezultat i një zgjidhjeje të menduar më herët dhe shton: “Për mua Venera është pjesë e çdo gjëje që po ndodh, por jo domosdoshmërish pjesëmarrëse e ngjarjeve që ndodhin në ekran”.

ImageRealizuar me buxhet të vogël – njëlloj si shumë projekte të tjera në Kosovë – “Në kërkim të Venerës” është xhiruar për 28 ditë

Sidoqoftë, Venera dhe karakteret e tjera gra të këtij filmi janë të gjitha në shtresa të ndryshme viktima të shoqërisë konservative dhe patriarkale në Kosovë, vendit ku regjisoret si Sefa po marrin çdo herë e më shumë hapësirë në një industri të dominuar nga burrat. “Mendoj se nuk është aq e vështirë për gratë që të punojnë në kinematografinë e Kosovës”, ka thënë regjisorja. “Mendoj se gratë janë të prira të jenë më të ‘prekshme’, ndërsa burrave u pëlqen të bëjnë më shumë atë që u thuhet. Kjo është arsyeja pse filmat e realizuar nga gratë janë më të suksesshëm. Ne jemi më të ndjeshme, por ne kemi guxim më shumë dhe nuk ndihemi të humbura pa një strukturë hierarkie. Pengesa kryesore e produksioneve mbesin burokracia dhe paqëndrueshmëria politike e vendit”.

Për tani, sidoqoftë, Sefa nuk duket e tunduar që të largohet nga Kosova. Regjisorja ka bërë të ditur se ajo është duke punuar në një film tjetër të gjatë me gati të njëjtin ekip dhe krejt puna do të zhvillohet përsëri në periferi të vendit. “Ne kemi shumë resurse të tjera këtu në Kosovë”, ka thënë Sefa. “Lokacione fantastike dhe njerëz të palodhshëm, mbi të gjitha me vullnet për të punuar në film”. “Në kërkim të Venerës” është realizuar nga produksioni “Circle Production” me bazë në Prishtinë.

Marrë nga “The Calvert Journal“. Përktheu: Alberina Haxhijaj