Shtojca për Kulturë

Politika turke karshi konfliktit në Kosovë

Ashtu si në luftën në Bosnjë, Turqia dënoi dhunën e represionit në Kosovë dhe propozoi pjesëmarrjen e saj në forcën paqeruajtëse, por ndryshe nga reagimi i saj kundrejt ngjarjeve në Bosnjë, ajo nuk shfaqi ndonjë gjallëri të ngjeshur diplomatike. Si zakonisht, interesi nacional qartazi mbizotëroi mbi çfarëdo solidariteti fetar, kulturor apo historik

Fërkimet mes shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë gjatë muajve shkurt dhe mars të vitit 1998, përftuan papritur një përplasje të armatosur. Shfaqja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishte shqetësuar së tepërmi autoritetet serbe, të cilat kryen një sërë arrestimesh dhe sulmuan katundet në të cilat luftëtarët e UÇK-së po gjenin mbështetje – ose dyshoheshin se kishin gjetur përkrahje. Këto u pasuan me masakrat ndaj shqiptarëve dhe vazhduan gjatë vitit tjetër, veçmas në verën e vitit 1998. Bashkësia ndërkombëtare u orvat që të ndërmjetësonte mes dy popujve të armiqësuar, por pa ndonjë fryt. Më në fund, anëtarët e NATO-s, të shqetësuara se autoritetet serbe po organizonin ose do të organizonin – një spastrim etnik, nisën goditjet ajrore ndaj Republikës Federale të Jugosllavisë (mars 1999 - qershor 1999).

Gjatë krejt konfliktit, drejtuesit turq nuk ndërmorën ndonjë nismë të shënueshme në fushën e diplomacisë ndërkombëtare. Ata madje i bishtnuan, sidomos gjatë periudhës së parë të luftimeve, komentimit të ngjarjeve dhe krejt çështja nuk ndezi ndonjë debat të ethshëm politik (siç ishte bërë për Bosnjë-Hercegovinën). Pasi u mor vendimi për ndërhyrje ushtarake nga aleatët e NATO-s, edhe kësaj here drejtuesit politikë dhe ushtarakë turq shfaqeshin tejet ngurrues për të investuar në këtë operacion ushtarak. Drejtuesit turq nuk e kundërshtuan ndërhyrjen (siç kishin bërë në rastin e Greqisë dhe Rusisë), por shprehën dëshirën e tyre për të mbajtur anën.

Midis viteve 1992 dhe 1995, persekutimi i myslimanëve në Bosnjë-Hercegovinë grishi reagime të skandalizuara në opinionin publik në Turqi. Turqit i panë – ose i ndjesuan – myslimanët se po vriteshin pikërisht për shkak të fesë së tyre. Lufta në Bosnjë-Hercegovinë ishte komentuar gjerësisht në shtyp dhe deklarata publike, dhe Turqia ushtroi një trysni mjaft të ngjeshur diplomatike në bashkësinë ndërkombëtare duke shtyrë përpara nisma kudo që mundej në organiztat ndërkombëtare (NATO, OSCE, UN si dhe në Organizatën e Konferencës Islamike). Përveç kësaj, drejtuesit turq ngulmonin në zbatimin e vendimeve të Kombeve të Bashkuara, edhe nëse kjo nënkuptonte ndërhyrje ushtarake.

Pak kohë më vonë, në vitet 1998-1999, konflikti mes serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë nuk është se zgjoi të njëjtën brengë dhe reagime të skandalizuara – ani pse shqiptarët janë kryesisht myslimanë dhe subjekt i sulmeve serbe. Shqetësimi për myslimanët e vrarë nuk ishte as i dukshëm, as gjerësisht i denoncuar dhe as gjerësisht i instrumentalizuar nga fraksionet politike turke. Zyrtarët turq ishin skajshmërisht të kujdesshëm në paraqitjet e tyre publike rreth përgjegjësive në këtë konflikt dhe në veprimet e sugjeruara diplomatike dhe ushtarake. Në të vërtetë, duket se zyrtarët turq kishin të tjera brenga në mendje dhe natyra politike dhe juridike e konfliktit në vetvete ishte disi bezdisëse për ta. Krahasimet e bëra mes gjendjes në Kosovë dhe asaj në Turqinë juglindore ishin bërë nga disa drejtues perëndimorë andej e këndej. Zaten, çfarëdo të ishin aspektet fetare të konfliktit në Kosovë – apo edhe e vërteta e vrasjes së civilëve – ishte çështje e përparësive politike për t’i qëndruar parimit të unitetit nacional mbi mëtimet e disa “terroristëve” dhe parimit të mosndërhyrjes në punën e brendshme. Turqit e numërt me prejardhje shqiptare në Turqi nuk luajtën ndonjë rol të rrokshëm politik dhe as pakica turke në Kosovë, gjendja e së cilës zgjoi interesim, por u katandis në çështje interesash dhe manovrash politike më vonë gjatë vitit 2000.

Shqetësimi për myslimanët e vrarë nuk ishte as i dukshëm, as gjerësisht i denoncuar dhe as gjerësisht i instrumentalizuar nga fraksionet politike turke. Zyrtarët turq ishin skajshmërisht të kujdesshëm në paraqitjet e tyre publike rreth përgjegjësive në këtë konflikt dhe në veprimet e sugjeruara diplomatike dhe ushtarake

Një diplomaci e kujdesshme në Ballkan

Politika e Qeverisë turke në lidhje me konfliktin në Ballkan ka qenë tepër e kujdesshme qysh nga viti 1991. Mundësitë për Turqinë ishin të kufizuara. Ajo mund të vepronte vetëm në përputhje me Perëndimin, hapat e njëanshëm as nuk ishin të mundshëm dhe as të dëshirueshëm (në terma politikë dhe financiarë). Nuk duhet të harrohet se nismat e Turqisë po kundroheshin me vërejtje nga shtetet e tjera ballkanike, dyshuese ndaj qëllimeve të saj të vërteta dhe të gatshme për të denoncuar çfarëdo lëvizje nga ana e saj. Sundimi i gjatë i Turqisë në Ballkan ngrihet si një aktor i dyshimtë në sytë e shumicës së vendeve në rajon; ishte lufta kundër Perandorisë Osmane ajo që farkëtoi pavarësinë e kombeve të Ballkanit. Kjo dukuri e “armiqësisë fondamentale” nuk është veçanti e Ballkanit, po çka është e veçantë është paaftësia e popujve të Ballkanit për të tejkaluar antagonizmin e tyre.

Politika e Qeverisë turke në lidhje me konfliktin në Ballkan ka qenë tepër e kujdesshme qysh nga viti 1991. Mundësitë për Turqinë ishin të kufizuara. Ajo mund të vepronte vetëm në përputhje me Perëndimin, hapat e njëanshëm as nuk ishin të mundshëm dhe as të dëshirueshëm

Kjo prapavijë historike dhe emocionale është një mangësi e ndjeshme për Turqinë, e cila duhet të veprojë kujdesshëm dhe nuk mund të marrë ndonjë qëndrim të prerë mbi konfliktet dhe tendosjet në rajon. Ajo është në rrezikun e përhershëm të të qenët e akuzuar për rishfaqje të prirjeve të saj luftëdashëse, prandaj ajo duhet të veprojë kujdesshëm. Politika antiturke e Greqisë në qerthujt perëndimorë ka pasur thuajse rrjedhoja të fundbotshme për Turqinë. Sidomos ndërhyrja ushtarake në Qipro, në vitin 1974 e përforcoi këtë ndjesim të vendit, regjimit dhe popullit armik. Turqia zyrtarisht ndërhyri për t’i mbrojtur të drejtat e popullatës turke në ujdhesë. Kjo përligjje zyrtare mund të yshte vetëm dyshime në Ballkan se Turqia mund të vinte përpara të njëjtin shkas për të ndërhyrë në çështjet ballkanike. Ky “sindrom qipriot” përsëdytet shpesh në Ballkan (në opinionin publik, në shtyp, por edhe në paraqitje publike politike).

Së këndejmi, Ankaraja në mënyrë të vazhdueshme ka siguruar diplomacinë e saj ballkanike me “parimet dhe pozicionet” e bashkësisë ndërkombëtare dhe ka kundërshtuar për të marrë pjesë gjallërisht në ndërhyrjet ushtarake. Kur NATO-ja lëshoi një ultimatum ndaj Serbisë në shkurt të vitit 1994, Turqia sigurisht se përkrahu këtë nismë, por propozoi pjesëmarrje në sulmet ajrore vetëm përmes misioneve logjistike. Edhe në gusht të vitit 1995 gjatë operacionit “Delibarate Force”, Turqia mirëpriti veprimin, por Forca ajrore turke nuk mori pjesë në bombardime. Turqia ka punuar ngushtë me Washingtonin në sëndërgjimin e diplomacisë së saj rajonale. Vetëm kur Shtetet e Bashkuara u përfshinë në zgjidhjen e konfliktit në Bosnjë-Hercegovinë në vitet 1994-1995, njohën FYROM-in (Republikën e Maqedonisë) dhe nënshkruan marrëveshje ushtarake me këtë të fundit, Turqia ndërmori hapa për nënshkrimin e marrëveshjeve ushtarake me Maqedoninë (prill 1995 dhe korrik 1996) dhe Bosnjë-Hercegovinën (gusht 1995 dhe janar të vitit 1996). Edhe në pranverën e vitit 1998, atëherë kur shtypja në rritje në Kosovë nxiti thellimin e bashkëpunimit ushtarak mes Maqedonisë dhe NATO-s, Turqia gjithashtu fuqizoi bashkëpunimin e saj ushtarak me Shkupin. Ashtu sikundër Shtetet e Bashkuara, Turqia mbështeti politikisht dhe ushtarakisht Shqipërinë, Maqedoninë dhe Federatën Boshnjako-Kroate. Së fundmi, Washingtoni dhe Ankaraja ndërmorën një përpjekje të përbashkët për të ri-armatosur dhe stërvitur ushtrinë kroato-myslimane në kuadër të programit amerikan për trajnim dhe pajisje.

Turqia ka qenë po ashtu e kujdesshme për të mos i shkëputur marrëdhëniet me Republikën Federale të Jugosllavisë. Ajo në të vërtetë ka mbajtur marrëdhënie tepër të mira me Jugosllavinë përgjatë tërë periudhës së Luftës së Ftohtë dhe këto marrëdhënie të qëndrueshme u bënë edhe më të forta në fund të viteve ’70 dhe gjatë viteve ’80. Pas shpërbërjes së Jugosllavisë dhe shpërthimit të luftërave, drejtuesit turq bënë përpjekje që të mos armiqësoheshin me Serbinë. Fjala bie, ata pritën katër muaj (gjatë majit të vitit 1992) para se të tërhiqnin ambasadorin e tyre pasi Beogradi kishte vepruar njëjtë (janar 1992) dhe gjatë krejt luftës, kontaktet mbetën në nivel të chargé d'affaires . Pas Marrëveshjes së Dejtonit, drejtuesit turq sa ora ripërtërinë marrëdhëniet e tyre me ata që më parë i kishin quajtur “agresorë serbë”. Në të vërtetë, ata mbështetën gjallërisht politikën serbe pas luftës së Bosnjës. Biznesmenët turq, përfshirë edhe anëtarët e MUSAID, nxituan të investonin në këtë vend dhe shpejt u arritën edhe marrëveshje që rregullonin tregtinë mes dy shteteve. Duket që Bosnja nuk tërhoqi të njëjtën vëmendje. Në vitin 1997, tregtia e dyanshme nuk kapërcente dot 25 milionë dollarë.

Turqia ka qenë po ashtu e kujdesshme për të mos i shkëputur marrëdhëniet me Republikën Federale të Jugosllavisë. Ajo në të vërtetë ka mbajtur marrëdhënie tepër të mira me Jugosllavinë përgjatë tërë periudhës së Luftës së Ftohtë dhe këto marrëdhënie të qëndrueshme u bënë edhe më të forta në fund të viteve ’70 dhe gjatë viteve ’80. Pas shpërbërjes së Jugosllavisë dhe shpërthimit të luftërave, drejtuesit turq bënë përpjekje që të mos armiqësoheshin me Serbinë

Kosova – një tjetër mëdyshje për Turqinë

Ashtu si në luftën në Bosnjë, Turqia dënoi dhunën e represionit në Kosovë dhe propozoi pjesëmarrjen e saj në forcën paqeruajtëse, por ndryshe nga reagimi i saj kundrejt ngjarjeve në Bosnjë, ajo nuk shfaqi ndonjë gjallëri të ngjeshur diplomatike.

Si zakonisht, interesi nacional qartazi mbizotëroi mbi çfarëdo solidariteti fetar, kulturor apo historik. Edhe këtu, Turqia nuk mundi të hedhë ndonjë hap të njëanshëm në konflikt dhe duhej të hapëronte me kujdes nëse donte të shmangte armiqësimin me popullatat ballkanike. Por një mëdyshje tjetër nxori krye. Në rastin e Bosnjës, mëvetësia e shtetit ishte pranuar – nëse nuk ishte njohur – në skenën ndërkombëtare, por në rastin e Kosovës krejt bashkësia ndërkombëtare – të paktën zyrtarisht – ngulmonte në integritetin territorial të RFJ-së. Në këtë drejtim, është zor të përfytyrohet një Turqi që mbështet një lëvizje separatiste (ose të ngjashme që ndjesohej nga bashkësia ndërkombëtare) kur po luftonte një lëvizje të tillë në territorin e saj. Në të vërtetë, studiues dhe politikanë të ndryshëm kanë tërhequr këtë ngjashmëri mes Kosovës dhe Kurdistanit (një pakicë etnike, shumicë në trevat e saj, që kërkonte të drejta dhe mëtonte pavarësi). Ambasadori jugosllav në Ankara, për shembull, nuk e huqte rastin për t’iu referuar luftës kundër PKK-së në Turqi (“Turqia duhet ta kuptojë Beogradin më mirë se çdo vend tjetër i përfshirë në një gjëmë të ngjashme”).

Së këndejmi, Turqia nuk ndërmori ndonjë nismë të rëndësishme diplomatike, më së shumti ajo dënoi dhunën e represionit dhe bëri thirrje për bisedime konstruktive. Edhe para shpërthimit të masakrave në pranverën e vitit 1998, politikanët turq ishin skajshmërisht të kujdesshëm në politikën e tyre rreth Kosovës. Atyre u ishte bërë thirrje nga kosovarët që t’u dilnin në ndihmë, por ata nuk bëzan; kryeministri i “qeverisë në hije”, Bujar Bukoshi i kërkoi Turqisë që të dërgonte vëzhguesit e saj në zgjedhjet e 22 marsit të vitit 1998; Adem Demaçi bënte thirrje që Turqia të ishte më aktive në zgjidhjen e ndeshtrashës së Kosovës; etj. Shumica e krerëve të Kosovës shprehën zhgënjimin e tyre me këtë “politikë pasive”, politikë e cila u cilësua si “retorikë e pastër” nga shkrimtari Rexhep Qosja.

Fill pas përshkallëzimit të represionit në Kosovë në mars 1998, ministri i Jashtëm turk shkoi në RFJ (më 8 mars). Gjatë kësaj vizite, ai ia përcolli Milosheviqit një letër të Sylejman Demirelit, asokohe president i Republikës së Turqisë, në të cilën thuhej: “Turqia, gjithashtu, duhet ta luftojë terrorizmin në territorin e saj”. Gjatë këtij takimi, Ismail Cem siguroi për qëllimet e Turqisë për të përkrahur bashkëngjitjen e RFJ-së në organizatat ndërkombëtare dhe një marrëveshje e re e dyanshme u nënshkrua. Më vonë, ai shkoi në Kosovë, por anashkaloi takimin me krerët lokalë shqiptarë. Gjatë tërë rrjedhës së vitit 1998, Qeveria e Jilmazit mbeti krejtësisht e shkujdesur ndaj zhvillimeve në Kosovë, veçmas gjatë mësymjeve ushtarake serbe gjatë verës.

Edhe para shpërthimit të masakrave në pranverën e vitit 1998, politikanët turq ishin skajshmërisht të kujdesshëm në politikën e tyre rreth Kosovës

Brenga kryesore e Ankarasë ishte rreziku i shpërhapjes së konfliktit të Kosovës në krejt gadishullin dhe këtu prekej interesi i “saj” nacional. Skenari i përmendur më së shpeshti në Turqi (sikundër edhe gjetiu) ka qenë frika se nëse shqiptarëve u jepej pavarësia, shqiptarët e Maqedonisë do të vazhdonin lëvizjen, duke përftuar shpërbërjen e Republikës së Maqedonisë dhe një konflikt rajonal. Menjëherë Turqia fuqizoi ndihmën e saj ushtarake për Republikën e Maqedonisë, ku jeton një bashkësi e madhe shqiptare me lidhje të forta me shqiptarët kosovarë dhe e cila si rrjedhim ishte pika më e dobët në kufizimin e konfliktit të Kosovës. Në qershor të vitit 1998, bisedimet bëheshin në dhënien e 20 aeroplanëve F-5 ushtrisë maqedonase dhe trajnimin e pilotëve maqedonas në Turqi. Në javët e mëhershme, NATO-ja pati organizuar një “demonstrim mujsharie” (manovrat Determined Falcon), kurse forca ajrore serbe përshkoi disa herë zonën e fesatit mes dy vendeve. Turqia i dha kontribut edhe forcës detare të NATO-s të stacionuar në portin shqiptar të Durrësit, dhe shumë më herët (prej fillimit të marsit të vitit 1998), propozoi pjesëmarrjen e saj në një forcë paqeruajtëse.

Shtypi turk përgëzonte “qasjen realiste” të autoriteteve. Mëvetësia e Kosovës përjashtohej prerazi dhe gazetat flisnin për “ndërhyrjen energjike” të bashkësisë ndërkombëtare në pranverën e vitit 1998. Edhe e përditshmja “Türkiye”, me prirje nacionaliste dhe islamike, i mbulonte ngjarjet me një ton të ftohtë. Në këtë pikë, ndryshe nga Bosnjë-Hercegovina, çështja nuk ndezi edhe aq debat politik. Mediat nacionaliste dhe islamike dënonin vrasjet e shqiptarëve në Kosovë dhe kritikonin qasjen e kujdesshme të Qeverisë, por në asnjë rast nuk e instrumentalizuan këtë çështje për propagandë apo motive zgjedhore.

Partia islamike (Fazilet partisi), për të njëjtat shkaqe si Qeveria, nuk organizoi protesta masive apo fushata për mbledhjen e fondeve. Dhe duhet të përmendet që turqit me prejardhje shqiptare ishin të përfaqësuar goxha shumë në administratën qendrore të Fazilet partisi! Sidoqoftë, informacione spektakulare u afishuan në shtypin islamik. Mund të lexohej, fjala bie, në edicionin e 31 gushtit të vitit 1998 se serbët kishin prerë vajzat e reja shqiptare. Në të njëjtin edicion, thuhej se serbët kanë instaluar në Kosovë predha ruse S-300, një lëvizje kjo që shenjëzonte një rrezik të madh për Turqinë bashkë me kundërthënien e vazhdueshme të vendosjes së predhave ruse S-300 në Qipro. Sidoqoftë, si zakonisht (ashtu siç kishte ngjarë në konfliktin e Bosnjë-Hercegovinës), disa editoriale ishin më hakërryese. Ato e dënonin ashpër spastrimin e ri etnik, nemitjen e bashkësisë ndërkombëtare dhe komplotin e ri ortodoks, kurse disa të tjerë avokonin hapur për pavarësinë e Kosovës. Natyrisht se vrasjet masive të ndërmarra nga autoritetet serbe gjatë pranverës së vitit 1999 ravijëzuan në të gjitha gazetat imazhin e serbëve si “spastrues etnik”, “vrasës” dhe “kasapë”.

Por drejtuesit e Turqisë iu përmbajtën përkushtimit të ruajtjes së integritetit territorial të RFJ-së dhe ishin tejet ngurrues për të ndërhyrë në çështjet e brendshme të Kosovës. Për të përjashtuar krahasimin me gjendjen në juglindje të Anadollit, ata mbarështruan dy lloje argumentesh:

Represioni në Kosovë ishte në të tillë shkallë të madhe sa asnjë krahasim nuk ishte i mundur. Kryetari Demirel e quajti këtë represion si “gjenocid”.

Natyra e konfliktit ishte katërcipërisht ndryshe. “Ata i quajnë pakicë në Kosovë, por ne në Turqi nuk kemi pakica”, pati thënë Sylejman Demiral.

Vrasjet masive të ndërmarra nga autoritetet serbe gjatë pranverës së vitit 1999 ravijëzuan në të gjitha gazetat imazhin e serbëve si ‘spastrues etnik’, “vrasës” dhe “kasapë”

Krerët e Turqisë ishin të mbështetur, në këtë qasje, nga shumica e editorialistëve: “Nuk ka shtet tjetër që kryen këso dhune ndaj popullatës së vet në territorin e vet (...) Lufta midis serbëve dhe shqiptarëve ishte një përballje etnike dhe fetare”.

Drejtuesit turq zyrtarisht i mëshonin “rikthimit” të të drejtave të shqiptarëve. Duke ngulmuar në rikthimin e të drejtave të shqiptarëve në Kosovë, turqit shmangnin çfarëdo krahasimi të bezdisshëm me kurdët (të cilët kurrë nuk kanë gëzuar të drejta si ato të shqiptarëve në Kosovë me Kushtetutën Jugosllave të vitit 1974).

Drejtuesit turq zyrtarisht i mëshonin “rikthimit” të të drejtave të shqiptarëve. Duke ngulmuar në rikthimin e të drejtave të shqiptarëve në Kosovë, turqit shmangnin çfarëdo krahasimi të bezdisshëm me kurdët

Edhe këtu, Turqia ka përvijuar hapat e Shteteve të Bashkuara. Forca ajrore turke ka marrë pjesë në goditjet ajrore të NATO-s ndaj RFJ-së dhe pas qershorit të vitit 1999, siç ishte paralajmëruar edhe më herët, kontribuoi edhe në forcën paqeruajtëse të stacionuar në Kosovë. Rreth 1 mijë ushtarë turq u vendosën në Kosovë në korrik të vitit 1999. Ata u vendosën në Kosovën jugperëndimore (sektori gjerman) ku jeton një bashkësi turke. Rreth njëqind policë turq do të dërgoheshin për të marrë pjesë në “Administratën e Përkohshme Civile”. Së fundmi, zyrat turke u hapën në Prishtinë dhe Prizren gjatë vizitës të Ismail Cemit në korrik të vitit 1999. Zyrtarisht, ato ishin të mandatuara për të bashkërenduar shpërndarjen e ndihmave humanitare turke në provincë.

Image

Forca ajrore turke ka marrë pjesë në goditjet ajrore të NATO-s ndaj RFJ-së dhe pas qershorit të vitit 1999, siç ishte paralajmëruar edhe më herët, kontribuoi edhe në forcën paqeruajtëse të stacionuar në Kosovë. Rreth 1 mijë ushtarë turq u vendosën në Kosovë në korrik të vitit 1999. Ata u vendosën në Kosovën jugperëndimore (sektori gjerman) ku jeton një bashkësi turke (Foto: Ilustrim, Driton Paçarada)

Edhe kur përfaqësuesi i UÇK-së, Shaip Muja, shkoi në Stamboll, vizita u bë në një kohë kur Shtetet e Bashkuara kishin njohur UÇK-në si partner në bisedime. Asgjë nuk u tha për kontaktet që bëri në Turqi, por udhëtimi u bë zyrtarisht për të vizituar gjashtë luftëtarë të UÇK-së që po trajtoheshin në një spital turk, një mënyrë e përshtatshme për të vizituar me dukshmërinë më të vogël diplomatike. Në intervistat që dha, Shaip Muja u shpreh i kursyer në opinionet e tij karshi politikës turke ndaj Kosovës.

Edhe më habitëse është se Turqia në fund mori pjesë në bombardimet e NATO-s. Kjo përfaqësoi një ndryshim të vërejtshëm në vijën e ndjekur gjatë konfliktit në Bosnjë-Hercegovinë, dhe reagimet e shtypit turk ishin mjaft të përziera. Krerët turq ishin disi të sikletosur dhe thashethemet u shpërhapën në shtyp para konfirmimit kah mesi i muajit maj në vitin 1999. Një muaj më herët, Bilent Ecevit, kryeministri i asokohshëm, kishte mohuar troç se Turqia do të merrte pjesë në misionet sulmuese dhe shumica e analistëve nuk kishin pritur se Turqia do të bënte një gjë të tillë. Turqia me siguri se donte ta forconte pozitën e saj brenda Aleancës dhe krejt kjo pas mbledhjes së Washingtonit kur nuk tumiri propozimin frëngo-anglez për të themeluar një identitet evropian të Mbrojtjes dhe Sigurisë që do ta margjinalizonte atë. Disa ditë më herët, kabineti turk kishte miratuar kërkesën e NATO-s për t’i shfrytëzuar bazat turke gjatë goditjeve ajrore.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë.

Sylvie Ganfloff është hulumtuese e studimeve turke. Ky artikull është shkruar më 2004. Fusnotat janë hequr nga redaksia. Përgatiti: Salih Mehmeti